
Prof. Begzad Baliu/
Ka disa vjet që Profesor Ethem Çeku merret me historinë bashkëkohore, kryesisht të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit XX, duke i parë Lëvizjen ilegale dhe arritjet kombëtare, si zhvillime komplementare, në raport me ndikimin ideologjik, politik e strategjik të Tiranës zyrtare, ndikimin e brendshëm të politikës serbe të Beogradit brenda politikave të brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë dhe së fundi, në raport me zhvillimet ideologjike e politike të Lindjes dhe Perëndimit.
Këto kërkime e ndihmuan autorin e dy vëllimeve të reja nga aspekti metodologjik për një projekt të ri të historisë kombëtare, që tani për tani përfshinë periudhën 1830-1912. Fjala është për qasjen ndaj saj në rrjedhë të një tradite, që ka krijuar historiografia shqiptare; në raport me zhvillimet historike të popujve fqinj dhe popujve e shteteve me ndikim të Europës dhe Perandorisë Osmane; si dhe në raport me dokumentet dhe kritikën historiografike të studiuesve fqinj, e të dokumenteve të proveniencës Lindore e Perëndimore dhe historiografinë ndërkombëtare të saj.
Veprat trajtojnë periudhën e zgjimit dhe ndërgjegjësimit të ri kombëtar të popullit shqiptar gjatë shekujve XIX-XX. Fjala është në radhë të parë për zgjimin e vetëdijes kombëtare si vetëdije gjuhësore, e kjo ka të bëjë me krijimin e alfabetit të veçantë për përkthimin e Biblës; përpjekjet për krijimin e shteteve autonome si formacione bashkëkohore europiane (Pashallaku i Janinës dhe ai i Shkodrës); si dhe krijimin e përbërësve: kulturorë (gjuha, letërsia, folklori), etno-historikë (mesjeta dhe heroi i kësaj kohe Skënderbeu) dhe etno-gjeografikë (hapësirat etnike ku flitet gjuha shqipe pa dallim besimi) e ushtarakë (çetat kryengritëse dhe Lidhja e Prizrenit), të cilat u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912. Si të tilla, ato përvijojnë zhvillimet politike rajonale e ndërkombëtare, kryengritjet popullore dhe pasojat e brendshme të Perandorisë Osmane.
Prej temave historike, të cilat janë trajtuar, prej personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare, të cilët janë përfshirë në këto zhvillime, prej përbërësve politikë, ekonomikë, ushtarakë e kulturorë, të cilët kanë marrë pjesë në zhvillimet e kësaj kohe, nuk është e vështirë të kuptohet se zgjimi kombëtar i shqiptarëve, vetëdija historike e shqiptarëve për shtetin kombëtar, politikën e brendshme dhe të jashtme, gjuhën, letërsinë dhe përgjithësisht vetëdijen kombëtare, si vetëdije për identitetin vetjak, kanë karakter europian, më parë se sa ballkanik. E para, sepse Pararilindja kombëtare e arbëreshëve është zhvilluar nën hijen e Rilindjes Europiane; e dyta, sepse bardët e këtij procesi: babai i gjuhës (Konstantin Kristoforidhi); shkrimtari më me ndikim i letërsisë shqipe (Naim Frashëri); dhe botuesi i folklorit (Thimi Mitko) punuan nën ndikimin e frymës europerëndimore; e treta, sepse ideologu i saj Naum Veqilharxhi nismën e tij e mbështeti nën ndikimin e misionarëve anglezë në Ballkan; dhe së fundi, pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjet antiturke në Greqi, Rumani apo Bullgari e Maqedoni, në asnjë mënyrë nuk nënkuptojnë ndikimin e këtyre kryengritjeve ballkanike në hapësirën shqiptare. Ndryshe, si të shpjegohet fakti që shqiptarët nuk morën pjesë në kryengritjet, bie fjala serbe apo të popujve të tjerë të Ballkanit. Përkundrazi, kjo do të thotë që në këtë periudhë vetëdija kombëtare për etnitetin përtej vetëdijes fetare, në të cilin mbështeteshin fort fqinjët e tyre, ndër shqiptarët tashmë ishte konsoliduar.
A është i rastit fakti se dy përbërësit kryesorë të këtij identiteti u kurorëzuan me shkollën shqipe fillimisht, pastaj me Kongresin e Manastirit dhe shkronjat latine të tij; si dhe me Programin Europian të Sami Frashërit, si dhe shpalljen e shtetit laik të popullit shqiptar, në konflikt të përhershëm me politikat xhonturke të Perandorisë Osmane.
Parë në tërësinë e tyre, këto dy vëllime, të cilave sigurisht do të ju pasvijnë edhe vëllime të tjera, janë një këndshikim me interes në historiografinë shqiptare.
Ethem Çeku, Shqiptarët 1830-1908, Prishtinë, 2022, f, 798; Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912 (Historia diplomatike e çështjes shqiptare), Prishtinë, 2024, f. 968.