









Besnik Fishta/
Filatelia nuk është vetëm mbledhje pullash, por një formë e dokumentimit kulturor, historik dhe shoqëror. Përmes emisioneve të saj postare, Posta e Kosovës ka pasqyruar ngjarje, personalitete dhe dukuri që formësojnë identitetin kombëtar. Një nga temat më domethënëse që paraqitet në mënyrë të vazhdueshme është imazhi i gruas si figurë historike, si simbol kulture, si aktore sociale, por edhe si subjekt i vlerave të përbashkëta njerëzore. Lehtësisht vërehet se, që nga emetimi i parë më 15 mars 2000 me temën “Paqja”, filatelia kosovare ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm si në përmbajtje ashtu edhe në mesazh. Është në vitin 2004 kur, për herë të parë, tematika që përfshin gruan bëhet pjesë e pullave postare. Ky përfaqësim realizohet në forma të ndryshme, nga kostumet tradicionale e deri te figurat historike dhe ikonat e sportit, artit dhe kulturës bashkëkohore. Studimi i pullave të Kosovës në këtë tematikë na paraqet figurën e gruas në disa këndvështrime. Në mënyrë të përgjithshme, tematika trajtohet përmes paraqitjes së imazhit femëror të gruas së Kosovës si simbol kulturor, social dhe identitar i kombit shqiptar. Në këtë kuadër, mund të përmendim emetime filatelike te orientuara si ne rastet me poshte:
1. Gruaja si bartëse e traditës dhe identitetit etnografik:
Rituali i nusërisë (2012). Një pasqyrë e trashëgimisë etnografike që përfshin rolin e gruas në ceremonitë tradicionale shqiptare.
Xhubleta (2022), Veshje tradicionale që identifikohet me gratë e trevave veriore, pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO.
Artizanatet, punimet në vegë, veshjet popullore (2004–2017), Gruaja paraqitet si mjeshtre e artit popullor dhe ruajtëse e identitetit kombëtar.
2. Gruaja si zë shoqëror dhe simbol i drejtësisë sociale:
Stop dhunës ndaj grave (2010, 2024). Pullat që ngritin zërin kundër dhunës në baza gjinore dhe promovojnë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Mbështesim gjidhënien (2017). Pulla që promovon kujdesin për fëmijën dhe fuqizimin e nënës, me vlera shëndetësore dhe sociale.
3. Gruaja si ikonë kulturore, muzikore,sportive dhe shkencore bashkëkohore:
Violeta Rexhepagiq (2023). Këngëtare dhe gazetare avangarde e viteve ’80, pjesëmarrëse në Eurovizion.
Leze Qena (2021). Aktore e njohur e skenës dhe ekranit, e nderuar për kontributin e saj në artin dramatik.
Nexhmije Pagarusha (2019). “Bilbili i Kosovës”, me një karrierë që i dha identitet muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Rita Ora & Dua Lipa (2022). Artiste me origjinë kosovare, që kanë arritur famë globale dhe janë bërë ambasadore të kulturës shqiptare në botë.
Edi Shukriu (2023). Arkeologe dhe akademike, e njohur për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe figurës së gruas në shkencë.
Distria Krasniqi(2025). Kampione e botës dhe njëherësh olimpiken në xhudo, e vlerësuar si më e mira në botë për vitin 2025.
4. Gruaja si figurë historike dhe frymëzuese kombëtare:
Shote Galica (2010). Heroina e luftës për çlirim kombëtar, e lindur më 1895 në Drenicë, e cila luftoi krah Azem Galicës kundër pushtuesve serbë.
Nënë Tereza (2010, 2016). Humanistja shqiptare me famë botërore, e nderuar disa herë në pullat e Kosovës, përfshirë rastin e shenjtërimit më 2016.
Elena Gjika – Dora d’Istria (2011). Publiciste dhe shkrimtare e shek. XIX, një nga figurat e para feministe me ndikim europian.
Tringë Smajli (2014). Heroina e Hotit, simbol i rezistencës së grave shqiptare kundër pushtimit osman.
Xheve Lladrovci (2014). Luftëtare e UÇK-së, që përfaqëson kontributin e grave në luftën për liri në fund të shekullit XX.
Nekibe Kelmendi (2025). Juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, që mishëron drejtësinë dhe përkushtimin institucional në periudhën pas luftës.
Filatelia kosovare, përmes pullës postare, ka krijuar një arkiv simbolik të gruas shqiptare, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes kulturore, historike dhe sociale. Ky pasqyrim jo vetëm që nderon figurën e gruas, por i jep asaj një dimension të qëndrueshëm në kujtesën kombëtare, një kujtesë që udhëton përmes pullës. Ne pullen postare ka pasur një qasje të ndërgjegjshme ndaj përfaqësimit të gruas, duke i dhënë vend të rëndësishëm në shumë prej emisioneve të saj. Nga heroinat e historisë, tek yjet e muzikës dhe shkencës, deri te roli tradicional apo social i gruas, çdo pullë është një dëshmi e një kontributi të pazëvendësueshëm. Ky pasqyrim është një reflektim i përpjekjeve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku figura e gruas zë vendin që i takon në histori, kulturë dhe të ardhme.