Ruben Avxhiu/
Me Dalip Grecën kam punuar së pari në redaksinë e gazetës “Republika”, në Tiranë, në vitet 1998-1999. Me ftesë të botuesit të atëhershëm Ekrem Bardha, iu bashkuam gazetës “Illyria”, në New York, në korrikun e largët të vitit 1999. Që të dy, për arsye të ndryshme, nuk menduam se po vendoseshim përgjithmonë në SHBA. Mirëpo, Shqipëria kishte kaluar vitet më të rënda të tranzicionit, gati luftë civile dhe shembje totale e shtetit në 1997, prag luftë civile pas vrasjes së Azem Hajdarit në 1998, potencial për konflikt të ri edhe në Shqipëri, nëse NATO nuk ndërhynte në Kosovë, në 1999.Dy muaj pas mbërritjes në New York, morëm vendimin që të qendrojmë aty. Kam jetuar me Dalipin në një apartament për gati një vit në periudhën 1999-2000, përpara se të na vinin familjet përkatëse. Në gazetën “Illyria”, kemi punuar me zyrat apo tavolinat ngjitur filimisht në Bronx e pastaj në Manhattan, me ndonjë shkëputje nga 1999 në 2009.Edhe kur kaloi në gazetën “Dielli” kemi punuar bashkë sepse unë bëja faqosjen e “Diellit” që prej vitit 2004, me Anton Çefën dhe Agim Karagjozin.Dalipi ishte shumë punëtor dhe i pasionuar për gazetat ku punonte. Ishte pjesë e suksesit te “Republika”, “Illyria”, dhe sidomos te “Dielli”, ku punoi deri sa doli në pension.Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë në mërgim, solli familjen në SHBA dhe u dha një jetë të re. Për ta kjo humbje e parakohshme do të jetë veçanërisht e rëndë. Po ashtu do të jetë për miqtë e shumtë që bëri në atdhe dhe në komunitet.Ndoshta do të shkruaj në të ardhmen më shumë për aventurën tonë amerikane, nëse do të jetë mundësia. Ikja e Dalipit është nga ato ngjarje që na kujtojnë se sa i paparashikueshëm është fati i njeriut. Me prindër jetëgjatë, kujdesin për shëndetin, me praninë e tij të përhershme me shkrime e komente, Dalipi dukej shumë më i ri sesa mosha që kishte dhe të bënte të besoje se do të kishte një jetë të gjatë si ajo e prindërve të tij.Mirëpo, fundi vjen për këdo dhe shpesh jo atëhere kur e pret. Disa punë vijnë me më shumë stres se disa të tjera. Disa ngatyra njerëzore përfshihen më shumë emocionalisht se të tjerë e askush nuk e di se sa gjurmë lënë kthesat e jetës te secili prej nesh.Nuk ka dyshim se Dalipi kishte ende shumë për të dhënë, si e dëshmon edhe frekuenca në rritje e shkrimeve të javëve të fundit. Në një farë mënyre, iku duke shkruar. Tani do të pushojë i qetë.