PRISHTINË, 30 Tetor/- Vërtetohet se eshtrat e sjella në Kosovë në vitin 1998 nga Mali i Zi, janë të heroit Isa Boletini. Për këtë, Departamenti i Mjekësisë Ligjore ka përgatitur një raport, sipas të cilit, në analizat përfundimtare kanë ndihmuar edhe ekspertë nga EULEX-i.
Raporti u prezantua sot gjatë takimit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi me familjarët e heroit kombëtar Isa Boletinit, kryetarin e komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtirin si dhe Arsim Gërxhaliun, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas raportit të hartuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga 8 mbetje kockore të sjella nga Mali i Zi, përveç vërtetimit se një palë janë të Isa Boletinit, është theksuar se një palë tjetër janë të Jonuz Ahmet Boletinit, ndërsa për 6 palë tjera nuk është arritur të vërtetohet identiteti.
Ministri Krasniqi, tha se në takim u bisedua për fazën tjetër të punës që është përgatitja e ceremonisë së rivarrimit të heroit tonë Isa Boletinit.
“Duke e ditur simbolikën dhe si kërkesë e familjarëve të Isa Boletinit, është vendosur që ceremonia të mbahet me datë 28 Nëntor 2014”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se gjithçka tjetër sa i përket ceremonisë do të vendoset në fillim të javës së ardhshme.
Ai shtoi se figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare dhe për organizimin e ceremonisë do të ketë koordinim dhe bashkëveprim edhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë.
Përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini falënderoi për përkushtimin e treguar në gjithë këtë proces, ndërsa theksoi se do të angazhohen si familje për ceremoninë e rivarrimit.(Kortezi-Maela Marini)