
Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA
E pastaj është guximi. Është ajo gjë me zanafillë nga më të ndryshmet dhe formash të shumta, që shfaqet papritmas e kur nuk e pret e që është guximi. Është në guximin mësimi i vërtetë e sigurisht më i vyer, që Ukraina po i jep sot botës. Nuk është vetëm vendosmëria sypatrembur e presidentit të saj. Është guximi i atij që pa patur mbajtur kurrë një pushkë në dorë shkon të vishet ushtar, edhe se e din se bën një hap ndoshta vendimtar drejt vdekjes (dhe janë dhjetra mijra); është guximi i djemve e vajzave që, në lulishtet e qyteteve, përgatisin shishet Molotov me të cilët nesër ndonjeri do të vrapojë para një tanksi në rrugët e Kievit apo të Odesës; është guximi I nënave që të vetme strehohen jashtë kufijve, të ngarkuara me fëmijë, pa bërë zë që burrat e tyre dhe bashkëjetuesit i braktisin për të shkuar të luftojnë. Është guximi I një zonje të moshuar që I del përballë një ushtari rus t’armatosur deri në dhëmbë duke I thënë ”çfarë bën këtu, ku nuk është shtëpia e jote?”. Është guximi I një grupi të vogël marinarësh, të cilët me shërbim në një ishull të parëndësishëm të Detit të Zi, anijes ruse që I urdhëron të dorëzohen i përgjigjen “shkërdhehuni!” pa e ditur fundin që do të kishin patur.
Nga vjen guximi? Sigurisht nga shumë anë. Por më së fundi, pothajse si gjithshka, vetëm nga një anë: nga idetë e nga vlerat. Nga ideja që kemi për vetveten e për jetën, nga vlera që i japim Vëndit që kemi për rreth e në të cilin jemi lindur, nga ideja që kemi për historinë e tij, për atë që i ka ndodhur para nesh atyre për të cilët ne jemi bij e nipa. Nga pesha e kuptimi që i japim secilës prej këtyre gjërave. Mbas shëmbullit të guximit që sot po japin Ukraina dhe njerëzit e saj gjindet një ndjenjë tepër e fuqishme dinjiteti vetiak por edhe përkatësie të përgjithëshme, ndihet të tingëllojë me një tingull shumë të qartë ideja se ka çështje për të cilat jeta mund të flijohet, për më tepër bindja se nuk mund të lejohet mujshia e atij që dëshëron të na detyrojë vullnetin e tij. E gjithë kjo së fundi e gatuar, si me thënë e kalitur dhe e çuar në një temperaturë shumë të lartë nga flaka e atdhedashurisë. Që nuk është krenaria dhe kërkimi i fuqisë së kombit të vet, është para së gjithash dashuria për Vëndin për historinë e zakonet e tij, e së bashku me dëshirën për të jetuar të lirë në të, të lirë për të përcaktuar fatet, duke i bashkëndarë me të tjerë që flasin të njëjtën gjuhë, por me të cilët jemi në gjëndje të merremi vesh pa nevojën e fjalëve, por vetëm me një shikim, me një shenjë të thjeshtë me kokë. Është nga atdhedashuria, nga kjo ndjenjë e lartë por e thjeshtë të të jetuarit e të virtuteve shoqërore, nga kjo lidhje që mban së bashku shoqërinë njerëzore, që lind guximi i sotëm i ukrainasve. Një guxim që ka të bëjë edhe me ne. Që – nëse nuk duam të fshehim kokën në rërë si struci – sot na pyet të gjithë neve, banorë të Perëndimit demokratik paqësor e të kënaqur. Çfarë ka mbetur nga atdhedashuria në shoqëritë tona? A do t’ishim ne italianët t’aftë me të njëjtin vetmohim, me të njëjtën njëzëshmëri e bashkësi qëllimesh, të bëjmë diçka të ngjajshme me atë që shohim të ndodhë në Kiev apo në Mariupol? Le të përgjigjet secili për vete. Por nëse përgjigja është me mëdyshje e madje një jo, atëherë duhet të pyesim veten edhe përse. Të pyesim përshëmbull nëse biseda e jonë publike – përtej ritualit të ngrirë e të zbrazur të çdo ceremonie zyrtare – a është në gjëndje të çmojë me të vërtetë vlerat që e shoqërojnë atdhedashurinë, nëse protagonistët e jetës sonë politike tregojnë ndonjë koherencë vetiake kundrejt atyre vlerave. Të pyetemi nëse vetë ato vlera, anasjelltas , mos janë të rrethuara zakonisht, sidomos në mjediset intelektuale e të mediave, nga një farë begenisje ironike që i vizaton tashmë si një gjë jashtë kohës. Të pyetemi përsëri, për shëmbull, se nga sistemi i ynë arsimor të rinjtë italianë – tashmë të katandisur pothuajse në mos njohjen e asgjëje nga historia e Vëndit të tyre – a mund të nxjerrin ndonjë mësim që ka të bëjë me ndjenjën e përkatësisë së përbashkët diçkaje. Kohët që po jetojmë tregojnë se si mund të ndryshojnë rrufeshëm gjërat, idetë e skenarët që i besonim më të sigurtët e më të qëndrueshmit. Sa mund të zbulohet e thyeshme, mund të zhduket në një javë, gjithshka kishim besuar deri dje. Shumë gjëra të së sotmes janë të parcaktuara të mos jetojnë më gjatë. Por për guximin e për atë që e ushqen atë është e vështirë që të mos ketë më nevojë. Më së fundi – lexohet në faqen e një libri të madh e shqetësues, “Perëndimi i Perëndimit” – mbrojtja e qytetërimit është varur gjithmonë nga një detashment njerëzish t’armatosur”. Fjalë që vlejnë aq sa vlen një profeci: por nëse vërtetë do t’ishte kështu, si do të bënin ata njerëz nëse nuk do të kishin guxim, nëse shpirti i tyre do t’ishte i përkulur nga frika?
“Corriere della Sera”, 28 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika