-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxha, takon Quintin dhe 16 diplomatë tjerë të BE-së dhe rajonit: Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj/
PRISHTINË, 16 Janar 2017-B.Jashari/ Treni ilegal nga Beogradi drejt Mitrovicës është pjesë e politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai ka takuar sot në një drekë pune ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, si dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Shefen e EULEX-it.Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka thënë se treni propagandues që Serbia ka dashur ta fusë në Kosovë nuk është ngjarje e izoluar por pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën. Por, sipas tij, Kosova do t’i përgjigjet kësaj politike të papranueshme.“Treni nuk është një ngjarje e izoluar, por është pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën, të cilës Kosova do t’i përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj, cituar në njoftimin e MPJ kosovare.Sipas Hoxhajt, Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport me Kosovën dhe institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i vendeve mbështetëse të Kosovës për provokimet dhe sjelljet destruktive të Serbisë, thekson njoftimi i dërguar.Në një njoftim tjetër të dërguar bëhet e ditur se, ministri Hoxhaj ka vazhduar me takimet informuese me vendet mbështetëse, ku ka takuar mbi 16 diplomatë të BE-së dhe rajonit, të akredituar në Kosovë, për t’i informuar në lidhje me provokimet e reja të Serbisë në raport me Kosovën.Hoxhaj tha se me veprimet e fundit në raport me Kosovën, Serbia ka treguar se dëshiron të nisë konflikte të reja. Ai theksoi se Kosova do t’i përgjigjet çfarëdo provokimi duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial e shtetëror të saj.“Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj gjatë takimit.Çështja e trenit ilegal, arrestimi i Haradinajt dhe deklaratat nacionaliste të liderëve serbë, sipas Hoxhajt, janë pjesë e një game në rritje të provokimeve, të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkohë, Hoxhaj theksoi se institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.Hoxhaj ka takuar edhe shefin e UNMIK-ut dhe shefin e OSBE-së në Kosovë, në një takim të ndarë.