Ndriçim Kulla/
Për mua si autor u desh një punë e jashtëzakonshme studimore e analitike që kjo gjë të bëhej e mundur. Çdo histori, në një parim të përgjithshëm, që të shkruhet mirë dhe shkencërisht, duhet të kalojë nëpër tri faza: në fazën e parë të grumbullimit të të dhënave dhe burimeve, në fazën e dytë të hartimit të monografive për secilin prej burimeve të saj më përfaqësuese, dhe vetëm më pas të hartimit të një historie të përgjithshme ndërburimore, ndër-dimensionale dhe ndër-disiplinore.
“Një histori e shpirtit shqiptar”, ku shpirti, kodi i burimit etnik shqiptar dhe psikika e tij këndvështrohet në raport me letërsinë që ajo prodhoi nga shkrimi i parë shqip deri në epokën e letërsisë së realizmit socialist.
Nëse sprovën mbi poezinë dhe këngët popullore Kadareja e pat quajtur “Autobiografia e popullit tim në vargje”, një histori e poezisë shqiptare, që për një periudhë të gjatë kohe deri në fillimet e shekullit XX, do të përbënte bazën themelore të gjithë letërsisë sonë, mund të konsiderohet edhe si një histori e shpirtit shqiptar të shpalosur përgjatë historisë sonë. Për këtë arsye shinat nëpër të cilat do të shtrohet traseja e sprovave tona do të jetë sa vepra poetike aq edhe mjedisi historik që rrethoi dhe frymëzoi këto vepra. Po edhe në këtë “pasqyrë të veçantë” të shpirtit të kombit, mund të ravijëzonim disa trajektore rrugëtimi ose nëse do ta thonim poetikisht, përderisa një shpirt mund të shihet si një sinfoni zërash, një histori e tillë mund të shoqërizohet si një histori zerash të brendshëm, zërash të ndërgjegjes, të psikikës së kombit, që si një provani, kanë jehuar përbrenda shpirtit, zemrës dhe kreativitetit vetjak, nga autori në autor, për të vërshuar kështu “lumenjtë” e veprave të tyre, nëpërmjet të cilave arriti të krijohej “deti” i gjithë shpirtit të kulturës shqiptare.
Në këtë libër, zëri i përfaqësimit estetik të botës si një parathënie, do të niste me një poet shumë pak të njohur, tangjencial në letrat shqipe, siç është Mikel Maruli, përfaqësuesi i madh i estetizmit arbëror në Rilindjen europiane. Por jehona e tij do të ushtojë fort dhe fuqishëm, për t’u kthyer në një manifest të formimit estik të shpirtit shqiptar tek poeti ynë më i madh lirik, Lasgush Poradeci. Duke filluar nga Budi dhe duke u fuqizuar te Bogdani, shpirti barok arrin të krijojë një zë të fuqishëm në letërsinë tonë, ashtu siç humusi i poezisë popullore do të bëhet toka e pasur ku do ushqehen autorët tanë më përfaqësues të kësaj periudhe që po shqyrtojmë, që nga De Rada deri te Fishta. Shpirti i provanisë do të jetë një zë proverbial në qestën e arbëreshëve, duke i dhënë lartësi të papërsëritshme veprës së De Radës e Zef Skiroit, ashtu si binomi “për atme e fe” do të zenitohej në zërin e mrekullueshëm artistik të De Martinos dhe Fishtës.
Tiranë : Plejad, nëntor 2023.
396 faqe ; format i madh 16 x 23.5 cm.