Gazeta “Huffington Post” e datës 14 gusht 2017, i ka kushtuar një shkrim të vecantë vizitës së katër senatorëve amerikanë në shqipëri.Midis të tjerave HP shkruan:
Një delegacion senatorësh amerikanë ka udhëtuar drejt Tiranës këto ditë, për t’u takuar me udhëheqësen e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, që kryeson Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Senatorët Roy Blunt, John Cornyn dhe Thom Tillis kanë takuar edhe anëtarë të organizatës së popullit muxhahedin të Iranit në Tiranë. Organizata, Këshilli Kombëtar i Rezistencës, është një koalicion politik që kërkon ndryshim regjimi në Iran dhe konsiderohet si kërcënimi kryesor për mullahët e Teheranit.
“Senatorët, – citon “Huffington Post” një deklaratë të Këshillit Kombëtar të Rezistencës, – përgëzuan për zhvendosjen e sigurtë të të gjithë banorëve të kampit të lirisë jashtë Irakut dhe i uruan atyre sukses në betejën për demokraci dhe të drejtat e njeriut në Iran”.
Vetë opozitarja Rajavi shprehu mirënjohje për përpjekjet e palodhura të Senatit amerikan për mbrojtjen e mijëra opozitarëve dhe zhvendosjen e sigurtë të tyre në Shqipëri. Liderja e opozitës iraniane i ka falënderuar senatorët për ndihmën që kanë dhënë ShBA-të për zhvendosjen e sigurt të këtij grupimi në Tiranë. Po ashtu shtohet se Maryam Rajavi falenderoi Senatin amerikan, veçanërisht senatorin Blunt, lidhur me mbrojtjen e mijëra anëtarëve të MEK-ut në kampin “Liberty”, Irak. Delegacioni i Senatit u takua edhe me një numër anëtarësh të MEK-ut, si dhe me dëshmitarë e viktima të mizorive të regjimit iranian në Iran dhe kampeve “Ashraf” dhe “Lirisë”. “Senatori Blunt, – nënvizon gazeta, – ka qenë mes disa udhëheqësve amerikanë, që dënuan rolin destruktiv të Iranit në Irak”.
Duke e cilësuar Teheranin si pjesë të problemit që po destabilizon Bagdadin dhe të gjithë vendin, Blunt ju bashkua nismës për transferimin urgjent të opozitarëve iranianë që mbaheshin në një ish-bazë ushtarake amerikane të njohur si Kampi Liria, afër kryeqytetit irakian.
Pas shumë vështirësish, opozitarët u transferuan jashtë Irakut, në një numër vendesh europiane, por pjesa më e madhe u vendosën në Shqipëri. Vizita e fundit e senatorëve vjen në një kohë kur Uashingtoni ka vendosur sanksione të reja mbi Iranin, për mbështetjen nga ana e tij të terrorizmit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Ajo, sipas analistëve, i dërgon një sinjal të fortë Teheranit për mënyrën sesi opozita po fiton terren.Katër senatorët amerikanë Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis të cilët kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri veç bisedave me krerët e politikës shqiptare kanë zhvilluar dhe një takim me lideren e opozitës iraniane, Mary-am Rajavi, që drejton Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit, (KKRI). Duke zbardhur bisedën e zhvilluar mes senatorëve dhe përfaqsuesve të opozitës iraniane, “Huffington Post” e ka konsideruar këtë vizitë, një takim të rëndësishëm që paralajmëron sanksione të tjera për Iranin. {SH.K}.