
Imer Lladrovci/
Aktivitet kulturor për nderë të 27 vjetorit të Betejës së Pashtrikut.
Në këtë fundjavë IKKSH në Shtutgart (Stuttgart) organizoi një aktivitet kulturor për nderë të Betejës së Pashtrikut dhe rënjes së Komandantit Mujë Krasniqi me 41 luftëtarët e UÇK-së në Likenet e Hasit, në Pashtrik.
Aktiviteti i cili u zhvillua në sallën e kinemasë, Atelier am Bollwerk, në Stuttgart, ishte me të vërtetë dinjitoz në çdo pikëpamje për këtë përvjetor, qoftë si nga ana e pjesëmarrjes së mërgimtarëve tonë, ashtu edhe nga ana organizative.
Aktiviteti filloi me intonimin e himnit tonë Kombëtar dhe shtetëror, kurse prezantuesit Rilinda Gega dhe Naser Vrella shkëlqyen në rolin e tyre organizativ. Ata kërkuan nga pjesëmarrësit në tubim që t’i nderonin të rënët me një minutë heshtje si dhe e bënë të njohur programin e aktivitetit, ku përveç pjesës kulturo-artistike në program u tha se janë edhe promovimi i disa librave të Gjeneral Kudusi Lamës dhe shfaqja e filmit dokumentar „Shtegu i lirisë“.
Në aktivitet morën pjesë protagonistë të betejës së Pashtrikut, ish ushtarë të tri luftërave që u zhvilluan në hapsirat shqiptare, si dhe shumë familjarë të dëshmorëve. Në këtë aktivitet morën pjesë në mënyrë masive mërgimtarët tonë nga tri shtetet gjermano-folëse, nga Gjermania me rrethinat, Stuttgarti, dhe nga qytete të tjera, pastaj mërgimtarë nga Zvicra dhe Austria.
Mërgimtarët tonë donin në këtë mënyrë të i nderonin luftëtarët shqiptarë, të cilët 27 vjet më parë ranë në grackën e ushtrisë serbe, pak kohë pasi e kishin kaluar kufirin me 14 dhjetor 1998, kurse, siç dihet, gjashtë muaj më vonë, po në Pashtrik, u zhvillua një betejë e madhe luftarake në të cilën serbët pësuan humbje të mëdha.
Gjeneral Kudusi Lama e nderoi, me pjesëmarrjen e tij, këtë tubim. Gjenerali shqiptar ishte i involuar me Divizionin e Kukësit në Betejën e Pashtrikut.
Në tubim morën pjesë edhe shumë bashkëluftëtar të Komandant Mujë Krasniqit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Në vazhdim të programit pjesëmarrësve iu drejtua Imer Lladrovci, veprimtar politik dhe ish diplomat karriere i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe në Austri. Ai në fjalën e tij iu referua Betejës së Pashtrikut, por edhe rënjes së komandant Mujë Krasniqit, nipit të tijë Muhamet Dervishi dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së.
Dr.Sali Sefa, ish i burgosur politik, veprimtar politik dhe ish diplomat i Republikës së Kosovës në Zvicër, në Cyrih (Zürich), iu drejtua me disa fjalë pjesëmarrësve në tubim. Të njëjtën gjë e bëri edhe mysafiri special, Gjeneral Kudusi Lama, i cili kishte ardhur në mënyrë të veçantë vetëm për këtë tubim nga Shqipëria.
Para se të merrte fjalën Gjeneral Kudusi Lama, për librat e të cilit foli Arben Veselaj, ish ushtar dhe veteran I UÇK-së, gazetar, publicist dhe autor i disa librave. Për jetëshkrimin e gjeneralit shqiptar Kudusi Lama foli zonja Sofie Shoshi -Sopa.
Fjala e Gjenralit Lama u përcoll me interesim të madh dhe shumë herë u ndërpre nga duartrokitjet e të pranishmëve. Gjenerali, nga ana e tij, tha se tubime të tilla do të nderonin edhe Tiranën e Prishtinën. Duke folur për luftën, Gjenerali Kudusi Lama, tha se në luftë një kontribut të madh ka dhënë edhe mërgata shqiptare. Lufta ishte e të gjithë shqiptarëve, kështu që gjej rastin t‘u shpreh falenderimin tim të gjithë shqiptarëve që e ndihmuan luftën çlirimtare të UÇK-së, në forma të ndryshme. Ju erdhët edhe vetë në luftë dhe e furnizuat atë me armë, por një kontribut shumë të madh e dhanë nënat shqiptare që gatuan bukën çdo ditë për djemtë shqiptarë, që luftuan me armë në dorë në vijën e frontit . Një luftë nuk fitohet kurrë pa funksionimin e mirë të logjistikës.
Vjazat dhe djemtë e grupit “Studio Fenix”, e cila drejtohet nga Arsim Berisha, e bënë tubimin edhe më dinjitoz. Arsim Berisha erdhi me grupin e tij nga Vinterturi (Winterthur) Zvicrës. Vajzat dhe djemtë e këtij grupi performuan me veshjet e UÇK-së Vallen e Pavarësisë, e cila e ngriti në këmbë gjithë sallën. Pjesëmarrësit shpërthyen në brohoritje UÇK, UÇK. Edhe kënga e Rilind Gashit „Kreshtat e Kosovës“ u përcoll me duartrokitje të gjata, ndërkohë që me këngën për heroin Tahir Sinani e entuziazmoi mjaft publikun, të cilët kënduan së bashku me solistin e ri.
Në program të aktivitetit ishin edhe Rifat Mujota dhe Leotrim Mëziu.
Rifat Mujaota, protagonist i Betejës së Pashtrikut dhe bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, foli përmbledhtas për këtë betejë, kurse toger Leotrim Mëziu, djali i Komondant Rifat Mëziut, tha se ndjehet krenarë për luftën që u zhvillua në Pashtrik dhe në fushëbetejat e tjera kudo në Kosovë.
Në fund të tubimit u dha edhe filmi dokumentar „Shtegu i Lirisë“.
Organizatori i aktivitetit , Instituti I Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, ndau mirënjohje për gjithë familjarët e Betejës së Pashtrikut, përfshirë këtu në rradhë të parë familjet e dëshmorëve, pastaj ish ushtarët nga tri luftërat çlirimtare dhe disa veprimtarë nga diaspora.
Mirënjohjet i shpërndau djali i atdhetarit Hysen Gega, z.Ylber Gega s’bashku me Imer Lladrovcin dhe Shaban Qelaj.
Këtë shkrim për këtë tubim po e mbyllim me vlerësimin e lartë nga pjesëmarrësit.
Urojmë që Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart të vazhdojë punën e tij të mbarë edhe në të ardhmen.