*Hillary Clinton fitoi 57, 9 Perqind te votave, Sanders 42, 1 %, Donald Trump 60,1 %, John Kasich 25,1 %, Ted Cruz 15 %/
* Clinton dhe Trump u duhen ende secilit nga 400 delegatë për të marrë emërimin e partisë së tyre/
Kandidatët po përpiqen të sigurojnë numrin e nevojshëm të delegatëve për të marrë emërimin e partisë së tyre.
Zoti Trump fitoi pothuajse në total të 95 delegatët që dërgon për kuvend shteti i Nju Jorkut. Deri tani ai ka 845 delegatë, ndërsa Senatori Cruz ka 559 delegatë, pasuar nga Kasich me 147. Në garën republikane, pretendentëve i duhen 1237 delegatë për të marrë emësimin e partisë në kuvend. Me fitoren e djeshme, zoti Trump e ka të mundur ta arrijë këtë numër. Ai falenderoi përkrahësit dhe vazhdoi ta paraqesë vetein si i vetmi kandidat me mbështetjen e mjaftueshme për të siguruar emërimin.
Rivalët e tij Cruz dhe Kasich shpresojnë që të zhvillohet një kuvend i hapur, ku asnjë kandidat nuk ka marrë numrin e nevojshëm të delegatëve në hapje të kuvendit dhe zgjedhja hidhet në votë gjatë punimeve të kuvendit, ku pas votës së parë delegatët mund të votojnë për kë të duan.
Në kampin demokrat, pretendenti Bernie Sanders është përballë një realiteti të vështirë. Aktualisht zonja Clinton ka 1930 delegatë, ndërsa zoti Sanders ka 1223 delegatë. Në zgjedhjet demokrate kandidatit i duhen 2383 delegatë për të siguruar emërimin e partisë.
Por zoti Sanders mbetet pozitiv dhe tha para një turme entuziaste se fushata e tij do të mobilizojë një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe do të gjallërojë Partinë Demokrate.
Zonja Clinton e shfrytëzoi fjalimin pas fitores mbrëmë për t’iu drejtuar përkrahësve të zotit Sanders, duke thënë se mes saj dhe këtij grupimi ka më shumë gjëra që i bashkojnë se sa i përçajnë.