
Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA-PERKTHEU:EUGJEN MERLIKA/
Zemra e çështjes nuk është lufta e ftohtë që kthehet ose dëshira e SHBA për një mbizotërim të ri kundrejt Evropës. Zemra e çështjes është iluzioni i kultivuar nga Putini dhe gabimi, gjithënjë e më i dukshëm i kryer nga drejtuesit kinezë. Janë këta dy elementë, në fakt, zanafilla e vërtetë e kthesës në veprim mbi skenën ndërkombëtare.
Po merrem për çastin me të parin, me gabimin e drejtuesve kinezë. Ai ka qëndruar në të besuarit se ekonomia është kyçi dhe motori i gjithshkaje, që më së fundi çdo problem përmblidhet në një dobi apo në një dëm ekonomik. Ndërsa pranë ekonomisë është edhe politika, janë algjebra e pushtetit, interesat e Shteteve e të klasave drejtuese, pesha e ideve, e së shkuarës, e opinionit publik.
Është në këtë tryezë vendimtare që Kina po e humbet lojën, të cilën vetëm pak kohë më parë dukej se ishte nisur t’a fitonte me të dyja duart. Pekini kishte besuar se mund të blente simpati e ndikim në rritje në këtë pjesë të botës, për t’a thënë me një fjalë, duke n’a blerë. Është një fjalë e fortë por të jep idenë e mjeteve të përdorura: para së gjithash vënia në dispozicion të kapitalistëve dhe konsumatorëve perëndimorë të një fuqie puntore pa të drejta, pra me një çmim të ulët, së bashku me hapjen e tregut të saj të pamasë të njëjtëve kapitalistë e prodhimeve të tyre.
Në të njëjtën kohë duke kërkuar të depërtojë në sistemet ekonomikë perëndimorë për t’arritur në një mbizotërim të tyre duke ndërtuar një darë me dy krahë: nga një anë blerja n’Evropë të një sërë portesh, paisje e infrastruktura përcaktuese, veçanërisht elektronike, për më tepër ndërmarrjesh pak a shumë strategjike; nga ana tjetër duke bërë një politikë virtuale kolonizimi n’Afrikë – duke synuar në monopolin botëror të lëndëve të para të domosdoshme për shumë prodhime të pararojës.
Ka qënë edhe një formë më hileqare dhe synuese e kërkimit të ndikimit. Ajo që ka vënë në shënjestër drejtpërsëdrejti mjediset politikë, kulturorë dhe akademikë: duke ofruar udhëtime, konferenca të mbipaguara, mikpritje luksoze dhe mbledhje të kota, marrëveshje të paguara me të tepërt për katedra e kurse universitarë. E me që të mendohet keq “bëhet gjynah por….” me të gjithë atë që e pason, është vështirë të përjashtohet që në xhepat e përfaqësuesve të shtresës politike të brishtë e të paqëndrueshme që karakterizon Perëndimin e ditëve tona, të mos ketë arritur nga Pekini edhe diçka më konkrete.
Por Kina është gënjyer, duke menduar se në Perëndim ishte e mundur të mbahej për kohë të gjata ajo gjëndje për të aq e dobishme – madje të rriste ndikimin shumë formësh jo vetëm ekonomik t’arritur kështu – duke lënë të pandryshuara karakteristikat e sistemit të saj politik.
Ka menduar se me Perëndimin do t’ishte e mundur një marrëdhënie me moton e dy peshave e dy masave. Që në shtëpinë tonë e me ne të tjerët do të vlente vetëm përmasa e ekonomisë (që sidoqoftë i linte asaj lirinë e skajshme të veprimit me pasojat e saj politike për të cilat, kushedi se përse, perëndimorët nuk duhej t’interesoheshin aspak), ndërsa në shtëpinë e saj e në të gjithë punët që kishin të bënin me të nga afër, duhej të mbizotëronte politika. Pra interesi i qeveritarëve të saj për mbijetesën e pandryshuar të regjimit të saj. Një regjim despotik e i dhunshëm, i gatshëm jo vetëm të përndiqte egërsisht çdo pakicë etnike e fetare (islamike, katolike e budiste), por edhe këdo që do të guxonte të mendonte të shpërngulte në terrenin e lirisë së mendimit lirinë relative ekonomike të fituar nga kthesa e Dengut e këndej (shih rastin e Jack Ma, president i Alibaba, ose të Wan Xing, president i Meituan, një vigan i shpërndarjes ushqimore, të dy të zhveshur nga pushteti i tyre nga sot në nesër, mbasi të rënë në fatkeqësi për arsye ideologjike).
Në konceptin e drejtuesve kinezë, shkurt, kapitalizmi që u pëlqen atyre, e që duhet të mbetet i tillë është një strukturë prodhuese, në fakt e përmbledhur në një pronësi të thjeshtë vetiake të mjeteve të prodhimit e lënia e lirë e vendosjes së çmimeve në treg. Sidoqoftë njëra dhe tjetra të jenë nën kontrollin politik-policor, ashtu sikurse nën të njëjtin kontroll të rreptë duhet të qëndrojnë pronarët e mjeteve të prodhimit, puntorët dhe blerësit. Në thelb kapitalizmi për Pekinin është një lloj burgu me makina brënda. Jo siç pohonte një farë Karl Marksi në kohën e tij, një formacion historik-shoqëror kompleks që është themeluar mbi një parim lirije, edhe se në fillim “abstrakt e formal” sa të duash, që përfundon duke karakterizuar të gjitha marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i dhënë jetë kundërshtive të pafund të paracaktuara megjithatë të zbuloheshin si një motor i mrekullueshëm i përparimit historik.
Ndërmjet këtyre dy ideve të kapitalizmit, që janë dy realitete – nga një anë ideja e kapitalizmit si një tërësi strukturash e superstrukturash që është prejardhja e realitetit të demokracisë liberale, dhe nga ana tjetër ideja e një kapitalizmi si një pronësi e thjeshtë vetiake e mjeteve të prodhimit e sistem i çmimeve të pakontrolluar, por të gjitha nën udhëheqjen e Shtetit-parti që shërbehet prej tyre për qëllime politike – është ndërmjet këtyre dy realiteteve që me kohë po prodhohet një papajtueshmëri e pashmangëshme. Përdorimit politik-zotërues të kapitalizmit-burg nga ana e Kinës nuk mund të mos i kundërvihej opozita politike e frontit të demokracive kapitaliste.
“Corriere della Sera”, 22 qershor 2021 Përktheu Eugjen Merlika