Nga Blerina SADIKU*/
Më 23 korrik 1908, si pasojë e kryengritjes së turqve të rinj kundër regjimit tiranik të Sulltan Hamidit, në Perandorinë Osmane u shpall kushtetuta. Turqit e rinj bënë premtime të bujshme për vendosjen e lirive politike, kulturore, njohjen e barazisë dhe të drejtave të gjithë kombësive të Perandorisë. Atdhetarët shqiptarë nga Çamëria duke përfituar nga situata e krijuar filluan të hapnin shkolla shqipe dhe klube patriotike nëpër fshatrat dhe qytetet e Çamërisë. Zgjerimi dhe forcimi i lëvizjes për gjuhën, shkollën shqipe, si pjesë përbërëse e lëvizjes kombëtare, ndeshi përsëri në reagimin e kishës e klerit grek e të qarqeve nacionaliste greke Për të penguar lëvizjen kulturore shqiptare, Athina vuri në lëvizje të gjitha mjetet e saj propagandistike. Në këtë fushatë të egër të parët që u aktivizuan ishin krerët e kishës.
Kështu, për shembull, Mitropoliti i Paramithisë, Neofiti, nxiste të krishterët e fshatrave të Çamërisë të ngriheshin kundër shkollave shqipe të sapohapura dhe veprimtarëve shqiptarë që ishin dalluar për përhapjen e kulturës kombëtare e të shkollave shqipe. Hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, Greqia e shihte si një tradhti të madhe ndaj shtetit helen dhe krishterimit. Në një letër që i dërgonte Patriarkut Ikumenik në Stamboll dhe mitropolitit të Athinës, në vitin 1909, vihej në dukje se “shkollat shqipe kishin tronditur bashkëjetesën mes të krishterëve dhe myslimanëve”.
Në këtë betejë kundër shkollave shqipe në Çamëri dhe shqiptarëve myslimanë u angazhua edhe shtypi grek. Gazeta “Agon” që dilte në Athinë e më pas në Janinë do të shkruante pas disa vjetësh për rolin që kishin marrë përsipër mitropolitët grekë dhe bandat greke për ta shuar me zjarr e hekur çdo përpjekje të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për hapjen e shkollave shqipe: “Në vitet 1909-1912 Mitropoliti Spiridhon i Konicës dhe Jetotheu i Paramithisë kishin shkuar në krahinën e Çamërisë të shoqëruar me banda të armatosura”.
Pushtimi i Çamërisë nga forcat greke më 1913 dhe vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër për aneksimin e asaj krahine shqiptare Greqisë, shënoi një dramë të madhe për popullsinë shqiptare të kësaj krahine nën sundimin grek. Pakicës shqiptare në Greqi iu mohuan të gjitha të drejtat: politike, kulturore, madje iu mohua dhe e drejta e pronësisë. Ajo popullsi, së bashku dhe me komunitetin e hebrenjve, konsideroheshin nga qeveria greke si shtetas të padëshiruar të Greqisë.
Shqipëria më 27 dhjetor 1920 u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve. Pas kësaj fati i Shqipërisë ishte në duart e Lidhjes së Kombeve. Në shtator 1921, përfaqësuesi i Britanisë parashtroi para Lidhjes së Kombeve problemin e mbrojtjes së minoriteteve. Deklarata siguronte mbrojtjen e plotë të gjithë banorëve pa dallime fetare, kombësie, race apo vendlindjeje. Pakicave, sipas kësaj deklarate që u aprovua, u garantohej lejimi i gjuhës amtare, të kishin institucionet arsimore, në të cilat të përdornin lirshëm gjuhën e tyre amtare. Të gjitha këto detyrime që shtronte deklarata e Lidhjes së Kombeve për minoritetet në shtetet kishte pakica të kombësive të huaja i firmosi sikryeministri i Greqisë ashtu edhe ai shqiptar dhe u angazhuan për mbrojtjen e pakicave. Qeveria shqiptare i përmbushi të gjitha angazhimet që shtronte Lidhja e Kombeve për pakicat greke që ishin në Shqipëri.
Në ndryshim nga Tirana, qeveria greke vazhdoi të njëjtat qëndrime ndaj pakicave shqiptare duke penguar si hapjen e shkollave shqipe, ashtu edhe të lirive të tjera për shqiptarët në Çamëri. Fëmijët shqiptarë vazhdonin të arsimoheshin vetëm në shkollat greke. Përfaqësuesit e Çamërisë në këtë kohë iu drejtuan Josef Avenollit, sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, me ankesën se qeveria greke nuk i respektonte angazhimet që kishte marrë. Po në këtë periudhë edhe përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Z. Mehdi Frashëri në Lidhjen e Kombeve ngriti zërin në atë forum të lartë ndërkombëtar duke deklaruar që shqiptarëve çamë të Çamërisë u mohoheshin të gjitha të drejtat nga qeveria greke dhe përballeshin me presione të dhunshme të bandave greke dhe administratës lokale greke.
Në atë kohë, megjithëse minoriteti grek në Shqipëri kishte më shumë se 70 shkolla greke, ajo insistonte pranë qeverisë shqiptare të hapte një shkollë greke në Himarë dhe rrethinat e saj. Athina paralajmëronte: nëse Tirana e plotëson këtë kërkesë, atëherë do të hapeshin shkollat shqipe në Çamëri. Qeveria shqiptare e miratoi kërkesën greke për hapjen e shkollës greke në Himarë në 12 qershor 1936. Fill pas këtij vendimi që mori qeveria shqiptare, Athina lejoi formalisht hapjen e shkollave shqipe në Çamëri. Por me pengesat që krijoi në administratën greke ato shkolla shqipe nuk u hapën asnjëherë.
Në këtë kohë, diktatura e Metaksait ushtronte një presion të madh mbi popullsinë shqiptare në Çamëri për t’i detyruar ata të largoheshin nga trojet e tyre: ai nxori një urdhëresë sipas së cilës të gjithë shtetasit greke nuk duhet të flisnin asnjë gjuhë tjetër, përveç greqishtes. Dhe në të njëjtën kohë u bëhej presion çamëve që kërkonin hapjen e shkollave shqipe: sipas autoriteteve, nëse donin mësim shqip, të shkonin diku tjetër, sepse nuk kishin vend në Greqi.
*Kumtesa e mbajtur në Universitetin e Millersville,në Pensilvani në prill 2011.