![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/08/302740195_1220833438706688_2202184819188208888_n.jpg)
Dr. Dorian Koçi/
Hora e Arbëreshëvet (“Piana degli Albanesi” afër Palermos në Sicili, është themeluar më 30 gusht të vitit 1488. Ai më mirë se çdo vendbanim arbëresh ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.- Hora me mbi 6.500 banorët, shquhet edhe si kryeqytet i arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Letërsisë së vjetër shqipe si ishte prifti dhe gjuhëtari Lekë Matranga apo Rilindjes Kombëtare siç ishte poeti e Zef Skiroi.
Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, përpjekjet identitare të elitës arbëreshe zgjuan tek popullsia arbëreshe vetë- imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.