Dr. Lulzim Nika/
7 Marsi-Dita e Mësuesit apo ndryshe siç quhet edhe Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe e Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës, e vitit 1887.Kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror për liri dhe rezistencë kundër pushtuesve. Në fund të shekullit XIX kundër shkollës shqipe ishte pushtuesi osman, Rusia, Serbia dhe Greqia. Në të katër vilajetet shqiptare kishte shumë shkolla në gjuhën osmane, serbe dhe greke, por jo edhe shqiptare. Në fund të shek.XIX, në të katër vilajetet (të Shkodrës, Kosovës, Manastirit e të Janinës), kishte 1187 shkolla osmane, dhe asnjë nuk ishte në gjuhën shqipe. Në Kosovë në vitin 1878 kishte 87 shkolla serbe. Në vitin 1900, numri tyre shkoi në 200 shkolla serbe. Në fund të shkullit XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1000 shkolla greke. Diplomatët austro-hungarezë ishin për përkrahje dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, në vendbanimet ku popullsia shqiptare ishte shumicë. Dritarja e diturisë për shkollën shqipe ishte në mendjen e shumë patriotëve shqiptarë, që më vonë e bënë realitet. E para shkollë ku mësohej gjuha shqipe u hap në vitin 1887 në Korçë, ndërsa shkolla e parë shqipe për vajza, u hap në vitin 1891.Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë, ishte hapur nga Dom Mikel Tarabuluzi në vitin 1905 në Stubëll të Vitisë. Kjo shënon një ditë historike të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin 1941, Ministri i Arsimit në Qeverinë Shqiptare të kohës, mbështetur nga italianët, Ernest Koliqi, mori vendimin e madh për dërgimin e mbi 200 mësuesve në Kosovë, për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit të përgjithshëm, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve të gjata brutale osmane dhe serbe. Shumë tekste në gjuhën shqipe u nisën në drejtim të Kosovës. Brenda një viti u hapën 173 shkolla fillore dhe 3 shkolla të mesme. Për herë të parë në histori, fëmijët shqiptarë të Kosovës, morën librin e abetares. Sot kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë.