


Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies – Budapest/
Korpusi Illyricum Sacrum është vepra më e plotë dokumentare e shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë së dikurshme të Justinianit. Themi kështu jo vetëm, sepse përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore, përkatësisht që nga antikiteti deri në shekullin e tetëmbëdhjetë, dokumente këto që u referohen të gjitha territoreve që quheshin Iliri në kohën e Justinianit, por edhe për shkak të shumëllojshmërisë së çështjeve që trajtohen në këto dokumente. Në këto dokumente gjenden të dhëna jo vetëm për vendndodhjen, historinë dhe kulturën e qyteteve dhe të qendrave të ndryshme të qytetëruara, ekzistuese apo të zhdukura me kalimin e kohës, por edhe për personalitete të ndryshme që janë pak apo aspak të njohura gjetiu. Është e vërtetë që këto personalitete vijnë kryesisht nga jeta dhe hierarkia kishëtare, por ato përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së inteligjencës së popullsisë gjatë periudhës kohore prej antikitetit e mesjetës, dhe dokumentat që ndriçojnë këto personalitete na ndihmojnë për të parë në një dritë më të plotë jetën, aktivitetin dhe mentalitetin e individit në periudhat përkatëse, zhvillimet shoqërore, ekonomike, politke, tregtare, ushtarake, kultuore dhe shpirtërore të popujve që jetuan në këto treva.
Illyricum Sacrum, i cili erdhi në dritë si rezultat i punës së gjatë e gjithëpërfshirëse, prej 125 vjetësh, të tre studiuesve, që i përkisnin tri gjeneratave të ndryshme, dhe ndihmësve e kolegëve të tyre: at Filip Riçeputit (1667-1742), at Daniel Farlatit (1690-1773) dhe at Jakob Koletit (1734-1827), është quajtur me të drejtë edhe enciclopedi ilirike, për shkak të materialit të gjërë që përfshin. Vepra e botuar, korpusi në nëntë vëllime, është vetëm maja e ajsbergut të punës së bërë nga këta studiues. Përpara se të tregojmë me pak fjalë përmbajtjen e këtyre vëllimeve të botuara dhe rëndësinë që kanë ato sidomos për historiografinë e popullit shqiptar, po përpiqemi të paraqesim përpjekjet e mëdha e të mundimshme që u desh të bënin autorët e këtij korpusi për t’i dhënë formë e shtyllë kurrizore materialit të shumtë burimor, të mbledhur për të shkruar historinë e Ilirisë. Vlera kryesore e këtij korpusi qëndron pikërisht në mbledhjen dhe paraqitjen e një materjali të jashtëzakonshëm burimor për historinë e Ilirisë.
Ai që ka meritën kryesore për mbledhjen e materjalit është At Riçeputi, i cili ishte edhe ideatori i këtij projekti. At Riçeputi e filloi punën e tij për mbledhjen e dokumenteve në lidhje me veprën e planifikuar rreth vitit 1694. “Punishten” e tij e vendosi në Padovë, ku edhe ishte dërguar me shërbim nga kreu i Urdhërit të Jezuitëve, dhe porositur që të shkruante historinë kishtare të Ilirisë.
Padova, qendra ku do të shkruhej kryevepra Illyricum Sacrum, ishte një qytet me tradita të lashtë në kulturë dhe arsim, me biblioteka dhe arkiva të pasura me intelektualë në zë, e lidhur mirë me qytetet e tjera të rëndësishme si me Venedikun, Mantovën, Milanon, Gjenovën, Bolonjën, madje edhe me Romën, që shquheshin për pasuri arkivore e dokumentare. Në këtë qytet, Riçeputi iu përkushtua tërësisht studimit, hulumtimit, mbledhjes dhe sistemimit të lëndës burimore për veprën e tij, duke bërë edhe studime krahasuese të popujve evropianë që kishin pasur lidhje me ilirët dhe Ilirinë. Përveç burimeve e literaturës at Riçeputi konsultoi edhe shumë kolegë, historianë në zë, për çështjet për të cilat hamendësohej.
Përpjekjet dhe hamendjet më të mëdha të at Riçeputit ishin në lidhje me organizimin e materjalit jashtëzakonisht të shumtë që kishte arritur të mbledhë. Për këtë na flasin qartë prospektet që ai shkroi, me qëllimin jo vetëm të prezantimit të punës së tij, por edhe të organizimit për botim të materialit që dispononte. Ndërrimi i përmbajtjes së këtyre prospekteve tregon që at Riçeputi as që kishte menduar më parë se do të përballej me një sasi të tillë materiali burimor në lidhje me Ilirinë “e harruar” nga autorët e korpuseve të mëdha burimore të kohës. Përpunimi dhe botimi i materialit të mbledhur i kapërcente mundësitë fizike të një jete njeriu, gjë që at Riçeputi nuk dëshironte ta pranonte. Nëpërmjet prospekteve të tij, shikojmë që ai u përpoq të bënte një kompromis të sasisë së materialit të mbledhur dhe ditëve të jetës së tij, në mënyrë që të nxirrte në dritën e botimit diçka nga ëndra e tij.
Në prospektin e parë të shkruar prej at Riçeputit në vitin 1718, e të botuar në vitin 1720, me titullin “Prospekt i Illirisë së Shenjtë, historinë e të cilës e merr përsipër për ta përshkruar dhe për ta dërguar në shtyp at Filip Riçeputi i Shoqërisë së Priftërinjve Jezuitë” (Prospectus Illyrici Sacri, cujus Historiam describendam typisque mandandam suscipit. P. Philippus Riceputi Societatis Jesu Sacerdos), shohim që at Riçeputi kishte ndërmend të shkruante vetëm një histori fetare të Ilirisë. Sipas këtij prospekti, vepra do të ndahej në katër pjesë të mëdha: Pjesa e parë do të titullohej “Veprat e priftërinjve të lartë të Ilirëve” (Acta Illyricorum Antistitum); pjesa e dytë “Përmbledhje e koncileve të shenjta dhe të legatave apostolike që kanë lidhje me Kishën Ilirike” (Collectio Sacrorum Conciliorum, et Legationum Apostolicarum, ad Illyricam Ecclesia Spectantium); pjesa e tretë “Rreth jetës dhe zakoneve të shenjtorëve që ndriçuan Kishën Ilirike” (De vita, et moribus Sanctorum hominum, qui Ecclesiam Illyricam Illustrarunt) dhe pjesa e fundit do të titullohej “Monasticizmi i Ilirisë ose historia e murgjve dhe e gjërave fetare të Ilirëve” (Monasticum Illyricum, seu Historia Monacorum, et Sanctimonialium Illyricarum).
Pjesa e parë do të ndahej në dy nënpjesë: njëra do të përfshinte dokumente kronologjike për Ilirinë perëndimore, dhe tjetra për Ilirinë Lindore. Në njërën nënpjesë do të kishte dhjetë libra: libri i parë do të paraqiste katalogun kronologjik të papëve të Romës si dhe territorin në të cilin secili nga këto papë kishte influencë. Ndërkohë që libri i dytë do të kishte si objekt studimi Patriarkanën e Konstantinopojës, libri i tretë do të kishte ipeshkvët e Selanikut. I katërti do t’i mblidhte argumentat rreth kishës metropolitane të Ohrit, ose të Justiniana Prima dhe sufraganive të saj, dhe i pesti ato rreth kishës metropolitane të Shkodrës, autoritetin e të cilës më vonë e mori Tivari. Në librin e gjashtë do të flitej për kishën metropolite të Sardicës dhe të sufraganive të saj, dhe në librin e shtatë do të flitej për kishën metropolitane të Durrësit me sufraganitë e saj “Albano, Alexio, Amantia, Acroceraunia, Apollinia, Aulona, Vullido, Benda, Croia, Echynio, Lychnido, seu nova Arcida, Musacia, Polycheriopoli, Scampis, Scaepio, et Lisia që tani janë zhdukur ose kanë rënë në harresë” – thotë at Riçeputi në prospektin e tij. Në librin e tetë do të flitej për kishën metropolite të Shkupit, në të nëntën do të ndriçoheshin gjërat që kishin të bënin me kishën greke dhe në të dhjetin do të hidhej përsëri dritë mbi marrëdhëniet e papëve të Romës dhe patriarkanës së Konstantinopojës, për të treguar më me qartësi zonat e influencës së secilit pushtet.
Në nënpjesën tjetër do të kishte po dhjetë libra. Pasi të flitej për marrëdhëniet laike e fetare të autoriteteve lokale dhe kishtare në librin e parë, në librin e dytë do të flitej për kishën metropolitane të Salonës, që pushoi së ekzistuari në shekullin e shtatë nga dyndjet e avarëve, dhe të gotëve dhe kaloi në Splitin e sotëm. Në librin e tretë, kisha e Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) do të studiohej në thellësi dhe në librin e katërt ajo e Zarës; secila me sufraganitë e veta. Në librin e gjashtë do të trajtohet historia e kishës metropolitane të Sriemit. Në librat në vazhdim do të trajtohen historitë e kishave që nuk ishin drejtpërdrejtë në territoret e Ilirisë, por që kanë sufragane të varura në territoret e Ilirisë, si p.sh. Aquileja, Bari, Estergomi, Coloça, Peçi i Hungarisë etj.
Edhe pjesa e dytë do të ndahej në dy nënpjesë, ashtu si e para. Në nënpjesën e parë do të flitej për historinë e koncileve gjeneralë (ekumenikë), nacionalë, provincialë, dhe dioqezanë që i përkisnin Ilirisë, ndërkohë që në nënpjesën e dytë do të flitej për legatat apostolike që dërgoheshin ndër ilirët, pra ata që vinin nga jashtë dhe që kishin të bënin me çështjet e Ilirisë. Përveç akteve të koncileve dhe dekrevete të tyre, në këtë pjesë do të gjenin vend edhe studimet togografike, historike, e kronologjike të ngjarjeve të mëdha që kishin lidhje me Ilirinë.
Në pjesën e tretë do të flitej për martirologinë, dhe kryesisht për jetët dhe veprat e martirëve të Ilirisë, dhe në pjesën e katërt do të trajtohej historia e murgjve ilirë, të cilët do të studioheshin në bazë të urdhërave të cilëve u përkisnin si p.sh. Urdhërit të Shën Bazilit, të Shën Hilarionis, Shën Jeronimit, Shën Benediktit, Shën Romualdit, Shën Gregorit, të Shën Agustinit, të Shën Dominikut, Shën Françeskut, të Shoqërisë së Jezuitëve dhe Urdhërit të Kalorësve e të tjerë. Historia e secilit manastir, apo e secilit murg do të trajtohej më vete dhe në të do të gjendej gjithçka që kishte lidhje me zërin në fjalë.
Për një vepër kaq ambicioze, sigurisht që at Riçeputit nuk i mjaftonin dokumentat e shumta që kishte mbledhur, kështu që së bashku me grupin e tij të bashkëpunëtorëve, ndër të cilët ishte edhe Pacifik Bica, rifilloi punën për mbledhjen e dokumenteve të tjera. Në vitin 1722, si ndihmës i parë i at Riçeputit u emërua at Daniel Farlati, i cili do të njihet si emri kryesor i lidhur me botimin e korpusit Illyricum Sacrum. Materiali i shtuar nga kjo valë e dytë kërkimesh do të katalogizohej në më shumë se njëqind katalogje të ndryshme dhe do të indeksohej në tetë vëllime me indeksa. E gjithë kjo lëndë e mbledhur deri në vitin 1721, që do të krijonte të ashtuquajturën “Bibliotheca manuscripta Illyricana”, ishte jashtëzakonisht e madhe. Ajo përfshinte treqind e pesëdhjetë e nëntë vëllime me dorëshkrime. Në të gjendeshin bula papnore, diploma të ndryshme, privilegje, fletëdhurata, dorëshkrime sinodesh e koncilesh që nga shekulli i VI-të e deri në shekullin e XVII-të, gjenealogji, stema, ditarë të ndryshëm udhëpërshkrimesh, biografi të shumta të personaliteteve nga më të ndryshmet, legjenda, deftesa, letërkëmbime, kontrata, akte noteriale, relacione dhe dokumente të tjera të cilat i kishin marrë si dhuratë, i kishin huazuar ose i kishin kopjuar fjalë për fjalë nga origjinalet. Përveç këtyre kishte dorëshkrime të mëdha, si tërësi të veçanta, kodikë, por edhe libra të ndryshëm, libra të rrallë si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra.
Në vitin 1739 at Riçeputi shkruan një prospekt të dytë, por që nuk botohet. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin e Jezuitëve, në Romë, në 20 faqe in folio. Në këtë prospekt, at Riçeputi na paraqitet me një projekt pothuajse krejt të ndryshuar nga ai i njëzet vjetëve më parë. Sipas këtij prospekti, at Riçeputi dëshironte të inkorporonte të gjitha dokumentat e shumta që kishte gjetur, dhe siç do të shohim plani i tij nuk ishte më të shkruante vetëm një histori kishtare të Ilirisë, por një histori më të gjerë e më të plotë se kjo, pra edhe një hisotri të përgjithëshme.
Sipas këtij prospekti, at Riçeputi do ta ndante veprën e tij në dy pjesë kryesore që do të ishin Illyricum Sacrum dhe Illyricum Profanum, ku këtë të fundit do ta ndante në pagane dhe të krishterë, për të zgjeruar kështu më shumë kohën në të cilën shtrihej studimi, dhe për t’ju përgjigjur më mirë problemeve etnike. Pesë vëllimet e para do të përbënin atë që ai e quante Izagogë dhe që përbënte pjesët që vijojnë:
- Parathënie e përgjithshme. 1. Rreth mbledhjes së burimeve dhe atyre që janë mbledhur. 2. Mënyra dhe logjika e hartimit të tekstit dhe 3. Këshilla të autorit.
- Iliria e Madhe në kohën e copëtimit dhe në kohën e bashkimit, si në temat e vjetra dhe në të rejat e gjera nga Retia, Norikum, Panonia, Dacia, Carpatet, Moesia, Pontum Traka, Dardania,Creta, Qipro, Greqia e Maqedonia, Thesalia e Epiri bashkë me Dalmacinë, dhe deri në Ligurinë antike, dhe të gjitha territoret që sot janë Gjeneva, Flaminia, Umbria, Emilia, Venecia e Istria me shpjegime të veçanta gjeografike, kronologjike, onomastike dhe historike.
- Shqyrtime parathënëse (Prolegomena) gjeografike, kronologjike, onomastike, biblike, kritike: sa e hapur do të jetë historia profane e Ilirisë, kur do të ndahet në pagane dhe e krishterë dhe civile, në lidhje me çfarë vendesh, kohërash, emrash do të diskutohet në të vërtetë etj.
- Në dymbëdhjetë vëllime do të ndahen të gjitha veprat në Ilirinë pagane, të krishterë dhe civile, hierarkia e krishterë, ndarja e kishave të krishtera, synodet cenobite, pontifikët dhe hagjiografia.
- Ndarje paraprake ideale sipas koncepteve si p.sh. papët: de Sanctis Hermete, Tito, territoret: Dalmacia, Synodi: rreth concileve dalmatase; nga cenobitica: rreth vendeve të murgjve benediktinë në Dalmaci, nga hagjiografia: Shën Pjetër Urseoli i mbretërisë së Dalmacisë etj.
Të pesëmbëdhjetë vëllimet që do të vijonin, do të quheshin “Histori e përgjithshme e Ilirisë së Shenjtë dhe Profane” nga at Riçeputi.
Ky prospekt i dytë nuk do të ishte varianti përfundimtar për të organizuar materialin burimor që disponte at Riçeputi me bashkëpunëtorët e tij. Në vitin 1742, at Riçeputi e shkruan prospektin e tretë, sipas të cilit Illyricum Sacrum do të përbëhej prej nëntëmbëdhjetë vëllimesh dhe shtatë tabelash gjeografike. Titujt e vëllimeve që po përgatiste dhe disa nga ata që ishin përgatitur, janë si më poshtë:
- Dy vëllime Isagogjike të miratuar nga eprori që gjendej në Romë ishin për t’u sjellë sa më shpejt që të ishte e mundur në Venedik dhe për t’iu dorëzuar shtypshkronjës.
- Dy vëllime të Ilirisë profane para Krishtit, të përgatitur e që gjenden në Venedik tek eprori.
- Dy vëllime të tjerë të Ilirisë profane të përgatitur si parathënie e që gjenden në muzeun e Padovës.
- Katër tabela gjeografike shumë të mëdha që shërbejnë për dy vëllimet e para të Illirisë profane janë në Romë, pranë autorit.
- Tre tabela të tjera të ngjashme për dy vëllimet e tjera të të njejtit Ilirik profan.
- Nga një vëllim: historik, kritik, e gjeografik me komente për katër tabelat e Ilirikut Profan, punë e at Compagno, vëllim ky që gjendej në duart e tij në Padovë.
- Katër vëllime hagjiografikë të titulluar Sanctualium, përmbajnë komentarë dhe autorët e çdo shpallje të çdo shenjtori të Martirologjisë Ilirike sipas normës së Baronit, dhe së fundi të Bollandistëve në veprën e tyre Acta Sanctorum gjenden në Padovë.
- Një vëllim hierarkik me të gjitha ndryshimet e emrave, të titujve të dinjiteteve, të kufijve të ndjekur nga periudha kohore e apostujve deri në ditët kur jetonin autorët, i përgatitur si më lart. Gjendet në Padovë.
- Katër vëllime pontifikale me lëvdata, dhe jetët e ipeshkëve të çdo kishe.
- Dy vëllime dinodiale të koncileve dhe letra apostolike.
- Një vëllim monastik me historinë e manastireve dhe të murgjëve të të gjithë urdhërave, i përgatitur vetëm si indeks. Materiali për të ishte i shpërndarë aty këtu nëpër muze.
Të gjitha këto vëllime me dokumente do të përgatiteshin e dorëzoheshin përfundimisht në shtypshkronjë (me gjithë miratimet e censorëve) në tetë vitet e ardhëshme.
Siç shihet, pra, përfundimisht at Riçeputi kishte vendosur që të shkruante një histori jo vetëm kishtare por edhe laike të Ilirisë, histori kjo që do të mbështetej plotësisht në dokumente. Dokumentet e mbledhura e lejonin që të merrte një guxim të tillë, jo vetëm sepse ato ishin mëse të mjaftueshme si sasi, por edhe të shumëllojshme dhe pothuajse të plota me informacione në të gjitha fushat që ai donte të trajtonte.
Në formën që është sot, vepra Illyricum Sacrum është shumë larg ideve të at Riçeputit, kryesisht sepse shumë burime kanë mbetur të papërfshira. At Daniel Farlati, pasardhësi i at Riçeputit në vijimin e projektit (kishte njëzet vjet punë në projekt kur at Riçeputi vdiq), u tregua pragmatist në vlerësimin e mundësive fizike që kishte dhe përzgjedhjes së materialit të pashterueshëm që ishte mbledhur.
At Daniel Farlati i jep shprehimisht shkaqet dhe qëllimet shkencore të ndërrimit të konceptit fillestar të veprës “Histori e Ilirisë” që kishte projektuar at Filip Riçeputi. Përveç sasisë së papërballueshme të materjalit, ai mendon që të përdorë më shumë metoda kritike, për të ekonomizuar më mirë hapësirën, kohën dhe informacionet. Përveç Historisë kishtare të Ilirisë, Farlati kishte planifikuar që ndaras të shkruante edhe Historinë e Ilirisë si dhe disa tema të tjera.
Pas ndryshimit të konceptit të Riçeputit, at Farlati ndryshoi edhe hapësirën gjeografike të territoreve për të cilat do të shkruante në veprën e tij. Duke qenë se Iliria, gjatë periudhave të ndryshme historike shtrihej në hapësira të ndryshme, herë më të gjëra e herë më të ngushta, dhe meqenëse ai nuk donte të merrej me të gjitha këto ndryshime, siç donte të bënte at Riçeputi, vendosi që të merrej si kufij territorialë të studimit të tij, kufijt gjeografikë të Ilirisë në kohën e perandorit Justinian. Nga ky reduktim i hapësirës gjeografike, mbetën pa u përfshirë një pjesë e mirë e territoreve ku shtrihej Iliria e lashtë.
At Farlati arriti të shihte të botuar vetëm katër vëllime nga Illyricum Sacrum. Ashtu si at Riçeputin, koha nuk e lejoi që të shihte të shfrytëzuara në historinë e dëshiruar materjalet që ishin mbledhur. Veprën e tij e vazhdoi at Jakob Koleti, i cili e çoi deri në fund projektin e reduktuar të Farlatit, megjithëse nuk ishte shumë i kënaqur nga cilësia e punës së shumtë. Këtë e tregojnë korrigjimet dhe shtesat që ai bëri për pesë vëllimet e para të llyricum Sacrum dhe që u botuan në vëllimin e nëntë nga Frane Buliq.
Çfarë përmban Illyricum Sacrum që na është servirur nga at Daniele Farlati dhe pasardhësit e tij?
Vëllimi i parë i Illyricum Sacrum trajton historinë e Ilirisë që nga antikiteti deri në shekullin e IV-të. Duke dëshiruar që të bënte një paraqitje sa më të saktë të historisë së Ilirisë, at Farlati i jep shpjegimet e nevojshme në vëllimin e parë në “Prolegomena”, ku e ndan këtë histori në tre kapituj: “Prolegomenon Illyrico,” “Prolegomenon de Dalmatia,” dhe “De Illyrica et Dalmatica ecclesia, tum de Salona et ecclesia Salonitana”. Dy kapitujt e parë trajtojnë historinë laike të Ilirisë dhe të Dalmacisë; ndërsa në kapitullin e tretë, at Farlati e ndan në dy nënkapituj: në njërin trajton kohën apostolike dhe fillimet e krishterimit në Iliri dhe në Dalmaci, dhe në tjetrin trajton historikun e qytetit të Salonës, metropolisë. Këtu ai boton edhe katalogje të ndryshme të sufraganive të kësaj ipeshkvie.
Vëllimi i dytë i Illyricum Sacrum vazhdon me trajtimin e historisë kishtare të Salonës deri në shkatërrimin e qytetit, por edhe edhe me historinë e Ilirisë dhe të Dalmacisë, nga shekulli i IV-të deri në fillim të shekullit të VII-të. Një vend të veçantë në këtë vëllim zënë figura e perandorit Dioklecian të lindur në Salonë si dhe aktet e martirëve. Shqyrtimi dhe analiza e letrave të papës Gregori i Madh nga fundi i shekullit të VI-të hedhin dritë mbi gjendjen e Gadishullit Illirik në kohën e dyndjes së sllavëve në Ballkan. Vëllimi ka një shtojcë me faqosje të veçantë, e cila mund të ishte edhe studim i pavarur. Në të paraqiten mbishkrimet në objektet e ndryshme të mermerit, të cilat ishin të shpërndara në një hapësirë të gjerë territoriale. Këto mbishkrime janë të ilustruara me shënime të shkurtëra nga at Francesco Zaccaria.
Vëllimi i tretë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Splitit, dhe përqëndrohet veçanërisht te popullsia e Dalmacisë dhe e Kroacisë. Pas sulmeve avaro-sllave dhe shkatërrimit të Salonës, selia kishtare bartet nga Salona në Split, duke e ngritur Splitin në rangun e kryeipeshkvisë së tërë Dalmacisë dhe Kroacisë. Kjo është edhe periudha kur populli kroat pranon krishtërimin dhe krijon shtetin e tij të pavarur. Duke trajtuar historinë e kryeipeshkëvisë së Splitit, në vija të trasha, at Farlati paraqet edhe historinë mesjetare të Dalmacisë dhe të Kroacisë.
Vëllimi i katërt i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të kishave sufragane të metropolisë së Splitit, disa nga të cilat kishin vepruar për një kohë të shkurtër. Në këtë vëllim, në mënyrë të veçantë janë trajtuar ipeshkvitë: Belgradensis et Scadronensis, Bosnensis, Corbaviensis, Modrusensis, Seniensis et Ottociensis, Dumnensis, Macarensis sive Macarchensis, Nonensis, Phariensis, Tinniensis, Traguriensis ex quo Sibenicensis. Disa nga klerikët e këtyre kishave sufragane ishin katolikë shqiptarë, të cilët gjatë mesjetës zinin postet e rëndësishme eklesiastike në pothuajse gjithë Dalmacinë.
Vëllimi i pestë ishte përgatitur ekskluzivisht nga at Daniele Farlati, por nuk u botua për sa kohë ai ishte gjallë. U botua më vonë, me emrin e tij, nga Jacopo Coleti. Në këtë vëllim trajtohet historiku i kishës metropolitane të Zarës dhe sufraganisë së Zagrebit. Në hyrje të këtij vëllimi, Jacopo Coleti, ka shkuar një studim biografik për jetën dhe veprën e at Daniele Farlatit.
Vëllimi i gjashtë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të kryeipeshkvisë së Raguzës dhe sufraganive të saj: Rhizniensis dhe Kotorrit. Në mënyrë të veçantë është paraqitur historia e Epidaurit, i cili u rrënua në shekullin e VII-të, dhe banorët e të cilit u vendosën në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm). Gjatë mesjetës, qyteti i Raguzës u zhvillua në një komunë të lirë, ndërsa në shekullin e XV-të quhet Republikë. Në këtë vëllim gjenden shumë pjesë që trajtojnë figura të shquara intelektualësh, prelatësh dhe klerikësh shqiptarë, të cilët jetuan, bënë karrierë kishtare dhe vdiqën në Raguzë.
Vëllimi i shtatë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Shqipërisë dhe të Epirit. Në të paraqitet historia kishtare e kryeipeshkvisë së Dioklesë më vonë e Tivarit, dhe e ipeshkvive të Arbërisë, Balecit, Budvës, Danjës, Drishtit, Ulqinit, Polatit, Shurdhahut, Sardës, Shasit, Shkodrës, si dhe të kryeipeshkvisë së Durrësit, dhe të ipeshkvive të Lezhës, Amantias, Apolonisë, Vlorës, Bendës, Prizrenit, Stefaniakës, Kunavisë, Krujës, Skampës. Ky vëllim është i pajisur edhe me një apendiks të metropolisë së Durrësit, dhe në të gjenden edhe ipeshkvitë e Akrokeraunisë, Pulkeriopolit, kryeipeshkvia e Krajinës, etj. Në këtë vëllim gjejmë edhe letërkëmbimin e Skenderbeut, si dhe tekstin komplet në latinisht të Kuvendit të Arbërit, etj.
Vëllimi i tetë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe disa viseve të tjera të Ballkanit, duke paraqitur historinë e këtyre kryeipeshkvisë së Shkupit dhe të sufraganive të saj, Nishit, Staliensis, Ulpianës, Sapës, të patriarkanës së Pejës, të kryeipeshkvisë së Sardikës e të Sofias, dhe të shufraganëve të Pautaliotës dhe Remesianës, kryeipeshkvisë së Marçianopolit, dhe shufraganëve të Nikopolit, Varnës, Belgradensis, Semandriensis, Bidiensis, të ipeshkvisë së Lynit dhe kryeipeshkvisë së Ohrit, apo të Justiniana Prima, të Prizrenit të Zagorisë, Tërnovës, etj. Në kuadër të vëllimit të tetë, botohet edhe “Martyrologium Illyricum,” që ishte botuar edhe më herët si studim më vete nga Jacob Coleti në Venedik.
Vëllimi i nëntë, ose i ashtuquajturi, “Accessiones et Correctiones all’Illyricum Sacrum del P. D. Farlati di P. G. Coleti” u botua nga don Frane Buliqi. Në të gjenden shtesat dhe korrigjimet e bëra nga at Jacob KColeti për pesë vëllimet e para të Illyricum Sacrum, dorëshkrimi origjinal i të cilave ruhet në Bibliotekën Marciana të Venedikut.
Për të përmbledhur mund të thuhet se në këtë korpus, trajtohet historia e ungjillizimit të ilirëve, në periudhën apostolike në hapësirat e gjera të Ilirikut, përhapja e krishtërimit, themelimi dhe shtrirja e kishave, kuvendeve, manastireve dhe katedraleve, ndarja administrative-kishtare, hierarkia katolike e provincave kishtare dhe e qendrave ipeshkvnore e kryeipeshkvnore, përfaqësimi i tyre që prej koncileve më të hershme e deri te ai Arbërit në vitin 1703, etj.
Rëndësia e korpusit Illyricum Sacrum
Kur përdori metodën e tij të ekonomizimit të hapësirës dhe kohës, at Farlati, formatori kryesor i veprës së botuar Illyricum Sacrum, hasi në pengesën që disa tërësi apo vëllime ishin të lidhura mes veti në atë mënyrë sa ishte e pa mundur të shkruheshin ndaras, si p.sh. historia e shenjtorëve, ipeshkëve, regulltarëve, koncileve etj., sepse ndryshe gjërat do të përsëriteshin. Për këtë shkak ai vendosi që brenda historisë e ipeshkvive të shkruante edhe historinë e ipeshkëve të tyre, për të nxjerrë në kompleks gjithë historinë e Ilirisë. Kështu p.sh. kur shkruan historinë e një ipeshkvie, ai jep edhe historinë e të gjithë ipeshkëve të saj një e nga një, pavarësisht se shumë prej tyre mund të ishin emëruar në atë post duke ardhur nga vende të tjera. Kështu p.sh. në vëllimin e shtatë ku ipeshkvitë janë kryesisht nga territoret shqiptare, brenda historive të ipeshkvive kemi historitë e ipeshkëve që janë të ardhur nga Italia, Hungaria, Dalmacia, etj. gjë që parë nga këndvështrimi nacional, historitë e se si u edukuan dhe u formuan ata u interesojnë më shumë vendeve në fjalë. Po kështu ipeshkvët me origjinë shqiptare pak gjenden në vëllimin e shtatë, pasi në këtë vëllim gjenden vetëm ata që janë emëruar ipeshkvë në këto territore. Shumica e ipeshkëve me origjinë shqiptare emëroheshin në vende të tjera, kryesisht në Dalmaci, por edhe në Hungari, në Itali apo gjetkë. Për të bërë një histori të plotë të jetës fetare të territoreve shqiptare, duhen ndjekur jetët dhe aktivitetet e klerikëve shqiptarë të emëruar në vende të tjera, sepse në ipeshkvitë ku ata ishin emëruar jepet historia e tyre personale. Këtë gjë korpusi Illyricum Sacrum e mundëson në kompleksitetin e vet.
Vëllimet janë të ndërthurura kaq mirë me njërit-tjetrin saqë është e pamundur që të ndjekësh historinë e jetës fetare të një ipeshkvie pa konsultuar vëllimet e tjera, ku flitet për intelektualët fetarë që janë larguar nga kjo ipeshkvi. Mënyra se si janë formuar ata, dhe jeta që ata kanë bërë në këtë ipeshkvi, para se të emëroheshin diku tjetër, gjendet pikërisht në ipeshkvinë ku ata janë emëruar. Për ta ilustruar po sjellim rastin e Dominik Topisë.
Dominik Topia ishte vërtetë nga familja e Topiasve, pra nga kryeipeshkvia e Durrësit, por në vëllimin e shtatë nën këtë kryeipeshkvi nuk gjen pothuajse asgjë për këtë figurë. Gjithë historia e tij është shkruar në vëllimin e pestë të Illyricum Sacrum (f. 97), sepse ai ishte kryipeshkvi i Zarës, dhe historia e kësaj kryeipeshkvie gjendet në këtë vëllim. Për këtë figurë ka edhe në faqen 333 të këtij vëllimi, sepse ka qenë ipeshkv i Korçulës, si dhe në faqen 135 të vëllimit nr. gjashtë, sepse pretendonte selinë e ipeshkvit në ipeshkvinë e Raguzës. Ishte edhe ipeshkv i Bosnjës, kështu që historia e tij duhet kërkuar edhe gjetkë.
Historia fetare e shqiptare ka mbetur e paplotë deri më sot edhe për shkak të shpërndarjes së figurave të saj kishtare nëpër vëllime të ndryshme të këtij korpusi, që nuk ka qenë kurrë i tëri (me të gjithë vëllimet) në duart e studiuesve shqiptarë. Kjo gjë ua ka bërë të vështirë historianëve punën për gjetjen dhe paraqitjen e jetëve dhe aktiviteteve të tyre. Megjithatë, rëndësia e këtij korpusi qëndron kryesisht edhe në vetë vështirësinë për ta përdorur atë: është i ndërthurur shumë mirë.
Korpusi Illyricum Sacrum duket i paplotë dhe i papërsosur kur e krahason me gjithë materjalin e pabotuar që është mbledhur dhe që akoma ruhet në biblioteka e arkiva të ndryshme të Italisë, Dalmacisë, Hungarisë, Austrisë, Francës, e më gjerë. Megjithatë në kuadër të veprave të botuara, Illyricum Sacrum është vepra më e plotë burimore e shkruar ndonjëherë për historinë e Ilirisë. Vlera e saj nuk është kapërcyer akoma, megjithë arritjet e historiografisë në ditët tona. Nëse një ditë do të mund të inkorporoheshin në këtë korpus edhe të gjitha dokumentet e mbledhura nga autorët e këtij projekti ambicioz, pa dyshim që nuk do të kishte më asnjë arsye për historianët për t’u ankuar për mungesë burimesh në lidhje me historinë e Ilirisë jo vetëm kishtare, por edhe në atë laike e në tërësinë e vet.