

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2025
“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 30 prillit 1913, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Trieste rreth dorëzimit të Shkodrës dhe fatit të ardhshëm të Shqipërisë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një intervistë me Bib Dodën, princin e Mirditës

Prenk Bib Dodë Pashai, princ i Mirditës, ndodhet përkohësisht në Trieste. Pas një qëndrimi të gjatë në Itali, ku ka jetuar pothuajse në heshtje, duket se ka ndërmend të kthehet në Mirditën e tij malore, të cilën prej gati një viti nuk e ka parë.
Ai është një figurë madhështore shqiptari, me përmasa atleti dhe me një vështrim të gjallë inteligjence e dinakërie. Flet disa gjuhë; në italisht shprehet me qartësi të rrjedhshme dhe korrektësi. Një energji krenare i lexohet në fytyrë; dhe me të vërtetë, ai është prijësi i 50.000 mirditorëve dhe i rreth 150.000 shqiptarëve të tjerë që jetojnë në fise të shpërndara në kufi me Mirditën dhe që e njohin atë si krye të tyre shpirtëror. Njeri veprimi, ai ka qenë shumë i frikshëm për Abdul Hamidin, i cili për njëzet e tre vjet e mbajti në mërgim, larg atdheut. Megjithatë nuk ka mbajtur mllef ndaj sulltanit të vjetër gjakatar, i cili, ndonëse e internoi, e kishte emëruar pashë civil dhe ushtarak; përkundrazi, edhe sot ai vlerëson mendjen e ndritur dhe vullnetin e prerë të tij. Madje, në shpërthimin e revolucionit xhonturk, e kishte nxitur sulltanin të rezistonte me çdo kusht, por më kot, sepse Abdul Hamidi nuk kishte ditur tu qëndronte presioneve të shqiptarit inteligjent, i cili në ardhjen në pushtet të xhonturqve shihte anarkinë dhe shkatërrimin e Perandorisë Osmane.
Bib Doda më priti në dhomën që zinte në hotelin “Excelsior” të sheshit, ku shumë anëtarë të kolonisë shqiptare të Triestes kishin ardhur për ti bërë nderime. Duke pasur parasysh peshën e personalitetit të tij dhe momentin e rëndë politik, kisha frikë se princi do të kishte ndonjë hezitim për të dhënë një intervistë. Përkundrazi, sapo i ishte dorëzuar kartëvizita ime, më priti me përzemërsi dhe me një familjaritet shumë të sjellshëm.
Natyrisht, sipas zakonit të mirë shqiptar, ende pa hapur gojën për të formuluar pyetjen e parë, Bib Doda më ofroi një cigare. Pastaj, pa pritur që ta pyesja, filloi të fliste :
— E marr me mend tashmë qëllimin e vizitës suaj. Rënia e Shkodrës është një fakt që më ka hidhëruar thellësisht mua, ashtu si çdo shqiptar tjetër. Sidomos kushtet në të cilat ndodhi kjo rënie e kanë komplikuar edhe më tepër çështjen tashmë të ndërlikuar shqiptare, në një mënyrë vërtet të papritur. Megjithatë do të gënjeja po të thosha se nuk e kisha parashikuar tashmë dy javë më parë, duke biseduar pikërisht me disa shqiptarë të Triestes, goditjen — po ta quajmë kështu — të Esad Pashës.
— Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për një marrëveshje të mirëfilltë midis Esadit dhe Malit të Zi?
— Jo vetëm kaq mendoj, por shtoj se në organizimin e këtij mashtrimi ndaj Fuqive të Mëdha shoh dorën e Rusisë dhe pëlqimin e plotë të Turqisë. Esad Pasha ka vepruar me siguri nën trysninë e ardhur nga Stambolli dhe ka gjetur Malin e Zi të gatshëm ta ndihmojë lojën e tij.
— Si e shpjegoni dorëzimin e Shkodrës nga ana e gjeneralit, pasi e kishte mbrojtur kaq me ngulm dhe për kaq kohë?
— Esadi është mysliman dhe e gjithë forca e tij qëndron në ndikimin e madh që gëzon mbi elementin shqiptar mysliman, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Pikërisht aty ai zotëron prona të mëdha feudale dhe aty dëshiron të krijojë bërthamën e mbretërisë së tij, e cila, për tu varur nga sovraniteti i Portës së Lartë, duhet patjetër të jetë një mbretëri thelbësisht myslimane. Shkodra katolike, përkundrazi, nuk përbën për të, as për synimet e tij, atë interes që mund të mendohej. Prandaj sakrifica që ai bën duke e dorëzuar — gjithnjë nëse versionet e dhëna deri tani nga shtypi janë të sakta — Malit të Zi, nuk është aq e rëndë.
— Shkëlqesia Juaj beson në suksesin e kësaj ndërmarrjeje të guximshme?
— Nuk është kurrë e mençur të bëhen parashikime në çështje kaq delikate: e keni parë sa befasi mund të ndodhin! Por nuk besoj se gaboj po të them se, nëse Xhavit Pasha i bashkon vërtet forcat e tij me ato të Esadit, pozita e mbrojtësit të Shkodrës në Shqipërinë e Mesme do të forcohet aq shumë, sa do tu shkaktojë jo pak shqetësime atyre që dje mendonin se, në rast të një pushtimi ushtarak, do të ndeshnin vetëm fise të varfra malësorësh të paarmatosur. Pas provës që ka dhënë në Shkodër, nuk ka nevojë të shpjegohen më tej cilësitë e tij si ushtar.
— Pra, më shumë se një “bluf”, Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për diçka serioze?
— Pikërisht kështu besoj.
Biseda u kthye më pas te qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj Malit të Zi.
Prenk Bib Doda e njeh shumë mirë mbretin Nikollë.
— A do të tërhiqet mbreti i vjetër?
— Jo, — u përgjigj princi. — E njoh shumë nga afër karakterin e mbretit malazez për të supozuar se ai do të heqë dorë nga Shkodra. Tani që është aty, do të bëjë gjithçka për të qëndruar.
— Cila zgjidhje i duket sot Shkëlqesisë Suaj më e dobishmja për Shqipërinë e re?
— Ka vetëm një zgjidhje, — u përgjigj Bib Doda pa hezitim. — Ndërhyrja evropiane, qoftë e Austrisë e vetme, e Austrisë së bashku me Italinë, apo kolektive e të gjitha Fuqive të Mëdha, është krejtësisht pa rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që ndërhyrja të ndodhë, dhe të jetë energjike, sa më shpejt të jetë e mundur.
— Ndërhyrje diplomatike?
— Jo, ushtarake! Përndryshe, lamtumirë Shqipëri. Shqipëria ende nuk është e pjekur; pa një pushtim të përkohshëm të huaj, ne do ta shohim të copëtuar nga luftëra të brendshme ndërmjet fisesh e fisesh, ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve. Vetëm një sundim i jashtëm mund të baraspeshojë energjitë ende të egra që gjenden në vend. Çështja e sovranit duhet të kalojë në plan të dytë: më parë duhet të krijohet “shteti” dhe pastaj mund të mendohet për një mbret.
Dhe duke shqiptuar këto fjalë me theks të një bindjeje të sinqertë, Bib Doda Pashai ma shtrëngoi fort dorën në shenjë lamtumire.
Mario Nordio