– I riparë dhe me shtesa –
Nga Visar Zhiti
Pas daljes së Historisë së Letërsisë Shqiptare në Rumani, vepër madhore e Dr. Luan Topçiut, për herë të parë kaq totale dhe me rigorozitet shkencor e artistik, jehona e botimit do të ishte e madhe jo vetëm në Rumani, ku do të shkruanin kritikë të njohur të arteve, gjithashtu dhe në median shqiptare, në Shqipëri e Kosovë e në Diasporë, në Europë dhe Amerikë.
Autori Luan Topçiu do të dekorohej nga Presidenti i Rumanisë me medaljen e lartë “Kalorës i Meritave Kulturore” për gjithë atë veprimtari e arritje të shkëlqyer, për botimet me rëndësi, studime e pêrkthime të ndërsjellta, që kanë rritur njohjen mes dy popujve tanë, por dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë së hershme.
Kërkesat për “Historia e Letërsisë Shqiptare” do të shtoheshin, jo vetëm pse shpaloset informimi i gjerë, që nga fillimet e deri më tani i letërsisë së një populli në Europë, i lashtë dhe i vuajtur, por ajo është shkruar dhe vetë si letërsi, si mendim i begatë kritik.
Dhe pas një viti tani vjen botimi i dytë i saj.
Autori Luan Topçiu sērish me një modesti të pandryshueshne na bën me dije në rrjetet sociale:
“Sapo ka dalë nga shtypi botimi i dytë, i riparë dhe me shtesa, i librit: ‘Historia e letërsisë shqiptare, nga gjeneza deri në ditët sotme’. Vepra ka 900 faqe dhe është financuar nga Qeveria e Rumanisë, në kuadrin e ALAR-it. Është një nderim për letërsinë shqiptare, për autorët shqiptarë…”.
E riparë dhe me shtesa…
Pra, na mbetet të kuptojmë se studiuesi Dr. Luan Topçiu e sheh letërsinë si të gjallë, në zhvillim të vazhdueshëm që koha, qoftë dhe e shkurtër, sjell prurje të reja dhe ndërgjegjia e profesionistit ia kërkon t’i pasqyrojë ato. Ai e ka të qartë misionin dhe vlerën e tij. Dhe shtoj në fjalën e tij paraqitëse:
“Sipas Milan Kundera-s, veprat e mëdha nuk mund të lindin veçse në kuadrin e historisë së artit, duke marrë pjesë në këtë histori. Vetëm në kuadrin e historisë mund të kuptojmë se çfarë përsëritet, çfarë është zbulim apo imitim… Asgjë nuk më duket më e tmerrshme sesa arti që bie jashtë historisë së tij, sepse është fjala për një rënie në kaosin e vlerave estetike që nuk mund të perceptohen. (Milan Kundera, ‘Testamentet e tradhtuara’ Humanitas 2021, fq. 23-24)”.
Ky konstatim dhe porosi e shkrimtarit të madh dhe mendimtarit Milan Kundera duhet se është dhe motoja qenësore e qëllimi të hartimit të kësaj historie të letrave tona, edhe pse në gjuhë tjeter, por në një vend të Bashkimit Europian tani, i cili ka ndihmuar rilindjen shqiptare dhe pavarësinë e vendit tonë që kur ishte në perandorinë osmane.
Si qytetar shqiptar, por dhe si shkrimtar i përfshirë në këtë histori, unë do të shprehja entuziazmin dhe mirënjohjen dhe përshëndetja ime do të botohej në disa media tonat.
KRYEPUNË
E DR. LUAN TOPÇIUT…
do të shkruanin gazetat në Tiranë e Prishtinë, në “VOAL” në Zvicër, në “Dielli” dhe “Illyria” në SHBA dhe televizione të ndryshme në Rumani dhe Shqipëri do të intervistonin autorin.
…ka dalë nga shtypshkronja libri më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe… citoja unë autorin në shkrimin tim, por botimi II është me 900 faqe dhe shtoja: Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manastireve dhe kuvendeve… Kjo histori, që është shumë më me rëndësi se ajo e luftërave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit, pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila, e përsëris, nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj, dhe plotësoj që arrin deri te botimet më fundit, tek autorë 20 vjeçarë tani. E gjitha mahnitëse. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani. Prandaj dhe u desh dhe një botim i ri.
Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje Realizëm Socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, katedrat e shqipes, lidhjet e shkrimtarëve, etj…
Luani shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme…
Është një vepër që do t’i duhet më shumë, ardhmërisë.
Ky lajm është gëzim për ne ashtu siç shpreh gëzimin e tij sinqerisht shkrimtari i ri i brezit të 20-vjeçarëve Andreas Dushi:
“- Ç’lumturi të jesh pjesë e ‘Historia e Letërsisë Shqipe’!… përgatitur prej prof. Luan Topçiut. Në foto edhe zëri që më kushtohet mua. Asnjëherë nuk e kam menduar se 23 vjeç do të isha pjesë e Historisë së Letërsisë Shqipe prandaj ky botim, ky fakt, më gëzoi sinqerisht!”
Thjeshtë dhe kuptimplote. Pa e tepruar besoj se është një gëzim i Shqipërisë, dhe i Rumanisë, por dhe i letrave europiane, i kulturës në përgjithësi, jo vetëm asaj Perëndimore…