Humanisti Aleksandër Nilaj dhuroi 1100 dollarë për fushatën e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në mbështetje të gazetës Dielli dhe të Federatës Vatra. Z.Nilaj erdhi në Vatër familjarisht për të dhënë mbështetjen e tij me dashuri e përshpirtshmëri dhe u bëri thirrje edhe familjeve e patriotëve të tjerë shqiptarë që të mbështesin pa hezitim Vatrën e Diellin si një mbështetje për atdheun në respekt të rolit dhe kontributit që Vatra e Dielli kanë dhënë prej më shumë se 1 shekull për çështjen kombëtare. Aleksandër Nilaj është modeli i patriotit të flaktë, atdhetarit të madh, veprimtarit të dalluar dhe bamirësit të përshpirtshëm që udhëheq projektin e bamirësisë me shoqatën e tij Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA). Përgjatë gjithë pandemisë globale dhe në vazhdim, Aleksandër Nilaj ka mbështetur pa kushte të gjithë njerëzit në nevojë me veprat e tij të bamirësisë në shpërndarjen e ushqimeve, veshmbathjeve, ilaçeve, pagesa qerash, karroca për invalidët, materiale shkollore e shumë ndihma të tjera duke ndihmuar jo vetëm patriotët shqiptarë por këdo që ka pasur nevojë për ndihmë në ditë e kohë të vështira. Parimi i bamirësisë së z.Nilaj dhe skuadrës së vullnetarëve bamirës është: “Aty, ku njerëzit kanë nevojë, askujt të mos i mungojë diçka dhe askush të mos ndjehet i vetëm”. Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA) e drejtuar nga Aleksandër Nilaj u është gjendur pranë patriotëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e në të gjitha viset ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Vatra dhe Dielli i shprehin mirënjohje për xhestin e tij patriotik e falenderojnë dhe i shprehin respekt e krenari për bashkëpunimin e sinqertë e shpirtin e tij të madh humanist e patriotik.