Nga Kolec Çefa/
Njeriu nuk mund të kënaqet vetëm me bukë, por ka nevojë edhe për gjellën e shpirtit. Bukë e punë kishim, ndoshta, me gjetun edhe nën themren e të huejit; por do të ishte bukë e mylmyeme me turp, do t’ishte punë me djersë gjaku. Ma mirë pra le të kënaqemi me pak e të fergohemi në vojin tonë, por t’ushqejmë e të forcojmë shpirtin me ide të nalta qi nuk vdesin kurrë.
Fitimet e veçanta nuk shkojnë krahas me të mirën e përgjithshme, per të cilën duhet të punojmë.
Unë jam anëtar që me anë të demokracisë të zhvillohet sa ma tepër populli ynë.
Duhet që ministrat të kenë dy cilësina: Zotësi e Atdhetari.
Mendimi i disave se feja na sjell pengime e trazime asht thjeshtë i gabuem, mbasi eksperienca e përditshme na ban të besojmë plotësisht se sa ma tepër populli ynë të ndjekë parimet e moralit e të fesë, aq ma tepër do të tregohet i bindun përpara ligjeve të shtetit, do të respektojë urdhnat e autoriteteve syperore e do të dojë të nderojë vëllaznit e ëet.
Bazat e bashkëpunimit janë:
Njësia e atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës.
Parimet që do të ndiqen janë këto:
Besime të lira në shtet të lirë,
Mos ndikim i shtetit në çashtje besimtare,
Nderim i njeni-tjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Bani ligjet që të mund të rroj i lirë dhe i lirë si shqiptar.
Ligjet nuk janë tjetër veç zakonet e kodifikuara
Ligji asht i mirë, zbatohet mirë e asht i pelqyem prej popullit, kur bazohet mbi zakonet e vendit.
Po, opozita kërkon liri sa ma të gjanë, por liri të vërtetë e të mbajtun në fre, me ligje të rrepta, që të ndalojnë shkapërcimet e popullit e shpërdorimet e nëpunësve.
Vetëm mbretnimin e ligjit e të drejtësisë i ka premtue e i premton Opozita popullit, pse vetëm tue u zbatue ligjet e ushtrue drejtësia, populli mund të shkojë përpara, atdheu mund të lulëzohet.
Na duem qeverinë e ligjeve, bile të ligjeve të forta e jo me i lanë nëpunësve duert e lira per me punue mbas vullnetit të vet.
Tue bamun ligjet moderne, do të bajmë të mundun zhvillimin arsimuer e permirësimin ekonomik, dy gjana per të cilat ka ma teper nevojë populli ynë.
Jemi të zotët të qeverisemi në vete, por nuk jemi të zotët të administrohemi.
Pak ndër prijësa e udhëheqës, janë ata që mundohen ta zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, qi i thonë kjarisht të vertetën e qi përpiqen ta drejtojnë në udhë të mbarë. Ka, mjerisht, ma shumë asish qi thonë se vullneti i popullit nuk do marrë para sysh e qi, ndonëse e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë e të lehet me u drejtuem vetëm prej atyne, pse ata vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me pregatitun fatbardhësinë e tij.
Diplomacia e vertetë mbështetet në udhen e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që, tue mbajtë të patundun parimet, dijnë me pajtue të drejtat e nevojat në kushtet e politikës së përgjithshme.
Kemi detyrë t’u thomi të drejten shqiptarëvet e të mos i ushqejmë ma me shpresa të tepërme, as të mos i gënjejmë mbi gjendjen e vertetë të punëve të Shqipërisë.
Mbasi tashti ka ardhë koha e mrekullive, nuk duhet të besojmë që njerëzit, të cilët deri më sot u kanë shërbye ideve antikombtare, të mund të bahen atdhetarë të flakët.
E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra për ne të gjithë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen ??më shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë, nëse e kemi bamë gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë idhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njeni-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vertetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tënë.
Ngushtica financiarepermeton të bajmë gjana qi në vend me ba efekt të mirë, përkundrazi, do të bajshin keq dhe popullin do ta randonte.
Nga shtetet e mëdhenj presim mbroje dhe nga fqinjtë relacione të mira.
Nuk kam asnji ankim kundër Shkelqesës s’ Uej, (në një letër drejtue Imzot L.Mjedës) as kundër askuj tjetër, por vetëm kundër fatit tem qi tash 27 vjet nuk më jep kurr pushim trupi, as kënaqësi shpirti.
Fitimet qi kam pasun deri më sot prej jetës seme politike janë këto: rrezik jete, të shame e borxhe.
Lipset që zemrat e gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.
Lypen njerëz që të kenë ndarë të mira e të liga me kombin shqiptar, që të njohin shpirtin ?? e tij e të mund të kuptojnë virtytet e veset e tij.
Le të vemë dorën në zemër e të ruejmë interesat e shtetit, e të mos fitojmë namët e mallkimet, jo vetëm të bijvet, por edhe të nipave e të sternipave tanë.
Vetëm mësimi shqip, thellësisht kombëtar e popullor, shtylla e atdheut tonë, mund të rrisë apostuj të shqyptarizmit.