Prof. ass. dr. Sejdi M. GASHI
Instituti Albanologjik-Prishtinë
Zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni. Pikërisht, kjo rritje e jashtëzakonshme e prodhimit gjuhësor dhe e tekstit në sferën e komunikimit masiv në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillimin e shekullit XXI u shoqërua me një numër të konsiderueshëm studimesh shkencore, që trajtonin aspekte të ndryshme të funksionimit të gjuhës në medie, duke u përqendruar kryesisht te karakteristikat e veçanta të teksteve, të lajmeve dhe te veçoritë e përdorimit të gjuhës në blogjet e internetit dhe në rrjetet sociale. Kjo fushë e re kërkimore, me këtë zhvillim kaq dinamik, tërhoqi vëmendjen e studiuesve të disa degëve të gjuhësisë, si: sociolinguistikës, psikolinguistikës, gjuhësisë konjitive, si edhe të studiuesve të analizës së diskursit, gjuhësisë së tekstit, semantikës etj. Në këtë mënyrë, u krijuan parakushtet për lindjen e një nëndisipline të re të gjuhësisë, pra asaj mediatike, e cila sot në botë është një fushë me hov të madh zhvillimi.
Gjuha e medies, apo diskursi mediatik, përfshin dy elemente thelbësore: lajmin (tekstin e folur apo të shkruar) dhe procesin për prodhimin e këtyre teksteve. Dimensioni i parë, ai i tekstit, ka qenë qëllimi parësor i studiuesve të gjuhës së medieve, veçanërisht për faktin se teksti kodon vlera dhe ideologji që ndikojnë gjerësisht te njerëzit dhe i reflekton ata. Ndërsa, dimensioni i dytë, ai i procesit të prodhimit të teksteve, që përfshin normat dhe shprehitë e lajmshkruesve, ka qenë në qendër të kërkuesve shkencorë, por për këtë çështje ende nuk janë realizuar mjaftueshëm vepra studimore.
Korpusi i studimit dhe metodat e punës
Në shënjestër të këtij studimi është pikërisht gjuha e teksteve mediatike, me përqendrim të veçantë te huazimet terminologjike dhe përdorimi i tyre në disa medie të shkruara në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtë përzgjedhje e përligjim me faktin se, për analizën dhe hulumtimin e terminologjisë, tekstet e shkruara janë më të favorshme, po ashtu edhe për faktin se, marrë parasysh natyrën e këtij studimi, është më i saktë dhe më praktik identifikimi i termave në tekstet e shkruara. Nga mediet në Shqipëri, janë hulumtuar, analizuar, si dhe është shkëputur material gjuhësor (përkatësisht fjalë terma) prej teksteve të ndryshme, të botuara në mediet si: “Dita”, “Gazeta shqiptare”, “Sot”, “Telegraf”, “Fjala”, “Liberale”, “Panorama” etj. Në disa raste, materiali gjuhësor është marrë edhe nga portalet mediatike me përmbajtje më cilësore lajmesh, si “Newsbomb”, Arberianews.net”, “Shtypi.net”, “Balkanweb”, “Shqip”, “Faxnews”, “Reporter.al” etj. Pra, qëllimshëm jemi përcaktuar për këtë përzgjedhje mediesh për të shmangur lajmet e shkruara nga medie joserioze e pa përvojë, çka do të ndikonte edhe në cilësinë e këtij vëzhgimi. Ndërkaq, mediet e Kosovës, nga të cilat kemi vjelë material, janë: “Koha.net”; “dukagjini.com”; “televizioni7.com”; ”kanal10.live”; “insajderi.com”; “kallxo.com”; “zeri.info”; “gazetaexpress.com”; “telegrafi.com”; “tëvë1.info”; “ botasot.info”. Hulumtimi i termave është realizuar nëpërmjet vjeljes së tyre të drejtpërdrejtë. Korpuset e medieve të Kosovës dhe të Shqipërisë janë krijuar si mostra rasti, me tekste të botuara, që përfshijnë një periudhë tetëvjeçare, përkatësisht vitet 2015-2023, ndërkaq, artikujt janë përzgjedhur në mënyrë të rastësishme.
Huazimet terminologjike
Në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore prodhohet çdo ditë një numër i madh produktesh të reja dhe lindin koncepte, për të cilat nevojiten terma të rinj për t’i emërtuar dhe shpjeguar ato. Këta terma kryesisht janë të huazuar dhe duhet t’u nënshtrohen të gjitha rregullave të standardizimit dhe normëzimit të gjuhës shqipe. Një ndër problemet, për të cilat ka shumë diskutime, është prania e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe.
Koncepti teorik për këtë problem përshkohet shpesh nga dy pikëpamje krejt të kundërta: a) pikëpamjet për qëndrimin purist ndaj gjuhës shqipe, dhe b) pikëpamjet për të lejuar përdorimin e fjalëve të huaja pa kriter. Ndërmjet këtyre dy qëndrimeve të skajshme ekziston edhe një qëndrim i baraspeshuar, sipas të cilit, ndaj huazimeve duhet mbajtur qëndrim i balancuar. Duke e parë huazimin si një proces të natyrshëm për çdo gjuhë letrare bashkëkohore me nivel të lartë zhvillimi, theksohet se është e domosdoshme që huazimi i fjalëve të huaja të bëhet sipas rregullave të caktuara, ndërkohë, që prof. Aleksandër Xhuvani e sheh të natyrshëm edhe huazimin e fjalëve të huaja si burim plotësues për pasurimin e gjuhës. Pra, huazimi është një nga mënyrat e pasurimit të gjuhës dhe përgjithësisht nuk mund të thuhet se shpie në humbjen e specifikave dhe identitetit të saj. Zhvillimi i gjuhës vazhdon në përputhje me ligjet e saj të qenësishme, edhe nëse përfshin në fjalor një sasi të konsiderueshme fjalësh të huaja. “Fati” i fjalëve të huazuara mund të jetë i ndryshëm: disa prej tyre janë fiksuar fort në një gjuhë marrëse dhe mbeten në të si pjesë përbërëse e gjuhës së përgjithshme, ndërsa të tjerat mbeten në pozicionin e fjalëve që përdoren për qëllime të veçanta dhe në raste të tjera ato dështojnë t’i shërbejnë qëllimeve të komunikimit, e gradualisht dalin jashtë përdorimit, duke u zhdukur më pas plotësisht. Hyrja e fjalëve të huaja në sistemin leksikor të një gjuhe marrëse është një proces i gjatë dhe kompleks. Për arsye të ndryshme asimilimi mund të bëhet i paplotë dhe fjala huazuese ruan disa veçori të natyrshme në gjuhën dhënëse. Megjithatë, këto veçori nuk i mbetën fjalës në mënyrë mekanike. Një njësi leksikore me “veçoritë e një gjuhe të huaj” duhet të mbështetet nga një numër i mjaftueshëm fjalësh të tjera me veçori të ngjashme, ose nga një praktikë e caktuar gjuhësore. Grupe të tilla fjalësh formojnë sistemet periferike të gjuhës që kërkojnë të përshtaten dhe të futen në sistemin pritës, duke shkaktuar rindërtimin e pjesshëm të tij.
Studiuesit, arsyet e hyrjes së huazimeve i klasifikojmë në dy lloje: jashtëgjuhësore dhe gjuhësore. Më poshtë kemi përmbledhur idetë e tyre, sipas të cilëve arsyet jashtëgjuhësore përfshijnë:
- ndikimin kulturor të një kombi mbi një tjetër;
- praninë e kontakteve midis vendeve me gjuhë të ndryshme;
- rritjen e interesit për të mësuar gjuhën;
- prestigjin e gjuhës dhënëse (që ndonjëherë çon në huazimin e fjalëve nga shumë gjuhë, duke krijuar ato që quhen ndërkombëtarizma);
- pasionin e shtresave të veçanta shoqërore ndaj kulturës së një vendi tjetër;
- kulturën gjuhësore të shtresave shoqërore që futin një fjalë të re.
Ndërsa arsyet gjuhësore përfshijnë:
- mungesën në gjuhën amtare të fjalëve ekuivalente për objektin ose konceptin e ri (realien);
- prirjen për të përdorur një fjalë të huazuar në vend të frazave përshkruese;
- dëshirën për të përmirësuar dhe ruajtur veçoritë komunikative të njësive leksikore, të cilat arrihen nëpërmjet eliminimit të polisemisë ose homonimisë në gjuhën marrëse;
Terminologjia e ekonomisë
Në këtë pjesë të studimit, do ta analizohet depërtimi i huazimeve terminologjike nga fusha e ekonomisë (biznesit). Siç u shprehëm dhe më sipër, para së gjithash, është e nevojshme të analizohen shkaqet dhe mënyrat e depërtimit të fjalëve të huaja në sistemin terminologjik të gjuhës marrëse, në rastin tonë të shqipes.
Si rregull, pasurimi i çdo sistemi terminologjik më së shpeshti kryhet me qëllim të plotësimit të boshllëqeve, pra kur sistemi ka nevojë për një term të ri. Në rastin e mungesës në sistemin leksikor të gjuhës marrëse të fjalëve që ekzistojnë në një terminologji të huaj, ndodh që të lindë nevoja për të krijuar një term të ri.
Ekzistojnë dy mënyra që huazimet të depërtojnë në gjuhën marrëse. Së pari, përmes gjuhës së folur, që është kryesisht specifike për fazat e hershme të kontaktit gjuhësor. Kjo mënyrë është dëshmuar shumë rrallë në kohën e tanishme në shoqërinë me një sistem të zhvilluar socio-ekonomik. Së dyti, nëpërmjet teksteve të shkruara. Kur huazimet leksikore ndodhin përmes burimeve të shkruara, depërtimi bëhet me anë të:
1) terminologjisë speciale;
2) shtypit;
3) komunikimit intensiv në formë të shkruar në botën e biznesit;
4) përkthimit të literaturës së huaj të specializuar.
Më poshtë po japim disa shembuj të huazimeve terminologjike që i kemi vjelë në medie e që i përkasin fushës së ekonomisë:
Aktivitet likuid – Para të gatshme dhe asete të tjera që kompania mund t’i konvertojë në para pa humbje të konsiderueshme të vlerës dhe në një kohë të shkurtër, para të gatshme për të përmbushur detyrimet e tyre urgjente.
Aset – E drejtë pronësore në një subjekt ekonomik për lloje të ndryshme pronash, duke përfshirë fondet në qarkullim.
Bilanc (i jashtëm) – Bilanci i shoqërive të përpiluara për publikim të jashtëm, pra për aksionerët, kreditorët, publikun dhe organet tatimore.
Overdraft bankar – Kredi e dhënë një huamarrësi në një llogari rrjedhëse, e shlyer sipas kërkesës.
Vlerë kontabël e aksionit – Vlera e aksionit, e llogaritur në bazë të vlerës kontabël të kapitalit.
Alokim – Shpërndarje.
Aset – Çdo gjë që mund të përdoret për të prodhuar vlerë pozitive ekonomike. Asetet përfaqësojnë vlerën e pronësisë që mund të konvertohet në para.
Buxhet kapital – Procesi i shpërndarjes së burimeve për shpenzime të mëdha kapitale, apo investimesh.
Disbursim – Pagesa e një shume parash, veçanërisht nga një fond.
Evazion fiskal – Mospagesa ose nënpagesa e paligjshme e taksave, zakonisht duke bërë një deklaratë të rreme ose pa deklarim të qëllimshëm te autoritetet tatimore, si për shembull duke deklaruar më pak të ar-dhura, më pak fitime ose më pak fitime sesa shumat e fituara në të vërtetë, ose duke mbivlerësuar zbritjet.
Fond sovran – Fond investimi në pronësi të shtetit që investon në asete reale dhe financiare, si aksione, obligacione, pasuri të paluajtshme, metale të çmuara ose në investime alternative si fondi i kapitalit privat ose mbrojtje.
Kriptoasete – Përfaqësim digjital i siguruar kriptografikisht i vlerës ose i të drejtave kontraktuale që përdor një formë të të dhënave teknologjike të shpërndara dhe mund të transferohet, ruhet ose tregtohet në mënyrë elektronike.
Kriptomonedhë – Një monedhë digjitale në të cilën transaksionet verifikohen dhe të dhënat mbahen nga një sistem i decentralizuar duke përdorur kriptografinë dhe jo nga një autoritet i centralizuar.
Maturim – Datë në të cilën përfundon një marrëveshje financiare, duke shkaktuar pagesën e principalit me interes ose shlyerjen e një kredie me interes.
Portofol – 1. Koleksion dokumentesh, punimesh apo produktesh që përfaqësojnë aftësitë, arritjet dhe punën e një personi në një fushë të caktuar (projekte, punë të shkruara, përpunime grafike, fotografi, skeda) ose çfarëdo materialesh tjera që personi ka krijuar ose për të cilat ka punuar. 2. Një sërë investimesh të menaxhuara nga një person ose organizatë.
Profitabilitet – Aftësia e një kompanie për të përdorur burimet e saj për të gjeneruar të ardhura që tejkalojnë shpenzimet e saj.
Recesion – Periudhë e rënies së përkohshme ekonomike gjatë së cilës zvogëlohet aktiviteti tregtar dhe in-dustrial, i identifikuar përgjithësisht nga një rënie e PBB-së në dy tremujorë radhazi.
Startap – Kompani ose projekt i ndërmarrë nga një sipërmarrës për të kërkuar, zhvilluar dhe vërtetuar një mo-del biznesi të shkallëzuar.
Stok – Mallrat që mbahen në ambientet e një biznesi ose magazine dhe të disponueshme për shitje ose shpërndarje.
Subvencionim – Paratë që paguhen nga një qeveri ose një autoritet tjetër për të ndihmuar një industri ose biznes, ose për të paguar një shërbim publik.
Transaksion – Dukuri në të cilën mallrat, shërbimet ose paratë kalohen nga një person, llogari, etj., te një tjetër.
Këta dhe shembuj të tjerë në medie dëshmojnë se sa proces dinamik është procesi i huazimit të termave. Analiza e kryer dëshmon se, sot, futja e termave të rinj në sistemin terminologjik të gjuhës shqipe është një proces i pakthyeshëm. Pavarësisht fanatizmit të disa studiuesve për “pastërtinë” e gjuhës, duhet pranuar se proceset e vazhdueshme që ndodhin në pasurimin e sistemeve terminologjike janë procese që ndodhin në të gjitha gjuhët e botës, me një trysni të jashtëzakonshme nga gjuhët e mëdha, si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja etj.
Për sa i përket gjuhës së medieve, veçmas përdorimit të saj në gazeta, studiuesi David Crystal thekson se nuk ekziston një lloj i veçantë i gjuhës së gazetës dhe se “media pasqyron të gjitha aspektet e gjendjes njerëzore dhe vë në dispozicion të publikut shumë lloje të gjuhës tashmë të njohura diku tjetër, si ato që lidhen me fenë, politikën, shkencën dhe letërsinë, dhe aspektet e drejtuara nga tema e bisedës (p.sh. diskutim, intervistë, debat, argument, letër)”. Me fjalë të tjera, gazetat e përshtatin gjuhën e tyre me llojin e temave që trajtojnë.
Kur jemi te procesi i huazimit, duhet vënë në dukje faktin që, sot, ky proces po i sjell shqipes standarde një valë të madhe fjalësh, forca e të cilave shumëfishohet nëpërmjet ndërthurjes së huazimit me neologjinë; kështu, me të hyrë fjala amendament, krijohen në shqipe (edhe sipas modeleve të gjuhës së huaj) rrjedhojat amendamendoj, amendamendim, i amendamenduar etj. Madje ka krijime analogjike (si: nga opozitë është krijuar me prapavajtje në shqipe një fjalë e përçudnuar me kuptim të kundërt pozitë, që s’e gjen në asnjë gjuhë, as në gjuhën huazuese të fjalës opozitë; nga dakord krijohet dakordohem e dakordim etj.). Kjo do të thotë që është e nevojshme të veprohet me kujdes të madh në fushën e përdorimit të gjuhës. Mund të thuhet gjithashtu se fjalët e këtij burimi (huazimet) janë edhe më të paqëndrueshmet, për shkak të mënjanimit të vetvetishëm a të vetëdijshëm (f.v. kredibilitet e besueshmëri, fushata elektorale e fushata zgjedhore, organet lokale e organet vendore, komisione parlamentare e komisione kuvendore etj.)”.
Si përfundim: Shqipja sot realizohet në të gjitha ligjërimet e stilet, sepse ajo ka një pasuri të madhe leksiko-semantike. Megjithatë, jo të gjithë e përdorim njëlloj gjuhën, të pastër e pa ngarkesa të panevojshme dhe kjo natyrisht, së pari, bëhet për arsye subjektive, që vijnë prej formimit të pamjaftueshëm gjuhësor, sidomos njohjes së pamjaftueshme të leksikut të shqipes nga njëra anë dhe mungesës së kulturës gjuhësore në anën tjetër, “prandaj sot gjejmë në ligjërime të ndryshme, sidomos në medie etj., një mori fjalësh të huaja të përdorura vend e pa vend, struktura të pri-shura sintaksore, fjalë e fjali pa kuptim, duke i shtuar kësaj edhe një qëndrim, sipas të cilit ai që përdor fjalë të huaja, sidomos nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja etj., di të flasë bukur, por paragjykohen ata që, fjala vjen, përdorin fjalën saba në vend të mëngjes, penxhere në vend të dritare etj.”
Shembuj të shtrembërimit të gjuhës dhe të përdorimit të pavend të fjalëve të huaja gjenden pa shumë mundim si në mediet e Kosovës, ashtu edhe në ato të Shqipërisë. Nga kjo pakujdesi e gazetarëve, lexuesi, shikuesi, apo dëgjuesi has çdo ditë fjalë të tilla si: agravoj, neutralizoj, konfuz, implementim, sensitiv, involvoj, adaptim, adoptoj, disponibël, top listë, interferoj, akomodohem, frustrim, lançoj, startoj, impakt, suport etj., të gjitha të panevoj-shme, po të kihet parasysh se e kemi barasvlerësin në shqipe për secilën prej fjalëve të mësipërme: për agravoj kemi rëndoj, për konfuz kemi i pështjelluar, (i ngatërruar), për sensibël kemi i ndjeshëm, për involvoj kemi përfshij e kështu me radhë.
BIBLIOGRAFIA
- D. Crystal, Language and the Internet, Cambridge University Press, 2007.
- H. Somers, Terminology, LSP and Translation, John Benjamin Publishing, Amsterdam, 1996.
- H.Pasho, Vështrim mbi disa shfaqje të shumëkuptimësisë, të sinonimisë dhe antonimisë në terminologjinë e ekonomisë në gjuhën shqipe, në: Studime Filologjike, Nr.3, 1986.
- HP. Peters, The interaction of journalists and scientific experts: co‐operation and conflict between two professional cultures. Media, Culture and Society, 1995.
- J. Thomai. Probleme të leksikut në shqipen standarde, në aktet e “Seminari V Ndërkombëtar i Albanologjisë, Tetovë, 3-4 tetor 2011.
- M. Cabré Castellví, Theories of terminology: Their description, prescription and explanation, Terminology, John Benjamins Publishing Company, Amsterdam, vol 9:2, 2003.
- M. Zaçellari, Vështrim rreth disa çështjeve mbi pastërtinë e gjuhës shqipe, Gjuha shqipe I, Instituti Albanologjik-Prishtinë, 2021.
- S. Steffens, Machine Translation and the Lexicon, Springer, Berlin, 1993.
- www.abcnews.al., 22 dhjetor 2023.