Libri Dr. Lavdosh Ahmetajt: “Shqipëria – Konferenca e Paqes në Paris dhe delegacionet shqiptare – (1918 – 1921)”, një libër me shumë dritare, nga mund të shohësh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh piqen në një pikë…
Shkruan: Zyba Hysen Hysa/
Historia e Shqipërisë këto 100 vitet e fundit ngjanë me një film, ku sekuencat më të rëndësishme janë prerë, personazhet kryesorë janë vrarë, ose detyruar të emigrojnë dhe kaq… filmi vazhdon pa këto personazhe, sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe si kërpudhat pas shiut dalin në skenë personazhe të padëgjuar dhe historia, herë nuk kuptohet, herë del me dy histori, ku në një anë ka patriotë e në anën tjetër ka tradhtarë… Nuk e di, mbase gaboj, por nuk i vura vulën, një mendim… thjesht një mendim që më lindi pasi studiove librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt “Shqipëria” – Konferenca e Paqes në Paris dhe Delegacionet Shqiptare – (1918 – 1921)
Unë pata fatin të kem në dorë një libër me shumë dritare, ku munda të shoh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh takoheshin në një pikë, gjatë viteve 1019 – 1921, periudhë nga më të rëndat dhe më të trazuara që ka pasur vendi ynë. Autori, përmes hulumtimeve të ndryshme, bëri që të futesha në rrjedhën e librit me dëshirë për të mësuar gjëra që na ishin mohuar, apo na ishin paraqitur nga historia të cunguara, e pse doja të përpija librin, nuk rendja dot, ai të mbërthente dhe herë pas here, qëndroje në meditim dhe kurrsesi nuk mbeteshe pa marrë në shpirt dhembjet e plagëve të Atdheut, plagë që nuk janë mbyllur ende…
Të lexosh këtë libër, është sikur të rikthehesh gjallërisht në atë periudhë historike dhe ajo që më ka ndodhur mua (besoj kujtdo që e lexon do t’i ndodhë), kërkon të kapesh pas fakteve të vërteta, t’i lidhësh ato me fijet e dukshme dhe të padukshme të kohës e të dalësh në përfundime sa tragjike për atë kohë, po aq aktuale për periudhën në të cilën kalon vendi ynë, apo gjithë kombi ynë shqiptar, saqë shpesh mendon: “Ato ngjarje kanë ndodhur dikur, apo po ndodhin sot?”
Ajo që bie në sy në këtë libër, ishte se në një kohë që patriotët shqiptarë, vazhdues të platformës së Ismail Qemalit, bënin përpjekje të jashtëzakonshme për të bashkuar trojet Etnike Shqiptare, shtetet e Mëdha Evropiane bënin plane për ta zhdukur nga harta edhe atë Shqipëri të vogël, që u la nga gllabërimi i 1913, pra shtrohej problem i ngutshëm; nëse do të mbijetonte Shqipëria e viteve 1913, apo do të ribëhej copëtimi i saj mes shteteve tjera si Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi?? Dhe, duke qenë kjo një shqetësim i jashtëzakonshëm, një shqetësim, ku shkaktar ishin fuqitë e mëdha të Evropës, herë – herë edhe të Amerikës, kjo mendoj, ishte e qëllimshme, që patriot shqiptarë të hiqnin dorë nga Shqipëria natyrale, pra nga bashkimi i trojeve etnike, mbi bazën e etnisë, jo të fesë, se rrezikohej heqja fare nga harta e Botës.
Shpesh ndaloja dhe konsultohesha me faktet dhe doja të nxirrja një përfundim, se pse na ndodhte një gjë e tillë? Ku kishim gabuar ne shqiptarët? Pse Evropa nuk na përfillte e vazhdon të mos na përfillë? Dhe si përfundim: Si do jetë fati i kombit tonë?
Në veprimet e hershme dhe të tashme, shtetet e Mëdha të Evropës, sillen me shqiptarët, ashtu si u soll Enver Hoxha (dorë patën përsëri shtetet e Evropës) pas Marrëveshjes së Mukjes me intelektualët dhe patriotët shqiptarë. Dhe dihet që arsyeja kryesore ishte të linin popullin pa kokë, ta sundonin popullin lehtë. Po kështu vepron Evropa me Shqipërinë dhe shqiptarët, për ta lënë Evropën pa kokë, që ta sundojë më mirë, se shqiptarët që ata i shajnë aq shumë, si “të pa aftë për qeverisje”, por historikisht shumë shqiptarë kanë qeverisur mrekullisht edhe nëpër qeveri të shteteve të përparuara të botës, na quajnë “të pazhvilluar”, ku shqiptarët janë dalluar në të gjitha fushat më të përparuara të shoqërisë njerëzore, na quajnë deri “me bisht”, në një kohë që shqiptarët janë përshtatur mrekullisht edhe në shtetet më të zhvilluara të botës e japin ndihmesën e tyre në përparimin e atyre vendeve (“me bisht” janë akoma diplomatët evropianë që ndërtojnë politikat e tyre, mbi bazën e veprimeve primitive të Serbisë, pushtojnë me grumbuj dheu të vendosura në veri të Kosovës), na shajnë që “s’’kemi histori”, ku historia jonë është më e lavdishme se historitë e tyre, se lufta dhe përpjekja jonë shekullore nuk ka qenë pushtuese si e tyre, por vetëmbrojtëse dhe shpesh mbrojtëse edhe për shtete tjera… pra e them me plot gojën, që veprimet antishqiptare, janë njëkohësisht antieuropiane, antinjerëzore dhe kundër qetësisë dhe paqes në Ballkan, Evropë e më gjerë.
Shtetet e mëdha të Evropës nuk lozin vetëm me ne, ato vetëm “kompozojnë melodinë” dhe në këtë valle të rrezikshme përfshihen shumë shtete, gjoja që ajo i mbron, apo u jep ndonjë kafshatë nga Shqipëria (se di që shqiptarët janë të matur, por vetë Evropa i con në katastrofa e gjakderdhje), por në këtë mënyrë ajo i mban nën diktat dhe i shfrytëzon më mirë, pra jep një dhe merr pesë, por në krye të kësaj valleje, jemi ne, shqiptarët që na qëllojnë pa mëshirë, nuk na kanë dhënë mundësi të ngremë kokën dhe të kërcejmë vallen tonë, vallen e zhvillimit shqiptar.
Ekzistenca e mendimeve dhe ideve të ndryshme për probleme të ndryshme të zhvillimit shoqëror ka pasur, ka dhe do të ketë, se vetëm përmes kësaj përplasje të mendimeve dhe ideve, vetë koha nxjerr më të mirën e mundshme për t’u realizuar, por të fabrikosh mendime dhe ide nga më të shumtat dhe të shumëllojshme për një çështje që kërkon zgjidhje jo duke shpalosur ide, por duke bashkëpunuar për ta realizuar idenë madhore që ka udhëhequr e po udhëheq edhe sot Bashkimi i Trojeve Etnike Shqiptare. Kur një komb nuk është bashkuar, nuk ka si zhvillohet, kur një komb nuk është i bashkuar, nuk ka pse dalin 100 ide që kundërshtojnë njëra – tjetrën, gjoja se përshtaten me kushtet historike që kalon vendi ynë.
Evropa dhe mbarë bota, akoma udhëhiqet me mendësitë e para 100 vjetëve për çështjen shqiptare dhe kjo për arsye se ne shqiptarët nuk bëjmë propagandë me të huajt, por grindemi me njëri – tjetrin dhe kjo ka sjellë si pasojë mosmarrëveshje deri në vëllavrasje. Në librin e Ilir ikonomit “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, me të drejtë thuhet se në atë kohë ishte më e lehtë të merresh vesh me të huajt, sesa shqiptarët me njëri – tjetrin(Kjo sepse të huajt paguanin para marramendëse për këtë përçarje). E njëjta gjë ndodh edhe sot. Ku ishim, ku jemi dhe ku do të shkojmë kështu? Ky hendek midis shqiptarësh e ka origjinën të hershme, por për fatin tonë të keq, ai vazhdon të thellohet me dorën tonë, por me projektin e të huajve, aq shumë, saqë edhe kur kemi interesa te njëjta, bëhemi kundërshtarë. Edhe sikur të jemi në grindje me njëri – tjetrin e të hyje një shqiptarë për t’i ndarë, apo pajtuar, kurrsesi nuk pranojnë, po erdhi një i huaj, nuk ka nevojë që të diskutohet gjatë, por një fjalë thonë dhe “mbaron” konflikti mes nesh, por përherë mbaron duke fituar i huaji. Në librin Adem Demacit “Libër për Vetmohimin” autori e ironizon këtë sjellje mes shqiptarësh duke na dhënë disa burra që rriheshin me njëri – tjetrin dhe shkojnë komshinjtë për t’i ndarë “Mosni bre bura! Ndaluni vëllezër!” por asnjë nuk i dëgjonte, veç vazhdonin grindjen. Më pas vjen një kalimtar dhe kur i shikon gjithë gjak thirri në serbisht: “Stani!” dhe u tundi gishtin, por që të mos e njihnin që ishte shqiptar ikte, por gishtin e tundte me kërcënim… dhe ata ndaluan në çast.
E thashë këtë më shumë për të bindur veten, por edhe lexuesin, se ne, shqiptarët me atë drejtësinë dhe bujarinë tonë që e kemi në gjak, kalojmë shpesh herë në naivë, nuk i kuptojmë qëllimet e tjerëve, nuk kuptojmë dhelpërinë e diplomacisë së shteteve të mëdha, që flasin me gjuhën e mashtrimit dhe, kur e shikojnë që të bënë për vete, të joshin me para dhe po u shite, nuk e ke më veten në dorë, je bërë vegël e para dhënësit e kështu, të huajt e kanë fituar betejën, pa qenë prezent, se ne, shqiptarët luftojmë me njëri – tjetrin.
Autori i shkoqit ngjarjet deri në transparente dhe portretet e figurave të asaj kohe, dalin si në dritë të diellit. Nuk dua të them se Esadi ishte tradhtar, apo patriot, se po t’i vësh në peshorë, si qeveria e Esad Pashës dhe ajo e Durrësit, me Turhan Pashën, apo të Qeverisë së Përkohshme të Sulejman Delvinës, këto ishin qeveri që financoheshin nga të huajt; njëra nga Serbia, Franca dhe Greqia, ndërsa tjetra nga Italia dhe dihet, këto qeveri do të mbështetnin pikëpamjet e pronarëve të tyre. “Kështu në gazetën “Albania”, më 27 shkurt 1919, nr. 46, faqe 1, Gramenua tërhiqte vëmendjen lidhur me qëndrimin që kishte ndaj Turhan Pashës. “Telegrafi na lajmëroji që edhe Turhan Pasha u prit në Këshillin e Lartë të Paqes që të tregojë se cilat janë kërkimet mbi të drejtat e Shqipërisë. Shqiptarët mund të gëzohen për këtë punë, por neve aspak nuk gëzohemi, se këta njerëz janë vegla huaja dhe nuk mund të flasin siç e do interesi i Shqipërisë, po qysh t’i urdhërojnë të zotët e tyre, në të cilët u shtinë”. (faqe195)
Pak rëndësi ka se cila ishte “pro” Shqipërisë, për një Shqipëri të “pavarur”, ndaj se si e kanë emrin këto qeveri nuk pritet ta them unë, historia e ka treguar tashmë dhe autori nuk ka lënë hije fare për këtë problem, por unë dua të ndalem pak në delegacionin e Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, delegat i së cilës ishte caktuar Ismail Qemali, por do dëshiroja që kjo figurë madhore e popullit shqiptar, si ndër kryesoret që mbështeste bashkimin e trojeve etnike shqiptare, qëllim që kishte dhe ky delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, të ishte trajtuar më gjerë, pavarësisht se ai nuk arriti të merrte pjesë, se u helmua. Unë nuk i bëj kritikë librit të Dr. Lavosh Ahmetajt, se qëllimin e tematikës së tij ai ia ka arritur, por në përfundim të këtij studimi, vetvetiu lind pyetja: Si nuk u shqetësua një historian shqiptar për të hedhur dritë në vdekjen tragjike të njeriu më të madh që ka pasur kombi ynë shqiptar, pas Skënderbeut? Unë nuk marr përsipër të bëj rolin e hetuesit, apo të historianes, megjithëse po të më krijohej mundësia financiare, nuk do lija skutë të botës pa gërmuar dhe pa gjetur shkakun e helmimit të babait të kombit tonë, Ismail Qemalit, por me kaq sa kam lexuar në histori, në librin e Ilir Ikonomit dhe tashme në librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt, aludoj se vrasja e Ismail Qemalit (helmimi) ka qenë kushti kryesor që Esad Toptani të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si i vetmi personalitet shqiptar me aftësi të rralla diplomatike dhe që ishte i përlyer me shtetet në të cilën pretendonin territoret shqiptare. Unë mendoj se libri i Dr. Lavdosh Ahmetajt, pa i thënë këto fjalë që thashë e ka vërtetuar katërçipërisht mosmarrëveshjen e shqiptarëve, se nuk kishte pse në Konferencën e Paqes në Paris të shkonin disa delegacione për të përfaqësuar Shqipërinë, ky qëndrim i shqiptarëve, ishte zgjidhja e Konferencës, megjithëse Konferenca u tregua “bujare” që ruajti kufijtë e 1913 – ës.
“Në një letër që Ismail Qemali i kishte dërguar Mihal Gramenos në ShBA, i tërhiqte vëmendjen se çasti që po kalonte Shqipëria ishte shumë kritik, prandaj duhej veprim energjik dhe i shpejtë. Kauza kombëtare do të pësonte dëme të mëdha, nëse shqiptarët nuk do të kryenin detyrat e tyre si shërbyes të Atdheut…. Ismail Qemali nga Madriti, në fillim të tetorit 1918, tërhiqte vëmendjen se “Detyra jonë imperative (urdhëronjëse) është sot t’i vihemi punës pa mëri dhe pa përtim për të nënë themelitë e të drejtave tona politike dhe për t’i vulosur me vulën e Konferencës së Paqes” … nga Shqipëria të zgjidheshin gjashtë delegatë që të bashkoheshin me delegatët e Amerikës, “të nënë në Paris për t’i propozuar Konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë”. Ai ishte i mendimit që këta delegatë të kishin në krye një kryetar dhe tre sekretarë dhe të gjendeshin në kohë në Konferencën e Paqes dhe të ishin të “prikosur me dituri për çështjen kombëtare për të bërë propagandë” (faqe 141)
Ku do ishim ne sot po të mos ishte vrarë Ismail Qemali dhe po të ishte realizuar platforma e tij politike për çështjen kombëtare, se ai ka qenë personalitet që mbronte me ndershmëri këtë çështje, ai kurrë nuk mund të bënte tregti me fatet e kombit, siç bënte Esad Toptani, apo “Toptanët” që na kanë sunduar më pas.
Po të meditojmë fare pak, na shkon në mendje kundërshtia e Esad Toptanit, që pa u shpallur Pavarësia dhe kultura e Ismail Qemalit, një kulturë politike që duhet ta kenë zili dhe sot politikanët tanë, e fton atë në përbërje të qeverisë së tij, duke e emëruar Ministër të Punëve të Brendshme.
Asnjë marrëveshje, asnjë ide, asnjë mendim, nuk e justifikon të qenit marrëveshje, ide, mendim, nëse bie në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Kush hyn në bisedime me shtetet tjera dhe nuk mbron idenë e parealizuar të Bashkimit tonë Kombëtar, ai është i përfshirë kokë e këmbë në llumin e tradhtisë së interesave të popullit shqiptar. Historia e Shqipërisë ka treguar që krahas patriotëve, janë “shquar” më shumë patriotët e pushtuesve, apo dhe të armiqve tanë shekullorë dhe kështu, patriotët e vërtetë nuk qëndronin nëpër poste qeveritare e s’kishin si të qëndronin, por nga dora kriminale e bashkëpunëtorëve të armiqve të Shqipërisë ata ekzekutoheshin.
Duke e menduar kështu, ne, shqiptarët, kurrë nuk duhet të presim zgjidhjen e çështjes shqiptare nga shtetet e mëdha të Evropës me dëshirën e tyre, por as me forcën tonë, se ato janë bërë të mëdha nga shfrytëzimi i shteteve të vogla, nga copëtimi dhe nga ngatërresat që u bëjnë këtyre shteteve, duke përfituar pasuri marramendëse, ashtu siç kanë vepruar edhe me politikanët dhe patriotët tanë duke u mashtruar se “Do ndihmojmë në bashkimin kombëtar”, po duam këtë apo atë shpërblim, gjë që autori Dr. Lavdosh Ahmetaj e ka pasqyruar mrekullisht në këtë libër të çmuar do të thosha, se është shkollë për politikanët dhe patriotët shqiptarë në ditët e sotme. Kështu Anglia për të mbështetur qeverinë e paligjshme të Esat Toptanit, në një kohë që Esadin e cilësojnë si një figurë të padëshirueshme, më vonë ajo e pranoi. Ja si do ta paraqiste autori: “… Esad Pasha i dërgoi një letër Willsonit dhe Bellfurit, ku i përshkruante shërbimet e tij gjatë luftës dhe me anë të së cilës kërkonte të drejtën e tij si një udhëheqës i popullit shqiptar dhe njëherësh që të kryesonte një delegacion në Paris. Përpara se t’i përgjigjej letrës së Esadit, diplomatët amerikanë morën një informacion të hollësishëm dhe shumë të fshehtë nga Londra. Witehall (qeveria britanike) e përshkruante Esadin si një figurë shumë të padëshirueshëm” (faqe 224)
Politika e jashtme amerikane, e pse në disa momente të rëndësishme të vendit tonë kanë qenë vendimtare, ajo asgjë nuk bën pa u konsultuar me shtetet e Mëdha të Evropës.
Dihet, që si amerikanët, apo shtetet e mëdha, çdo vlerësim për politikanët dhe patriotët shqiptarë e bënin se sa janë ata të përfshirë në “tollovinë” e tyre, por jo si faktor shqiptar, Esadin e shihnin të pa përpunueshëm, sepse ai aleancat i kishte me francezët dhe serbët, po kështu edhe me Grekët e për arsyet e tij karrieriste, ai mendonte që Pogradecin t’ia jepte Serbisë dhe Korçën Greqisë, gjë që ishte në përputhje me francezët, kështu mbyllej rrethi dhe Anglia nuk kishte asnjë interes dhe ç’ishte më e rëndësishmja, asaj i prishej “vija melodike”, se nuk do kishte më mundësi të dirigjonte Evropën. “Konflikt i cili do të conte në dobësimin e luftës kundër lëvizjes turke… sepse ajo kërkonte që nëpërmjet ushtrisë helene të cilën donte ta kishte sa më të fortë dhe sa më të përqendruar. Kjo kishte bërë të mundur që në momentin e fundit, Anglia e kundërshtoi pushtimin e Korçës nga trupat greke. Esad Pasha ishte edhe kundër interesave shqiptare, edhe interesave angleze e për pasojë, edhe amerikane. Po çfarë ndodhi më vonë? Pse u pranua delegacioni i qeverisë së Esad Pashës?
Këtu lindin pikëpyetjet e historisë e pikëpyetja më e madhe, është vdekja e Ismail Qemalit, me anë të së cilës mendonin se do varrosej aspirata e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. Në faqen 231 thuhet: “Po ashtu edhe Filipsi, i cili jepte deklaratë delegacionit amerikan, vinte në dukje se vetëm duke e penguar Esad Toptanin që të mos merrej me çështjen shqiptare, mundej që të arrihej bashkimi i Shqipërisë… Ambasada amerikane në Londër përgjigjej se Esadi ishte person “i cili kthen nga fryn era”… ndërsa ambasada amerikane në Paris përgjigjej se qeveria franceze e shikonte Esad Toptanin si të pa rëndësishëm… ai nuk kishte mbështetje në Shqipëri, por ishte ai që kishte mundësuar tërheqjen e trupave serbe nëpër Shqipëri nga Korfuzi.”
Mendoj, se po të ndjekësh hap pas hapi Esad Pashën në marrëdhëniet e tij me Ismail Qemalin, po të zbulosh lëvizjet e tij diplomatike, (gjë që autori i pasqyron mrekullisht) ku një fakt parësor është dhe pranimi në Koherencën e Paqes në Paris, në mos 100%, por pa gisht nuk është në vdekjen e Ismail Qemalit. E vrau ai, apo i paguari i tij (ai ka vrarë shumë tjerë) kjo pak rëndësi ka, rëndësi ka të dihet dhe të zbulohen deri në detaje rrethanat e këtij krimi me pasoja të rënda për kombin tonë e këto rrethana shpalosen në dritë të diellit nga autori Dr. Lavdosh Ahmetaj në këtë libër me vlera të vlefshme për historinë e vërtetë të Shqipërisë.
I uroj suksese autorit dhe shpresoj që të ndjekë fijet që ka kapur në këtë libër e të mbledhë për së mbari fakte të vërteta historike, me to dhe me shumë vepra tjera të autorëve tjerë seriozë, të thuret HISTORIA E SHQIPËRISË. Të mos e lëmë shkrimin e kësaj historie në duart e botës, por të përveshim mëngët për ta thënë ashtu me të mirat dhe të këqijat që i kemi bërë vetes, jo për të fajësuar njëri – tjetrin, se asnjë nuk mund të fajësohet për gabimet e të parëve, por duke njohur gabimet, duhet të jemi të kujdesshëm në hapat që hedhim, sidomos në politikë, se një gabim politik, nuk përmirësohet lehtë, se ai është si një helm me efekt të ngadalshëm…
Vlorë, më 25. 05. 2013
SAMI says
E NDERUARA ZO ZUBA A KAM KNAQSIN QË KENI BA NJI PËRSHKRIM TËMREKULLUR DHE EKENI THAN TËVËRTETËN BRAVO.