
Virgjil Kule/
“I huaji” i Albert Kamysë është një vepër turbulluese që trajton enigmën e ekzistencës, duke shtruar pyetjen se çfarë ndodh kur njeriu nuk e pranon se jeta është, ose mund të jetë, e pakuptimtë.
Personazhi qendror, Merso, nuk respekton normat shoqërore të sjelljes. Kur i vdes e ëma, ai nuk përlotet, nuk tregon hidhërim dhe nuk përjeton dramën standarde familjare. Atë e shqetësojnë vetëm vapa, dielli përvëlues dhe raskapitja e një dite djersitëse.
Të pranishmit në mortin e nënës e quajnë të ftohtë dhe të egër këtë shfaqje joemocionale të Mersos. Ky i fundit e quan atë normale dhe të sinqertë. Ai shfaq atë që ndjen, dhe aq sa ndjen.
Kamy e turbullon lexuesin. I thotë hapur se kemi të bëjmë me një jetë që jetohet pa pasur nevojë për maska, për justifikime ndjenjash apo shpjegime emocionesh.
Më pas paraqitet krimi, por më shumë se vetë krimin, Kamy thekson kotësinë që e rrethon vrasjen në bregdet. Ajo kryhet mekanikisht, thuajse pa motiv emocional. Nxitet thjesht nga sikleti fizik që i shkaktojnë vrasësit vapa, djersitja dhe dielli qorrues. Mungojnë plotësisht elementet e narracionit dramatik: nuk ka urrejtje paraprake, plan veprimi, as ndonjë shpërthim emocional.
Kamy ia heq vrasjes çdo sfond kuptimor, duke e shtangur lexuesin jo aq me krimin, sesa me kotësinë që e mbështjell atë. Ai vijon kështu të shpalosë filozofinë e tij mbi absurdin: njerëzit kërkojnë me ngulm kuptimin e jetës në një botë memece, që nuk u jep asnjë përgjigje.
Skenat e sallës së gjyqit e bëjnë edhe më të mprehtë këtë mesazh. Merso nuk gjykohet aq për faktin se ka kryer një vrasje, sa për faktin tjetër se nuk qau para trupit të nënës së vdekur, se piu duhan, se e kërkoi kafen me qumësht dhe se të nesërmen e funeralit shkoi në kinema.
Shoqëria nuk ia fal sinqeritetin emocional. Gjykata pret që ai “të bëjë sikur”: sikur ndjen keqardhje, pendesë, dhimbje e të tjera si këto. Sipas Kamysë, krimi i tij i vërtetë është mospranimi për t’u shfaqur ashtu siç nuk është.
Vepra shkarkon kështu një kritikë të ashpër ndaj hipokrizisë shoqërore, ku gjykimi moralist bazohet më shumë te dukja e jashtme sesa te thelbi i së vërtetës.
“I huaji” i ka qëndruar kohës sepse nuk i sugjeron lexuesit mënyrën se si të ndjejë e të gjykojë, nuk i “lutet” atij për t’i shfaqur simpati një personazhi që, në thelb, është një njeri pa maska shtirjeje.
Vepra e vë lexuesin përballë një pasqyre dhe i kërkon të dëshmojë me zemër në dorë nëse ndjehet sadopak fajtor që mund t’i ketë dënuar me mendje ata që, pa dashje dhe pa qëllim të keq, nuk kanë respektuar rregulloren e padukshme të sjelljes në publik — ata që, në skenën e jetës, kanë luajtur thjesht vetveten.
Përfundimisht, vepra na rikujton se gjëja që shkakton më shumë ankth nuk është mungesa e kuptimit të jetës, por ndrojtja për ta pranuar këtë fakt pa ushqyer shpresa dhe iluzione.