
Nga Alban Jashari/
Përgjithësisht komunitetet i kërkojnë me ngulm heronjtë, shpeshherë duke shpikur të tillë në mungesë të tyre. Përpara këtij fakti është për të ardhur jashtëzakonisht keq mospërfillja e komunitetit shqiptar për një hero të vërtetë të ardhur nga rradhët tona: oficerin e policisë SEPTA Ervis Onuzi.28-vjeçari Onuzi u qëllua në detyrë në muajin prill teksa po përpiqej të ndihmonte një koleg të tij gjatë një shkëmbimi zjarri me një të dyshuar të armatosur në qytetin e Filadelfias. Profesionalizmi dhe guximi i oficerit Onuzi bënë bujë në mediat më të njohura amerikane dhe u vlerësuan me notat më të larta nga kolegët dhe eprorët e tij. Në fakt, policia e Filadelfias nxitoi në Spitalin Universitar Temple në shenjë mbështetjeje për Onuzin, duke shënuar dhe një çast prekës në momentin që Onuzi doli nga spitali pasi ndenji nëntë ditë i shtruar atje.Por ndryshe nga kolegët e tij të profesionit, veprimit proverbial të oficerit Onuzi nuk iu kushtua vëmendja e duhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Përjashtimi i vetëm ishte, si gjithmonë, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit (Albanian American Law Enforcement Association – AALEA USA). Jo vetëm që përfaqësuesit e AALEA iu gjendën pranë oficerit Onuzi gjatë momenteve të vështira kur ishte i shtruar në spital, por edhe i akorduan atij Çmimin “Hero” për heroizmin, guximin dhe shërbimin e përkushtuar. Deri më sot, ky mbetet vlerësimi i vetëm i akorduar të riut Onuzi, pavarësisht dimensionit të jashtëzakonshëm të veprimit të tij në krye të detyrës.”Ai është padyshim një hero. Ai e vuri veten në rrezik për të shpëtuar një person tjetër dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky është gjesti më i madh që mund të bëjë çdo oficer policie,” tha Troy Parham, Zëvendës Presidenti i Unionit e Policisë SEPTA.Do bënin mirë që këto fjalë t’i merrnin parasysh drejtuesit e organizatave shqiptaro-amerikane dhe përfaqësuesit e komunitetit tonë në Amerikë, të cilët kanë mbetur mjerisht të heshtur përpara veprimit heroik të oficerit Onuzi.