Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO/
“Corriere della Sera”- E përktheu Eugjen Merlika/
Ka n’Evropë një lojë pjesësh, paradoksale vetëm në dukje. Kundëramerikanët bëjnë tifo, kompaktë për Donald Trump-in. Filoamerikanët shpresojnë tek impeachment, ose po qe nevoja në çfarëdo ngatërrese a mrekullie, që mund të shërbejnë për t’a përzënë nga Shtëpia e Bardhë. Arsyet se pse kundëramerikanët janë me të dhe filoamerikanët kundër janë të njëjtat.Të parët shpresojnë e të dytët druhen se ai do të çmontojë atë shoqëri liberale perëndimore që Amerika ka dhënë ndihmesën për t’a mbrojtur e përkrahur që nga fundi i luftës së Dytë botërore e deri tani.
Proteksionizëm, sovranizëm, ujdi me rusët. Armiqtë e tregut të lirë e të demokracisë (perëndimore) martohen me një program të tillë. Gjithmonë kanë urryer Amerikën sepse, me ide dhe armë, ajo ka mbështetur e mbrojtur (kundër të gjitha llojeve të totalitarizmit që kanë pasuar njëri tjetrin në rrjedhë të kohës) këto dy shtylla të shoqërisë liberale.
Kundëramerikanët vlerësojnë Putinin sepse përfaqëson një botë e një kulturë kundërshtare me atë perëndimoren.Trump-i u ka dhënë atyre shpresën se mund të sendërtohet një përmbysje e madhe : fundi i ndikimit (kulturor, ekonomik, politik, ushtarak) amerikan dhe zëvendësimi i tij me atë rus. Kundëramerikanët e dinë mirë apo e marrin me mënd se një përmbysje e tillë, në pak kohë, do t’a çonte Evropën jashtë qytetërimit (të urryer) liberal.
Janë të njëjta arsyet që shtyjnë filoamerikanët të kundërshtojnë Trump-in. Ata vazhdojnë të besojnë se pa Amerikën nuk ka prita kundër armiqvet të shoqërisë së hapur. Mendojnë se proteksionizmi pjell varfëri, luftëra e despotizëm. Mendojnë gjithashtu se me Putinin duhen bërë traktativa, por pa e ulur gatishmërinë, me vetëdijen e hapësirës kulturore e politike që na ndan nga ai. N’atë perspektivë duket i pagëlltitshëm një president që synon të çmontojë n’emër të nacionalizmit e të kundërshtisë ndaj çfarëdo forme të internacionalizmit, përfshirë këtu dhe t’atij liberal, rolin hegjemon që Amerika ka marrë përsipër mbas vitit 1945.
Prandaj filoamerikanët shpresojnë që Russiagate të bëhet varreza politike e Trump-it. Për çastin kjo duket vetëm një iluzion i pastër. Por megjithatë është e pranueshme të shpresohet që ai do të dalë i kushtëzuar, në mënyrë që të zvogëlohen, të pakësohen sa të jetë e mundur, dëmet që administrata e tij mund t’i sjellë botës perëndimore në tërësinë e saj.
Megjithatë ka dy vështrime të “trumpizmit” që kanë një farë vlere e që nuk duhen hedhur. I pari ka të bëjë me kundërshtinë e tij ndaj ideologjisë së të qënit “politikisht korrekt”. Armiqtë e Trump-it do të bënin mirë të mos nënëvlerësonin faktin se sa kjo kundërshti ka ngjallur miratime e ka ndihmuar në fitoren e tij. Sëmundja, e dijmë, ka lindur në grumbullimet universitare dhe është përhapur jashtë tyre. Politikisht pa gabime është një formë integralizmi kulturor që moleps ajrin dhe mbyt mendimin e lirë. Është me të vërtetë pak largpamëse t’i lihet Trump-it detyra t’a luftojë.
Vështrimi i dytë ka të bëjë me politikën e tij të Lindjes së Mesme. Në këtë çast Trump-i është në vizitë në Arabinë Saudite. Nuk është aspak e sigurtë që zgjedhjet e tij, në këtë pjesë të botës, të jenë të gabuara. Qe një kundërveprim shumë i kuptueshëm ndaj terrorizmit të markës sunite (ideologjikisht i ushqyer në Arabinë Saudite), që goditi amerikanët më 11 shtator 2001, t’i shtynte ata me presidencat Bush (mësymje e Irakut) dhe Obama (marrëveshja bërthamore me Iranin), të pakësonin lidhjet tradicionale me Shtetet sunite e të rihapnin kanalet e mbyllura, që nga koha e revolucionit khomeinist në Persi (1979) me myslimanët shiitë. Kaluar një pesëmbëdhjetë vjeçar, mund të vihet re se ecja n’atë rrugë nuk solli thyerjen e rrezikut të përfaqësuar nga integralizmi islamik, i cili nuk u zhduk dhe as nuk u kufizua. Përkundrazi, pikërisht pakësimi i lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Vendeve sunite bëri që ata të ndihmonin lindjen e Shtetit Islamik. Nuk mund të thuhet se kthimi, i mbrojtur nga Trump-i, në aleancat tradicionale në Lindjen e Mesme (me Izraelin dhe sunitët), është i paarsyeshëm.
Cilido që tek ne nuk beson se Evropa është e aftë të ecë me këmbët e veta, se nuk është në gjëndje e vetme, pa një aleancë të fortë me Shtetet e Bashkuara, të mbrojë me idetë e me forcën shoqërinë liberale, shpreson që Trump-i të ikë sa më parë. Ose së paku, në vartësi, që institucionet e qëndrueshme amerikane t’arrijnë t’a përmbajnë.
“Corriere della Sera”, 22 maj 2017 E përktheu Eugjen Merlika