
Saimir Kadiu/
Ndoc Martini (17 janar 1880 – 6 dhjetor 1916), nxënës i Kolë Idromenos, ishte një nga piktorët më të talentuar shqiptarë, me një fat jetësor të ngjashëm me atë të Migjenit. Talentin e tij e kanë krahasuar madje me Rafael Santin. Ai vdiq në një moshë shumë të re, në Paris. Vepra që po postohet është “Doktor Prelaj”, e cila i dedikohet Dr. Pjetër Prelajt, të cilin piktori i madh e njohu gjatë qëndrimit në Paris.
Kush ishte Doktor Pjetër Prelaj?
I pesti i vëllezërve Prelaj, Pjetri, në moshën 18-vjeçare u dërgua për të studiuar në Francë, në Fakultetin e Mjekësisë së Parisit, ku u njoh me bashkatdhetarin e tij, piktorin e njohur Ndoc Martini.
Ndoci jetonte në një papafingo në periferi të kryeqytetit francez, të cilën e përdorte edhe si studio.
Në një nga vizitat e shpeshta që Pjetri i bënte bashkëpatriotit të tij, ai i propozoi që t’i bënte një portret me bojëra vaji.
Teksa Ndoc Martini hidhte ngjyrat mbi telajo, nuk mund ta kishte menduar se ai portret — që sot ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë — do të bëhej një nga kryeveprat e pikturës shqiptare.
Gjatë viteve të studimeve në Paris, Pjetri mori pjesë në luftë, duke kuruar ushtarët francezë të plagosur. Për meritat e tij, para se të kthehej në Shqipëri, ai u dekorua nga shteti francez me medaljen e artë “Légion d’Honneur”.
Pas diplomimit në Mjekësi dhe përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Pjetri u kthye në qytetin e tij të lindjes, Shkodër.
Atje, Dr. Pjetri iu përkushtua profesionit të tij si mjek, duke fituar shumë shpejt emër të mirë në gjithë qytetin dhe fshatrat përreth.
Me kalimin e kohës, i kënaqur me punën dhe me kursimet që kishte mbledhur, ai kërkoi ndihmën e arkitektit dhe piktorit të famshëm Kol Idromeno, që t’i hartonte projektin e një shtëpie që do të shërbente si banesë dhe klinikë mjekësore.
Idromeno ia realizoi Dr. Pjetrit projektin, i cili edhe sot njihet në Shkodër si një nga ndërtesat më të bukura të qytetit, ku dallohet qartë dora e mjeshtrit të madh.
Në atë kohë, Idromeno kishte pas vetes një eksperiencë të gjerë projektimi, duke përfshirë: Kafenë e Madhe, Bankën e Shtetit, Vilën e Dr. Shirokës etj.
Sipas kërkesës së Dr. Prelajt, kati i parë i shtëpisë u projektua si hapësirë pune, ku u vendos aparati Röntgen dhe dhomat për vizitat e pacientëve, ndërsa kati i dytë shërbente për banim.
Kjo shtëpi, e cila edhe sot ndodhet në fund të rrugës Gjuhadol, është shpallur Monument Kulture dhe konsiderohet pjesë e thesarit të artë të arkitekturës shqiptare.
Mbarimi i luftës e gjeti Dr. Prelajn të transferuar në rrethin e Kukësit, pasi më parë shteti komunist i kishte sekuestruar aparatin Röntgen dhe gjithë literaturën që ai e kishte blerë me flori në Francë.