Analizë nga Rafael Floqi/
Me një diferencë të vogël votash, vetëm 19 më shumë se rivali, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri ka fituar Bashkinë e Himarës. Posti që nuk do e gëzojë dot pasi ndodhet në qeli për akuzën e “shitblerjes së votave Në rastin e Belerit situate nuk është e njëjtë, pasi pavarësisht zgjedhjes si kryetar i Bashkisë Himarë, me vetëm 19 vota më shumë se rivali do i duhet të presë gjatë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Nëse shpallet fajtor nuk do e gëzojë postin e kryebashkiakut, por nëse shpallet i pafajshëm do ulet menjëherë në atë karrige të rëndë të mbushur tashmë me shumë reagime. Me 18 maj 2023 Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Haris Lalakos, ka vizituar në burgjet e Vlorës Fredi Belerin për të parë nga afër kushtet e paraburgimit dhe gjendjen shëndetësore të tij. Zhvillimet e ardhshme në këtë çështje do të varen nga vendimi i së hënës, i cili ka të bëjë kryesisht me marrjen zyrtare të detyrës së kryetarit të bashkisë nga Fredi Beleri. E gjithë çështja, e cila ka shkaktuar reagime të forta, përtej pakicës kombëtare greke në Shqipëri dhe në Greqi, tashmë trajtohet nga Prokuroria e Luftës kundër korrupsionit (SPAK).
Dendias: “Pritet vendimi i Gjykatës. Nëse nëse s’ ka prova të forta, e gjithë afera është skandaloze”
Të hënën e ardhshme (22 maj), në mesditë, Gjykata Speciale e Tiranës do të vendosë nëse kryebashkiaku i sapozgjedhur i Himarës Fred Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi do të lirohen apo do të vazhdojnë paraburgimin. Duke arrestuar Fredi Belerin qeveria Rama rrezikon një keqësim të marrëdhënieve dypalëshe. Dje sipas Prothema Ministri i Jashtëm Nikos Dendias foli për një rast skandaloz, përderisa nuk dalin prova të pakundërshtueshme, që përbën një rrezik të madh për marrëdhëniet greko-shqiptare “Jemi 2-3 ditë përpara një procedure ku do të vendoset nga ajo që na informojnë këshilltarët tanë ligjorë në Tiranë nëse do t’i zgjatet paraburgimi kryebashkiakut Beleris. Që në fillim e kam përsëritur qëndrimin e kryeministrit Rama. Se nëse nuk ka prova të forta, e gjithë afera është skandaloze. Por përtej kësaj, është edhe çështja e rezervimit. Në shtetin e së drejtës, një kryetar i zgjedhur, për një vepër si ajo për të cilën pretendohet se akuzohet, nuk ndalohet. Sigurisht që do të gjykohet, nuk kemi arsye të ndërhyjmë në drejtësinë e pavarur të një vendi mik, por mendoj se ndalimi i tij i kalon kufijtë e logjikës”, thotë Nikos Dendias për Euronews dhe përmend se imazhi i marrëdhënieve me Shqipërinë ishte një. imazhi i një situate në përmirësim.
“Kam besuar dhe besoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje për t’ia referuar mosmarrëveshjes në Hagë. Ka pasur një përzemërsi personale mes kryeministrit Qiriakos Mitsotakis dhe kryeministrit Rama dhe mes meje dhe kryeministrit Rama, arrestimi i kryebashkiakut Beleris duhet të them është një rrezik i madh për marrëdhëniet greko-shqiptare. Shpresoj që mençuria dhe arsyeja dhe shteti ligjor të mbizotërojë dhe ky rrezik të shmanget. Por nuk mund ta nënvlerësoj problemin që lindi papritur”, thotë zoti Dendias.
Fredi Bejleri u arrestua vetëm tre ditë para se të shkonim në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ata që gëzuan më shumë në këtë fitore, ishte politika qeverisëse në Greqi dhe sidomos pjesa e ekstremizmit atje që mban gjallë shpresën e “Vorio Epirit” dhe për ta Beleri duket si hero…
Hero i kujt ? Sot serbët e quajnë si hero të tyre Esad Pashë Toptanin, madje trupin e tij në Paris mbeti një kohë të gjatë në morg pa u varrosur dhe u varros me pagesë nga qeveria serbe. Interesant tradhtarët e Shqipërisë bëhen hero të fqinjëve .
Himara historikisht tokë shqiptare
Edhe pse Himara historikisht njihet tokë shqiptare, për një pjesë cilësohet se aty jeton komunitet grek. Por sa greke është Himara , për t’ua vërtetuar këtë po ju sjell një fragment nga libri “Travels in Northern Greece. nga William Martin Leake., v.1., 1777-1860. London,J. Rodwell,1835 ku ne faqet 79-92 flet për Himarën, dhe për të ilustruar qenien shqiptare të Himarës mjafton ky paragraf. “Gjuhën greke e flasin pothuajse të gjithë burrat dhe italishten ata që kanë jetuar jashtë vendit; por gratë në përgjithësi s’dinë gjuhë tjetër përveç shqipes”. Ai bëri një udhëtim në Himarë dy shekuj më parë që rrëfehet në faqen 79 deri 91. Atëherë s’kishte lindur Greqia as Megalidheja.
“Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë. Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër, përveçse bastion i shqiptarizmës. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre. Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë.
Qirie Qiriako, Qirie Bejleri dhe Qirie Rama. Gjeni tradhtarin ?
Por aso kohe në Derviçan. Bejleri ishte me qirie Qirjakon, kryeministrin e Greqisë kur u afrua për ta takuar kolegu i tij kryeministri Rama dhe me diplomaci Rama ju drejtua Bejlerit, që “këtu qënka dhe tradhtari Beleri”, duke shtuar që edhe mua si ty më kanë bërë tradhtar. Dhe qirie Micotaqisi e kuptoi nëntekstin e kësaj “shakaje”, një pohim që bënte njëlloj si qirie Fredin dhe qirie Edi Ramën dhe pa humbur kohë, Micotaqisi, bashkangjitur me Fredin, mbas kësaj “shakaje” diplomatike vrapuan drejt Himarës dhe pa as një ndroje dhe si zot i vendit, qirie Qirjako shpalli shqiptarët greqisht folës të Himarës si heronjtë e helenizimit duartrokitur me ovacione nga Fredi Bejleri dhe duartrokitur me heshtjen e tij për këtë deklaratë antishqiptare njëlloj si Fredi Bejleri i posa vetdeklaruar në Derviçan, qirie Edi Rama.
Në qoftë se kryeministri ynë, nuk do të deklaronte para Micotaqisit që unë jam tradhtar si Fred Bejleri, por do të qëndronte me dinjitet si shqiptar, aq më tepër me dinjitetin e një kryeministri, a do të guxonte vallë Micotaqisi t’i shpallte shqiptarët e Himarës heronj të helenizmit? Ndaj ndërsa Kryeministri i Greqisë Qiriakos Micotaqis në 22 dhjetor 2022 e ngulte zyrtarisht flamurin ilegal të “Vorio Epirit “ në Himarë dhe në Shqipërinë e Jugut. Në fjalimin e mbajtur në qytetin shqiptar të Himarës, Micotaqis shpalli kërkesën zyrtare greke që “Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën tuaj për vetëvendosje”. Por është hera e parë që një kryeministër grek vjen dhe e shpall në tokën shqiptare, mu në surrat të politikës dhe të publikut shqiptar dhe konkretisht në Himarë. Pse nuk reagoi Rama atëherë? A është reagimi ndaj Belerit i tashëm reagim patriotik apo diçka tjetër?
Fredi Bejleri dhe platforma e helenizmit
Ka vite që kur flitet për Himarën nuk diskutohet më në bazë të një axhende, që i ndan banorët e kësaj bashkie në grekë dhe shqiptarë, por kandidati për bashkinë i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Beleri e ka rikthyer këtë mënyrë të të bërit politikë, gjatë një interviste për median greke “Protothema”. I pyetur nga gazetari grek se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 14 Majit për “helenizmin” në Himarë, Fredi Beleri përgjigjet se “ne kemi jetuar si grekë prej mijëra vitesh dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
“Por është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë” ka thënë Beleri.
I ardhur nga radhët e PBDNJ-së në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Beleri e përsërit disa herë premtimin për “helenizimin” e Himarës gjatë intervistës, pa shpjeguar qartë se çfarë do të thotë konkretisht me këtë term. Fredi Beleri mban prej vitesh postin e kreut të OMONIAS. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ai ishte një nga shoqëruesit e afërt të kryeministrit grek Micotaqis në Himarë bashkë me Pirro Dhimën. Gjatë fjalës së tij, kryeministri grek zbuloi një kusht për mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian: që Shqipëria të sigurojë drejtat e komunitetit grek në vendin tonë.
Armiku i armikut tim është -miku im
Kandidati i “BF” për Himarën aktualisht mban postin e kreut të OMONIA-s. Ai është akuzuar më parë për terrorizëm në lidhje me masakrën e Peshkëpisë, një ngjarje e vitit 1994. Kreu i OMONIA-s i mohoi akuzat dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata. Por si është e mundur që qe po ky, Sali Berisha që më 1914 dërgoi ushtrinë në kufi me Greqinë dhe u vuri viza qytetarëve grek, për shkak se Fred Bejleri dhe një grup militantësh nacionalistë grek morën përsipër sulmin mbi një repart ushtarak në Peshkëpi në Gjirokastër, ku u vranë tre ushtarakë shqiptarë. Tani pas 30 vjetësh Sali Berisha e kish Fred Belerin kandidat të PD për Bashkinë e Himarës .Kjo është e pagëlltitshme nga të gjitha palët. Fillimisht e pagëlltitshme nga Fred Beleri, të cilit kërkon t’i heqë dhe të vetmin heroizëm që ka bërë si nacionalist grek. E pagëlltitshme edhe nga pala greke që armiqësinë e fundit me Shqipërinë e ka për shkak të Sali Berishës. Por mbi të gjitha e pagëlltitshme dhe nga vet “demokratët” që Edi Ramën kur e shajnë, me zemër i thonë “grek muti”, pasi këtë kanë sharjen më të egër që njohin. Aq më tepër që del dhe nga një fis me Dendiasin nga Vunoi, dhe aq më tepër që Berisha e akuzon Ramën për “Spiro Milon “bis”
Kjo tregon se në politikë nuk ka parime, patriotizëm vetëm etje për pushtet nga të gjitha palët, shpjegohet me thënien latine Inimicus Inimicus meus est amicus meus.
Si mund ta justifikojë sot Berisha atë që me të drejtë shkruante për deklaratën e Micotaqisit në Himarë , kur shkruante “Kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himarjotët nuk janë larë në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar.”
Media Greke: Fitorja e Belerit, disfatë politike për kryeministrin Rama
Kjo fitore nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat greke edhe nga vetë drejtuesit e qeverisë atje. “Fitorja e Belerit, është një disfatë politike për kryeministrin Edi Rama”, kështu shkruan media greke Kathimerini, në një analizë të publikuar në faqen e parë, lidhur me çështjen që ka rikthyer përplasjet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës. Teksa komenton triumfin pas hekurave të pjesëtarit të minoritetit grek, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”, “Kathimerini” thotë se sytë janë kthyer tani nga Tirana, në pritje të reagimit të kryeministrit Rama, që siç shkruan, e kishte kthyer në personale, betejën për Himarën. Sipas medias, Rama do të përdorë sistemin gjyqësor të marrë peng, për të mbajtur kandidatin e arrestuar për blerje votash, jashtë dyerve të bashkisë.
“Ekziston frika se mund të jemi në fillim të një tjetër hakmarrje, të Ramës ndaj helenizimit të Himarës”, shkruan Stavros Tzimas i Kathimerinit, që e vë theksin tek nevoja e reagimit ndërkombëtar nëse do të ketë përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve..
Martirizimi i panevojshëm i Belerit
Nuk kam dyshim se policia politike ka arritur të sigurojë ndonjë kleçkë kundër Fred Belerit, për të përligjur burgosjen e paimagjinueshme të një kandidati vetëm dy ditë para zgjedhjeve. Duke i ngritur çark ose ndofta duke e përgjuar në mënyrë selektive, ata do i kenë plotësuar një dosje për t’u justifikuar para publikut dhe ndërkombëtarëve, se shteti ligjor ka funksionuar normalisht. Por përpara se të shtrojmë pyetjen a ka i paguar votat e disa minoritarëve të vet kandidati i Omonias, ne duhet të hedhim në tryezë disa të tjera. Si ndodh gjithmonë që në këtë vend votat i blekërka opozita, por fitoret i korr pushteti? Pra të gjitha këto pikëpyetje e çojnë në skajet e pabesueshmërisë fabulën e arrestimit të rastësishëm të kandidatit minoritar.
Thënë këtë, nuk dua të bëj asnjë apologji të Fred Belerit. Në mendësinë dhe botkuptimin tim, kurrë nuk do ta kisha përkrahur një kandidat të tillë, që i kërkon votat mbi motivet e një nacionalizmi që mëton të ndezë pasionet më të errëta të shtetit fqinjë, që predikon helenizimin e Himarës dhe rrugën e arritjes së këtij qëllimi. Këtu kemi të bëjmë me një vendim politik të drejtësisë. Rasti i greko -shqiptarit Beleri është njësoj si ai i patriotit tonë me gjak të kulluar, Arben Ahmetaj. Sapo i sulmoi publikisht kryeministri, ia behën prokurorët” shkruan Lapsi.al .
Prandaj ajo që ndodhi buzë shëtitores së transformuar nga Rilindja urbane, në Himarë, nuk përbën një rast krimi të thjeshtë elektoral. Ajo natyrisht ka të bëjë me eliminimin e një kandidati të fortë zgjedhor (nuk i mbyllën kufijtë si Vangjel Tavos që do importonte në Shqipëri virusin, por e mbyllën vetë brenda). Ajo ka lidhje me llogaritë e autobusëve me minoritarë që do të vijnë nga Greqia. Ajo nuk mund të shkëputet nga grabitja e pronave të një prej zonave më të bukura të bregdetit, pronarët e të cilave ndryshe nga të ngjashmit e vet në mbarë Shqipërinë, kanë pasur një mbrojtje relative në Athinë.
E megjithatë, pavarësisht nga të tëra këto, ajo që ka ndodhur në Himarë, është një rast tipik për të ilustruar fytyrën e regjimit që na sundon. E një autokracie ku po s’i pëlqeve shefit, gjithmonë me ligj, mund të të mbyllët televizioni, mund të të hidhet në erë hoteli, ose mund të zihesh duke blerë vota. Fred Beleri nuk u bë viktimë, as sepse nuk fliste mirë shqip, as sepse ushqente një nacionalizëm të verbër. Ai nuk e hëngri si grek, po si qytetar që donte të konkurronte brenda mundësive që të jep ky vend. Por, në hapësira autokratike një gjë e tillë është e pamundur.
Greqia fiton, Shqipëria humbet BE-në
Fakti është se si Micotakis ka diçka për të fituar nga kjo ndodhi. Për kryeministrin grek, ishte shumë simbolike dhe do të kishte përcjellë interesin e qeverisë së tij për të ardhmen e komunitetit, ndërsa mund të ketë qenë gjithashtu një mundësi – në dritën e zgjedhjeve Greqi – për të shpallur disa ndihmë praktike dhe masa mbështetëse. Arrestimi i Belerit çoi kryeministrin Kiriakos Mitsotakisë të kërcënojë me pengim të procesit të anëtarësimit në BE të Shqipërisë. Por me Micotaqisin junior në qeverisje, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë probleme e tensione, ç’ka kanë qenë “normale” në të shkuarën. Sa për ilustrim, qeveria e Tsiprasit, ishte ajo që i hoqi kryebashkiakut të Himarës shtetësinë greke, duke e bërë nga Jorgo në Gjergji Goro, thjesht se këtë e kërkuan qarqet ekstremiste me Fred Belerin, të mbështetur fort edhe nga Ilir Meta, i cili u dekorua me pompozitet nga mazhoranca e drejtuar nga Syriza. Beleri, realisht është një person problematik, por fuqia e tij potenciale politike është për tu kthyer në një mollë sherri Tiranë-Athinë
Çështja Bejleri në Senatin Amerikan
Por te shtunën Ministri i Jashtëm Nikos Dendias foli për një rast skandaloz, përderisa nuk dalin prova të pakundërshtueshme, që përbën një rrezik të madh për marrëdhëniet greko-shqiptare, në lidhje me çështjen Fredi Beleri njoftonte Proto Thema. Por kjo nuk ka mbetur vetëm mes dy palëve. Në deklaratën e tij, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Bob Menendez, e cilësoi problematik arrestimin e Fredi Belerit. “Unë e kuptoj që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përfshirë gjykatat e pavarura, janë elementë themelorë të një demokracie, por jam i shqetësuar për arrestimin e shtetasit me kombësi greke nga Policia shqiptare, Dionisis Freddy Beleris, dy ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që presim të dalin provat, qeveria greke e ka bërë të qartë se kjo do të kishte një zhvillim negativ për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Çfarë po bëjmë për të konfirmuar se autoritetet shqiptare po shkelin shtetin e së drejtës dhe cila është lëvizja jonë e radhës?” tha dje gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, senatori amerikan. Lobi grek e bëri punën. Kështu Rama për shkak të pangopësisë së vet për prona në bregdet po rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Por, megjithatë, martirizimi patriotik grek i Fred Belerit të kujton atë të Spiro Milos, që u bë deputet i Parlamentit Grek, i Vorio Epirit, ndaj në emër të shqiptarëve u bëj thirrje institucioneve: Dënojeni Fredin! Jo për blerje votash se tregoheni të padrejtë. Për këtë duhet të dënoni pothuajse gjithë politikën shqiptare. Dënojeni për tradhti kombëtare dhe mësojini se Himara është Shqipëri. Pasi dhe këtë Fredin si dhe mikun tim të mirë himarjot Ilia, në Shqipëri, rastis që ta shajnë “Greku i Mutit”, por në Greqi prapë se prapë. ve bast që e quajnë “Shqiptari i mutit. Apo s’është kështu?