FALI, ZOT, NUK DIJNË ÇKA BAJNË…- Prof. Arshi PIPA/
E kam njohë Imzot Prennushin në burgun e Durrësit gjatë periudhës 1948 – 49. Ai u suell aty nga Seksioni i Sigurimit të Durrësit, mbasi qé torturue ma parë. Kur e prunë, mezi mbahej në kambë. E kishin dërmue tue e rrahë me shkopinj e mandej e kishin varë, lidhë kambësh e duersh, “si nji dash në çengel kasaphanëje”, thonte ai vetë tue ba buzën në gaz.
Imzot Prennushin e vendosën në dhomën nr. 8, që kishte shërbye dikur si xhebehane dhe ku banojshin ma të rrezikshmit: 18 vetë. Unë qillova ngjat tij dhe pata kështu rastin të miqasohesha me té.
Kur gjyqi ushtarak zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qé: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”. Në nji qelë të posaçme ngjitun me xhebehanen ishte ndry Don Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. Ai kishte qenë dënue me vdekje, gja që e trishtonte shumë Imzotin. Nuk kam harrue ngazullimin e tij kur nji shok i dorëzoi kapsat e petkut fetar të Don Antonit, lanë dëshmi e martyrizimit të vet.
Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermjerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermjerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermjeri Don Jul Bonattin, famullitar i Vlonës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Imzoti tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.
Përveç se prej asmës, Imzot Prennushi vuente nga nji hernia e randë. Nji ditë rojet e ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’ udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me rradhë. Por u rrëzue të trija herët, pa shprehë ankim.
Imzot Prennushi vdiq në Mars 1949. Kur i mbylla sytë e etshëm per dritë – ai më pat çekë njiherë frazen e Goethe-s “Mehr Licht !” – kuptova se çfarë drite ai kishte nder mend. Ka njerzë qi besojnë në Pavdekshmëninë e Shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në té. Por asht vështirë me pranue se gjithçka merr fund me vdekjen e trupit kur mendon se ka njerzë qi vdesin per Ideale!
Arshi PIPA
Tiranë, 28 Shkurt 1995.
Kopjue nga origjinali që Autori Prof. A. Pipa, i ka dhurue Fritz Radovanit.
Melbourne, Mars 2014.