Dr. Afrim Shabani/
(Kohët e fundit, në çdo tubim shqiptar, bisedat nuk mund t’i shmangen një të vërtete të dhimbshme: largimi i njerëzve nga atdheu, veçanërisht i të rinjve. Si dikush që e ka përjetuar këtë ndarje, ndiej nevojën të ndaj mendimet e mia për këtë çështje që prek secilin prej nesh.)
Ka një peshë të rëndë mbi fjalët e mia sot. Është e vështirë të flas për qëndresën kur vetë jam larguar, kur ky truall më mban me një këmbë këtu dhe një tjetër në andrallat e një toke të huaj.
Nuk mund të hesht për këtë ikje që po na zbraz qytetet, po na rrënon shtëpitë, po na tret ëndrrat. Ikim jo nga dashuria për të huajën, por nga nevoja, nga një politikë që s’di të qeverisë, nga një ekonomi që s’di të mbajë bijtë e vet. Kemi një tokë të bekuar, por një dorë të mallkuar që e zhvesh nga pasuria dhe ua fal të huajve. Shqiptaria jonë, e lashtë dhe krenare, nuk meriton të kthehet në një kujtim të largët për bijtë e saj.
E di mirë se të thuash “qëndroni” duket si një fjalë boshe kur shpresa tretet çdo ditë. Por dua t’u them të rinjve tanë se kjo tokë, sado e lodhur, s’ka pushuar së qeni toka jonë. Ajo pret, e heshtur dhe krenare, që dikush të qëndrojë, të provojë, të besojë. Prosperiteti nuk është i pamundur, por kërkon durim, kërkon një betejë me veten dhe me kohën.
Ne që kemi ikur, e mbajmë shqiptarinë si një plagë dhe si një nder. Ju që jeni ende atje, mos e lini të bëhet vetëm një kujtim. Mos u dorëzoni para padrejtësisë, para zhgënjimit, para fjalëve të kota që premtojnë shumë dhe japin pak. Shqiptaria nuk është një vend që braktiset, por një shtëpi që ribëhet çdo ditë me gjakun dhe djersën tonë.
Por sot, më lejoni t’i përulem me respekt atyre që kanë qëndruar, atyre që, mes mungesave dhe vështirësive, kanë zgjedhur të mos ikin. Ata janë rojtësit e heshtur të pragjeve tona, të varreve të të parëve, të gjuhës sonë të bukur që rrezikon të humbasë në erërat e huaja. Ata janë shpresa që ende mban ndezur një dritë mbi këtë tokë të lashtë, një dritë që ne të tjerët, nga larg, e shohim me mall dhe mirënjohje.
Por edhe ne, ata që u detyruam të largohemi, nuk kemi ikur pa gjurmë. Në çdo faqe të historisë sonë kombëtare, mërgata shqiptare ka qenë një forcë e heshtur, por e pranishme. Nga gurbetçarët që ruanin gjuhën mes rrugëve të botës, te penat që shkruan letrat e mëdha të lirisë, ne kemi mbetur bij të kësaj toke, edhe kur kemi jetuar larg saj. Në çdo histori suksesi të ndërtuar larg atdheut, në çdo vepër që mban gjallë emrin shqiptar, në çdo ëndërr të realizuar pa harruar rrënjët, ne kemi kontribuar, kemi dashur, kemi sakrifikuar. Ikja jonë s’është një mohim, por një përpjekje për të mos u shuar.
Unë nuk jap këshilla, se nuk kam të drejtë. Por di të them këtë: kush qëndron, nuk është i humbur. Është luftëtar. Dhe në këtë botë, vendin e tij e bën ai që qëndron.
Në fund, mos harroni: Shqipëria nuk ka nevojë për mëshirë, por për njerëz që e duan siç është, me gjithë plagët e saj.