
Nga Astrit LULUSHI/ S’ka shqiptar, i cili nuk e di a s’ka dëgjuar për tmerret e izolimit të plotë, që fillon me kufizimin e fjalës. Por, afër 30 vjet nga ajo periudhë diktature, dëgjohen zëra nostalgjikë për kthim mbrapa. Me daljen e një brezi të ri që nuk e ka provuar atë kohë, këto zëra do të ndjehen edhe më shpesh. Fjala është për Shqipërinë që nuk gëzon shtyp të lirë.
Kombi mbështetet në diskutimin publik si një nga mjetet e domosdoshme për të arritur zgjidhje korrekte për problemet e mirëqenies sociale. Kufizimi i fjalës e ndërpret këtë diskutim. E gjithë historia njerëzore mëson se përshtatja e marrëdhënieve shoqërore nëpërmjet arsyes është e mundur kur fjala e lirë lejohet. Kur njerëzve u krijohet mundësia të komunikojnë lirshëm mendimet dhe vuajtjet e tyre, të vërteta ose të imagjinuara, pasionet e tyre shpërndahen në ajër, si baruti në sipërfaqe – por të këputur nga tmerret, mendimet punojnë në heshtje, dhe vjen një moment kur shpërthejnë duke shkatërruar gjithçka përpara. Kur arsyeja kundërshtohet me arsye dhe argumenti me argument, çdo qeveri e mirë do të jetë e sigurt. Fjala e lirë është vetë qytetërimi. Madje edhe fjala më kontradiktore, ruan kontaktin – është heshtja që izolon…