(Origjina, kultura dhe përhapja e tyre)
Bardhyl Adem Selimi
Një ndihmesë e vlefshme për historinë tonë
Protohistoria, sipas enciklopedisë, është periudha nga bronzi e deri kur njerëzit ende nuk kishin histori të shkruar, por kishin elementët e tjerë kulturorë, si bashkëjetesa në grupe shoqërore, punimi i tokës dhe mbarështimi i bagëtisë, zejtaria, gjuha e folur etj
Profesori Ibrahim Osmani – Kelmendi rreket të ndriçojë këtë protohistori të ilirëve, paraardhësve tanë. Referenca janë të shumta dhe bashkëkohore kur ai jetoi deri 1979.
Djaloshi nga Presheva i kreu studimet e mesme në shkollën e mirënjohur si “Medreseja e Madhe e Kral Aleksandrit” në Shkup, mandej studioi për histori në Beograd, Peruxhia dhe Zagreb. Si shumë të rinj të asaj kohe, jo vetëm kureshtarë, por edhe të vetëdijshëm për fatet e gjysmës së kombit shqiptar të mbetur në Ish Jugosllavinë Mbretërore, Ibrahimi pëlqeu të hulumtojë në histori, për t’iu përgjigjur gjithë atyre teorive të gënjeshtra të historianëve sllavë për prejardhjen e shqiptarëve. Dhe Kosova kishte shumë nevojë për këtë!
Që kur jepte mësim në Normalen e Prishtinës të hapur në 1941 pas bashkimit të pjesës më të madhe të Kosovës me shtetin amë, ai bashkëpunoi me drejtorin e atëhershëm, Rexhep Krasniqin dhe hartoi tekste për nxënësit. Por, kur në vitin 1943, Kosova kërcënohej seriozisht nga një ripushtim sllav, që mundësohej edhe nga bashkëpunimi i komunistëve jugosllavë me ata shqiptarë, sidomos pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ai e kuptoi se para se të kërkojë histori, atdheu kërkonte pushkë e zemër që të mos e shqyejnë të tjerët. Kështu, Ibrahimi e la pendën dhe hodhi në krah pushkën që e përdori me shumë vullnet për mbrojtjen e Preshevës dhe trevave të tjera shqiptare.
Vetëm pasi Kosova dhe viset e tjera n ëish Jugosllavi u pushtuan me ndihmën e partizanëve nga Shqipëria, për të mos vijuar një luftë vëllavrasëse, prof. Kelmendi mori rrugën e mërgimtarit politik në kampet e Greqisë, së bashku me qindra luftëtarë të tjerë, në mes tyre edhe tim atë dhe Luan Gashin e Abdyl Hencin. Bashkë me tim atë, nga viti 1953 ai mërgoi në Australi ku vijoi punën si mësimdhënës dhe hulumtues shkencor, duke shfrytëzuar arkivat e shumë shteteve dhe literaturën përkatëse.
Tërë kohën ai punoi në kuadër të Partisë së Ballit Kombëtar, bashkëpunoi me revistat e emigracionit politik dhe mori pjesë në konferenca shkencore. Prandaj emri i tij ishte lakuar dhe vetë ai ishte shigjetuar shpesh nga regjimet komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri. Mjerisht, nuk jetoi gjatë.
Dorëshkrimet e tij, fatmirësisht, i mblodhi, i ruajti dhe i përgatiti për botim një nip i tij, juristi Feti Shaipi bashkë me të shoqen e Fetiut, Hyrijen.
Kur i kam parë tre libra të tij, dhuruar nga Fetiu, më ka ardhë shumë keq që kryetari i atëhershëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, arkeologu Myzafer Korkuti, i pranoi me një farë përçmimi. Sidoqoftë, vlerat e prof. Ibrahimit nuk kanë humbur. Në fund të korrikut 2021, presidenti i Shqipërisë e dekoroi atë me “Urdhërin e Skënderbeut”.
Mblodhi Bardhyl Adem Selimi, 29 shtator 2021