
Prof. Besim Muhadri, Nju Jork/
Himë Lybeniqi ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, Bajram Currit, Idriz Seferit, Hasan Hysen Budakovës, Hasan Prishtinës, Bajram Daklanit, Azem dhe Shote Galicës. Njihej edhe me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, gjeneralin Thomson, Princ Vidin, Fan Nolin, Avni Rrustemin dhe shumë personalitete të huaja dhe shqiptare të asaj kohe. Mori pjesë në shumë beteja dhe luftëra. Më 1910 ishte në luftë kundër Xhavit Pashës në Carralevë. Më l912 bashkë me dhjetëra e mijëra luftëtarë e çliruan Ferizajin dhe Shkupin dhe ishte ndër rojet e para të flamurit kombëtar në Vlorën heroike me 1912- të.
Himë Lybeniqi (1870-1989)
Arma e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tij kërkonte vetëm bashkim dhe liri
Himë (Ibish) Lybeniqi (Alimehaj) lindi, tri dekada para së të mbyllej shekulli XIX. Viti i saktë i lindjes nuk dihet. Vet e thoshte se kishte lindur para Lidhjes së Prizrenit, por më vonë eështë vërtetuar se ka lindur në vitin 1870 dhe vdiq në pranverën e vitit 1989, në vendlindjen e tij në Lybeniq, katund ky në mes Deçanit dhe Pejës, buzë bjeshkëve të larta. Pak kohë përpara se të vdiste, thoshte për vete se kishte mbi 114-të -të vjet. Pleqtë thoshin se ishte edhe më i vjetër. Ai ishte ndër trimat më të njohur të këtyre anëve. Nuk njihej, vetëm pse jetoi gjatë, por edhe për sjelljen e tij prej njeriu, trimi dhe kaçaku, që asnjëherë nuk e koriti emrin e vet dhe varre e të parëve. Edukatë kjo e trashëguar brez pas brezi, jo vetëm nga familja, por edhe nga bashkëluftëtarët e tij që ishin mendjendritur dhe të njohur për popullin shqiptar.
Himë Lybeniqi ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, Bajram Currit, Idriz Seferit, Hasan Hysen Budakovës, Hasan Prishtinës, Bajram Daklanit, Azem dhe Shote Galicës. Njihej edhe me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, gjeneralin Thomson, Princ Vidin, Fan Nolin, Avni Rrustemin dhe shumë personalitete të huaja dhe shqiptare të asaj kohe. Më shumë se gjysmën e jetës e kaloi nëpër shokë e miq dhe, siç ishte adet nëpër fis, në ditët e vështira të luftërave të armiqve kundër komitëve, kaçakëve dhe trimave që luftonin për atdhe. Arma e tij vrau vetëm armiq të këtij trualli. Mori pjesë në shumë beteja dhe luftëra. Më 1910 ishte në luftë kundër Xhavit Pashës në Carralevë. Më l912 bashkë me dhjetëra e mijëra luftëtarë e çliruan Ferizajin dhe Shkupin dhe ishte ndër rojet e para të flamurit kombëtar në Vlorën heroike me 1912- të.
Arma e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tij kërkonte vetëm bashkim dhe liri. Luftë në Qafë të Morinës. Ku nuk kishte luftuar? Luftë kundër shkijeve e turqve në Kodër të Qenit. Në Qafë të Diellit. Luftë kundër Cernagores. Ai për vete nuk thoshte se kam bërë këtë e atë trimëri për vatan. Ishte shumë modest dhe real. Disa herë u plagos ndër beteja për çlirimin e Kosovës dhe Shqipërisë, por shpëtoi gjallë, në saje të fatit dhe kujdesit të shokëve. Për shumë vjet ishte pranë Isa Boletinit. Prej vitit 1902 e deri kur u nda me te në Shkodër më 1916. Pas vrasjes së Isa Boletinit në Podgoricë me 1916, Hima iu bë krah luftëtarit të shquar Azem Galica. Vrasjen e Beqir Vokshit e konsideronte humbje të madhe për popullin shqiptar. Pas vdekjes së Azem Galicës, për shumë kohë të Jugosllavisë së vjetër, mbeti duke u rropatur me jetën dhe peripecitë e saj…
Janë disa nga të dhënat për Himë Lubeniqin, të cilat që na i jep shkrimtari dhe aktori, Nimon Muçaj në librin e tij “Rrëfimet e një kaçaku”, të shkruar në formë bisede dhe, pak a shumë edhe proze dokumentare. Nimoni kishte pasur fatin ta intervistone Himën në vitin 1979, ne nje kohe kur ai kishte kaluar të njëqind vitet e jetë, por që kishte një memorie të fortë, mirëpo shënimet e tij të nxjerra nga intervista mbetën të pazbardhura deri vonë, që ishte shumë tragjike, sepse disa nga to, siç thotë ai humbën, por edhe u dogjën nga makineria serbe e krimit.
Nimoni duke dëgjuar fakte dhe argumente nga vetë goja e luftëtarit të paepur të kauzës sonë kombëtare, Himë Lubeniqi, i vdekur këtu e 35 vjet më parë, shënime që dalin nga rrëfimet e Himë Lybeniqit mund të na prishin imazhin që mund kemi për disa personalitete të historisë sonë kombëtare, sepse ai “ai, domosdo, diçka duhet të ketë ditur, se ndryshe nuk do të rrëfente gjëra kaq të hidhura dhe interesante, njëkohësisht”. Shkrimtari dhe aktori ynë i mirënjohur, Nimon Muçaj, tregon se për tridhjetë e gjashtë vjet me radhë, herë pas here i ka rishikuar këto fjalë të plakut, nga të cilat, siç thotë ai, diçka ka “ndrequr” dhe diçka ka “prishur”, natyrisht, madje edhe duke i rishkruar përsëri nga fillimi. Thotë se është marrë me incizimet duke u munduar që fjalët t’i rishkruante ashtu siç ishin, “sado që një pjesë e incizimeve dhe shënimeve të mia humbën, u vodhën me gjithë kompjuter dhe u dogjën nga makineria e shkijeve në vitin e tmerrshëm 1999…”
Harresa – përsëritje e historisë
Siç e thotë edhe Nimon Muçaj në librin e tij për Himë Lubeniqin dhe të bëmat e tij, historia na tregon se serbët nëpër shekuj na kanë djegur, na kanë vrarë dhe na kanë prerë me dhjetëra herë, ndërsa këto të këqija që na i ka bërë Serbia fatkeqësisht i kemi “harruar”. Pas tragjedisë ne kemi kënduar apo kemi rrëfyer për gjithë ato ngjarje rrëqethëse. Na kanë çrrënjosur prej trojeve tona që nga Molla e Kuqe dhe ne, pasi kemi “shëruar” plagët e muhaxhirllëkut, përsëri kemi “harruar”. Na kanë prerë tokën dhe hartën me thikë e me hekur dhe copërat e letrës dhe të mishit na kanë kulluar gjak e dhe.
Edhe para Lidhjes së Prizrenit ne shqiptarëve na kanë dëbuar nga trojet tona, por përsëri kemi kënduar për heroizma dhe trimëri. Edhe pas Lidhjes së Prizrenit na kanë sakatosur. Dhe përsëri sikur kemi “harruar” dhe kemi kënduar. Në Kosovë me 1913- të, na kanë vrarë dhe përsëri kemi “harruar”. Kalvari dhe masakra e Tivarit është një nga episodet më të dhimbshme dhe më të përgjakshme. Fatkeqësisht historia na tregon se edhe shqiptarët aty u kanë ndihmuar shkjeve që të bëjnë plojë mbi vëllezërit e vetë. Dhe ne përsëri kemi “harruar”. Na kanë dëbuar për në Turqi dhe ne, fatkeqësisht, përsëri kemi “harruar”.
Gjatë viteve të “autonomisë ’74- ’81 jemi mashtruar me lëpirje kockash dhe përsëri kemi “harruar” atë më të rëndësishmen. Pleqtë sa e sa herë na kanë këshilluar duke na thënë se nuk ka besë me shkja, por “na” nuk kemi dashur t’i besojmë kësaj maksime. Me 1998-të e 1999-të na i kanë djegur eshtrat dhe gjurmët e varreve. Na i kanë vrarë fëmijët, nënat, shtatzënat, motrat, vëllezërit, pleqtë dhe na kanë dëbuar prej trojeve tona. Me sytë tanë kemi pa tmerre e tmerre. në vendlindjen e Himës, në Lybeniq, me 1 prill të vitit 1999. Kemi edhe shumë e shumë ngjarje të rënda dhe dhimbshme të popullin tonë. A po harrojmë përsëri? Me sigurinë më të madhe se po.
Isa Boletini bashkë me 400 trima ishte në Vlorë në ditën e shpalljes së pavarësisë
dhe të ngritjes së flamurit
“Historiografët” e dikurshëm të PPSH në Tiranë e gjetiu, e kanë mohuar mosprezencën e Isa Boletinit ditën e flamurit më 28 nëntor 1912-të. Për çfarë e kanë “fabrikuar” apo falsifikuar këtë detal, e dinë ata vetë. Himë Lybeniqi, protagonistë ai tyre ngjarjeve, prandaj edhe i asaj ngjarjeje të madhe nuk pretendonte për kurrfarë posti që të thoshte, se unë isha aty dhe e mora flamurin dhe thirra: “Rroftë Shqipëria!” Jo. Ai tregonte fare thjeshtë, se e kishte parë me sytë e tij, kur Isa Boletini dhe 400 burra kosovarë kishin qenë aty, kur Ismail Qemali kishte hipur në ballkon për të shpaluar flamurin tonë kombëtar. Disa “kalemli” thonë se Isa nuk shihet në fotografi bashkë me Ismail Qemalin, apo?! Në ballkon nuk kanë mujtë me u ngjitë të gjithë, pyet dhe përgjigjet Hima. (As ai, por as unë, as studiuesit e historisë nuk di a e dinë apo nuk duan ta thonë të vërtetën, se ajo foto me flamurin kombëtar dhe nënshkrimet e Pavarësisë në Vlorë, 1912-të nuk janë të atij viti. Por një vit më vonë, me 1913-të…(?)
Isuf Bardhoshi dhe Hazir Laha vendosën flamurin kombëtar
te porta e shtëpisë së Begut në Vlorë
Nimon Muçaj në librin e tij “Rrëfimet e një Kaçaku”, pohon se në shënimet e Luigj Gurakuqit thuhet, “se dy burra kosovarë e shpaluan nji flamur të madh dhe e vendosën te porta e shtëpisë së Begut në Vlorë…” janë plotësisht të sakta. Nëse Luigj Gurakuqi nuk ua thotë emrin (sepse nuk ua dinte), emrat e tyre i tregon vetë Himë Lybeniqi. Ata dy burra ishin Isuf Bardhoshi nga Isniqi dhe Hazir Laha nga Belleja e Deçanit. Pra shënimet e Luigj Gurakuqit përputhen me fjalët e Himë Lybeniqit, kur thoshte së. “Atë ditë binte shi. I gjithë populli priste me padurim vendimet e mbledhjes historike dhe Ismail Qemali ma në fund doli në ballkon me nji flamur të vogël…”. Hima nuk dinte shkrim e as lexim, prandaj nuk i ka lexuar ato shënime të Luigj Gurakuqit, që të ndikohej nga ai pohim. Ai e thotë ngase vetë kishte qenë me ta dhe ishte protagonist, i cili në atë kohë kishte 42 vjeç.
Për historinë e ngritjes së flamurit ka edhe një variant tjetër, gjithnjë duke u bazuar në fjalët e Himë Lybeniqit, pjesëmarrës i asaj ngjarjeje. Në lidhje me këtë, Hima tregonte: “Në momentin kur duhej të ngrihej Flamuri, Ismail Qemali u drejtohet trimave me këto fjalë: “Vëllezër shqiptarë! Sot ka ardhur koha që të ngrehim flamurin tonë me shqipen dykrenore dhe ta përdhosim (heqim) flamurin turk njëherë e përgjithmonë. A ka djalë që hip dhe e ngrit flamurin shqiptar? Për një çast në mesin e trimave bie një heshtje, të cilën e thyen Isa Boletini, i cili ngrihet në këmbë dhe thotë: “Unë do të bahem kurban për flamur! Menjëherë pas tij ngrhtet në kamë Isuf Bardhoshi i Isniqit (kushëri i Ises), i cili i thotë: ”Jo, Baca Isë! Flamurin do ta ngriti unë se po u vrave ti, je copë e madhe, ndërsa unë jam copë e vogël! Dhe menjëherë ngjitet drejt vendit ku ishte i vendosur flamuri i gjonturqëve. E theu shtizën e tij, e përdhosi përtokë dhe kërkoi që dikush t’ia ofronte flamurin kombëtar shqiptar. Flamurin ia solli Hazir Laha i Bellesë së Deçanit. Per t’iu shmangur mosmarrëveshjeve që filluan të lindin në mes parisë rreth çështjes se kush e ngriti flamurin, Ismail Qemali tha: “Atë që e ngriti Flamurin do e quajmë ushtari i panjohur”. Edhe sot në Vlorë është përmendorja e Ushtarit të panjohur, e cila, me gjasë duhet të jetë përmendorja e Isuf Bardhoshit te Isniqit të Deçanit.
Himë Ibishi i Lubeniqit ka 35 vjet që nuk jeton, por rrëfimet e tij kanë mbetur. Ato tashmë janë regjistruar dhe shkruar me kujdes nga shkrimtari dhe aktori Nimon Muçaj, shënime të cilat i ka hedhur në letër dhe i ka botuar. Sado që dikush mund ta merr si jo të saktë, ato, megjithatë janë thënë nga protagonisti që vet e kishte bërë dhe prekur historinë. Dhe kjo ka shumë rëndësi edhe për historinë dhe për historianët. Burrat si Himë Lybeniqi ishin të shumtë, por mjerisht i përpiu errësira e kohërave dhe e padrejtësive që u bënë e po bëhen ndaj luftëtarëve të vërtetë. Shumë nga ta ikën nga kjo botë me brengën së nuk arritën ta prekin lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, kauzë për të cilën luftuan dhe dhanë gjithë çka patën e mundën…
Në mars të vitit 1981, kur në Kosovë shpërthyen demonstratat e studentëve me kërkesën “Kosova Republikë”, ndërsa Serbia dërgoi tanket për të shuar me gjak këto demonstrata, Himë Lybeniqi, më 2 prill të atij viti pati thënë: “”Mbajeni në mend se dhambët e qenit të çartun janë ngulë në mish. Ose do t’i mbesin dhambët në mish, ose do ta shkoqin nji copë bukur të madhe…”
Ishin fjalët e një luftëtari por e edhe pleqnari të rreshkur betejash dhe shqetësimet e tij se Serbia nuk do të hiqte lehtë dorë nga Kosova pa bërë masakra dhe pa e mbajtur edhe ndonjë pjesë të madhe të tokës së Kosovës, për çka është duke u përpjekur edhe tani pas 25 viteve të përfundimit të luftës dhe 16 viteve të shpalljes së pavarësisë.
Himë Lybeniqi ( i shenjuar me shigjetë) në mesin e burrave në një odë të Dukagjinit.
Portreti i Himë Lybeniqit, vizatuar nga piktori Sylejman Lokaj
Diku në mesin e këtyre burrave të Kosovës që po shkonin apo po hynin në Vlorë, duhet të jetë edhe Himë Lybeniqi. Një burrë shtatlartë dhe i regjur për luftë.