
Kosta Nake/
Letërsia antike mbetet një thesar që shekujt e kanë kaluar nëpër prizmin e tyre dhe, jo vetëm e kanë mbajtur të gjallë në kujtesën e njerëzimit, por edhe kanë hedhur dritë mbi gjërat e njohura duke shkërmoqur thërrmija diamantesh. Me romanin “Përbindëshi” (1964) Kadareja bëri këqyrjen e parë të vëmendshme te Troja, Iliada dhe Homeri. Zhbirimi i antikitetit vazhdon në tre kapituj radhazi duke filluar nga i dhjeti. Vetëm një studio krijuese si kjo e Kadaresë mund të zbulonte poshtë thundrës së një kali nga hordhia e Timur Lengut një copëz pllake qeramike mbetur nën rrënojat e një qytetërimi të groposur nga murtaja. Duke u ndalur te ky detaj, le të kujtojmë emrin e poetit trojan Thremoh, që është anagramë e emrit Homerth. Të gjithë ata që kanë lexuar apo dëgjuar për “Iliadën” automatikisht i pranëvënë asaj Homerin e verbër. A ishte vërtet i verbër? Kjo mëdyshje mijëravjeçare do të vazhdojë të mbetet e tillë. Nëpërmjet Gent Ruvinës autori thotë se verbëria e tij ishte veçse një kod, se “masa e njerëzve… bën një zhvendosje të perdes nga sytë e saj në sytë e poetit.” “Përbindëshi” është dëshmi e një vëmendjeje të shtuar ndaj gjuhës shqipe, një ndihmesë e çmuar për pasurimin e saj me fjalë të reja të bazuar mbi brumin e shqipes dhe jo vetëm.
Interesant është interpretimi i toponimeve “Ilion” si “Ylli jonë” dhe “Iliri” si “Yll i ri”. Kaq nuk është pak, megjithatë nuk mbaron këtu. Te romani “Kronike në gur” (1971) leximi i tragjedisë “Makbeth” e bën rrëfyesin që ta rimarrë disa herë motivin e vrasjes së mysafirit apo duke vendosur lidhje me Homerin e verbër. Homeri dhe Troja vijnë si detaje të rritjes kulturore të personazhit qendror. Verbëria e Homerit është një kod, masa e njerëzve e zhvendosi perden e syve të saj te sytë e poetit. Thremohu është poeti kombëtar i trojanëve, emri i tij ka brenda Homer së prapi dhe një TH përpara.
Pas disa vitesh Kadare iu rikthye antikitetit dhe Homerit tek romani “Dosja H” (1981), Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publisher i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë? Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” Perla të tilla mund të dilnin vetëm nga pena kadarejane!
Kadare, që më se një herë dëshmoi me veprat e veta vëmendjen e shtuar dhe vlerësimin e lartë për foklorin shqiptar, e shfrytëzoi këtë mjet artistik për të shkuar edhe më larg. “Studiuesve nuk u interesonte eposi shqiptar në vetvete, por teknologjia e prodhimit të tij.” Ata kapin dukurinë e harresës dhe shtesave për të kuptuar ç’ka ndodhur me eposin homerik. Thelbin e vërtetë të veprës e përbën përplasja shqiptaro-serbe për autorësinë e eposit.
“Legjenda e legjendave” (1996) është stacioni i radhës për ta ekspozuar antikitetin. A ka vërtet ndonjë lidhje mes mjegullës dhe legjendave? Natyrshëm vjen pyetja: Homeri ka qenë vërtet i verbër, apo kemi një kinse verbëri, një filtër mjegullues, një pëlhurë ndarëse për të mos parë këtë botë dhe për të zhbiruar një pjesë të parrokshme të saj?
Te “Dantja i pashmangshëm” (2005) Kadare rreshtoi këto vlerësimet për Danten: poeti hyjnor, profetik, kombëtar, bashkues zyrtar i Italisë, poeti i ndërgjegjes, ndëshkuesi i mëkatarëve, i cezarëve pushtues, i dhunuesve, i mashtruesve, më i madhi poet i Europës, dhe përfundon me karakterizimin “Homer i krishterë”.
“Dritëro Agolli është poeti homerik që e ngriti dashurinë mbarëshqiptare në një kult.” Ky vlerësim i krijuesit dhe studiuesit Hyqmet Hasko më bëri të kërkoj Homerin te Vepra letrare e tij dhe gjeta dy diamante. Te vëllimi poetik “Hapat e mi në asfalt” (1961) është poezia “Vajzat notare”
para të cilave heroi lirik ndjehet për disa çaste si Odiseu i Homerit para sirenave dhe dy herë përmbyll strofat me pyetjen retorike: “Kush tha se s’ka sirena në dete?” Kurse te libri “Dashuri në moshën e Krishtit” (2018) që përmban korrespondecën rinore mes Dritëroit dhe bashkëshortes Sadije, na shfaqet një Homer shqiptar me përmasa të tjera: “Nesër nisem për në Gjirokastër. Bëra mirë që po ik, që të harrohen ca skandale që kam kryer pas nja dy pijesh homerike.” [5.5.1965]