Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Erdhi me qeshje dritë. me energji rinore. U ul aty, në atë tavolinë skej Rrugës së Dibrës në Tiranë. Më befasoi qyshce në takimin e parë. Ai e donte një pemë gjeanologjike të fisit të tij të Ponarëve në rrethin e Tropojës. E për ma tepër për dhjetë ditë kohë: në “Të dyzetat” e babës së tij, Kadri Qerim Ponari – një njeri i fismë që ndrroi jetë ende i ri, i mbajtun, i fortë.
Kreshniki ishte i qartë, i vendosur, aktiv, pasionant e korrekt në nismën e tij. Djalë 31 vjeçar, i pashëm, i ditun, i shetitun. Prej vitesh jeton, punon e veprimtaron në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Ai donte me i njohë brezat e vet Ponari me rrënjë e degë, nga ma i pari i fisit Leka e dekterit tek djali i tij, Ayrtoni i vogël, i bukur e i lumtur. E, çka është ma e veçanta: e donte një njohje të tillë brezash: vertikalisht dhe horizontalisht, me degëzime për çdo derë e individ të fisit të Ponarëve, deri në dekadën e dytë të shek. XXI. Ai dëshironte mos me e harrue kërrkend: as ata që për arsyena të ndryshme nuk kanë lanë trashëgimtarë.
E, tjetra, ma e pazakonta: Kreshniki donte me i pasë degë breznie jo vetëm në linjën e gjakut, po edhe të tamlit (qumështit). Pra, dhe bijat e Ponarëve, me nipa e mbesa, me stërnipa e stërmbesa. Kjo nuk ka ngjarë në traditën etno-historike të Veriut. Po kjo ndodhi tek Kreshniki: ai në degëzimet Halilukaj (Qerim Q. Zenunit, Halit Q. Zenunit, Arif H. Bajramit, Azem Sh. Bajramit…), Hysenukaj, Metibraj, etj. i paraqiti dhe bijat e Ponarëve me brezni të tyne. Kjo tregon kulturën e tij qytetare, emancipimin e tij bashkëkohor. Një tjetër qasje të tij ndaj etno-historisë së fisit e të kohës.
2.
Aty, në krye të saj, e kisha futë një thanie: “Ponarët janë fisi më i vjetër në Malësinë e Gjakovës”. Menjëherë Kreshniki më dveti: a është e vërtetë kjo?! Kur i shpjegova se Krasniqja (dhe fisi Nikaj), Gashi e Bytyçi kur erdhën në brigje të Valbonës, në Lugun e Malësisë, i gjetën aty Ponarët e, përndryshe: prej atyhit u shpërndanë në vendbanimet e sotme të Tropojës, etj. ai u ndje ma i qetë, krejt i sigurtë. Ai donte që çdo fjalë për fisin e tij të ishte fakt, realitet, pa shtesa e nënkuptime. Ai nuk donte asgja të tepërt, të pa merituar e të pa faktuar, për fisin e tij.
Kjo anë e personalitetit të Kreshnik Kadri Qerimit të Ponarëve ishte një tjetër gëzim që më dha njohja me të, si një djalë i kohës, i të ardhmes.
Njohja me Kreshnikin ishte e rekomanduar për mirë nga daja i tij, Besnik Bajraktari, një nga djemtë ma inteligjentë jo vetëm të Tropojës, një jurist i zoti që ka marrë pjesë dhe në kongrese ndërkombëtare, një shahist i rrallë që luajtur dhe me Garry Kasparov – ma i madhi mjeshtër i shahut në të gjitha kohërat. Pra, Kreshniki e ka nanën e tij të shenjtë bash nga dera fisnike e bajraktarit të Shipshanit: e Din Bajram Bajraktarit, e Bekë Din Bajraktarit, e Tahir Bekë Bajraktarit, e Sali Tahir Bajraktarit, të cilët ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kryengritjet e Mëdha të Veriut, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duket se dhe Kreshniki, ky ponaras i fort i veçantë, ka marrë shumçka dhe nga genet e dajëve të vet. E, për të dyja, le të ndihet krenar i përjetshëm: edhe si djalë ponaras, edhe si nip i derës së Bajraktarit të Shipshanit.
Takimi ma i fundit me Kreshnikun ishte tek fillesa e “Tregut Çam”, kah rruga “Myslym Shyri”, tek një repart pune i specializuar për korniza të llojeve të ndryshme. Aty i kishte përgadit dy korniza me përmasa 60 cm x 80 cm, në të cilat kishte vendos skemën (pemën gjeanologjike) të fisit të Ponarëve. Iu kishte vnue dhe kambalec mbajtës, pasi dy kornizat si ekspoze do t’i vendoste në dy anët e hyrjes në lokalin në Tropojë, ku do të kryenin “Të Dyzetat” për babën e tyne Kadri Qerim Ponari, njeriut emërmirë, shpirtpastër, dinjitar në brezni. Atë ditë, në atë sallë, për kulla e brezni ponarase do të shpërndanin si dhuratë dhe 40 skema (pemë gjeanologjike) të tilla, si nderim, si homazh, si mesazh. Ky ishte një akt tejet i veçantë, që nuk e kam parë në asnjë rast tjetër në jetën time, në brezat tanë, në kohën tonë.
3.
Kastriot Ponari, ma i madhi ndër tre djemtë e Kadri Qerim Ponarit është biznesmen i mbarë, i punës, i fjalës. Është humanist, njerëzor, shoqëror. Me fitime të firmës së tij “Kassel Albania”, me kursimet e tij familjare, ka pak kohë që po punon për hapjen e një rruge 1.9 km të gjatë, 6 metra të gjanë, me standarde të nivelit të lartë: me kanalazime, tubacione të mëdha, etj. Kjo rrugë humaniteti, amaneti, hyjnore niston nga kulla e Qerimit e të çon për tek Varrezat e Ponarëve në Dushaj të Epërm po ecë drejt përfundimit. Në të vërtetë ka qënë një nismë e vet Kadri Qerim Ponarit, ndaj është me vend të mbajnë dhe emrin e tij.
Ai e ka dhe dy sipërmarrje: Pastrimin e Gështenjave të Ponarëve dhe me i hapë pesë puse për ujë në truallin e fshatit të vet, tek Ponarët. Në këtë vendbanim skej Drinit e Valbonës dhe veprës energjitike të Fierzës, ka legjenda e realitete për një kishë katolike të moçme të Dioqezës së Pultit dhe për ujin që vinte prej matanë Drinit, që u shterrë në një kohë, etj.
Kadri Qerim Ponari i ka lanë pesë fëmijë: dy çika e tre djemë. Ma e madhja Majlinda (me dy fëmijë Igli e Erisi). Pastaj vjen Mimoza. I treti është Kastrioti, babë i ri, me katër fëmijë: Kersli, Esteri, Haidi, Klestli. I katërti është Kasmeti, i martuar, e ka një djalë: Rigelsin. Kreshniki është ma i vogli, dhe ky me një djalë: Ayrtonin. E paçin njani-tjetrin kaq mirësisht, si deri më sot. I pastë gjithmonë kaq dinjitarë edhe dera e vet, nana e vet fisnike, fisi i vet emblematik, koha jonë shqiptare
E, me e lidh fillin aty ku e lame, themi se këto nisma si kjo për Skemën (gjeanologjia), Rrugën e re për tek Varrezat e Ponarëve, pesë puset në Dushaj të Epërm, pastrimi i Gështenjave të Ponarëve, e kanë një të veçantë: Ato po marrin udhë e disa sish kryhen për “Të Dyzetat” e babës së tyne, Kadri Qerim Ponari. Si rrallëherë e rrallëkund pesë fëmijët, veçmas Kastrioti e Kreshniku, i kanë ba të tillë homazh nderimi babës së vet në një kohë përkujtimore kaq të afërt: në 40 ditë, e medoemos ndonjë merr ma shumë kohë. I rëndësishëm është humanizmi, mesazhi i tyre.
Kastriot Ponari në faqen e tij në FB e cilëson Rrugën “një nismë e babit” dhe na e jep krejt motivin e humanitetin e ndërtimit e përfundimit të saj: ‘Shkoftë për shpirtin tënd, babi”! Kjo është një arsye tjetër ma shumë që të vlerësohet nga Bashkia e Tropojës emri i Kadri Qerim Ponarit, nisma e tij, këto kontribute humanitare të djemëve të rinj të fisit të moçëm të Ponarëve.