
Satirë nga Rafael Floqi
Në një zhvillim që trondit çdo ëndërr për “pasaportën europiane”, Bashkimi Europian ka dalë me një reagim që shpërthen tullumbacen e retorikës elektoraliste të Edi Ramës. Në një deklaratë ekskluzive BE sqaron se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk varet nga fitorja e Partisë Socialiste (PS), as nga një shumicë elektorale e pastër si uji i burimit, por është një proces që ndikohet nga reformat, jo nga fjalimet dhe sloganet që kërkojnë “votën pro BE-së”.
Duket se piktori po përpiqet që flamurin blu të BE-së ta shndrojë në mavinë e PS-së. E ndërsa Edi Rama, i cili është i angazhuar në një maratonë elektorale për të bindur shqiptarët se vetëm një fitore e PS-së mund të hapë dyert e Brukselit, ka tërhequr vëmendjen për “shpejtimin e negociatave” dhe “pasaportën europiane” si një premtim magjik mavi. Bashkimi Europian ka ardhur me një përgjigje të thjeshtë dhe të pakundërshtueshme: se ajo nuk funksionon kështu, sado macja të mburret që po ha dhe mijtë e vet.
Në fushatën e tij, kryeministri Rama e ka shndërruar 11 majin në një “moment të fortë për integrimin”, duke thënë se më shumë vota për PS-në do të nënkuptonin një “mesazh të qartë” që do të çonte Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.
Ai është munduar të shndërrojë çdo fjalim në një akt të tillë të integrimit, duke e paraqitur fitoren e PS-së si një udhërrëfyes për suksesin e negociatave me të njejtin pasion që thoshte se shëndetsia do të ishte falas, apo siç thotë tani me gjepura fushate se paga minimale do të jetë 500 EU. Si premtim elektoral është i goditur si zgjidhe për ekonominë nuk është afatgjatë. Është lajm i mirë për ata që do të rritet paga, por nuk është zgjidhe që të dalin nga niveli i varfërisë. Një pagë minimale e rritur pa masa të tjera, bën që biznesi të ulë punëtoret. Rroga të larta dhe çmime të larta fuqia blerëse mbete e njejtë.
“Kur të votoni mendoni të shkuarën”, u shpreh kryeministri Edi Rama drejtuar shqiptarëve në Athinë gjatë një takimi të zhvilluar në kuadër të turit me Diasporën. Kryesocialisti Edi Rama, u shpreh se shqiptarët zgjodhën rrugën e vështirë atë të emigrimit, duke shtuar se tashmë ka ardhur koha që Shqipërisë t’i kthehet dinjiteti. Ç’e duan emigrantët pashaportën e BE-së, ata që mbërritën në BE duke kaluar nëpër male dhe dete, ata janë si thotë frëngu, deja në BE.
Në një fjalim që mund të konsiderohet “shpikje e re e fushatës”, Rama arriti deri aty sa të sugjeronte se rezultatet e zgjedhjeve do të ishin të rëndësishme për një “lexim të qartë” nga Brukseli, duke pohuar se një fitore e PS-së do të krijonte “shpejtësi në antarësim”.
Kështu, sipas tij, nëse shqiptarët do të votonin për PS-në, ata do të ishin të “gjithë të bashkuar” dhe do të shihnin brenda vitit integrimin në BE. Gjithçka në emër të një votimi që, sipas tij, do të shpinte Shqipërinë drejt “dritës së Europës”.
Por ky lloj entuziazmi ka shuar shumë shpejt kur Bashkimi Europian është shprehur qartë se procesi i integrimit është një histori krejt tjetër. I pyetur për ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 Majit, Delegacioni i BE-së në Tiranë u përgjigj me një deklaratë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë: Integrimi nuk varet nga një fitore elektorale, por nga procesi i reformave të thella dhe përmbushja e kushteve për antarësim.
Përfundimisht, BE e hodhi poshtë me vendosmëri ideologjinë elektorale të Ramës, duke e kthyer këtë çështje në një proces të vërtetë institucional dhe kombëtar. Përkundër asaj që paraqitet në podiumet e fushatës, asnjë fitore e PS-së nuk do të “hidhte hapa” për një antarësim të shpejtë, sepse vlerësimi bëhet mbi meritat, progresin në reformat dhe jo mbi një rezultat elektorali që mund të “ndihmojë” në një “shpejtim” të procesit.
Në këtë kontekst, BE përsëriti se integrimi është një “objektiv strategjik kombëtar”, mbështetur nga shumica e shqiptarëve dhe mbështetje ndërpartiake, që kërkon më shumë se një fushatë elektorale të përqendruar në sloganet e “bërjes gati” për BE. Sipas BE-së, kriteret e vërteta janë ata që do të përcaktojnë nëse Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës dhe lirinë e medias, jo aritmetikën e votave që i japin PS-së një mundësi më shumë në kutitë e votimit.
Në fund, ndërsa Rama vazhdon të shesë integrimin si një “përfitim elektoral”, BE ka kujtuar se ky është një proces që e kalon çdo palë politike. Nëse dikush do ta sjellë Europën, ai është standardi i demokracisë, jo ndonjë fjalim i partisë që lëkund çdo shpresë të qytetarëve.
Tani, duke hedhur poshtë çdo premtim të mëtejshëm për “shtimin e shpejtësisë”, BE na ka thënë qartë: Një pasaportë europiane nuk vjen me votën për PS-në, por me përmbushjen e detyrave që duhet të përmbushë çdo qeveri dhe çdo parti politike.
Edi Rama u premton shqiptarëve hyrjen në BE, ndërkohë që gjysma e ministrave të tij janë në burg për korrupsion. Po ndoshta mendon se qelitë e 313-ës janë ‘dhomat e pritjes’ për në Bruksel. E detyrat e shtëpisë që kërkon BE-ja? I ka lënë për ‘vjeshtën e tretë’… pas 12 vitesh pushimesh verore në qeverisje!” dhe si konluzion një meme.
“Nga korrupsioni në integrim — drejt BE-së në rrugëtim, me një këmbë në Bruksel, dhe tjetra në burg ka ngel!”