Arben Iliazi/
Sali Çeka lindi më 20 gusht 1892 në Filat të Çamërisë në një familje të njohur atdhetare. Në qytetin e lindjes mbaroi shkollën fillore me mësues Qamil Çamin. Që në bankat e shollës fillore u edukua nga mësuesit e tij me ndjenja patriotike. Shkollën e mesme turke (idadije) e kreu në Janinë dhe studimet e larta për pedagogji në Bezanson (Francë). Mё 1913 vihet nё dispozicion tё Qeverisё Kombёtare tё Vlorёs. Mё 27 shtator 1913 emёrohet mёsues nё Normalen e Elbasanit. Më 1922 drejtor i Normales sё Elbasanit. Mё 1923 inspektor i pёrgjithshёm nё Ministrinë e arsimit nё Tiranё. U zgjodh përfaqësues i krahinës së Sulovës në Kongresin e Lushnjës. Drejtoi “Revistën pedagogjike” (shtator 1922 – korrik 1923), ku i hapi rrugë mendimit kritik mbi bazat shkencore e pedagogjike për problemet e arsimit dhe shtroi parimet bazë të ndërtimit të shkollës kombëtare e laike në Shqipëri. Mori pjesë në përpjekjet e demokratëve shqiptarë për emancipimin politik të shoqërisë shqiptare, si dhe ishte anëtar i shoqërisë demokratike “Bashkimi” (1922-1924) dhe i grupit elektoral “As i pashës, as i beut”, gjatë zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923. Botoi dhe drejtoi gazetën përparimtare “Ku vemi?” (12 janar 1924 – 19 tetor 1924). Pas dështimit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, në shkurt 1925, u vra pabesisht nga xhandarmëria, sipas dëshmive jo zyrtare.
***
Në memorien kombëtare, ku kujtesa dhe harresa bëhen bashkë dhe të tjera gjëra fiksojmë, tragjikisht, ndër shumë të tjerë, është harruar edhe kjo figurë me përmasa kombëtare, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave.
Sali Çeka ishte një misionar i ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar për dije e arsim, atdhetar vizionar e demokrat revolucionar, shkrimtar, publicist, studiues e mendimtar i kohës së tij në Shqipëri në vitet 1912-1924.
Sali Çeka i dha arsimit kombëtar kontributin e tij të vyer. Hartoi tekste, programe e projektligje për arsimin se si duhet të funksionojë. Botoi në Elbasan tekstin “Këndimi i shpejt i shpjegueshëm”, për shkollat fillore etj. (Arkivi Qëndror Shqiptar, Fondi i Minstrisë së Arsimit, viti 1923, dosja 29). Gjithashtu, në këto vite plot ngjarje e veprimtari të dendur atdhetare, ai ishte një nga iniciatorët e kongreseve arsimore që u zhvilluan në 22 korrik 1922 dhe 12 gusht 1924. Sali Çeka informonte Ministrin e Arsimit për kërkesat e masat që duhen marrë për arsimin. (Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi i Ministrisë së Arsimit, dosja D, nr 6.) Si inspektor i përgjithshëm i arsimit në vitet 1923-1924 i kërkoi Këshillit të Ministrave të hapen 110 shkolla të reja në gjithë vendin (Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi 295, dosja 25). Ndërkohë, në Elbasan, Sali Çeka nuk e kufizoi veprimtarinë e vet brenda shkollës Normale, që konsiderohej ikonë e arsimit shqiptar, universiteti i parë shqiptar. Me një vokacion të qartë perëndimor e demokrat Çeka iu përkushtua edhe gazetarisë dhe letërsisë.
Gazeta “Ku vemi”, që Sali Çeka themeloi në vitin 1924, trajtoi problemet e bashkimit të kombit dhe ruajtjen e pavarësisë së Atdheut, por edhe situatën shqetësuese që diktonte gjendja politiko-shoqërore e ekonomike e vendit.
Në “Revistën Pedagogjike” që ai drejtoi, (shtator 1922 – korrik 1923) punoi me dashuri e këmbëngulje për mëkëmbjen e përparimin e arsimit kombëtar, lëvrimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare.
***
Ndaj në këtë përvjetor të vdekjes së Sali Çekës, figurë e shquar e arsimit kombëtar, iluminist i rrallë, misionar i shpërndarjes së dritës, është rasti të hedhim pak dritë mbi arsimin kombëtar, që ka qenë dhe duhet të mbetet çështja më e rëndësishme ekzistenciale e shqiptarëve.
Arsimin shkrimtari i madh francez Viktor Hygo e ka quajtur “Dritë të popujve”. Njerëzit e dijes si Sali Çeka, e para tij Rilindasit me Hasan Tahsinin në krye, i kushtuan arsimit kombëtar të gjitha energjitë dhe jetën e tyre, duke e vlerësuar atë si një çështje madhore, që modelon dhe konstrukton vetëdijen kombëtare dhe të ardhmen e shqiptarëve, në të gjithë kuptimet e mundshme historike.
Në qoftë se sot, në mënyrë krahasimtare, bëjmë një paralelizëm me standartin dhe cilësinë që ofronte Normalja e Elbasanit, kur drejtohej nga Luigj Gurakuqi, Sali Çeka e të tjerë personalitete, rezultati është si dita me natën. Nëse Normalja kishte karakter mbarëkombëtar, duke u bërë një unazë e forte e boshtit kurrizor etnik të shqiptarëve, fortesë e rezistencës dhe ngritjes së vetëdijes kulturore, kombëtare e politike të shoqërisë shqiptare, sot arsimi kombëtar është në anarki e konfuzion të plotë. Në këto 33 vjet të tranzicionit demokratik nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston një program unik arsimor, që çdo shqiptar, kudo që të jetë në botë, të mund të diplomohet, në bazë të kritereve arsimore në shtetin amë e me të drejta të njëjta. Kjo do të thotë, që programi arsimor i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni e ne Mal të Zi, etj., po edhe në diasporë, (ku janë hapur dhe vazhdojnë të hapen shkolla shqipe) të jetë i njëjtë me programin arsimor të shqiptarëve të Shqipërisë. Ky program unik arsimor do të çonte natyrshëm drejt unicitetit të kombit, si një arritje historike me peshë. Pa këtë unifikim të arsimit kombëtar nuk mund të kemi institucione të fuqishme, që mund të përfaqësojnë ndërgjegjen dhe procesin identifikues dhe të dallueshëm të shqiptarëve në botë. Pra e vetmja strukturë, që mund të mbante gjallë kujtesën dhe vetëdijen kombëtare, ose për të krijuar idenë e një identiteti apo të një personaliteti identitar të shqiptarëve, është vetëm struktura e arsimit kombëtar. Por nuk është vetëm mungesa e unifikimit plaga më e madhe e arsimit tonë. Arsimi kombëtar sot është komercializuar dhe dobësuar në mënyrë të frikshme. Me Ligjin e Arsimit të Lartë, që ka minuar djallëzisht dhe padrejtësisht strukturën publike, në favor të strukturës private, është shkelur rëndë e drejta kushtetuese të shqiptarëve për arsimin e lartë falas. Po ashtu ka humbur cilësia e mësimdhënies dhe mënyra e ndershme inteligjente e fitimit të diturive, duke e shkëputur arsimin totalisht nga tregu i punës. Strukturat e arsimit janë mbushur me “personalitete” të rremë e fals, madje dhe antikombëtarë, me tituj e grada të padenja, të cilët kanë hartuar kurrikula që çorientojnë nxënësit dhe studentët, kompremetojnë të ardhmen e arsimit dhe përdhosin historinë kombëtare.
Iluministi çam Sali Çeka, i cili i kushtoi gjith jetën lartësimit kombëtar përmes Dijes, nuk do ta mendonte kurrë se do të vinte një ditë, pas 100 vjetësh, që emri “Çamëri” nuk do të përmendej në tekstet shkollorë, pasi këtë e ka kërkuar Greqia!
Arsimi kombëtar duhet të jetë sot për shqiptarët shqetësimi më i madh qytetar, në situatën e sotme. Pa arsim kombëtar nuk ka ndërgjegje kombëtare. Arsimi e përbën, ose edhe e shpërben kombin.