
Sokol Paja/
Historike, Kosova në futboll fitoi bindshëm në Slloveni 2-0 dhe arriti të sigurojë pjesëmarrjen në “Play-Off” të Kampionatit Botëror të futbollit 2026. Një fitore e jashtëzakonshme që gëzon kombin tonë. Pas suksesit të Shqipërisë në futboll, Kosova tregoi një nivel të lartë duke përmbysur çdo skeptik, me lojë, rezultate, klas dhe elegancë. Goli i shënuar nga Asllani në minutën e 6-të i dha garanci e siguri Kosovës duke administruar dhe dominuar ndeshjen që nga minuta e parë e takimit. Autogoli në minutën e 64-rt nga Karcincik vrau përfundimisht shpresat e Sllovenisë duke realizuar ëndrrën e Kosovës për të qenë 1 hap larg pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026. Pas 5 ndeshjesh në Grupin B Kosova arriti të grumbullojë 10 pikë: 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje. E vendosur mirë në fushë, me pasime të sakta, mbrojtje hermetike, qarkullim të topit e kundrasulme të shpejtë zunë në befasi Slloveninë e cila mund të pësonte disa gola. Teknika e lartë e Avdullahut e Muslisë, pjekuria e Rrahmanit e Muriqit, energjia e Gallapenit e Hajdarit eklipsuan një ekip favorit në letër. Është mahnitëse rritja cilësore e Kosovës në futboll ku afrimet e lojtarëve të rinj e kanë kthyer Kosovën në një ekip të fortë e të frikshëm për çdo kundërshtar. Forca Kosovë, krenari e kombit tonë.