

Dr. Paulin Marku
Në këtë punim është paraqitur roli i klerikut katolik, Imzot Serreqi në drejtimin e Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe bashkëpunimi i tij me banorët shkodranë dhe të zonave përreth, kryesisht me ata të Mbishkodrës, për shkak të origjinës së tij dhe të marrëdhënieve të krijuara gjatë misionit si meshtarë në ato zona. Marrëdhënie e tij me trupat diplomatik u forcuan pasi ai u vendos në krye të Arqipeshvisë së Shkodrës. Imzot Serreqi bashkëpunoi me malësorët duke iu gjendur pranë sa herë që ata patën nevojë për këshillime, hartim të kërkesave me shkrim si dhe ishte ndërmjetësues me kancelaritë evropiane.
Bashkëpunimi me malësoret, nuk u prit mirë nga autoritet lokale dhe shkaktoi pakënaqësi tek Porta e Lartë, e cila u vu në lëvizje për largimin e tij nga drejtimi i Arqipeshvisë së Shkodrës.
Imsot Jak Serreqi** ishte një personalitet i lartë në hierarkinë kishtare. Ai shërbeu në disa famulli të ndryshme dhe pati ndikim pozitiv në zonat ku shërbeu si meshtar. Gjatë misionit të tij, si një lajmëtar i fjalës së Zotit, u angazhua plotësisht në komunitetin katolik për të afruar sa më shumë njerëz të moshave të ndryshme, duke i motivuar të merrnin pjesë rregullisht në meshë, të ndiqnin të gjitha ritet fetare për ruajtjen e ritualeve dhe të sakramenteve të fesë katolike. Po ashtu, gjatë misionit të tij si prift, pati një ndikim të madh në komunitet për nxënien e gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës tonë kombëtare, pasi, pjesa më e madhe e popullsisë ishte e paarsimuar. Interesi i popullatës shqiptare për t’u arsimuar në shkrim e këndim ishte i madh por vështirësitë ishin të mëdha. Kisha katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Krahas bashkëpunimit religjioz me besimtaret katolik, ai arriti të fitonte simpati edhe ndër shqiptarët e besimeve të ndryshme në Shkodër. Padrejtësitë dhe shkeljet e vazhdueshme të autoriteteve lokale dhe qendrore, të udhëzuara nga Porta e Lartë, i shtuan edhe më tepër ndjenjën e thellë të atdhedashurisë imzot Serreqit.
Emërimi nga Vatikani, Argjipeshkëv-mitropolit i Shkodrës i Imzot Jak Serreqi më 13 prill 1910 u mirëprit nga komuniteti katolik dhe pozitat e tij u forcuan më shume me autoritetet diplomatike dhe qeverisjen lokale duke qenë një zë më i fortë në mbrojtje të kërkesave të malësorëve. Marrëdhëniet e vazhdueshme që kishte me Selinë e Shenjtë e ndihmonin që të forconte pozitat drejtuese religjioze dhe diplomatike duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të kauzës shqiptare. Popullsia e Shkodrës, si dhe krahinat përreth, kishin shprehur mbështetje që kur u emërua në krye të Arqipeshkvisë në Shkodër. Malësorët shprehen gatishmëri për bashkëpunim dhe i kërkuan ndërmjetësim pranë autoriteteve lokale në Shkodër dhe atyre diplomatike. Në telegramin[1] numër 35, të datës 13 shkurt 1912, diplomati italian njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth situatës në veri të Shqipërisë. Ndër të tjera, në dokument referohet se “Izot Serreqi rezulton të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha fiset edhe tek ato myslimanë”. Bashkëpunimi i Imzot Serreqit me krerë të ndryshëm të fiseve të Veriut të Shqipërisë ishte i vazhdueshëm. Ai konsultohej vazhdimisht me ta dhe disa herë ishte autori i hartimit të memorandumeve, në mbrojtje të interesave të shqiptareve. Imzot Serreqi ishte ndërmjetësues për t’iu bërë prezent shqetësimet e malësoreve diplomateve të huaj. Në këtë mënyrë iu bëri të njohur të gjitha problemet që shqetësonin shqiptarët. Mbledhja e 200 malësoreve në katedralen e Shkodrës shqetësoi autoritet lokale dhe u ndjek me interes edhe nga diplomati italian në Tivar, Panella. Në raport pohohet: “Më datë 9 shkurt, rreth 1000 malësorë shumica e tyre nga fiset e Shalës, Grudës, Dukagjinit, Kastratit, Kelmendit dhe disa fise të tjerë nga Puka, shkuan në Shkodër, të udhëhequr nga bajraktarët e tyre për t’i kërkuar gjeneral-guvernatorit (për momentin Shkodra nuk ka një titullar, vali) dëmshpërblimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga ushtria turke vitin e kaluar. Kështu ata i kërkuan guvernatorit, nëpërmjet argjipeshkvit Serreqi, që t’u japë një përgjigje brenda 24 orëve”[2]. Në përmbajtje të dokumentit thuhet se gjatë meshës së celebruar nga imzot Serreqi ata ishin betuar për ringritjen e Shqipërisë pasi situata nuk mund të duronte më dhe se duhej zgjidhur sa më parë problemet e tyre. Imzot Serreqi i nxiti të pranishmit që të shkruanin një memorandum dhe mori përsipër për t’ia paraqitur Fuqive të Mëdha. Po ashtu, në mbyllje të raportit thuhet se kur u zhvillua mbledhja me Imzot Serreqin morën pjesë disa mbështetës myslimanë.
Imzot Serreqi kishte komunikime të vazhdueshme dhe njoftonte eproret në Vatikan rreth situatës së krijuar në Shkodër dhe më gjërë në viset e tjera shqiptare. Atij i kërkohej që të ruante pozicionin e klerikut dhe të luante një rol pajtues midis popullsisë shqiptare dhe autoriteteve. Imzot Serreqi kishte influencë dhe i dëgjohej fjala, kryesisht në fiset e mbi Shkodrës. Kjo ndodhte për shkak të origjinës që kishte prejardhje prej Malësisë se Mbishkodrës si dhe për arsye se kishte shërbyer disa vite si meshtarë në zonat të ndryshme të malësisë. Në një tjetër dokument diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, i cili klasifikohet i rezervuar, rezulton se imzot Serreqi ishte ftuar në Selinë e Shenjtë në vijim të situatës në vend dhe për shkak të implimintimit të reformave të qeverisë turke, nëpërmjet të famshmit “komisioni i reformave”. Veprimtaria e tij në mbështetje të vazhdueshme të shqiptareve nuk kaloi nën hije dhe shihej i papërshtshëm me politikat e Stambollit. Referuar dokumenteve italiane evidentohet se Stambolli zyrtar bënte çdo tentativë të mundshme për të larguar imzot Serreqi nga drejtimi i Arqipeshkvisë së Shkodrës. Citoj:[3] “Besohet që qeveria osmane po bën një presion të madh për ta larguar nga Shkodra klerikun e lartpërmendur, i cili ka mbështetjen e qeverisë austriake, edhe pse nga ajo nuk shikohet me sy të mirë, pasi dyshohet se ka ndenja filoitaliane”. Imzot Serreqi, ka qenë ndihmuar shumë dhe vijon të ndihmohet nga Shoqata Kombëtare e Misionarëve.
Takime pati dhe me drejtues politik shqiptar. Imzot Serreqi konsiderohej nga politikanet shqiptar si njeri që mund të kishte influencë dhe në shtetin fqinj, Italia. Esat Pasha Toptani kishte shkuar në Shkodër për dy qëllime kryesore, së pari, për të biseduar me Princin Preng Bibë Doda dhe se dyti, për të takuar Imzot Serreqin, Ipeshkëv i Shkodrës. Me të parin nuk arriti të takohej, pasi nuk i shkoi në takim, ndërsa me Imzot Serreqin, pati një bisedë të gjatë duke iu ankuar për mungesën e ndihmës nga ana e Italisë. Në dokument[4] thuhet se takimi midis Esat Pashe Toptani dhe Imzot Serreqi u zhvillua në Shkodër, ku i kërkoi të ndërhynte tek shteti fqinj dhe të ndihmonte popullin shqiptar. Imzot Serreqi shërbeu si një klerik i lartë dhe një atdhetar i madh. Bashkëpunimi i tij me malësorët dhe kontaktet që krijoi me perëndimin ishte një ndihmesë e madhe në shërbim të çështjes shqiptare. Imzot Jak Serreqi ishte i frymëzuar nga ndjenjat të thella kombëtare.
* Imzot Jak Serreqi (1861-1922) fillimisht famullitar në zona të ndryshme të Shkodrës; ipeshkëv në dioqezën e Sapës 7 gusht 1905 – 13 prill 1910; Argjipeshkëv-mitropolit i Shkodrës 13 prill 1910 – 17 dhjetor 1921.
[1] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7746-7751 Telegram i zëvendëskonsullit italian në Korfuz, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano ku informon gatishmërinë e fiseve veriore për luftë.
[2] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7273, 7274, 7275, 7276, Telegram i zëvendëskonsullit italian në Tivar Panella* dërguar sekretarit të Parë të legatës italiane në Cetinë, Pignatti mbi mbledhjen e 200 malësorëve në katedralen e Shkodrës
[3] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 672, P1010090, P1010091, P1010092, Njoftim i konsullit italian në Shkodër për Ministrinë e Jashtme mbi lëvizjet e Preng Bib Dodës dhe Imzot Serreqit
[4] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7869. 7870. 7871, Informacion i konsullit italian në Shkodër për Ministrinë e Jashtme rreth gjendjes që mbizotëron në këtë vilajet