Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies – Budapest/
Ksomblla e veprës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, që ruhet në bibliotekën universitare ELTE të Budapestit është e vetmja ksombëll e kësaj vepre e njohur deri më sot që përmban edhe vitin e botimit të saj. Një e dhënë e tillë saktëson edhe shumë hamendësime të tjera dhe hap rrugë për shumë pista të tjera studimesh barletiane siç do të shohim më poshtë.
Viti i botimit të një prej librave më të rëndësishëm të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka qenë një prej elementeve munguese në të gjitha ksombllat e njohura deri më sot të këtij libri, gjë që i ka çuar të gjithë studiuesit ta marrin me hamendësim këtë të dhënë duke e nxjerrë atë në mënyrë të tërthortë nga përmbajtja apo nga elemente të tjera të botimit të tij. Sigurisht që hamendësimet e ndryshme kanë çuar në rezultate të ndryshme disa më kryesoret e të cilave do t’i përmendim në vijim.
Rreth vitit të botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, është debatuar dhe hamendësuar nga albanologë, historianë, bibliografë dhe specialistë të tjerë, shqiptarë e të huaj, por sigurisht që për aq kohë sa nuk kanë pasur në dorë ksombllën e Barletit ku viti i botimit jepet shprehimisht, duke ju dhënë fund të gjitha këtyre, njëherë e përgjithmonë.
Pra ishte viti i botimit një ndër arsyet kryesore se përse asnjë studiues, albanolog, historian, bibliograf apo bibliotekar, nuk është marrë seriozisht me këtë vepër, për të na ofruar diçka përfundimtare, të saktësuar. Të gjithë ata që duke u marrë me Gjergj Kastriotin Skenderbeun u është dashur të merren edhe me këtë vepër të Barletit dhe me kohën e botimit të kësaj vepre u është dashur të mjaftohen vetem duke shkruar ndonjë radhë, duke hedhur ndonjë ide, duke bërë ndonjë hamendësim, por pa arritur të saktësojnë asgjë.
Është për të ardhur keq që ky libër nuk ka tërhequr vëmendje të mjaftueshme nga specialistët e shkencave të ndryhme për të bërë studime e analiza shkencore specialistike të profileve të ndryshme për të saktësuar të paktën vitin e botimit të atyre tre ksombllave që disponojmë në trojet shqiptare, dy në Shqipëri, Tiranë (B.K.T.) e Shkodër (B.U.L.G.Sh) dhe një në Prishtinë, familja Pacolli. Një analizë e hollësishme e fizikut të këtyre ksomblave si e filigraneve, peshës, cilësisë, rrjetit të letrës, inicialve, portretit si dhe matjeve të sakta të fletëve, portretit, inicialeve, grafemave dhe krahasime të tjera do të kishte ndihmuar me siguri për saktësimin e vitit të botimit të këtyre ksomblave, derisa nuk dihej për inkunabulën e Budapestit nga viti 1493.
Hamendësimet dhe mendimet kryesore që kanë mbizotëruar për vitin e botimit të librit të Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis pluskojnë në periudhën kohore prej vitit 1502 [E. Çabej, Kastritotët. Në: Studime gjuhësore. (Botimi i dytë). Prishtinë, 1988, vëll. V, f. 328] deri në vitin 1521 [Aurel Plasari, Arbëria e Skënderbeut dhe Burgundi i Filipit të Mirë. Në: Skënderbeu dhe Europa. Tiranë, 2006, f. 128, ref. 8]. Megjithatë, si vite më të përafërta, për të mos thënë të sakta, kudo janë konsideruar vitet 1508-1510. Kështu shkruhet viti i botimit i kësaj vepre edhe në pothuajse të gjitha bibliotekat evropiane që e kanë këtë vepër në fondet e tyre, por ka edhe nga ato biblioteka që shënojnë si vit të mundshëm botimi vitet 1506, 1508, 1510, 1520… etj.
Pavarësisht nga sa u tha më sipër, duhet të pohojmë edhe faktin që ka pasur edhe studiues të cilët vitin e botimit të këtij libri e japin jashtë kornizës së sipërpërmendur duke thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. Këtë informacion, e ndeshim për herë të parë te rumuni, Francisc Pall, Marino Barlezio: uno storico umanista. Në: Melanges d’Histoire Generale. Cluj, 1938, v. II, f. 135-315.
F. Pall, shkruan se Jovan Popović (Život i viteža kneza Epirskoga Đorđa Kastriota Skenderbega. Opisana Ioannome S. Popovićeme. Budim, 1828, f. V), dhe Vilmos Franknói, (A Hunyadiak es a Jagellok kora (1440-1526). Budapest, 1896, f. 667) shënojnë si vit botimi të këtij libri vitin 1493, por duke qenë se ata nuk sjellin ndonjë burim të saktë për të mbështetur këtë datë edhe vetë F. Pall e konsideron si gabim vitin 1493. Ky veprim i F. Pallit, deri diku mund të duket i arsyeshëm, sepse përveç këtyre dy autorëve të lartëcekur, të cilët veprat e tyre i kishin botuar në Hungari, të gjithë të tjerët kanë konsideruar si të më të përarfërta vitet 1506-1510. Natyrisht, ka edhe disa hamendësime të ndonjë autori, veçanërisht bibliografi, pa të mbështetura në ndonjë burim të saktë, se viti i botimit mund të lëviz në mes viteve 1508-1522.
Nëse ne shënuam se për vite botimi janë marrë vitet 1502-1521, me theks të veçnatë vitet 1508-1510, këtë e bëmë qëllimisht për të saktësuar se ka pasur edhe më shumë se një rast tjetër kur është thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. [Para disa kohësh, (23 mars 2009), dr. Aurel Plasari na njofton në vitet 1995-1996, kur kishte punuar në Paris dhe sapo kishte filluar kërkimet bibliografike për Skenderbun, kishte hasur në të dhënën se në tekstet maqdone flitet për një botim të Historia-s së Barletit të vitit 1493, por në Paris nuk kishte gjetur ndonjë informacion për këtë dhe në Shqipëri një të dhënë të tillë nuk i kishte kushtuar kujdes, ose e kishte quajtur “pa gjasë” se mund të ishte e saktë.
Në trojet shqiptare, studiuesi Aurel Plasari është i pari që është marrë seriozisht me analizimin e hamendësimeve për vitin e botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, duke e vendosur datën e botimit rreth viteve 1515-1522. Duke qenë se informacionin për këtë analizë të Plasarit e gjetëm në internet, për të mos lënë shteg për spekullime dhe duke dëshiruar të saktësojmë edhe një herë këtë informacion, iu drejtuam vetë Plasarit me një letër nga Budapesti, më 30 maj 2008. Dr. A. Plasari pati mirësinë, gjë për të cilën e falënderojmë publikisht, të na përgjigjet menjëherë, duke na dërguar një informacion të thukët dhe shumë interesant, të cilin e sjellim në vijim, meqenëse e konsiderojmë si një kontribut të çmuar rreth debatit për vitin e botimit të librit të M. Barletit.
Aurel Plasari shkruan: “Në librin tim “Skënderbeu. Një histori politike”, tanimë të faqosur, në një nga shënimet përfund faqeve në Hyrje-n kam vërejtur – pa mbajtur qëndrim timin për datimin, sepse më duket punë fort e vështirë – çfarë po e bashkëlidh (in attachment) këtu. ‘84 Vetë botimi i parë i Historisë së Barletit nuk mban vit botimi (absque anno), përpos një shënimi për botuesin-shtypshkruesin në fund të librit “impressum Romae per B. V.”. Për ç’i takon vitit të botimit, ata që kanë menduar se ndërkoha 1506-1510 është “caktuar nga Noli” (Çoba & Prela: Albanica, nr. 3) janë gabuar. Hamendja për një ndërkohë të mundshme botimi rreth 1508-s duket ta ketë zënë fillin te bibliografi i botimeve të shekujve XV-XIX, Brunet: Manuel du libraire, I, 658, si vijon: “Hamendohet që dy shkronjat V. B. duan të thonë Bernardinus Venetus de Vitalibus, shtypshkrues që shtypte në Romë më 1508, por që kishte realizuar tanimë në Venedik, më 1504, veprën e Barletit Mbi rrethimin e Shkodrës, in-4”. Kjo hamendje është bartur tradicionalisht. Noli: Gorge Casitrioti, 78-79, ka pranuar si vite të mundshme botimi të saj ndërkohën 1506-1510. Edhe Pall, Gegaj, Buda dhe thuajse gjithë skënderbegologët e tjerë, deri te Frashëri dhe Biçoku sot, kanë pranuar si ndërkohë të mundshme botimi 1506-1510 ose 1508-1510. Duke u nisur nga një ndryshim shkronje shtypi në këtë botim, së fundi Norton: Italian printers, 103-104, e ka zhvendosur shtypjen e tij mes viteve 1515 dhe 1522. Si kufi i fundit i të qenit të autorit (Barletit) në jetë, ose së paku në mundësi pune, është marrë viti 1512, kur mbarojnë shënimet në veprën e tij Compendium (shih); por nëse pranohet që Compendium-i është vepër apokrife me burim Engjëllorët (gli Angeli) e Italisë, sikurse mendohet tanimë, kufijtë kohorë ndërlikohen edhe më. Kështu si paraqitet, çështja nuk mund të quhet e mbyllur.’”
Pra, A. Plasari kishte shumë të drejtë për një ndërlikim të kufijve kohorë të botimit të librit të M. Barletit. Në fakt, nuk ishte i pari Norton (F. J., Norton, Italian printers, 1501-1520. An Annotated list, With an introduction by F. J. Norton, under-Librarian, University Library Cambridge. London: Bowes and Bowes, 1958) ai që shënoi në f. 104, të studimit të tij, vitina 1522, sepse një gjë tillë e kishte bërë shumë më herët, përkatësisht në vitin 1909, Prince d’Essling (Les Livres a figures Vénitiens de la fin du XVe Siècleet du Commencement du XVIe. (Études su l’Art de la Gravure sur bois a Venise). Seconde Partie. Ouvrages impromés de 1501 à 1525. FLORENCE: Libraire Leo S. Olschki 4, Lungarno Acciaioli; PARIS: Libraire Henri Leclerc 219, Rue Saint-Honoré, 1909), i cili në blenin e dytë, të vëllimit të dytë, të veprës së tij, (vëll. II/2), f. 527, shënon si vite të mundshme botime periudhën kohore 1508-1522.
Shënimi i Francisc Pall-it, na bëri që të kërkojmë në biblioteka dhe arkiva hungareze, ekzistencësn e mundshme të një informacioni që përmendin J. Popović dhe V. Franknói. Rezultatet nuk munguan. Pas disa kohësh, në Biblioteken Universitare, ELTE të Budapestit arritëm të kishim në dorë, librin e Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ku në dy vende të ndryshme, poshtë portetit dhe në kolofon (faqen e fundit) ishte shënuar viti i botimit, 1493. Një vit i tillë automatikisht e klasifikon veprën e Barletit si inkunabulë.
Përshkrimi fizik i inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493
Kopertinat e inkunabulës janë prej lëkure ngjyrë kafe dhe datojnë nga mesi i shekullit XVIII . Të dy kopertinat janë pa dekorime. Kopertina e parë është e dëmtuar nga koha (krimbi) në fund majtas. Kurrizi është i ndarë në 8 (tetë) gishtërinj proporcionalë. Brenda gishtërinjve ka dekorime floreale të praruara me flori, të gjitha identike. Në të ndarën e dytë ka këtë shënim me grafema të praruara ne flori:
HISTORIA:/
DE VITA/
SC ANDER:/
BEGI/
Në kapakun e brendshëm të kopertinës së parë kemi këto shënime: lart në të majtë, shkruar me pendë me ngjyrë kafe: XLII. A, menjëherë më poshtë, është shkruar me laps plumbi në kohët moderne: fol. 558, pastaj në fund të faqes majtas: me laps plumbi, e njëjta dorë si më lart: Koráblan: Inc. 465, poshtë këtij rreshti është një etiketë e bardhë që mban këtë shënim: BUDAPEST, Vet. 13/35. Të dy fletët (4 faqet) në vijim janë boshe, dhe janë të kohës së lidhjes së librit aty nga mesi i shek. XVIII. Nuk kanë shenja filigrane, por kanë ndarjet vertikale në 9 (nëntë) kolona (fusha).
Inkunabula ka dy lloj pagjinimesh: njërin origjinal me numra romakë, si të gjitha kopjet e tjera që njohim deri tani, dhe tjetrin të kohës moderne, me vulë, me numra arabë që fillojnë nga nr. 1r dhe përfundon me nr. 163r. Në pagjinimin e dytë (modern) është llogaritur edhe frontespici, faqet e indeksit dhe portreti; f. Ir, e origjinalit, korrespondon me f. 5r të pagjinimit të ri, etj. dhe f. CLIXr e origjinalit me f. 163r të pagjinimit të ri.
Inkunabula është restauruar. Kjo gjë vërehet lehtë nga letra në të djathtë të secilës faqe e cila mesa duket ka qenë e dëmtuar nga lagështia.
Frontespici është i shtypur në dy ngjyra, kuq e zi, sikurse edhe ksomblat e tjera të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Në të djathtë brenda kuadratit të titullit, ka vulën e bibliotekës ELTE, e brenda që mund të lexohet teksti: BIBLIOTH.REG.SCIENT. VNIVERSIT. HVNGARICÆ., dhe poshtë vulës, në të djathtë, jashtë kuadratit të titullit, është firma e botuesit Bernardinus de Vitalibus, e shkruar me ngjyrë të kuqe, e cila është mjaft e dëmtuar, por ne kemi arritur ta lexojmë me ndihmën e rrezeve ultraviolet. Frontespici është i dëmtuar dhe është pothuajse i shkëputur nga lidhja me kopertinën dhe pjesën tjetër të tekstit. Po ashtu frontespici është i dëmtuar (grisur) poshtë në të djathtë, menjëherë pas përfundimit të fjalës Privilegio. (shih ilustrimin). Në frontespic, lart, menjëherë sipër titullit kemi të shënuar signaturën aktuale të librit në Bibliotekën ELTE: Ant. 1308, me laps plumbi dhe menjëherë në vazhdim, kemi të shënuar po ashtu me laps plumbi signaturën e vjetër: Vet. 13/35.
Viti 1493 poshtë portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe
dallimet me portretet tjera
Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ashtu si edhe në dy botimet e mëvonshme (1508 dhe 1522) është në f. 4v. Sipër portretit, në hapësirën e parë, aty ku te portretet tjera vendi është bosh, ka këtë shënim: Obiit. Anno Domini 1466 XVI. Kalend. Februar. Ætatis A°. 63. Imperii verò XXIV. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim). Poshtë portretit në hapësirën e fundit, që te faqet e botimeve të tjera është boshe, kemi të shënuar në mes të gjethit të parë dekorues14 dhe menjëherë pas gjethit të dytë dekorues 93, ose më saktë: I4. |SIGNOR . SCANDER BEGO|| 93. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim).
Pra, për herë të parë, në një ksombël të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, gjejmë të shënuar vitin e botimit, 1493. Pos shënimt të vitit të botimit, dhe shënimit sipër portretit, kemi edhe disa ndryshime të tjera në portret, nga botimet e mëvonshme.
Një ndryshim tjetër janë gjethet dekorative, forma e tyre, para dhe pas vitit 1493, por ndryshim edhe më të rëndësishëm fizik kemi në portetin (gravurën) e Gj. K. Skënderbeut: në këtë botim portreti i Skënderbeut na paraqitet i shtrirë në tërë faqen. Hapësira midis portretit dhe margjinave boshe te ky botim janë fare të vogla, p.sh. ajo poshtë portetit pothuajse nuk ekziston fare. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim).
Ndryshimet në frontespic të librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet e tjera
Frontespici i librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, botim i vitit 1493 që ruhet në Bibliotekën e universitetit Eötvös Loránd (ELTE), të Budapestit, ka ndryshime në tekst. Këto ndryshime, janë vetëm në këtë inkunabulë dhe nuk ndodhen në asnjë prej 32 librave-antikuarë të tjerë të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, të cilat i kemi konsultuar deri më sot.
Disa nga ndryshimet e frontespicit janë si më poshtë:
a). Rreshti i 3 i tekstit poshtë titullit, te fjala: Apostolice, është grafema “e” fundit e cila dallon te botimet e tjera;
b). Në rrreshtin 10 të tekstit te fjala Interprete, grafema e fundit “e” dallon nga botimet e tjera, ku në vend të “e” është shënuar: “a”;
c) Te rreshti i parafundit, në fjalën magnis ndryshon grafema e parafundit e fjalës që është “i” te botimi i ELTE, ndërsa te botimet e tjera është “u”.
d) Ndryshim tjetër kemi në dimensionet e faqes së frontespicit.
Pra kemi tre ndryshime të theksuara, të cilat nuk kanë mundur të ndodhin rastësisht apo si gabime të tipografit-shtypshkruesit, por janë dallime të botimit të parë të inkunabulës së librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493.
Ndryshimet në kolofon (faqen e fundit) të librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet tjera
Përveç ndryshimeve në frontespic, te portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut në f. 4v, libri i Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka ndryshime shumë të rëndësishme edhe në kolofon (faqen e fundit të librit).
Ndryshimi thelbësor dhe shumë i rëndësishëm është se edhe këtu, për herë të parë e gjejmë të shënuar vitin e botimit ë inkunabulës së Marin Barletit, përkatësisht vitin 1493 me numra romakë: M.CCCC.XCIII. Pra, për herë të dytë, në këtë inkunabulë shënohet viti i botimit në dy forma të ndryshme, gjë e zakonshme kjo edhe për inkunabulat e tjera që na janë ruajtur nëpër biblioteka e arkiva të ndryshme.
Viti i botimit M.CCCC.XCIII., kësaj radhe është shënuar në f. CLIXv, pra vetëm në këtë ksombël të njohur deri me sot. Shënimi i vitit vjen menjëherë pas vendit të botimit: Rome dhe inicialeve të botuesit: B. V.. Në botimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522, nuk është shënuar fare viti i botimit.
Shënimi i vitit të botimit të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, për albanologjinë dhe historiografinë shqiptare ka rëndësi të jashtëzakonshme:
E para, kjo është inkunabula e tretë prej autorëve shqiptarë, të njohura deri me sot. Dy autorët shqiptarë që kanë shtypur inkunabula dhe na janë ruajtur deri me sot janë: Marin Beçikemi dhe Michael Marullus Tarchaniota, Hymni et epigramata. Florenz: Societas Colubris (comp. del Drago), 1497.
E dyta, saktësohet viti i botimit, 1493 i kësaj inkunabule, që është botimi i parë, por kemi arritur të saktësojmë edhe dy ribotime të mëvonshme po të kësaj inkunabule, në vitet 1508 dhe 1522. Ndërsa për vitin 1508, ka pasur shumë hamendësime, sepse shpesh shënohej si vit botimi edhe viti 1510, për vitin 1522, askush deri më sot shprehimisht nuk e ka theksuar si vit të ribotimit të tretë të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis.
E treta, saktësohet se M. Barleti, ka shkruar: “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis” para librit të dytë të tij, i llogaritur si libër i parë deri me sot: “De Obsidione Scodrensi–ad Serenissimum Leonardum Laurentanum Aristocratiae Venetae principem. Conciones variae a Moumathe Turcharum principe et ab aliis militiae praefectis artificiosae compositae. Libri tres. Venetiis: Bernardinum Vitalibus, 1504, etj.
E katërta, vërtetohet se B. Vitalibus, shtypshkruesi me origjinë shqiptare i veprës në fjalë, e kishte filluar veprimtarinë e tij botuese shumë më herët sesa viti 1494 siç konsiderohet deri më sot nga historianët dhe bibliografët.
Në kolofon të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis,nga viti 1493, ka edhe ndryshime të tjera përveç shënimit të vitit të botimit. Disa nga këto ndryshime janë: a) në rreshtin e parë, menjëherë pas fjalës së parë, është shënuar grafema “M” për vitin njëmijë, që nuk është e shënuar të dy ribotimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522. b) ndryshim tjetër kemi në rreshtin e tretë, përkatësisht në fjalën e 5 (pesë) nga e majta, që është shënuar në inkunabulë: “barbam” ndërsa në dy ribotimet nga vitet 1508 dhe 1522 është shënuar: “barbara”. Ka edhe ndryshime të tjera të shumta të cilat lexuesit dhe studiuesit mund t’i gjejnë me lehtësi në faksimilet që po botojmë në vazhdim. Këto ndryshime kanë të bëjnë p.sh. me: shenjat e pikësimit, format e grafemave, madhësinë e tyre, paraqitjen grafike, gjerësinë e margjinave, etj. etj.
Ndryshimet e inkunabulës nga viti 1493 me ksombllat tjera si: filigranes, shenjat e fijve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet
Ndryshimeve të cekura më lartë, ju shtohen edhe disa elemente tjera shumë të rëndësishëm dhe pothuajse të padiskutueshëm, siç janë: filigranes, shenjat e fijeve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet etj. të cilat i kemi analizuar një për një duke bërë krahasimet e duhura në mes të inkunabulës nga viti 1493, me 31 ksomblat tjera nga viti 1508 dhe një ksomble nga viti 1522, të cilat kemi pasur rastin ti studiojmë.
Problemi i përcaktimit të autorësisë dhe të datës së krijimit të një dokumenti të shkruar dhe në këtë kontekst edhe ekzaminimi i një dokumenti të caktuar, është i vjetër po aq sa edhe vetë shkrimi. Megjithatë ashtu si çdo gjë tjetër që ka nevojë për kohë e për maturim, edhe ky aspekt i shkrimit pati nevojë që të kalonte në shkallë të ndryshme evoluimi gjersa të krijohej një sistem i plotë kriteresh dhe vetë ekzaminimi i dokumentit të shndërrohej në një shkencë më vete, që nuk lë më hapësirë për hamendësime në gjykime të këtij lloji.
Krahas njohurive paleografike, ku dorëshkrimi është kriteri më i njohur dhe gjerësisht i përdorur, për përcaktimin e saktë të datës së një letre-dokumenti, sot përdoren edhe cilësia e prodhimit të letrës (pesha, gramatura), dimensionet, shenjat e fijve (rrjetës), pothuajse të padukshme me shikim normal, dhe filigranes – shenjat e ujit.
Filigranes apo shenjat e ujit
Filigranes (Watermark, angl.; Wasserzeichen, gjerm.; le filigrane, fren.; filigrani, ital.; filigranos, span.; vodjanoj znak, rus.; vodoznačka, çek.; vodeni znak, kroat.; znaki wodne, pol.; shenjat e ujit, shqip, etj) është figurë, grafemë apo shenjë e dallueshme në letër, që duket qartë vetëm kur pas letrës vendosim një burim drite. Quhet shenjë uji sepse shenja në letër duket sikur ajo pjesë të jetë e lagur nga uji. Shenja krijohet me anë të fijeve të metalit të cilat ngjiten në letër dhe në momentin kur shtypet letra konturet e shenjës (gjurmës, fotografisë, gravurës, grafemës) dalin më të holla për shkak të shtypjes më të madhe që krijohet nga fija e metalit. Është pak a shumë një proces i ngjashëm me punimet e metaleve të çmuara, psh. të floririt, prandaj edhe quhet filigranes. Në fakt, ky term, nuk është gjithpërfshirës, përkundër përdorimit zyrtar, por më afër përmbajtjes së tij është p.sh. termi në gjermanisht “Papierzeichen” (shenjë letre), spanjisht “markas transparentes” (shenjë transparente), italisht “marche, segni,” latinisht “signum” etj.
Për herë të parë filigranes janë përdorur në Bolonjë në vitin 1282, dhe qëllimi ishte që të letra e prodhuar aty të mos ngatërrohej me letrën e prodhuar gjetkë. Që nga paraqitja e parë e filigranes në vitin 1282, përdorimi i tyre është i pandërprerë si kur prodhimi i letrës bëhej në mënyrë manuale ashtu edhe me aplikimin e teknologjisë shkencore moderne. Në ditët e sotme, filigranes kanë një përdorim të pakontestueshëm në filateli, në kartëmonedha e në dokumente ekskluzivisht shtetërore, etj.
Të gjitha filigranet e lashta, janë të thjeshta dhe të shenjuara me fije metali dhe nuk paraqesin ndonjë punim estetik me vlerë të veçantë. Me kalimin e kohës, filigranes, përsosen duke arritur një shkallë të lartë saktësie, bukurie dhe cilësie, kombinime të elementeve të shumtë dhe të ndryshëm nga fusha të llojllojshme. Filigranet e shenjuara në letër gjatë shekujve, është e pamundur të fshihen, ndryshohen ose plotësohen, përkundër zhvillimit të shkencës së sotme dhe përdorimit të përbërjeve të ndryshme kimike. Kjo është e veçanta e tyre dhe ajo që i bën të dallueshme për gjatë gjithë historisë që nga aplikimi i parë i tyre e deri në ditët e sotme.
Vendosja e filigranes në letër, ka ndërruar pozicion gjatë historisë shekullore të aplikimt të tyre. Fillimisht filigranes janë vendosur në këndet e letres, poshtë ose lart, pothuajse çdoherë djathtas, e në raste tepër të rrallë vendosej edhe majtas, gjë që ndodhte kur kishte porosi ekskluzive të shtypshkruesve për një gjë të tillë. Nga gjysma e dytë e shek. XV, filigranes filluan të vendosen në mes të letrës (fletës), por nuk përjashtohet edhe aplikimi i tij poshtë e lart në këndet e letrës: filluan pra të aplikohen vetëm tre pozicione të vendojes së filigranes në letër. Në Venedik dhe Gjenovë, që prej shek. XV, filigranes vendosen në këndin e poshtëm të letrës, në atë pjesë që është e pashkruar, përkatësisht në marginë.
Në vitin 1562, në Gjenevë, botohet një rregullore se ku duhet të vendosen filigranes. Në të thuhet saktësisht se duhet të praktikohet kryesisht vendosja e filigranes në njërin kënd: poshtë ose lart dhe gjithmonë djathtas, që të mos pengohen teksti, ilustrimet, inicialet, tabelat etj, e dorëshkrimeve, dokumentave dhe ilustrimeve. Në kohët moderne, filigranes vendoset në pozicione të ndryshme, sipas funksionit dhe qëllimit që ka, por dominon aplikimi i tij në mes të faqes, ku shpesh shenohen edhe inicialet ose emri i prodhuesit.
Zgjedhja e paraqitjes së simboleve të ndryshme të filigranes nuk ishte punë e lehtë për prodhuesit e letrës, përkundrazi, kërkohej mjeshtri por edhe përgjegjësi e plotë e tyre, sepse paraqitja e një elementi simbolik, kishte vlerë alegorike dhe dykuptimësia e tij shpesh mund të sillte probleme dhe keqkuptime. Ka raste kur në shenjat e filigranes janë vendosur simbolet e shoqërive të fshehta, urdhërave fetarë, dhe organizatave të ndryshme. Simboli më i vjetër deri sot i njohur i filigranes, ai që daton nga viti 1282, është fetar, monogrami i kryqit, element ky që vazhdoi të ishte shumë i shpeshtë deri në fund të shek. XV, pothuajse te të gjithë prodhuesit e letrës që aplikonin filigranes. Po ashtu “numri 4” është element i shpeshtë i periudhës që përfshin shek. XIII-XV, numër ky që përdorej për të shënuar armët, kafshët etj, por edhe si monogram i shkurtër për fjalinë: “in hoc signo vinces.” Përkundër të gjitha funksioneve të tjera, pothuajse të gjithë specialistët, studiuesit dhe historianët janë të mendimit se përdorimi i filigranes në letër, ka funksion dallues dhe mbrojtës të prodhuesit, për të shmangur keqpëdorimet e ndryshme si dhe si element garantues për cilësinë dhe në të njëjtën kohë si moment kyç për saktësimin e datimit të vitit të letrës. Shenja të tilla mbrojtëse nuk janë karakteristikë vetëm e letrës, por edhe e prodhimeve të tjera të ndsyhme, artizanale, por edhe seriale.
Në manuscripte, dokumenta dhe libra të shypur, jo rrallë ndeshim në dy apo më shumë filigranes! Një gjë e tillë, sipas specialisteve të filigranologjisë, ka ardhur si pasojë e përdorimit të dy apo më shumë llojeve të letrës së prodhuara nga fabrika të ndryshme. Një veprim të tillë, përdorimin e disa lloj letrash të ndryshme, botuesi e ka bërë me qëllim që të krijonte një mbrojtje të dyfishtë për produktin e tij (dorëshkrimin, dokumentin apo librin) ose me kërkesen e autorit. Ka edhe raste kur një veprim i tillë ka ardhur nga pakujdesia e punëtorëve gjatë transportimit të letrës nga depot e shtypshkronjës. Një tjetër moment është edhe paraqitja e të njëtit simbol filigranes, por në forma dhe dimensione të ndryshme! Për raste të tilla mendohet se kemi të bëjmë, kur një prodhues ka përdorur mjeshtra të ndryshëm të shënjimit të filigranes gjatë prodhimit të letrës. Secili nga këta mjeshtra e ka realizuar simbolin e dhënë për filigran në mënyrën e tij. Natyrisht, që gjatë punës së tyre, prodhuesit e letrës kanë përdorur disa lloj filigranes, për cilësi të ndryshme letre, si shenja dalluese për punën e tyre profesionale. Të dyja rastet e mësipërme, si atë të një libri me më shumë se një filigranes në fletët që e përbëjnë atë, ashtu edhe filigranes të njejtë por me realizim e dimensione të ndryshme i ndeshim te libri i Marin Barletit, Historia de vita…. Edhe rastin e tretë atë të filigranes të ndryshme për cilësi të ndryshme letre e ndeshim te historia e Skënderbeut e M. Barletit, ku më shumë se një herë na paraqitet letër me peshë të ndryshme në gramaturë.
Filigranes gjatë historisë
Filigranes në librat e shtypur ndeshen për herë të parë në Angli dhe Gjermani. Botuesi i parë që i përdori filigranet në botimet e tij ishte anglezi Caxton, nga fundi i shek. XV shkruan Jon Lewis, në vitin 1737, edhe ky i pari studiues që merret me historinë e filigraneve. Ndër gjermanët debati shkencor për filigranes filloi në vitin 1736 me J. Hering i cili shkruan studimin e tij “Unvorgreifliche Gedanken.” Lewis, boton 20 shenja filigranes, të cilat ribotohen nga Joseph Ames në vitin 1749 dhe W. Herbert në vitin 1785. Në Zvicër, për filigranes i pari debaton Samuel Engel në vitin 1741.
Interesi për shenjat e filigranes rritet në fundshekullin e XVIII, dhe veçanërisht, për librin e shtypur, për të saktësuar vitin e botimit të parë, të dytë apo të tretë të një libri. Nga kjo kohë shquhen punimet e Breitkopf 1784, Sir John Fen 1787, Schwartz 1793, Samuel Denne 1795, Camus 1799, Fischer 1801, Koning 1816, etj.
Koleksioni i parë i rëndësishëm i shenjave filigranes botohet në Paris në vitin 1808, nga Jansen dhe përmban 287 fotografi (skica, ilustrime, por edhe fotografi origjinale) të filigranes, të cilat ishin të zvogëluara dhe jo në formatin origjinal të tyre. Samuel Denne, është i pari që bëri datimin e dokumentave në bazë të filigranes (S. Denne, Observations on Papers, 1795), për ta vazhduar Goth Fischer (G. Fischer, Beschreibung typographischer Seltenheiten, 1801) dhe A. Ebert në vitin 1820 (A. Ebert, Die Bildung des Bibliotekars, Leipzig). Ndërsa te rusët është I. Laptev, që debaton për filigranes, në vitin 1824, duke nxjerrë 145 shenja filigranes për periudhën kohore 1439-1700.
Përfundimisht në shek. XIX fillojnë të bëhen kërkime dhe hulumtime shkencore për filigranes dhe nga kjo kohë kemi botime të koleksioneve shumë të mëdha dhe tepër të rëndësishme për këtë shkencë të re. Hassler në vitin 1844 dhe F. Gutermann në vitin 1845 debatojnë për prodhimin e letrës së vjetër të lanenog-it. Po në vitin 1844, rusi K. Tromonin, boton një koleksion të jashtëzakonshëm filigranes prej 1.493 shenjash, ku 287 i kishte përshkruar nga Jansen-i, ndërsa në vitin 1845, Sotheby, boton koleksionin prej 600 filigranes, duke i plotësuar ato në vitin 1868 (Londër) edhe me 500 shenja të reja filigranes. Botimet e koleksioneve vazhdojnë, kështu në vitin 1868, francezët Midoux e Matton botojnë 600 filigranes nga dokumentet e shek. XIV-XV që ruheshin në arkivat franceze; holandezi Stoppellar në vitin 1867 boton 265 filigranes dhe belgët Piot e Pinchard, në vitin 1872, botojnë 1.544 shenja nga arkivat belge. Në vitin 1881, A. Zonghi, përfundon koleksionin e tij të filigranes të cilin e paraqet në një ekspozitë në vitin 1884. Ky koleksion, shumë i rrallë dhe i veçantë, përbëhet nga 1.887 shenja filigranes për 306 vitet e prodhimit të letrës në Fabriano të Italisë.
Gjatë këtij shekulli, Franca ishte qendra e debateve dhe botimeve të veçanta për shkencën e filigranes, ku veçojmë: Ch. M. Briquet-in, i cili merret me studime të specializuara për historinë e letrës dhe atë për fillimet dhe përbërjën e saj, që nga koha e përdorimit tek arabët, e ashtuquajtuara “bombicine” për të cilën më parë ishte menduar se është prodhuar nga pambuku, por Briquet (dhe austriaket J. Karabaček e J. Wiesner, në të njëjtën kohë, por në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri), arrin të dëshmojë se ajo ishte prodhuar nga fijet e litarit, sikurse më vonë edhe letra europiane. Me vlerë është edhe studimi për prodhimin e letrës në lindje në shek. X-XIV, me një teknikë tjetër nga ajo e mëvonshmja në perëndim, dhe ishte vetëm teknika e re e perëndimit e cila mundësoi që të viheshin në letër shenja filigranes, në vitin 1282, pra fundshekulli i XIII, etj.
Studimet e filigranes janë të ndara në tre kategori sipas specifikave të ngushta: a) sipas kriterit regjional, b) sipas ikonografisë së filigranes dhe c) sipas kronologjisë.
a). Sipas kriterit të parë, atij regjional, elementi më i rëndësishëm është historia e prodhimit të letrës në vende të ndryshme, duke studiuar specifikat e veçanta të çdo vendi veç e veç si dhe elementet e përbashkëta me vende të ndryshe. Rezultate inkurajuese janë arritur veçanërisht në: Zvicrër, Itali, Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Austri, Rusi, Hungari, Kroaci, etj.
b). Sipas kriterit të dytë, atij ikonografik, del që studimi i filigranes është i pamundur nëse nuk analizohen dhe studiohen shenjat e veçanta në letër, p.sh. figurat e ndryshme të kafshëve, shpezëve, por edhe ato abstrakte dhe të tjera të veçanta, p.sh, çelsi, numrat, grafemat, etj.
c). Kriteri i tretë, ai i kronologjisë, ka rëndësi parësore, sepse përmes tij mund të përcaktohet viti i futjes në përdorim të një shenje – filigranes të veçantë, duke gjetur pastaj, vendin, por edhe duke zbërthyer ikonën dalluese. Elementi i kronologjisë, përdoret shumë shpesh te datimi dhe përcaktimi i elementeve të tjera tek inkunabulat duke saktësuar vitin e botimit, përkatësisht të prodhimit të letrës, pastaj vendin e prodhimit ose edhe prodhuesin konkret, deri te i cili arrijmë përmes ikonës së caktuar, të cilën ai prodhues e ka përdorur në vitin e caktuar, gjatë prodhimit të letrës, si shenjë mbrojtëse për punën e tij dhe në anën tjetër si dëshmi cilësie dhe profesionalizmi.
Për studimin e filigranes në inkunabula është me rëndësi studimi i Heitz-it (1902-1903), i cili sjell shenja nga inkunabulat origjinale që ruhen në Strasburg si dhe nga ato që ruhen në Bazel (1904), duke aplikuar metodën kritike krahasuese dhe në duke ballafaquar të gjitha filigranes e njohura deri në atë kohë, qofshin ato në manuscripte, dokumenta apo inkunbaula të ngjajshme.
Dimensionet dhe pesha (gramatura) e letrës
Përveç filigranes, një rëndësi të madhe në ekzaminimin e dokumenteve zënë edhe pesha dhe dimensionet e letrës. Pesha është njëri prej elementeve rëndësishme, dhe i domosdoshëm për njohjen dhe datimin e letrës. Ky element është i rëndësishëm posaqërisht për mesjetën kur, prodhimi i letrës ishte ende shumë specifik dhe mjaft i rrallë, veçanërisht kur ndryshimet në llojet e letrës paraqiten në momente të ndryshimeve të mëdha historike dhe aplikimit të prodhimit serial me teknologji të re më të avancuar të këtij produkti. Ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te mënyra e prodhimit të letrës te kinezët, arabët dhe europianët në lashtësi, përderisa në kohët e mëvonshme kjo gjë vërehet te prodhimi modern i letrës me aplikimin e elementeve të celulozës së drurit aty kah mesi i shekullit XIX. Gjatë prodhimit të saj në periudha të ndryshme historike, dimensionet e letrës jo gjithherë mund të ndiqen me sukses, por, megjithatë, ekzemplarët e ruajtur deri në ditët e sotme na mundësojnë të nxjerrim konkludime të sakta dhe preçize.
Është fakt i njohur se dimensionet e letrës gjatë procesit të prodhimit nuk janë absolute, por ndryshojnë për shkak se gjatë tharjes dhe përpunimit të shtresave të saj me ngjitës, ato mund të lëvizin, përkatësisht të tkurren deri në 3 cm nga dimensioni normal. Te prodhimi arab i letrës, janë të njohura nëntë dimensione të vogla nga 14 x 21.3 cm deri te prodhimi “gjigand” i ashtuquajturi “Tumara” ose i “Bagdadit” që kishte dimensione maksimale 73.3 x 109.9 cm. Dimensionet e letrës në Evropë gjatë shekujve nuk kanë ndryshime të tilla ekstreme. Ato janë kryesisht brenda kufijve “normal” dhe deri në shek. XVIII, nuk kishte dimensione më të vogla se 23 x 35 cm dhe jo më të mëdha se 50 x 74 cm. Si ilustrim po përmendim rastin e prodhimit të letrës në Borgo Polese, paralagje e Bolonjës në Itali, ku na janë ruajtur katër lloje dimensionesh të letrës që ka përdorur shtypshkronja e njohur “Merlani” deri në fund të shek. XV. Këto dimensione na janë ruajtur në një pllakë mermeri gri, në të cilën janë gdhendur katër katërkëndësha ku në çdonjërën janë të shënuara këto dimensione së bashku me emrin përkatës të dimensionit: a) Imperial (perandorak) 50 x 74 cm; b) Realle (mbretëror) 44, 5 x 61,5 cm; Mecane (i mesëm) 34,5 x 51,5 cm dhe Recute (i voglë) 31,5 x 45 cm. Specialistët mendojnë se dimensioni Mecane (i mesëm) është më i lashti dhe në dimensionet e tjera Realle (mbretëror) dhe Recute (i vogël) ndeshim “vetëm” në vitin 1310 për herë të parë. Ndërsa dimensioni Imperial (perandorak) ndeshet në vitin 1379, por në përdorim shumë të kufizuar, dimensioni i Mecane (i mesëm) për herë të parë dëshmohet në vitin 1390.
Për ne shqiptarët ka rëndësi Venediku, ku dimensionet e letrës ishin ato të lashtat edhe në fund të shekullit XV, dhe fillim të shekullit XVI, ato ishin 32 x 44 cm me shenjën filigranes në këndet e djathta të letrës. Në këtë kuadër, theksojmë p.sh. në Francë, me 18 shtator të vitit 1741, janë të rregjistuara në “Conseil d’Etat” 53 lloje dimensionesh, 25,7 x 35,8 cm minimali dhe 67 x 98,8 cm maksimali. Edhe për vendet e tjera europiane prodhuese të letrës, kemi pothuajse dimensione të njëjta pa ndryshime të theksuara.
Shenjat e fijve (rrjetës)
Shenjat e fijve (rrjetës) janë njëri ndër elementet më të rëndësishëm për datimin e letrës, sepse ato ndryshojnë në etapa të caktuara kohore dhe mund të përcillen pa ndonjë vështirësi të madhe. Ky element shenjohet në letër me vija horizontale paralele, dhe filigranes gjendet në mes të tyre ose mbi to. Zakonisht janë të shënuara njëzet vija të tilla, e në disa raste kur dimensionet janë të vogla ka “vetëm” 10 “pontuseaux ose ponticelli” të tilla. Gjatë shek. XIV, “pontuseaux ose ponticelli” në dimensionet normale (31,5 x 45 cm) ishte i shënuar me 7 deri 10 vija me një largësi prej njëra-tjetrës nga 4,5 deri në 6 cm. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe fillimit të shek XV, “pontuseaux ose ponticelli-n” i ndeshim me nga 10 deri 14 vija me një largësi prej 2,8 deri në 4 cm (Ksombla e Marin Barletit që ruhet në BKT dhe ajo te Pacollët ka 12 vija me një largësi prej 2.8 cm); kurse në gjysmën e dytë të shek. XV, dhe fillimin e shek. XVI, ndeshim 20 deri 24 “pontuseaux” me një largësi prej 1,8 x 2,5 cm. Sa më shumë “pontuseaux” të ketë letra, është shenjë se ajo është e cilësisë së lartë, ndërsa te dimensionet e mëdha, numri i “pontuseaux” është i njëjtë ndërkohë që rritet largësia në mes vijave.
Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus
Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus fillon në vitin 1480 e jo 1494
Përkundër informacioneve që gjenden në të gjitha bibliografitë dhe katalogjet e specializuara të autorëve me eminentë botërorë, për vitin e fillimit të veprimtarisë botuese të Bernardinus de Vitalibus, ne me sigurinë më të madhe, korrigjojmë datën e deritanishme, vitin 1494, si vit i fillimit të shtypshkrimit të librave nga ky botues. Data e saktë është viti 1480.
Në këtë vit (1480), Bernardinus de Vitalibus botoi inkunabulën e autorit: Arnaldus de Villanova: Regimen sanitatis Salernitanum.Venetiis: Bernardinus de Vitalibus 1480, e cila ruhet në fondet e bibliotekës së Vienës “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ me signaturë JB 6402. Kjo është njëra nga 16 inkunabulat që ruhet në fondet e “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ dhe njëra nga gjashtë inkunabulat e kësaj biblioteke që janë shtypur në Venedik. Informacionin e parë për ekzistimin e kësaj inkunabule e kemi shënuar nga: Georgii Vvolfgangi Panzer, Annales typographici ab artis inventae origine ad annum MD Maittairii Denisii aliorumque doctissimprum virorum curas in ordinem redacti emendati et aucti. Opera Georgi Vvolfgangi Panzer, Capituli eccles. Catheral. ad D. Sebald. Norimberg. Praepositi Societatis Florigerae ad Pegnesum praesidis. Volumen Tertium. Norimbergae: Impensis Joannis Eberhardi Zeh, Bibliopolae, 1745, vëll. III, f. 158, nr. 464, për ta përforcuar me vonë edhe me linkun: http://www.b2i.de/fabian?Geschichte_Der_Medizin_(Wien). Për të qenë të sigurtë, në pamundësi që fizikisht ne vetë të konsultojmë fondet e bibliotekës së lartëcekur, ju drejtuam me një letër më 18 dhjetor 2009 zonjës Linda Aksan përgjegjëse për informacion në “Universitätsbibliothek der Medizinischen Universität Wien,” dr. Linda Aksan, e cila shprehimisht na shkruan: “S. g. Herr Ahmeti, ich habe soeben nachgesehen. leider haben wir die von Ihnen gewünschte Arbeit nicht in unserer Bibliothek aufliegen, weder in Buchform noch in Zeitschriftenform”, pra marrim një përgjigje negative. Duke menduar se W. Panzer dhe faqja zyrtare e vetë bibliotekës nuk mund të sjellin informacione të gabaura, ne ju drejtuar edhe një herë zonj. Linda Aksan me një letër të dytë me 23 mars 2009, duke e lutur të shikojë me vëmendje fondet e inkunabulave të bibliotekës ku punonte dhe duke i ofruar informacionet që kishim ne. Me 24 mars 2009, marrim një përgjigje tjetër, në të cilërn dr. Brigitte Kranz, na konfirmon ekzistimin e inkunabulës së shtypur nga Bernardinus de Vitalibus më 1480, duke na dhënë edhe singantrurën e saktë JB 6402 si dhe duke na premtuar se brenda disa ditësh do na dërgonte riprodhimet e frontespicit dhe të kolofon it të kësaj inkunabule. Ne shfrytëzojmë rastin që dr. Brigitte Kranz, ta falënderojmë publikisht për ndihëm e ofruar.
Qëllimisht deri në hollësi përshkruam informacionet për këtë inkunabulë, në dukje të parë edhe jo shumë e rëndësishme për ne! Por, në anën tjetër, kjo ka rëndësi të veçantë, për shkak se botuesi i inkuabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, tani na del në plan të parë, duke eliminuar një moment shumë të rëndësishëm, fillimin e veprimtarisë së tij botuese, me 1480, e jo më 1494, sikur që ishte menduar deri me tani. Pra, inkunabula jonë, nuk është e para, por është e katërta me radhë te botimet e B. Vitalibus. Inkunabula e dytë është ajo e John Estwood, Summa astrologlae judiclalis. Venice: Bernardinus de Vitalibus, 1489, (për më shumë informacion shih: Stillwell, R. 72.), ndërsa inkunabula e tretë është me autor: Fran Lucijan Gundulić, Baptistinus. Venetiis: Bernardinus de Vitalibus, 1490, dhe ruhet në Biblioteken Kombëtare dhe Universitare të Zagrebit, sektori i inkunabulave, dorëshkrimeve dhe librit të rrallë. Ne këtë inkunabulë e kemi konsultuar dhe ka disa ngjajshmëri me inkunabulën tonë, veçanërisht te katër iniciale. Pra, janë tre tituj inkunabulash, që i paraprijnë, inkunabulës së katërt nga viti 1493, të Marinus Barletius, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Impressum Rome per B. V. A.o M. CCCC. XCIII.
Qytetet në të cilat ka zhvilluar veprimtarinë e tij botuese Bernardinus de Vitalibus
Siç e cekëm edhe më lartë, veprimtaria botuese Bernardinus de Vitalibus, filloi në vitin 1480 në Vendik, ku shtypi edhe 2 inkunabula të tjera dhe në vitin 1493, Bernardinus de Vitalibus lenë Venedikun për të ka shkuar në Romë, ku shtypi inkunabulën e Marin Barletit Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis.
Ecejaket e B. Vitalibusit nga Venediku në Romë e anasjelltas dhe qytete të tjera italiane janë të dokumentuara saktësisht: në nëntor të vitin 1493, kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në korrik të vitit 1507; në shtator të vitit 1507 e gjejmë përsëri në Romë, ndërsa në nëntor po të vitit 1507 kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në qershor të vitit 1508; në fund të qershorit të viti 1508, kthehet në Romë ku qëndron deri në fund të nëntorit, për të shkuar në dhjetor po të vitit 1508 në Napoli; në shkurt të vitit 1509, kthehet prapë në Venedik për të qëndruar aty deri në dhejtor të vitit 1515. Në Romë e gjejmë po ashtu gjatë vitit 1516, përkatësisht nga janari deri në dhjetor. Ndërsa në fillim të vitit 1517 e gjejmë në Venedik, ku qëndroi deri prill të vitit 1521. Në Rimini e gjemë në dhjetor të vitit 1521, ndërkohë që në Romë qëndroi gjatë tërë vitit 1522, përkatësisht nga fillimi i janarit e deri në fund të dhjetorit. Përfundimisht kthehet në Venedik në janar të vitit 1523 ku qëndroi derisa vdiq në vitin 1539.
Veprat e botuara për 51 vite të Bernardinus de Vitalibus
Gjatë veprimtarisë së tij si shtypëshkrues-botues (tipograf), për 56 vite me radhë, B. Vitalibus botoi 152 tituj të njohur deri me sot. Për ta disponojmë të dhëna të sakta, si për vendndodhjen, bibliotekën, arkivin ose koleksionin privat të tyre, poashtu /signaturën/ dhe të dhëna tjera, si titulli, kopertinat, frontespicet, kolofon ët, ilustrimet, inicialet, gravurat, portretet… etj.
Prej këtyre 152 titujsh, 74 janë inkunabula të botuara deri më 31 dhjetor të vitit 1500, dhe sipas vitit venedikas deri më 31 mars të vitit 1501. Të gjitha këto inkunabula si dhe pjesa tjetër prej 78 titujsh të librave antikuarë-rarae nga viti 1500 deri më 1536 (kur Vitalibus botoi edhe librin e fundit) janë të ruajtura në biblioteka e arkiva të ndryshme.
Siç vërehet Bernardinus de Vitalibus ka botuar një numër të jashtëzakonshëm inkunabulash, 73 tituj, dhe diçka më shumë libra antikuarë, ku 4 nga këto nuk kanë vit botimi, por kanë vendin e botimit. Nëse shohim numrin e veprave të botuara sipas viteve, qofshin ato inkunabula apo libra të rrallë-antikuarë do të kishim këtë pasqyrë: trembëdhjetë herë boton nga një titull në vit, përkatësisht në vitet: 1480, 1489, 1490, 1493, 1513, 1514, 1517, 1518, 1523, 1524, 1526, 1532, 1534; ndërsa shtatë herë boton dy tituj në vit: 1495, 1506, 1509, 1522, 1529, 1533 dhe 1536; kurse tre tituj në vit ka botuar pesë herë dhe përkatësisht në vitet 1504, 1519, 1521, 1531 dhe 1535; ndërsa katër herë në vit botoi katër tituj: në vitet 1503, 1505, 1507 dhe 1525; po ashtu shtatë tituj ka botuar katër herë në vitet 1494, 1499, 1502 dhe 1508; ndërsa tetë tituj ka botuar vetëm një herë, në vitin 1501. Vitet më të frytshme të veprimtarisë botuese-shtypëshkruese të B. Vitalibusit kanë qenë viti 1500 kur boton njëzetë e gjashtë inkunabula dhe kulmin e arriti në vitin 1498 kur botoi njëzetë e tetë inkunabula, ndërsa për katër tituj siç cekëm më lart, nuk dihet viti i botimit.
Megjithatë ka pasur vite kur Bernardinus de Vitalibus nuk ka botuar asnjë titull. Të marra së bashku këto vite shtrihen në periudhën nga viti 1480 deri në vitin 1536 dhe janë gjithsej njëzet e dy vite, të cilat janë si vijon: 1491, 1492, 1496, 1497, 1510, 1511, 1512, 1515, 1516, 1520, 1527, 1528 dhe 1530. Nuk kemi ndonjë informacion për arsyet e mungesës së aktivitetit botues në këto vite, por mund të supozojmë se njëra ndër pengesat për këtë kanë qenë lëvizjet e shpeshta nëpër qytete të ndryshme italiane ose shtërngesat financiare, edhe pse Bernardinus de Vitalibus, botonte vepra të autorëve shumë të njohur të kohës së tij, apo vepra të autorëve klasikë.
Mënyra e firmosjes e Bernardinus de Vitalibus në veprat që ka botuar ai në
vitet 1489-1536
Në të gjithë titujt e inkunabulave dhe librave të rrallë-antikuarë që kemi konsultuar ne, por edhe nga literatura e shumtë e shfrytëzuar, kemi saktësuar mënyrën se si firmoste B. Vitalibus në librat që shtypte vetë. Këto forma janë: B. de Vitalibus; B. V.; Bernardin di Venezia; Bernardin Vinitian; Bernardini de Vitalibus; Bernardino da Veneto; Bernardino da Venezia; Bernardino de Vidali; Bernardino di Vitale; Bernardino di Vitalli; Bernardino Veneto de Vitalibus; Bernardino Veneto; Bernardinus Venetus; Bernardino Veneziano; Bernardinus de Vitalibus; Bernardino Vitale; Bernardino Vitale; Bernardinus Albenesotus; Bernardinus de Vitalibus; Bernardinus Venetus de Vitalibus; Bernardinus Venetus; Bernardinus Vitalis dhe në vitin 1498 firmoset: Bernardinvm et Mathevm Venetos. Qvi vvulgo dicvntvr li Albanesoti. (Shih ilustrimet që po i bashkangjisim këtij shkrimi). Pos firmosjes me grafema, ne shume raste, B. Vitalibus, firmoste edhe ane te simboleve-figurave te veçanta. Deri me tani na jane te njohura 6 menyra te tilla te firmosjes, tre ne inkunabula dhe tre te tjera ne libra te rralle-antikuare.