

Frano Kulli/
Në përvjetorin e Pavarësisë
Hilë Mosi nuk është firmëtar i dokumentit të shpalljes së pavarësisë; ato ditë të vjeshtës së tretë të vitit 1912, ai gjindej në mërgim, në Austri. Nga Trieste e Italisë, së bashku me disa patriotë të tjerë, ato ditë, më 7 dhjetor të atij viti i dërgojnë një telegram Qeverisë së Vlorës dhe kryetarit të saj, Ismail Qemalit, për këtë fitore historike të ëndërruar prej kohësh prej atdhetarëve dhe popullit shqiptar. Ai vlerëson si faktor të dorës së parë unitetin kombëtar për përparimin dhe të ardhmen e Shqipërisë: “Urojmë të gjithëve unitet të plotë; që është e vetmja bazë e së ardhmes së atdheut”, perifrazon një pjesë teksti e këtij telegrami.
Por Hilë Mosi, i ka prí megjith veprimin e vet atdhetar aktit solemn, që ndryshoi për së pari gjendjen politike të dheut të vet, Shqipërisë sonë, duke e mëvetsuar mbas pesë shekujsh robërie e duke e shpallë të mosvarme përgjithmonë prej Perandorisë osmane. Rreth moshës 17 vjeçare (1902-1903) shkoi në Austri, në qytetin Klagenfurt, ku vazhdoi studimet për mësuesi në shkollën e mesme normale të këtij qyteti deri në vitin 1908. Gjatë viteve të qëndrimit në Austri u përfshi në lëvizjen patriotike e kulturore të të mërgimtarëve shqiptarë. Duke shfrytëzuar me kujdes lëshimet e Austro-Hungarisë, e cila synonte që ta orientonte këtë lëvizje të gjerë në shërbim të politikës së saj ekspansioniste në Ballkan e në Shqipëri, së bashku me studéntë të tjerë shqiptarë, themeloi shoqërinë patriotike “Liria”. Më vonë kjo shoqëri mori dhe karakter letrar.
Duke filluar nga 27 dhjetori i vitit 1904, ajo u emërua shoqëria letrare “Dija”. Kjo shoqëri vazhdoi ta rrisë e ta zgjerojë veprimtarinë aq, sa brenda një viti e gjysmë krijoi tetë degë nëpër qendra të tjera të kolonive shqiptare. Hilë Mosi ishte nga anëtarët më aktivë dhe sekretar i saj. Për dy vjet radhazi (1906-1908) drejtoi kalendarin e shoqërisë dhe shkrimet letrare e publicistike ia jep këtij organi. Në këto vite bashkëpunon me revista e gazeta të njohura, si me revistën «Albania», «Drita» e Sofjes, “Коrbi” e Bostonit, «L’Albanie» e D. Himës, “Shqipëria” e M. Duçit, “Liria” e Selanikut, “Vllaznija” e Vjenës e mjaft organe të tjera.
Hilë Mosi shkon në Stamboll, do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Kur u kthye në atdhe arriti, brenda një kohë të shkurtër, të themelojë shoqërinë «Gegnia». Si përfaqësues i saj, mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908).
Ndër 50 delegatë të atij kongresi, 38 prej të cilëve ishin me të drejtë vote, Hilë Mosi u zgjodh sekretar i kongresit. Në vitin 1909 është sekretar i klubit “Bashkimi”. Po atë vit, në bashkëpunim me patriotët Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri, themeloi shoqninë sportive “Vllaznia”. U zgjodh kryetar i saj dhe bashkëpunoi me bashkëpunëtorë të vyer si Sali Nivica, Mati Logoreci dhe Kel Marubi. “Vllaznia u bë vatër e ngrohtë e idealeve për çlirim kombëtar. Po këtë vit merr përsëri rrugët e mërgimit. Në Stamboll ndihmon kryengritjen e armatosur që përgatitej të shpërthente në Shqipëri. Gazeta “Shqiptari”, që nxori së bashku me Dervish Himën, botohej gjysma shqip e gjysma turqisht. Këtu botoi vjersha e artikuj, nga më të mirët e krijimtarisë së tij.
Aso kohe gjen mundësitë dhe boton në Selanik, me ndihmën e shqiptarëve të mërguar, librin e tij të parë me vjersha patriotike e këngë të çetave të Rilindjes, të titulluar «Kanga shqype» (1909). Ky libër i vogël pati mjaft jehonë, jo vetëm në qarqet e njezve të lexuar, por qarkulloi edhe si letërsi orale. Fryma patriotike e vjershave dhe stili i qartë e i thjeshtë i bëri popullore, aq sa shumë prej tyre u kënduan nga çetat kryengritëse të Rilindjes.Fort i gjallë e aktiv, si në rininë e herëshme, edhe gjatë viteve 1910-1911, që shënojnë edhe parathënien e Pavarësisë është përherë në lëvizje. Përsëri në Stamboll, në Sofje, në Cetinë e Kotorr, në Kosovë e në kolonitë shqiptare të Ballkanit, kudo ku shpërthenin shkëndija të lëvizjes kombëtare, kudo ku ziente llava e kryengritjes së armatosur apo organizoheshin mbledhje patriotike.
Pjesëmrrës me armë në në kryengritjen e Makësisë së Madhe (1909-1912) , bashkë me Gurakuqin e Risto Siliqin gjindet në prijësinë e saj. Kauza e lëvizjes atdhetare për pavarësi i kishte përbashkuar atdhetarët të cilët kishin marrë në dorë fatet e kombit të tyre, ngado të ndodheshin, brenda dheut të vet a në koloninë jashtë. “M’duket sikur e kam para syve udhëtimin qi bame bashkë me të ndjemin – citon ai në fjalën e përmortëshme që ai mbajti në varrimin e patriotit Pandeli Cale, në verë të vjetit 1910 – duke u nisë së bashku nga Sofja për të marrë pjesë, ai në kryengritjen e Shqipnisë së Jugut dhe unë në atë të Malësisë së Shkodrës. Detyra që kishim marrë përsipër ishte shumë ma e rëndë, por shpresat i kishim shumë të gjalla, se në një kohë të shkurtë andrra jonë: “Lirija e Shqipënisë” do të realizohej.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e së cilës i përjetoi në atdhe, merr pjesë në mitingje, protesta, në rezistencën dhe luftën kundër pushtuesve dhe lufton раzaret e të huajve në kurriz të Shqipërisë. Nga fundi i janarit të 1915 riorganizohet në Shkodër klubi «Lidhja kombëtare». Bën përpjekje për thirrjen e një kongresi, i cili të formonte një qeveri të përkohshme, ku të përfaqësohej i gjithë vendi, kongres që nuk arriti të mbahej. Pushtimi i Shkodrës, më 27 qershor 1915, nga Mali i Zi krahas vështirësive që shkaktoi, në gjendjen e рорullit, solli edhe arrestimin e Hilë Mosit, Gurakuqit, Aqif Pashës e R. Siliqit me urdhër të gjeneralit Veshoviç. Pas disa ditësh arrestimi dhe mbajtjeje në burgun e Shkodrës, internohen në Mal të Zi. Kthehet në qytetin e lindjes, mbas shtatë muаjsh. Tashti në Shkodër kishin mërrijt austro-hungarezët. Në rrethanat e reja, bashkëpunëtor dhe nën drejtimin e Gurakuqit, iu kushtua zhvillimin të arsimit dhe të shkollës shqipe. Mori pjesë në “Komisinë Letrare” të themeluar me 1 shtator 1916 nga: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci dhe At Ambroz Marlaskaj. Bashkë me pesëmarrës dhe të ftuar të tjerë në mbledhjet e mëvonshme dr. Gjergj Pekmezi , Hilë Mosi , Anton Paluca , Hafiz Ali Korça , Aleksandër Xhuvani , albanologu Maksimilian Lambertz , albanologu slloven Rajko Nahtigal , Emzot Vinçens Prendushi , Sali Nivica , Josif Haxhimima dhe Luigj Naraçi.
Me 1920-tën merr pjesë në Kongresin e Lushnjes. Zgjidhet senator e sekretar i senatit (Këshilli Kombëtar) që njihet si parlamenti i parë shqiptar. Në jetën parlamentare Hilë Mosi do të rreshtohet mе ороzitën demokratike të kryesuar nga Noli e Gurakuqi. Përfaqëson me dinjitet interesat e vendit në kanecelaritë diplomatike të Europës. Bën pjesë në Komisionin Ndërkombëtar për Zgjidhjen e Çështjeve Kufitare (1920-1921), është pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Gjenevës më 1920, ku Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Në një telegram që Noli i dërgon Hilë Mosit me të rast shprehet me entuziazëm për bashkëpunimin e tyre të frytshëm gjatë ditëve që qëndruan në Gjenevë.
I dashur shok:
Në kohën e fitimit, unë kujtoj gjithmonë shokët e mi, shokët e luftës, të cilët kanë marrë pjesë me të gjitha fuqitë e tyne. Ju kini luftuem me mue ndër do rasa të vështira, pa u thyem prej lodhmënive, të cilat do të kishin rrëxuem të tjerë njerëz ma pak të fortë se ju. Tjeni i siguruem se ju i kini fituem meritimet e atdheut, i cili dot’jetë mirënjoftës për fitimin e bamun n’emën të tij es për të cilin nji pjesë e gjanë u takon edhe juve. Unë… ju falënderoj për bashkveprimin e juej në kohë të misjonit tonë historik.
Shumë miqësisht, Fan Noli d.v.
* * *
Po, a e terratisë atdhetarinë vezulluese të poetit, ajo që njihet edhe si “Gabove Hilë” ? “Letër e hapun zotni Hilë Mosit” në 1932-shin, e hartuar nga At Gjergj Fishta dhe që në thelb ka qortimin përreth qëndrimit dhe trajtimit që Ministria e Arsimit e drejtuar aso kohe prej Mosit u bën shkollave fetare ? Kjo kishte me qenë temë e një trajtese më të të përimtë, që gjithëherë ka vend e rend. Veçse jo këto ditë.