–INTERVISTË E RENATO CRISTINIT PËR NURENBERGUN E KOMUNIZMIT(2)/
Nga Roberto Mansilla Blanco më 5 maj 2020/
Renato Cristin është një filozof e profesor i filozofisë ndërpretuese pranë Universitetit të Triestes, n’Itali, dhe nismëtar i fushatës botërore Appeal for Nuremberg Trials for Communism, i prirur për të gjykuar krimet historike të komunizmit. Në këtë intervistë të posaçme për Qué Vaina!i përgjigjet pyetjeve tona mbi këtë nismë, mbi rolin e komunizmit në ngjarjet e sotme e në një vështrim shumë kritik padit regjimin e zaptuar nga Nicolàs Maduro dhe Chavizmin në Venezuelë.
(Pjesa e II)
A mendoni se vlerësimi historik i kësaj ideologjie ka qënë ai i duhuri?
Gjykimi historik i kuptuar si gjykim i historianëve mbi komunizmin paraqet vlerësime të ndryshme, simbas pikëpamjeve teorike e politike nëpërmjet të cilave historianët e kanë shqyrtuar komunizmin në bazë të formës së tij qoftë ajo komuniste ideologjike apo shtetërore. Ka një larmi opinionesh, por sot, me pëjashtim të njerëzve të përmalluar apo ideologjikisht të shtrembëruar, askush nuk mund të mohojë të vërtetën e krimeve të kryera nga regjimet e ndryshme gjatë viteve. Shumë përpiqen të dallojnë qëllimet nga përfundimet, duke pohuar se komunizmi ishte një ide e mirë, një hipotezë çlirimi njerëzor dhe mungesa e zbatimit të saj i kushtohet papërsosmërisë së njerëzve që e kanë birësuar, e pra edhe pasojat katastrofike, edhe plojët, nuk duhet t’i vishen idesë por njerëzve. Ështëe qartëqë justifikimi është po aq i dëmshëm sa mohueshmëria.
Si e sheh sot të majtën në rrafsh botëror? A mendon se ka qënë një vetëprovim i asaj që krimet e komunizmit kanë përbërë për historinë?
Bota e mbetur sot është në një gjëndje paradoksale. Nga një anë është trashëgimtare e mbytjes historike të projektit social-komunist, pra është dukshëm inferiore kundrejt vlerës së projektit që, për t’a thjeshtuar, po e quaj liberal-kapitalist, dhe vizionit të botës që është shpallur në qytetërimin perëndimor e që sot shtrihet në gjithë Vendet që përparojnë nën frymëzimin e tij.Nga ana tjetër, mbi të gjithë në Vende të tilla, ideologjia komuniste e – shndërruar në trajta të ndryshme dhe në mënyrë oportuniste e ndryshuar simbas rasteve – po lulëzon përsëri si ai që Bukovski e quante ”një tumor në trupin e racës njerëzore”; po i përshtatet rrethanave të reja gjeopolitike, dhe po riorganizohet për t’u lënë si trashëgim i diçkaje të re e të mirë, një projekt shoqëror që, në të kundërt, nuk ka prodhuar asgjë përveçse mjerim e shkatërrim. E zhytur në këtë paradox, e majta ka shpikur një shkurtore për t’i ikur qorrsokakut në të cilin historia i ka ngritur kurthin, në sajë të disa ndodhive historike të rastit e në sajë të disa aleatëve të vjetër e të rinj. Këto dukuri të rastit janë, për shembull, ndryshimet klimaterike, të paraqitura si një aspekt i një krize mjedisore planetare; trysnia mërgimtare nga Afrika e nga Azia që kërcënon Evropën e që e majta e sheh si një mundësi hakmarrjeje mbi kapitalizmin e si një rast për të sendërtuar botën e tretë që ka qënë gjithmonë pjesë e pasurisë së saj ideologjike; kriza të përsëritura ekonomike të ndërpretuara si shënja që paralajmërojnë shëmbjen e sistemit kapitalist, pra tërë sistemin ekonomiko-shoqëror perëndimor. Të gjitha këto dukuri janë shfrytëzuar nga bota sot për të fituar hapësirë politike dhe miratim të opinionit publik. Bashkë me këto e majta ka aleatë të fuqishëm: miq historikë si një pjesë të madhe të medias, shumica e përlyer me ideologji socialiste-komuniste e kundërperëndimore (edhe se e pacipë në të marrurit para nga manjatët e kapitalizmit të urryer), e rrjeshtuar në pozitat e tercomondizmit e të progresizmit radikal; aleatë institucionalë, për shembull Kombet e Bashkuara e të gjitha agjensitë e saj, nga FAO tek UNESCO, nga Zyra e Kombeve të Bashkuara të Komisarit të lartë për refugjatët deri tek Organizata Botërore e Shëndetësisë; dhe një aleat të ri e të papritur, Kishën katolike të drejtuar nga Papati i sotëm, për të qënë më të saktë, ajo pjesë e Kishës që ndjek teologjinë politike të Bergolios, të frymëzuar nga teologjia e çlirimit, ai “katoliçizëm komunizëm” që kishte shumë ndjekës në botë e që sot është bërë pozitë e shumicës së klerit, ndruaj edhe mes besimtarëve. Për shkak të autoritetit të rolit të tij dhe papërfillshmërisë së drejtuesve të së majtës së sotme, Papa aktual mund të quhet si udhëheqësi më hirplotë për të cilin e majta ka nevojë sot për të vazhduar t’ushqejë përfytyresën e përbashkët të pasuesve të saj.
Çuditërisht, në të majtën kishte më shumë vetëqortim në periudhën e mëparëshme ose në vitet menjëherë mbas rënies së murit të Berlinit, ndërsa sot e kanë kaluar atë fazë dhe kanë braktisur çdo qëndrim vetëqortues, duke u bërë gjithënjë e më shumë krenarë dhe luftarakë. Një vetëqortim i njimendtë, që nëse është i ndërlidhur nxjerr pasoja nga shqyrtimi i tij, do të shtrëngonte çdo njeri t’arsyeshëm të braktiste ata qëndrime. Pra nuk mbetet tjetër për ta veçse të kërkojnë rrugë teorike e praktike, sofizma që, siç kam vërejtur, i lejojnë idealit komunist të ruajë atë aureolë mistiçizmi që është bërë i domosdoshëm për këdo që është në gjëndje të besojë.
A mendon se jemi në prag të zgjedhjeve më radikale e populiste nga e maajta?
Në botën perëndimore, e majta duhet të shkojë përpara simbas dy tonesh ose shpejtësish: njëri me një profil t’ulët ideologjik, që mund të sigurojë përceptimin e saj si të përshtatëshme për të qeverisur e për të mos trembur zgjedhësit e sistemit liberal-demokrat, që nuk do të lejonin ndryshime rrënjësore; e një tjetër, me një karakter ideologjik më agresiv, që të mund të fryjë rastësitë (veçanërisht krizën ekonomike dhe ndryshimet klimatike) për të nxehur mëndjet e të rinjve, për të shtyrë në drejtim të mërgimit afro-aziatik n’Evropë, për të ndihmuar kryengritjet subversive në Amerikën Latine, siç kemi parë disa muaj më parë, ose për të inkurajuar lëvizje kryengritëse n’Evropë që të mund të shkaktojnë çrregullime shoqërore e të nxisin trazirat.
Si e karakterizon ideologjikisht Çavizmin? A e quan një trashëgimtar të tezave komuniste?
Simbas mendimit tim, Çavesi qe përfaqësuesi kryesor i një populizmi latinoamerikan që, duke bashkuar marksizëm-leninizmin me kombëtarizmin, gjeti një pranim të madh në të gjithë kontinentin (Aleanca bolivariane qe një rezultat rrënues por objektivisht i dukshëm)jo sepse kishte një thellësi të madhe teorike por sepse mori pushtetin në një nga Vëndet kryesore prodhuese të naftës. Në sajë të rezervave të naftës të Venezuelës e jo të zgjuarsisë politike të Çavesit, lëvizja u quajt Çavizëm mundi të formohet, të fuqizohet e të vazhdojë të mbajë edhe sot pushtetin në Venezuelë. Fija e naftës lidh efektivisht Vëndet që duket se kanë disa ngjajshmëri mes tyre: Rusia, Irani e, natyrisht, Venezuela me Kubën, kjo më shumë si një relike ideologjike se sa si aktore e barabartë, po të mbahet parasysh pafuqishmëria e saj ekonomike. Kujtoj qartë se si në 2007 Çavesi dhe presidenti i atëhershëm i Iranit firmosën një aleancë të hekurt ndërmjet dy Vendeve; kujtoj mirë shkëmbimet e vizitave ndërmjet tyre, arritjen ngadhnjyese t’Iranit në Karakas, pastaj qëndrimin në Kubë për t’i bërë nderimin “ajatollah” Fidel Kastros, e për të dhënë sigurinë e një lidhjeje që shihte të ngrihej një aleancë botërore ndërmjet islamikut Nazizëm e komunizmit, me objektivin e përbashkët për të shkatërruar fuqinë amerikane dhe Perëndimin në përgjithësi (përfshirë Izraelin, natyrisht). Me këtë aleancë, së cilës i u bashkua më vonë Rusia u përvijuan projekte të çuditëshme, si socializmi i shekullit 21: një çmënduri e mirëfilltë, skenarë strategjikë të padëgjuar, por mbi të gjitha energji të reja ideologjike, e ajo më shqetësuesja, ushtarake. Lufta kundër Perëndimit në 2007 kishte gjetur tashmë një bosht me një depërtim të fuqishëm gjeopolitik. Po të vazhdojmë me Amerikën e Jugut: të gjithë njohin trekëndëshin e kufirit ndërmjet Argjentinës, Paraguajit dhe Brazilit që është kthyer në një zonë, në fakt jashtëterritoriale, një qoshe e mbyllur pa ligjëshmëri nga mafia e trafikut të drogës dhe e përdorur si një pozicion i përparuar për xhihadin në Perëndim, si një hapësirë strehuese për fuqizimin ekonomik e ushtarak të grupeve terroriste, për të cilët të gjithë janë në dijeni por të cilëve askush nuk don t’u kundërvihet, që Çavesi i kishte vënë në lëvizje e mbas marrëveshjes me Iranin i kishte financuar. Për të paguar militantët e Hezbollahut e të Hamasit në Lindjen e Mesme e të qelizave të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, Irani nuk kishte nevojë për para çaviste, por Çavesi që me retorikën e tij neveritëse do të kishte bërë të rrotullohej në varr Simon Bolivarin, në fakt tregoi se nuk donte të nguronte aspak për të mbështetur atëherë revolucionin botëror komunisto-islamik të dëshiruar. Ideologjia Çaves-Maduro që ende është e formuar nga pak ide por ka shumë përkrahje ndërkombëtare, është njëra nga përshtatjet e komunizmit, në këtë rast në realitetin shoqëror e kulturor të Venezuelës, një formë e urryer pandërgjegjshmërie ideologjike që përfundon në diktaturë.
Si e sheh gjëndjen në Venezuelë?
Nicolas Maduro është një president i dhunshëmqë jo vetëm ka pushtuar zyrën, por që me ngritjen e një sistemi të përdhosur të nomenklaturës, me përdorimin ndrydhës të demagogjisë e me mbështetjen, deri tani ndoshta të përgjithëshme, të komandës ushtarake, i ka sjellë mjerim popullit të tij (gjithë popullit: edhe ata që zbresin në shesh për t’a mbështetur vuajnë në fakt nga mungesat të shkaktuara nga ekonomia politike çaviste). Një despot që është ngjitur në majën e pushtetit pa respekt për demokracinë e pa mëshirën më të vogël edhe për bashkatdhetarët që po vdesin dalngadalë nga uria e – jo më pak keq – pësojnë fatkeqësinë e shpërthimit vetiak të lirisë së tyre. Vetëm ideologët marksistë, politikanët pa ndjenja, ose figurat kishtare “bergoliane” mund të vazhdojnë t’a mbështesin atë diktaturë ose të shpallen të paanshëm ndërmjet Maduros dhe opozitës.
Përtej këtyre tipave, duhej t’ishte një mbështetje pa kushte shtysës së demokracisë e të lirisë të shpalosur nga opozita. Parlamenti evropian, në pranverën e vitit 2019, ka njohur ligjëshmërinë e presidentit të Asamblesë kombëtare venezuelane, Huan Guaidó, siç e kanë njohur më shumë se gjashtëdhjetë Vende, me në krye Shtetet e Bashkuara në vijë të parë (fatkeqësisht Italia nuk bën pjesë n’atë grup për shkak të qëndrimit pro – Maduro të Lëvizjes pesë yje; dhe as Vatikani, që ngulmon në tezën tërheqëse e kripto- socialiste të barazpeshës ndërmjet dy palëve, që megjithatë nuk mund të krahasohen). Por trysnia politike në lartësi të këtilla nuk është e mjaftueshme për të rrëzuar administratën e Maduros. Boshti i Rusisë, Iranit e sot edhe të Kinës, po mbështet një regjim të kalbur, por ende në gjëndje t’i marrë frymën opozitës. Prandaj çështjes i duhet mëshuar, me ndihmë edhe nga jashtë, për të dhënë ndihmesën që të përmbyset ky regjim gjithënjë e më mizor.
Një akt-akuzë ndërkombëtare e fajit mund të jetë një rrugë e mesme ndërmjet trysnisë politike (pothuaj gjithmonë shumë e ngadaltë dhe me efekt të pakët) dhe ndërhyrjes ushtarake (të padëshirueshme sepse do të kishte viktima ndërmjet qytetarëve, tashmë të telekosur nga varfëria maduriste): në këtë drejtim duhet të ketë një mbështetje të dukëshme ndërkombëtare urdhërit të arrestimit të Maduros, të nxjerrë nga Shtetet e Bashkuara e t’urdhëruar nga presidenti Donald Trump, por për të arritur këtë synim duhet të jetë një vullnet i qartë dhe qeveri që dëshërojnë të shpallin parimet e lirisë pa rezerva ideologjike.
Është e urueshme që një vullnet i këtillë të mund të gjejë mënyrën për të sendërtuar synimet e tij. Të gjithë ata që e bashkëndajnë do të duhej të vepronin në fushat e tyre përkatëse në mënyrë që qeveritë perëndimore të marrin një vendim që po bëhet gjithënjë e më urgjent çdo ditë. Nuk mund të jemi tepër optimistë, sepse njohim sot drejtimin ideologjik dhe burracakërinë e shumë partive në pushtet në Perëndim (përfshirë Bashkimin Evropian), por kemi besim në energjinë e ideve dhe në fuqinë e lirisë, që mund të vënë në lëvizje opinionet publike për të ushtruar trysni mbi faktin që qeveritë nuk mund t’i shmangen nëse duan të jenë vërtetë liberal-demokratike e jo vetëm të quhen të tilla.
Botuar në siton : International Freedom Education Foundation (IFEF)
E përktheu Eugjen Merlika