
Armenida Qyqja është një zë i spikatur poetik, që ka krijuar tashmë profilin e vet letrar brenda korpusit të poezisë shqipe bashkëkohore, sidomos asaj poezie që shkruhet nga femrat. Ajo ka botuar disa vëllime poetike si: “Përtej kangjellave të shiut” (2018), “Letra pa zarf” (2020), “Mes rrahjeve të zemrës” (2020), “Puthje në eter” (2020), “Dyzet plus” (2021), “Sizifi i shpirtit tim” (2023), “Ktheja zemrën pranverë”(2023) dhe “Mbi një gjysmë kafke bunkeri” (2024). Poezia e saj është e njohur për ndjeshmërinë, thellësinë e mendimit dhe përdorimin e një figuracioni të larmishëm.
Poezia e kësaj autoreje renditet me dinjitet në plejadën më të mirë të poezisë femërore të shkruar në dekadat e fundit. Poezia femërore bashkëkohore shqiptare ka marrë një zhvillim të rëndësishëm që nga fundi i shekullit XX, e sidomos në shekullin XXI, duke reflektuar jo vetëm temat universale të ekzistencës, dashurisë, mallit, dhimbjes, por edhe temat sociale, identitetin gjinor, lirinë, eksperiencën personale dhe përpjekjet për të kapërcyer tabutë. Dashuria, malli, ndarja dhe humbja janë tematika që trajtohen me një ndjeshmëri të veçantë në këto poezi. Poetet shpesh i japin kuptime të reja këtyre ndjenjave, duke i lidhur edhe me përjetime shoqërore dhe personale. Në përgjithësi, poezia femërore bashkëkohore shqiptare është një hapësirë e larmishme ku ndjenja, përjetimet personale dhe reflektimi shoqëror bashkohen për të krijuar një zë unik dhe të fuqishëm.
Armenida Qyqja i përket pikërisht këtyre zërave poetikë që e shndërrojnë ndjeshmërinë e shpirtit në art. Poezia e saj është një shembull i qartë i poezisë femërore bashkëkohore shqiptare dhe lidhet direkt me tiparet që përmendëm më sipër. Poezia e saj është botuar në revista dhe antologji letrare, në disa vëllime, siç e përmenda më sipër, ndërsa “Hieroglifet e mallit”, libri i saj më i fundit me poezi është një ndër vëllimet e saj më përfaqësuese, ku përmbledh përjetime personale, sociale, ekzistenciale me tendencën për t’u dhënë atyre një përmasë universale. “Hieroglifet e mallit” është një dëshmi e brishtë, por njëkohësisht edhe e fuqishme e shpirtit të saj krijues. Ajo ka krijuar një dimension të ri botës sonë poetike, ku shquan një vokacion drithërues vargu, deri në një dhembje të ëmbël. Krijimtaria e saj është një pasuri për letërsinë shqiptare dhe një shembull i bukur i poezisë femërore bashkëkohore.
Poezitë e këtij vëllimi duke qënë njëherësh autobiografi shpirtërore, por dhe gjithnjerëzore, detyrimisht që tablotë e ndjenjave që do përshfaqen në to do të krijojnë një afresk të gjallë, plot ngjyra, ku gjallojnë relieve të ndryshme emocionale. Poezia është një prerje e shpirtit në një plan, shumë poezi janë gjithë shpirti, prandaj vazhdon të lexohet poezia, sepse kohët evoluojnë njeriu rend drejt modernitetit, por esenca njerëzore mbetet e njëjtë që prej krijimit.
Nëse krahasojmë poezitë e vëllimeve të mëparshme me këto të vëllimit më të fundit shohim një poete dimensioni kryesor i të cilës është dashuria, një poete e cila ruan gjithnjë individualitetin e vet të papërsëritshëm, të tipizuar nga thjeshtësia, harmonia dhe muzikaliteti i vargut e për më tepër nga brendia emocionale, e cila pavarësisht nga evoluimi i stilit poetik në thelb mbetet vetvetja.
Duke lexuar me endje ketë poezi në mënyrë ontologjike, sendërton çast pas çasti një mozaik të brishtë dhe të bukur, që nuk është gjë tjetër veçse mozaiku i një jete njerëzore, i dhimbjes individuale, i përjetimit dhe emocionit, i dashurisë dhe mallit që e shoqërojnë njeriun që prej momentit kur fillon të ndërgjegjësohet dhe të njohë botën dhe jetën e deri në vdekje. Vargjet e saj, shpesh, shprehin ndjenja të brendshme dhe reflektime intime. Ajo shpreh mallin, mungesën dhe dashurinë në mënyrë shumë të ndjeshme, duke krijuar një botë të brendshme që lexuesi e ndjen si personale dhe autentike:“ I çela tërë sythet e ëndrrave, syve, / Te mbushen degët që çerdhen rrethojnë, / me emrin që s’u ndahet kurrë buzeve, / dashurisë i thashë për të lulëzomë”. Ky varg i atribon dashurisë elementin e krijimit, por edhe atë të ripërtëritjes. Armenida përdor shpesh metafora të pasura dhe forma të lirshme poetike, duke krijuar një poezi që sfidon strukturat tradicionale. Përdorimi i imazheve të natyrës si: degët dhe lulëzimi, krijon një gjuhë vizuale dhe emocionale që pasqyrojnë shpirtin. Strukturimi i vargut është i lirë, pa rregulla metrike strikte, duke i dhënë atij ritëm të brendshëm dhe lirshmëri në shprehje. Degët dhe lulëzimi përdoren për të simbolizuar rritjen e ndjenjave, dashurinë dhe kujtimet, një tipar karakteristik ky i poezisë femërore bashkëkohore.
Në poezinë e Armenida Qyqes, fjala merr formën e një gjuhe të fshehtë, ku çdo varg bëhet simbol, çdo metaforë një shenjë që duhet lexuar me zemër. Krijimtaria e saj, ngrihet mbi tri shtylla themelore: malli, dashuria dhe gërshetuar me këto është gjithmonë shpresa. Në poezinë e Armenida Qyqes, dashuria, malli dhe mungesa janë të ndërthurura në një vizion unik poetik: ato nuk janë thjesht emocione, por proces dhe veprim shpirtëror.
Malli është një motiv i shpeshtë në poezinë e saj, i cili shfaqet përmes vargjeve që shprehin dhimbjen e largësisë dhe dëshirën për bashkim. Poetja arrin ta kthejë këtë mall në një art të veçantë, duke i dhënë atij tinguj të butë, ngjyra të pastra dhe ritëm meditativ. Malli si temë universal në letërsinë botërore vjen në një qasje unike dhe krejt personale në poezinë e saj, që nuk kthehet në një ndjenjë lëngate dhe dëshpërimi, por përkundrazi gjen dimensionin e vet brenda kësaj ndjenjë dhe e kthen atë përmes artit poetik në shpresë, kuptim dhe dashuri për jetën: Shkëndijat ndezin ajrin e fjetur,/ emrin tënd, e bëjnë qiri, /nën flakën e kujtesës, sytë e etur,/
Pranë vetes të shohin, përsëri…. Vetë titulli i vëllimit “Hieroglifet e mallit” na përgatit, nëpërmjet kësaj metafore, për atë se si malli do të shfaqet kudo, në pothuaj çdo poezi si një gjuhë e fshehtë, e koduar, që duhet kuptuar dhe ndjerë me zemër. Në vargjet e saj, malli ka përmasën e një “hieroglifi të shpirtit” – diçka jo plotësisht e shpjegueshme me fjalë, por që shkruhet e rizbulohet në çdo varg. Ai nuk është vetëm kujtesë, por edhe një dhimbje e ëmbël, që e bën dashurinë të pavdekshme. Shumë prej poezive të saj flasin me metafora që lidhen me natyrën: malli bëhet erë, dashuria bëhet blerim, behar i dytë apo lule. Kjo e bën poezinë e saj të ngrohtë, por edhe të thellë, sepse lexuesi e kap ndjesinë përmes imazheve konkrete.
Mungesa te poezia e kësj autoreje nuk është boshllëk, por prani e padukshme. Mungesa krijon një hapësirë ku fjala poetike merr fuqi, ku ndjenja rritet, dhe ku njeriu ndjek hijen e tjetrit nëpër kujtime. :Ka ditë, ka ditë që pa ty,/ dhe eshtrat dhembin,/ tek shtrëngohen, brinjë më brinjë, në kafaz të mbajnë shpirtin… Mungesa shpesh merr dimension metafizik, duke u bërë pjesë e qenies dhe jo thjesht një realitet i përkohshëm. Në tërësi, poezia e Armenida Qyqes është një udhëtim përmes dhimbjes së bukur: dashuria është dritë, malli është gjuhë, mungesa është jehonë. Së bashku, ato formojnë një poezi ku ndjenja njerëzore ngrihet në një simbol universal.
Në lojën e madhe të jetës me mungesë dhe prani, dhimbje dhe shpresë, pikëllim dhe ngazëllim, terr dhe dritë, ku nga makrokozmosi kalohet natyrshëm në mikrokozmos, autorja është e bindur se drita lind atje ku vibron ndjenja, e cila prej mallit merr hov për të zgjatur lëvizjen e vet nëpër trajektore të paana, duke i dhënë kuptim ekzistencës: Lëri të tí ndezin thëngjijtë brenda, / Flakën e fjetur nën akuj galaktikash vetmie, / Kam folur dhe me meteorët në rëniet e mia, / është koha të bëjmë sërisht dritë…
Në poezinë e A.Qyqes, tema e dashurisë është qendrore. Ajo nuk e trajton dashurinë vetëm si emocion romantik, por edhe si përjetim shpirtëror që prek memorien, nostalgjinë dhe dëshirën për të mbajtur lidhje me personin që dashuron. Dashuria në poezinë e Armenida Qyqes është mall i pashuar dhe kujtim i gdhendur, një ndjenjë që jeton në heshtje e shpërthen në varg. Poezia e dashurisë tek Armenida Qyqje ka një frymë të veçantë, sepse ajo nuk e sheh dashurinë vetëm si ndjenjë intime mes dy zemrave, por si një përvojë që përfshin një gamë të gjerë ndjesish.
Në vargjet e saj dashuria del si :si kujtesë e gdhendur, ku përjetimet e së shkuarës bëhen dritë për të sotmen: I mbyll sytë dhe prapë të shoh ,/edhe më të madh brenda meje,/ ti s é di çfarë shije kanë ditët,/ që zgjohen me endjen drejt teje…Si dhimbje e ëmbël, ku dashuria nuk është gjithnjë plotësi, por edhe mungesë që të rrit shpirtërisht: Me çdo orë errësire lëre dashurinë, / Brenda frymës tënde të rritet, / me buzët e padukshme të puth dhimbjen, / dihet për më të fortët janë sprovat. Si univers shpirtëror, ku njeriu kërkon tjetrin përtej kohës dhe hapësirës, gati si një ritim të përjetshëm:me gishtat e tu, të lidhur me të mitë,/ Fillin e kohës ,rreth zemrës mbledhin.
Duke parë ciklet poetike të Armenidës, dashuria te ajo nuk është thjesht temë, por themel i shprehjes poetike, një fill që e lidh me jetën, me vetveten dhe me botën përreth.Dashuria nuk është vetëm një ndjenjë njerëzore, por një forcë që e mban shpirtin gjallë dhe e bën njeriun të kërkojë vazhdimisht kuptimin e vet. Jo rallë dashuria paraqitet si një mjet për vetënjohje: Duhet të vije ti,që të njihja vetveten, / përtej imazhit të reflektuar në pasqyrë, / kufijve gri që ndajnë fitoret nga humbjet, por edhe si një nga forcat më të medha që në radhë të parë të bën të duash veten e më pas të tjerët: Me ty mësova prapë të doja veten, /për atë që është me tërë vragat mbi shpinë, / Buzët t’i ndjeva mbi shpirtin e thërmuar, / tek ngjiznin mes puthjesh mozaikun e prishur…
Shpesh me metafora të thjeshta, ku një shikim i munguar apo një përqafim i harruar bëhet shkak për një furi emocionesh autorja arrin ta japë dhimbjen për dashurinë në largësi jo si një boshësi e thatë, por si një pasuri ndjenjash që e bën shpirtin të ndihet i gjallë. E në këtë kontekst dashuria si kujtesë në vargjet e Armenidës trajtohet si kujtim i gdhendur në muret e shpirtit, që e kapërcen kohën dhe hapësirën. Një kujtim i dashur nuk shuhet, por përkundrazi mbetet si një dritë e fshehur që e udhëheq në të tashmen. Në poezitë e saj, mungesa e tjetrit nuk shihet vetëm si tragjedi, por si burim frymëzimi. Dhimbja është e ëmbël, sepse tregon se sa e thellë ka qenë ndjenja. Ajo e bën lexuesin të kuptojë se edhe mungesa është një formë pranie: Me dashurinë time ushqeje shpirtin, / Mos ju dorëzo kurrë dhimbjes .
Armenida e shikon lidhjen njerëzore përtej kohës e hapësirës si një energji që nuk shuhet, por vazhdon të jetojë në varg, në natyrë, në çdo shenjë të vogël të jetës. Ajo e ngre dashurinë në një dimension metafizik, ku ajo bëhet kuptim i ekzistencës: Harroji orët ,kalendarët e kësaj bote, / me të si më parë kuturu le të rendin, / Unë e ti shkojmë e vijmë prej tjetër kohe, / me atë që vetëm brenda zemrës ecën.
Aq e nevojshme është dëshira për të mbushur shpirtin me dashuri edhe pse shpesh ajo gjeneron vuajtje sa autorja arrin deri në vargun shpërthyes: O njerëz,dashuria është sëmundja,/ nga e cila nuk dua të shërohem.
Autorja shpesh e lodhur nga pesha me realitetit nga kundërshtitë e tij; hipokriza, intriga, mashtrimi, mosmirënjohja, preferon të largohet nga ky “Babilon“ ku njerëzit gjithmonë e më tepër e bëjnë të vështirë marrëdhënien njerëzore dhe komunikimin dhe preferon të jetojë në ‘Babilonin” e saj vetëm kur atje jeton dashuria; Ia mbylla derën botës, I ngrita gardhet,/ I përjetëshëm dua të jetë i yni Babilon
Në këtë vëllim, padyshim, Armenida nuk munt të linte pa prekur edhe temën aktuale, sfidat dhe pakënaqësitë e kohës që jetojmë, të cila kthehen brenda shpirtit në plagë që dhembin pareshtur, për vendin e saj ku u lind dhe u rrit dhe njerëzit e tij. E mërguar prej kohësh larg edhe pse në qytetin më të bukur në botë, asaj i mungon vendlindja. Gretaçelat e larta i sjellin ndjesinë e betonit të ftohtë që ja mban zemrën akull, sepse zemra e saj reh atje ku është historia e saj personale dhe ajo kolektive. Ajo nuk mund të mos vuajë me shqetësimin e saj njerëzor, por edhe atë të poetit për plagët e hapura të vendit të saj, të cilat i mbarti me vete në shpirt atëherë kur u largua, por ato plagë dhembin sërisht sidomos kur rikthehet në atdhe: E helmët kafja Bej,vrerë, / një vrer që ende kundërmon, / Shqipëria ç’është e ç’do të bëhet, / Një helm që dhe helmit ja kalon. Përmes metaforës së helmit dhe vrerit, autorja krijon një atmosferë të errët që simbolizon gjendjen e rëndë morale e shoqërore të vendit. Kafja, e cila zakonisht përfaqëson gjallëri e kënaqësi, me të cilën nis dita apo biseda me miqtë këtu është kthyer në simbol të vuajtjes. Ky kontrast tregon se brenga e saj është kaq e madhe, sa prek edhe gjërat më të vogla të përditshmërisë. Dilema se “ç’do te bëhet ?”nuk ka përgjigje, por vetëm shqetësim dhe dëshpërim, gjë që e bën pyetjen të tingëllojë si një thirrje e fortë. Poezia nuk është vetëm një shprehje e dhimbjes personale, por edhe një zë kolektiv që pasqyron gjendjen e një shoqërie të tërë përballë një realiteti të egër:
Se vramë dot për vdekje atë që na vrau,/ dhe hienat vazhdojnë ngeshëm gostinë,/ me trupat tanë të ushqehen,/ dhjetor pas dhjetori shumohen. Vargjet përfaqësojnë një tekst të ngarkuar me revoltë dhe zhgënjim, ku shpaloset ideja e mungesës së drejtësisë historike dhe e vazhdimësisë së padrejtësisë në kohë. Përmes figurës së “hienave” dhe simbolikës së “dhjetorit”, autorja flet për një tranzicion të papërfunduar dhe për një shoqëri që ende mbetet e robëruar nga hijet e së shkuarës, sakrificën e shoqërisë, e cila përdoret si lëndë ushqyese për pasurimin e të fuqishmëve. Këtu kemi një kritikë të ashpër ndaj realitetit tranzicional, ku e keqja jo vetëm që nuk është zhdukur, por vazhdon të ushqehet me vetë ekzistencën e popullit. Dhjetori, në aspektin intertekstual, lidhet me diskursin e letërsisë së tranzicionit shqiptar, ku motivi i zhgënjimit dhe i korrupsionit të demokracisë së pas ’90-ës është dominant. Vargjet tregojnë se e keqja, kur nuk ndëshkohet dhe nuk çrrënjoset, transformohet dhe riprodhohet në forma të reja, duke e dëmtuar vazhdimisht shoqërinë.
Poezia, kështu, bëhet jo vetëm një pasqyrë e realitetit, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim dhe përballje me të kaluarën.
Në këtë vëllim, gjithsesi, dhimbja nuk e mbyt shpresën dhe errësirra nuk e mund dritën. Duke operuar shpesh me simbolika mitike(Prometeu), biblike (Abeli, Krishti), por edhe historike (Komnena e Kaninës) autorja sendërton një pamje të realitetit shqiptar, realitetit në tërësi dhe është e bindur se gjithmonë ekziston mundësia për ndryshim: ”Duam, duam të ngjallemi, /duam të ketë shpresë, / për duar që ngjyejnë vezët, / Sytë e fëmijve rreth tryezës, / Na ndihni o njerëz! Ajo ka arritur të përthyejë butë dhe bukur zymtinë e disa poezive me elementë eternë dhe jetikë si: sofra, vezët e ringjalljes, sytë e pafajshëm të fëmijëve, etj.
Në këtë vëllim të ri stili i Armenida Qyqes paraqitet i thjeshtë në dukje, por thellësisht i ngarkuar me emocione dhe kuptime të shumëfishta. Poezitë e saj nuk lexohen vetëm me sy, por ndihen me shpirt. Ato sjellin një frymë intime e personale, por që, në të njëjtën kohë, prekin çdo njeri, sepse flasin për ndjenja të përjetshme: dhimbjen, gëzimin, pritjen, ëndrrën. Ky libër është një udhëtim intim, një rrugë e shtruar me shenja dhe simbole të shpirtit njerëzor. Armenida Qyqja na fton të jemi bashkudhëtarë në këtë udhëtim, duke na dhënë në duar çelësat për të deshifruar mallin jo vetëm të sajin, por të gjithësecilit prej nesh.
Në thelb, poezia e Armenida Qyqes është një udhëtim i brendshëm nga errësira drejt dritës, nga heshtja drejt fjalës, nga humbja drejt rigjetjes. Dhe ky udhëtim e bën krijimtarinë e saj një pasuri shpirtërore që i fton lexuesit të përfshihen e të bashkëjetojnë me vargun. Krijimtaria e saj është një dialog i ndjeshëm mes shpirtit dhe botës, mes asaj që ikën dhe asaj që mbetet.
Dashuria, pritja, kujtimi dhe shpresa janë fijet e padukshme që endin këtë rrjet poetik, duke i dhënë vargut një ngrohtësi dhe fluidet të jashtëzakonshëm. Ajo shkruan me një gjuhë të pastër e të ndjeshme, që arrin të prekë edhe aty ku fjalët zakonisht heshtin.
Ky libër është një ftesë për të ecur ngadalë mes vargjeve, për të dëgjuar zërin e brendshëm të poetes dhe për të kuptuar se arti i fjalës është, mbi të gjitha, një formë dashurie për jetën.Autorja shkruan me një gjuhë të pastër, plot figuracion dhe ritëm të brendshëm, i cili krijohet nga muzikaliteti i vargut nga inversionet, elipset, apostrofat, pasthirrmat, përsëritjet, aliteracionet, etj.
Evolucioni poetik i Armenida Qyqes tregon një rrugëtim të ndjeshëm dhe të ndërthurur mes përjetimit të brendshëm, eksperimenteve stilistike dhe kërkimit leksikor për të shprehur ndjenjat më të thella. Poezia bëhet më e ndërlikuar, ku ndjenja personale ndërthuret me elemente të natyrës, dritës, hijes dhe hieroglifeve shpirtërore. Në krijimet e fundit, poezia e saj merr një dimension filozofik dhe ekzistencial.Poezia shpesh eksploron kohën, humbjen, përjetësinë e ndjenjës, duke e bërë lexuesin të ndjejë një lidhje të brendshme me përvojën e autores.Në thelb, evolucioni i saj është një udhëtim nga përvoja personale drejt një vizioni universal, ku poezia nuk është thjesht tregim ndjenjash, por horizont i brendshëm dhe reflektim mbi ekzistencën,ndjenjën dhe përpjekjen poetike për ta bërë atë të lulëzojë, pavarësisht sfidave apo kohës.
Ndonjëherë sfondi i trishtë që servir poezia e saj përthyhet prej lirizmit të ndjenjës, që depërton strukturimin e brendshëm të vargut duke e bërë at me ekspresiv. Nga tensionimi i ndjenjave, të krijohet përshtypja sikur shkrihen në një kufijtë e gëzimit, zemërimit, vuajtjes dhe brengës. Të gjitha këto jepen bukur, me detaje fine, oshilacione të çuditshme dhe gjendje të shumta psikologjike.
Lirizmi i thellë dhe depërtues që qëndis gjithë poezitë e këtij vëllimi, krijohet prej faktit që çdo poezi ka si epiqendër të saj rrëfimin e ngrohtë, intim të poetes, lidhur me atë çka përjeton, shpalosjen e botës së saj të pasur plot ndjesi, ëndrra dhe dëshira, të cilat gjejnë shprehjen e vet përmes pasurisë së sistemit metrik e stilistik.
Përmes ndjeshmërisë që sendërton autorja ne kemi mundur të kuptojmë vlerën e mahnitshme të gjuhës dhe finesat e saj të brendshme prandaj vargjet e saj ingjajnë një lloj ditari të një njeriu të dashuruar. Forca e mendimit harmonizohet me ndjenjën e thellë për të na përcjellë në mënyrë eksplicite dhe implicite mesazhin poetik.Temperamenti poetik është dinamik nga intensiteti i çdo njësie të shprehjes poetike.
Nuancimi i bukur i ndjenjës, psikologjizmi dhe meditacioni që e përshkruan këtë poezi, janë risi që sjell ky autorja, në këtë vëllim.
Trishtimi i saj më tepër se një çast individual përjetimi ndjesor është kthyer në poezinë e saj në një trishtim të natyrshëm njerëzor.Ankthi i ekzistencës që e kap për një çast asgjesohet furishëm nga ëndrra për një sendërtim të ri, përmes të cilit mund të vijë përkryerja.
Armenida Qyqe është një zë poetik që ngrihet me natyrshmëri dhe finesë. Poezia e saj është e ndjeshme, e ngrohtë dhe e ngarkuar me simbolika që e bëjnë lexuesin të ndalet, të meditojë dhe të gjejë veten në brendinë e vargut. Krijimtaria e saj poetike është një dëshmi se arti i fjalës mbetet një strehë shpirtërore dhe një urë komunikimi mes intimes dhe universals.
I urojmë autores suksese në rrugën e bukur e plot dritë të krijimtarisë!
Prof.as.dr. Jonela Spaho