Dr. Ervin Kujtila/
Deri në mesin e viteve 60’ të shekullit të kaluar, dihej fare pak mbi fortifikimet e periudhës së hershme të hekurit në Shqipëri. Ato pak vendbanime të fortifikuara të kësaj periudhe,që ishin konstatuar nga arkeologët austriak C. Praschniker e A. Schober në vitet e luftës I botërore, kufizoheshin vetëm në Shqipërinë veriore. Mangësitë në njohjen e materialit dhe mungesa e gërmimeve, i çuan ata edhe në ndonjë përfundim të gabuar, si p.sh. datim i fortifikimit me gurë të papunuar të Gajtanit në periudhën antike, kur teknikat e fortifikimit ishin shumë më të avancuara. Ndërsa në Gajtan ata shohin “përfaqësuesin e parë të një qendre banimi ilire të lashtë, të painfluencuar nga teknika greke e ndërtimit”, fortifikimet antike me blloqe kuadratik izodomik, i konsideronin të ndërtuara nga mjeshtër grekë“ose të paktën nën ndikimin e teknikës greke të ndërtimit”.
Rreth 10 vjet më vonë, M. Shuflay përmblodhi dhe sintetizoi të dhënate deriatëhershme mbi qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë. Në këtë studim ai arrin deri në supozimin se “ilirët e jugut kanë filluar shumë herët ndërtimet me gurë,” ndonëse siç shprehet ai “deri më sot në Shqipëri nuk është gjetur ndonjë gjurmë ndërtimesh të tilla”.
Pikëpamja e gabuar që ua atribuuan ndërtimet ilire mjeshtërve grekë, është ruajtur deri vonë tek ndonjë studiues i huaj, që muret rrethuese të Oshanicit, qytet ilir në territorin daors, ua atribuon“mjeshtërve jo ilirë” .
Gërmimet e suksesshme në Gajtan në vitet 60’ shënuan një kthesë cilësore në studimin e vendbanimeve të këtij tipi. Intensifikimi i kërkimeve në këtë fushë ka sjellë të dhëna të reja arkeologjike dhe kulturore që ndihmojnë për klasifikimin kronologjik, teknik dhe tipologjik të fortifikimeve prehistorike në Shqipëri.
Aktualisht në ndërtimin e këtyre fortifikimeve mund të veçohen tri faza kronologjike.
Faza e parë më e hershme mund t’i referohet fazës së vonë të Bronzit të Hershëm, siç kanë dëshmuar dy shembuj të prezantuar në literaturën tonë arkeologjike. Është fjala për vendbanimin e fortifikuar në qytezën e Ganjollës në Shqipërinë Veriperëndimore dhe atë të Kukumit në Shqipërinë Jugperëndimore.
Faza e dytë i referohet fazës fundore të Bronzit të Vonë, kur mendohet se ngritja dhe fortifikimi i tyre erdhi si reagim ndaj rrezikut të dyndjes egjeane dhe i nevojës për mbrojtje të banorëve protoilirë të kësaj periudhe.
Faza e tretë lidhet me periudhën e hershme të epokës së Hekurit, kur këto fortifikime bëhen vendbanimi karakteristik për popullsinë ilire.
Vendbanimet e fortifikuara të këtij tipi në literaturën shqiptare janë njohur si të tipit Gajtan, për faktin se në qytezën eponyme u kryen gërmimet e para sistematike në vitet 1961-1962. Gërmimet treguan se këtu kishim të bënim me një vendbanim ilir shumështresor, dy nga të cilat (Gajtan I-II) iu atribuan Bronzit të vonë dhe Hekurit të hershëm, ndërsa shtresat III-IV, respektivisht shek.IV-III p.Kr. dhe periudhës helenistike – romake. Përsa i përket kronologjisë të mureve mbrojtëse të Gajtanit, sot nuk vihet në dyshim karakteri prehistorik ose pararaantik i tyre.
Sikurse është vënë në dukje, muret rrethuese të qytezës së Gajtanit, i referohen fazës Gajtan II, që stratigrafikisht qëndrojnë mbi shtresën Gajtan I të Bronzit të Hershëm. Teknikisht muret janë të ndërtuara me blloqe gurësh të papunuar, të renditur në dy këmisha anësore, pa material lidhës, ndërsa bërthama midis tyre është e mbushur me gurë të vegjël. Përveç kritereve tipologjike dhe teknike primitive të ndërtimit të këtyre mureve ato që i përcaktojnë këto si parahistorike, edhe pozicioni stratigrafik i tyre i lidhur me horizontin e furrave, i referohet periudhës kalimtare nga epoka e Bronzit në atë të Hekurit, përkatësisht (shek.XI-X p.Kr). Këto mure të quajtura “tip Gajtan” kanë shërbyerpër një kohë të gjatë si një pikë e rëndësishme referimi për studimet krahasuese të fortifikimeve parahistorike në Shqipëri.
Vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë të përhapura në të gjithë Shqipërinë dhe njihen me emrat qytezë, gradishtë, gradinë etj. Ato janë të përqendruara në vendet më strategjike dhe formojnë sisteme fortifikimi për zona të veçanta gjeografiko – kulturore, si për zonën e Shkodrës (Gajtan, Marshejë, Ganjollë, Samobor, Drisht, Beltojë, Mokset) atë të Lezhës (Akrolisi), të Peshkopisë ( gradishta e Peshkopisë), të Shqipërisë së Mesme (qyteza e Lleshanit), të Shqipërisë juglindore (Tren, Ventrok, Trajan, Bilisht, Bellovodë, Lumalas, Hollm, Gjonomadh, Bllacë, Drenovë etj), të Shqipërisë jugperëndimore (Badhër, Karos, Kalivo, Kukum, Kepi i Stillos etj ku janë kryer gërmime arkeologjike si dhe kalaja e Pirgut, kalaja e Gjipesë, ajo e Gjinovlashit, e Borshit, e Gashnjarit etj).
Vendbanimet e fortifikuara të periudhës së vonë të Bronzit, janë vendosur gati gjithmonë në maja kodrinash strategjike, pranë rrugëve natyrore dhe luginave që përshkojnë territorin tonë, zakonisht në vende të larta që dominojnë mbi fusha pjellore apo kullota të mira. Ata janë ndërtuar mbi kodra me formacione shkëmbore, ku sigurohej guri në vend dhe me mbrojtje të mirë natyrore.
Ngritja e këtyre fortifikimeve gjatë Bronzit të Vonë, përveç zhvillimeve të brendshme ekonomike e sociale në gjirin e bashkësisë fisnore ilire, e cila po shkonte drejt thurjes së marrëdhënieve fisnore, duket se është edhe reflektim i popullsisë vendase për mbrojtje ndaj rrezikut në rritje të dyndjeve egjeane të fazës fundore të kësaj periudhe. Në periudhën e hekurit, diferencimi shoqëror dhe luftërat ndërfisnore të kësaj periudhe bëhet një fenomen i zakonshëm dhe qendrat e fortifikuara të kësaj periudhe një faktor i domosdoshëm mbrojtës. Prandaj nuk është e rastit pse në këtë periudhë kemi një intensifikim të fortifikimeve dhe një përparim të teknikës së ndërtimit të tyre. Vendbanimet e fortifikuara pasqyrojnë jo vetëm nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese, por edhe konceptin ndërtimor dhe veçoritë teknike e stilistike të fortifikimeve të kohës. Në zhvillimin e tyre të kushtëzuar nga një kompleks faktorësh ekonomik, historik, topografik e ushtarak mund të ndiqet evolucioni i tyre i brendshëm drejt fuqizimit të sistemit mbrojtës.
Fortifikimet prehistorike janë të përqendruara në rajonet më strategjike të vendit, ku formojnë sisteme të organizuara fortifikuese. Sot në Shqipëri, mund të përvijohen 5 zona kryesore, ku janë përqendruar vendbanimet e fortifikuara:
- Zona e Shqipërisë veriperëndimore (pellgu i Shkodrës)
- Zona e Shqipërisë Lindore (lugina e Drinit të Zi)
- Zona Qendrore (lugina e Shkumbinit)
- Zona Juglindore (pellgu i Korçës)
- Zona Jugperëndimore (bregdeti jonian).
Në zonën përreth Ultësirës shkodrane janë fiksuar këto vendbanime të fortifikuara: Gajtani, Marsheja, Mokseti, Ganjolla, Samobori, Drishti, Beltoja, Akrolisi.
Në zonën e Shqipërisë lindore, si fortifikime të këtij tipi janë: qyteza e Krajkës dhe e Sofraçanit, Skudrinës dhe e Koxhaxhikut(Dibër e Madhe), Peshkopisë, Selishtës, Lurës etj.
Në zonën e Shqipërisë Qëndrore përmendim: fortifikimet eOrenjës, Zdranshit, Lleshanit, fortifikimit të Shkëmbit të qytetit, Drogostunjës, Qukësit, Valshit, Bodinit, Tervolit etj.
Në zonën e Shqipërisë Juglindore përmendim fortifikimet e Trenit, Ventrokut, Trajanit, Shuecit, Bilishtit, Bellovodës, Podgories, Lumalasit, Gjonomadhit, Bllacës, Hollmit, muri i Zvezdës etj.
Në zonën e Shqipërisë Jugperëndimore përmendim: fortifikimet e Badhrës, Karosit, Kukumit, Kalivosë etj. Gjithashtu në zonën e bregut jonian gjenden edhe vendbanimet e fortifikuara të Gjipesë, Gjinvlashit, Pirgut, Borshit, Gashnjarit etj.
Gërmimet sistematike që janë kryer në disa nga këto vendbanime, si dhe një tok të dhënash me vlerë që janë fituar nga një varg ekspeditash informative të kryera në një pjesë të mirë të territorit tonë, kanë bërë të mundur që të njihet sistemi i fortifikimit të këtyre vendbanimeve e të ndiqet deri diku edhe një farë evolucioni në zhvillimin e tyre. Shembulli më i mirë dhe më i studiuar i vendbanimeve të fortifikuara është qyteza e Gajtanit, në afërsi të Shkodrës, prandaj është bërë zakon që këto vendbanime të quhen të tipit Gajtan. Kufijtë e vendbanimit përcaktohen nga muret e rrethimit, të cilat ndjekin linjën e terrenit, prandaj dhe format planimetrike të tyre nuk janë gjithnjë të njëjta.
Tipar dallues i ndërtimeve mbrojtëse të kësaj periudhe janë muret e ndërtuara me gurë mesatar e të mëdhenj, pa fasadë të rregullt dhe me lartësi të ulët. Në shumicën e tyre muri formohet nga dy këmishat anësore të ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatar të papunuar, me boshllëqe të konsiderueshme midis tyre, dhe bërthama e murit midis tyre, që mbushej me gurë të vegjël.
Në këtë sistem të hershëm fortifikimi mungojnë kullat dhe në përgjithësi kthesat me kënde të drejta të mureve për të siguruar një mbrojtje anësore. Hyrjet janë të thjeshta, të formuara nga ndërprerja e murit rrethues. I vetmi kujdes për ruajtjen e tyre është vendosja e tyre në vende me mbrojtje natyrore, ose në shumë raste rruga për në hyrje kalon bri murit rrethues duke qenë kështu nën kontrollin e mbrojtësve. Lartësia e ruajtur e këtyre mureve përgjithësisht është e vogël, gjerësia rreth 2.50 – 3.00m, dhe duket se lartësia fillestarenuk a qenë e madhe. Sipërfaqja e rrethuar e këtyre fortifikimeve është e ndryshme dhe lëviz nga 1 – 2 ha, ndërkohë që ka edhe fortifikime më të më të mëdha si Gajtani 4 – 5ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë që brenda mureve rrethuese të përfshihej një sipërfaqe më e madhe, siç është rasti i kalasë së Trajanit(Korçë), që arrin deri në 22 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten me 2 – 3 unaza rrethuese. Më poshtë po paraqesim disa nga format më të zakonshme të këtyre fortifikimeve:
Format më të thjeshta të tyre janë ato kur muri mbrojtës rrethon vetëm pjesën më pak të mbrojtur të kodrës. I tillë është fortifikimi pranë shpellës së Trenit(Korçë) ku murri arin gjatësinë 90m, gjerësinë 3.50 m, është ndërtuar mbi një kodër me lartësi 6-8m mbi nivelin e fushës. I njëjti sistem fortifikimi, por me lartësi më të madhe është krahina të tjera të Shqipërisë siç janë kalaja e Ganjollës(Shkodër), kalaja e Lleshanit(Elbasan), kalaja e Karosit(Qeparo) etj.
Një nga format mbizotëruese të fortifikimeve është ajo me planimetri ovale. Shembulli më tipik është kalaja e Bilishtit, muri mbrojtës i të cilës me planimetri eliptike, rrethon pjesën më të lartë të kodrës së saj. Forma të ngjashme planimetrike paraqesin kalaja e Kakaçit dhe ajo e Gjonomadhit(Korçë), kalaja e Hollmit(Kolonjë) etj.
Në disa raste, pjesa më e mbrojtur e platformës së kodrës së rrethuar me mure, ndahej nga një mur tërthor, që krijonte një farë “akropoli”, që shërbente si vendstrehim i fundit, siç ndodh në kalanë e Bellovodës. Në kalanë e Podgories “akropoli” ndodhet në skajin më të mbrojtur nga natyra të platformës dhe formon një rrethim të pavarur.
Një zgjidhje tjetër planimetrike e fortifikimeve me akropol është ajo kur muret rrethuese formojnë rrathë koncentrikë.Rrethi i parë zë majën e kodrës, ndërsa tjetri më i madh shpatet e saj. Shembuj të këtij tipi janë kalaja e Hadërajt(Vlorë), kalaja e Luarasit(Korçë), kalaja e Bllacës(Pogradec) etj.
Ka edhe fortifikime të ndërtuara në shpatin e një kodre dhe kjo ndodh kur njëra faqe e kodrës bie me pjerrësi të butë dhe krijon shpesh tarraca të përshtatshme për banim, ndërsa anët tjera i besohen mbrojtjes natyrore. Këto fortifikime zakonisht kanë dy a më shumë rrethime. Muret krijojnë gjysmërrathë që pasojnë njeri tjetrin. Këtu përfshihen kalaja e Drishtit(Shkodër) ku ka dy mure rrethuese, prej të cilëve, muri i parë zë majën e kodrës, ndërsa muri tjetër linjën e kontureve të shpatit. Në kalanë e Karosit(Qeparo)fortifikimi përbëhet nga 3 harqe muresh në anën lindore, që komunikojnë me hyrje të thjeshta.
Kalaja e Trajanit paraqet tipin më të ndërlikuar me shumë rrethime. Fortifikimi me perimetër 3km përfshin brenda mureve 22 ha. Në rast rreziku këtu mund të strehohej e gjithë popullsia e zonës përreth. Kjo është një nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike më të mëdha të territorit të Ilirisë. Ajo ngrihet mbi një kodër 400 m të lartë. Faqet e kodrës kanë një pjerrësi të madhe me përjashtim të anës jugperëndimore, ku hapet një tarracë e gjerë natyrore e përshtatshme për banim.
Në literaturën tonë arkeologjike janë bërë disa herë përpjekje për një klasifikim tipologjik e deri diku edhe kronologjik të vendbanimeve të fortifikuara ilire të periudhës pre e protohistorike të territorit të Shqipërisë.Meqenëse studimet janë nisur nga kritere të ndryshme, edhe përfundimet e arritura ndryshojnë midis tyre. Një vështirësi në lëtë drejtim paraqet edhe fakti se në pjesën më të madhe të këtyre vendbanimeve nuk janë kryer gërmime sistematike gjë që do të mundësonte përcaktimin kohor më të saktë të tyre.
M. Korkuti, duke patur parasysh të gjithë vendbanimet e fortifikuara ilire të periudhës së hershme të hekurit në territorin e Shqipërisë, duke u nisur nga pozicioni i këtyre vendbanimeve, madhësia e sipërfaqes dhe lloji i fortifikimit, dallon dy faza evolutive në ngritjen e vendbanimeve të fortifikuara, faza Tren dhe faza Gajtan.
S. Islami mendon se këto karakteristike, edhe pse në ndonjë rast mund të jenë të vlefshme, nuk janë të mjaftueshme për një diferencim kronologjik të fazave të përmendura. Ai mendon se vendbanimet e tipit Gajtan “kanë qenë qendra të fiseve të ndryshme, por akoma jo qytete”
Më vonë, M. Korkuti i është rikthyer këtij problemi, duke gjurmuar dhe studiuar vendbanimet e fortifikuara të Shqipërisë jugperëndimore, ku ka bërë edhe gërmime arkeologjike në kalanë e Badhrës. Pas këtyre gërmimeve ai veçon tri faza zhvillimi të vendbanimeve të fortifikuara në këtë pjesë të Shqipërisë, që përfshijnë kohën nga bronzi i vonë (1500 p.e.s) deri në shek. VI p.e.s, të emërtuara:
- Faza Badhër
- Faza Karros
- Faza Kalivo
Meqenëse këto faza njihen qoftë edhe të shkëputura edhe në krahina tjera të Shqipërisë, M. Korkuti këtë klasifikim e ka shtrirë për të gjithë territorin e vendit, duke i shtuar klasifikimit të tij të mëparshëm prej dy fazash edhe një fazë të tretë, si më poshtë:
- Faza Tren(Badhër) i përket periudhës së vonë të bronzit dhe fillimit të asaj të hershme të hekurit(shek. XII-IX pes)
- Faza Gajtan(Karos) tipike për fazën e zhvilluar të periudhës së hershme të hekurit(Shek. VIII-VII pes)
- Faza Kalivo ose protourbane, tipike për fazën e vonë të periudhës së hershme të hekurit(shek. VI-V pes).
N. Ceka, duke u marrë me problemin e vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së hekurit, dallon dy tipe vendbanimesh :
- Vendbanime të tipit Trajan-Gajtan, ose preurbane
- Vendbanime të tipit Kalivo ose protourbane.
K. Zhegu duke u nisur nga kriteri i teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese, dallon dy faza në zhvillimin e vendbanimeve të fortifikuara:
- Faza I më e hershme përfshin vendbanimet e rrethuara me gurë të papunuar të lidhur në të thatë, që ai e emërton”mur i thatë me gurë të papunuar”.
- Faza II më e vonë dallohet nga përdorimi i gurëve të punuar me çekan në faqen mbështetëse dhe në ato anësore, që ai e quan” mur i thatë me gurë të punuar me çekiç”.
Funksioni i këtyre vendbanimeve është i dyfishtë. Ata kanë shërbyer si vendbanime për një pjesë të banorëve të fisit, kryesisht për aristokracinë fisnore dhe si vendstrehime në raste rreziqesh për të gjithë banorët e zonës. Këto lloj vendbanimesh janë të organizuara në bazë të lidhjeve të gjakut dhe shërbejnë si vendbanime për formacione të ngushta fisnore. Në rastet kur disa prej tyre janë të grupuar në një sistem të vetëm fortifikimi të një zone të caktuar, siç janë vendbanimet rreth Shkodrës, Elbasanit apo Korçës, ato i përgjigjen më mirë organizimit fisnor federativ.
Në fazën II dhe III të periudhës së hershme të hekurit një pjesë e këtyre vendbanimeve kthehen në qendra të prodhimit zejtar dhe fitojnë tipare të reja, që i bëjnë ato të qëndrojnë më afër një qendre urbane se sa një vendbanimi prehistorik, prandaj me të drejtë janë quajtur qendra protourbane.
S. Islami, F. Prendi dhe M. Korkuti kanë shprehur mendimin se vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë vendet ku zhvilloheshin proceset ekonomiko-shoqërore që përgatisnin lindjen e qytetit dhe se ato në një etapë të caktuar të zhvillimit historik shërbyen si baza kryesore e procesit të urbanizimit të vendit. Më qartë se kudo ky fenomen duket në Lis dhe Zgërdhesh, ku ruhen gjurmët e fortifikimeve të banimeve paraqytetare, dhe ku të dhënat stratigrafike dhe tipologjike të mureve dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë nga vendbanimi i tipit protourban në atë urban.
Sipas N. Ceka, “mendimi arkeologjik shqiptar bashkohet me pikëpamjen se ishte pikërisht ky tip vendbanimi (vendbanimi i fortifikuar) ku u zhvilluan proceset ekonomiko-shoqërore që përgatitën klushtet për zhvillimin e jetës qytetare në Iliri”.
Duke u marrëme këtë problem, N. Ceka ka tërhequr vëmendjen mbi ekzistencën e fazës protourbane dhe të qendrave protoqytetare, “ku u vendosën elementët shoqëror të shkëputur nga rendi fisnor, të lidhur me ekonomin e prodhimit dhe të shkëmbimit të mallrave”. Ai ka sqaruar gjithashtu se “ky proces zhvillohet njëkohësisht si në vendbanimet e fortifikuara ashtu edhe në ato të hapura, që përmbanin premisat për formimin paralel të qytetit dhe të fshatit antik”.
Fortifikimet me mure guri njihen edhe në krahinat qendrore e veriore të Ilirisë. Rrafshnalta e Glasinacit në Bosnje, përveçse ka një mbrojtje të fuqishme natyrore, rrethohet edhe nga një zinxhir fortifikimesh dhe vendbanimesh të fortifikuara, që zënë pikat dominuese, mbyllin vendkalimet dhe grykat e luginave. Deri tani në Glasinac njihen 47 vendbanime të fortifikuara prehistorike. Në pllajën e Durmos(Bosnje) në territorin e banuar nga fisi ilir i dalmatëve, janë konstatuar 37 vendbanime të tilla të fortifikuara.
Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosur në njëmjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi të caktuara ekonomiko – shoqërore.