![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476559915_1042587597909762_2030724482568141189_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476224895_1042587521243103_4236160669255077878_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476009148_1042587557909766_5260643172406303833_n.jpg)
“Kjo intervistë e rrallë me Dr. Harold Hayes vjen për herë të parë në shtypin shqiptar. Intervista me Dr. Harold Hayes është zhvilluar via e-mail në vitin 2015-ë, kur ai jetonte ende dhe ishte në moshën 92 vjecare. Me profesion Doktor Ushtarak, Harold Hayes mbylli sytë përgjithmonë më 29 janar 2017 në moshën 94-vjeçare.”
Nga Raimonda MOISIU
Dr. Harold Hayes ishte anëtari i fundit i mbijetuar i një skuadre të përbërë nga mjekë dhe infermierë amerikanë që gjendeshin në një aeroplan evakuimi mjekësor në nëntor të vitit 1943, i cili u detyrua të ulej në një terren të ashpër dhe të rrezikshëm malor dhe të panjohur për ta, (600 milje -qindra km) përgjatë bregdetit Adriatik, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë e pushtuar nga nazistët gjermanë. Grupi prej 30 veta, mes tyre 13 infermiere femra, dhe 13 mjekë meshkuj, së bashku me ekuipazhin prej katër personash të aeroplanit u bllokuan befasisht për nëntë javë, dhe qëndruan të fshehur në shpellat e malet me borë, në fshatrat përreth Belshit, në Shqipëri, fare pranë prapavijave të trupave ushtarake gjermane, në frontin e luftës. Të mbijetuarit u përballën me urinë, të pashpresën, shpesh edhe nga bombardimet dhe mësymjet e nazistëve gjermanë, stuhisë së borës dhe agonisë së frikëshme për jetë a vdekje. Por edhe të prekur nga morrat dhe të dobësuar fizikisht nga sëmundjet si dezenteria dhe pasojat negative të tyre, porse më në fund ata ia dalin të shpëtojnë dhe të mbijetojnë në sajë të ndihmës, humanizmit, kurajos dhe heroizmit të popullit shqiptar të zonës së Belshit dhe Beratit. Odisea e heroizmit të atyre partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë që i ndihmuan, i strehuan, dhe i ushqyen, u klasifikua si “Top Secret”. Të mbijetuarit u këshilluan nga vetë eprorët ushtarakë, për ta mbajtur të fshehtë këtë histori edhe për vitet më pas, të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes së tyre. Mbajtja sekret i kësaj ngjarje humanizmi jo vetëm gjatë luftës, por edhe vite e dekada më pas, ishte për të mbrojtur popullin- partizanët dhe fshatarët shqiptarë të zonës së Belshit e Beratit, të cilët ndihmuan grupin e infermierëve dhe të mjekëve amerikanë së bashku me mjetet e arratisjes të aviatorëve, -me një heroizëm, bujari, guxim e kurajo të pashoq. Disa prej partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë u pushkatuan nga gjermanët nazistë për aktet e tyre të humanizmit, ndërsa disa të tjerë pas luftës, në bazë të fjalëve të përhapura nën zë, që dyshoheshin se kishin ndihmuar amerikanët u ekzekutuan nga rregjimi komunist në Shqipëri, i udhëhequr nga Enver Hoxha. Tashmë pothuajse 70-ë vjet më pas, Dr. Harold Hayes, i vetmi anëtar i grupit i cili jeton ende, atëhere ai ishte vecse 21 vjet, ndërsa tashmë 92 vjet, na rrëfen këtë historie të rrallë dhe përvojat e tij, në këtë ngjarje.
-Cili ishte roli juaj në Forcat Ajrore të Ushtrisë dhe ku po shërbenit në fillim të nëntorit të vitit 1943?
Roli im ishte e një mjeku ushtarak dhe isha pjesë e skuadronit 807 të aeroplanit të evakuimit ajror mjekësor, i pozicionuar në Katania, Siçili. Skuadrioni ynë u nis nga Sicila, jugu i Italisë, me aeroplanë transporti që transportonin pajisje dhe staf mjekësor drejt vijës së parë të frontit, dhe ndihmonim në evakuimin e të plagosurve të luftës, i shoqëronim në aeroplan për në bazat tona në Siçili ose Afrikën e Veriut, për të marrë një trajtim më të mirë mjekësor.
-Kush po udhëtonte me ju në aeroplanin e transportit C-53D atë ditë nëntori, të vitit 1943?
Kjo aventurë e rrezikshme nisi dy muaj pasi Italia e Benito Musolinit kapitulloi, dhe Forcat Aleate u pozicionuan po ashtu në Itali, për të nisur mësymjen finale kundër gjermanëve në të gjithë Europën. Më 8 nëntor 1943, një aeroplan i Skuadronit 807 të Transportit Mjekësor i Evakuimit Ajror të Forcave Ajrore të Ushtrisë Amerikane u ngrit nga Catania, Siçili, me destinacion Barin, në bregun lindor të Italisë, ku qindra ushtarë të plagosur prisnin evakuimin ajror. Në aeroplan ishim gjithsej 30 veta; dy pilotët, një operator radio dhe një shef ekuipazhi, plus 13 infermiere femra dhe 13 mjekë meshkuj. Shiu që kishte nisur të binte prej tre ditësh, nuk pengoi asnjërin prej nesh që të ndërmerrnim këtë mision sekret, të largoheshim nga Katania. Kështu që komandanti i skuadrionit tonë, vendosi të dërgonte gjysmën e personelit mjekësor për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve të shumtë që prisnin. Vetëm një anëtar, nuk ishte pjesë e skuadrionit dhe ekuipazhit të fluturimit 807, ai ishte një mjek i skuadrionit 802, i cili erdhi me ne për në Bari, në jug të Italisë.
-Cfarë ndodhi dhe pse pilotët u detyruan të ulnin aeroplanin?
Aeroplani i evakuimit punonte me dy motorë dhe nuk mbartëte armë, sepse piloti kryesor, Charles Thrasher, 22 vjecar, nuk parandjente ndonjë luftim. Të 13-ë infermieret femra ishin me gradën toger, dhe ishin të moshës 22 deri në 32 vjet. Ndërsa të 13-ë mjekët meshkuj, ishin ekuivalent me gradën rreshter si të ekuipazhit të aeroplanit, dhe varionin nga mosha 21 deri në 36 vjet. Kur ne u ngritëm në fluturim nga baza ajrore e Sicilisë, në qiell nuk kishte asnjë re, por sa më shumë që i afroheshim Barit, aq më shumë re shfaqeshin. Një orë pas fluturimit, aeroplani u përfshi nga një stuhi bore me erëra të forta. Fillimisht humbëm komunikimin me bazën në Bari. Pilotët e ngjitën aeroplanin mbi re, por kur u ngritën në rreth 8000 feet, (gati 2500 metra mbi nivelin e detit), krahët e aeroplanit nisën të zinin akull, kështu që pilotët u detyruan të hynim midis reve, nga ku mundën të shihnim një vijë bregdetare; pilotët mendonin se mund të ishin duke fluturuar përgjatë bregut perëndimor të Italisë, porse nuk e patën kuptuar se po fluturonin përgjatë detit Adriatik. Pilotët u përpoqën të uleshin në një tokë që dukej si një aeroport i braktisur, por sapo u afruan dikush nisi të qëllonte drejt aeroplanit dhe pilotët u detyruan të ngriheshin menjëherë dhe përsëri drejt reve. Kjo ishte ndoshta pjesa më e frikshme – fluturimi nëpër një luginë ku majat e maleve ishin më të larta se retë. Kur dolëm nga retë, aeroplani ishte shumë afër një aeroplani luftarak gjerman dhe më pas edhe me një tjetër. Pilotët vazhdonin të bënin përpjekjet për të shmangur avionët e armikut, derisa aeroplani zhytet mes stuhisë së fortë, mbi detin Adriatik, busulla dhe komunikimi më radio pësojnë avari dhe nuk funksionin. 100 milje larg kursit, aeroplani kalon në brigjet e Shqipërisë dhe pikaset nga ushtarët gjermanë të cilët nisin ta qëllojnë me armët kundërajrore. Kështuqë aeroplani kalon 25 milje nëpër një kënetë në brendësi të tokës. ëillis Shumëay, 23 vjecar, komandanti i ekuipazhit, ishte i vetmi viktimë, me një dëmtim në gju që e la atë të paaftë për të ecur.
-Kush ju ndihmoi pas përplasjes?
Të 30 anëtarët e skuadrionit amerikan, ishim të frikësuar e të coroditur, dhe nuk e kishim idenë se ku ndodheshim. Nga frika e shpërthimit të karburantit, dolëm menjëherë nga aeroplani dhe befas hasim me një grup burrash me pamje të vrazhdë që kishin pushkë në sup dhe kama në brez. Ata ishin partizanët shqiptarë, anëtarë të grupeve të rezistencës (Luftës Nacional-Clirimtare) që luftonin kundër gjermanëve. Njëri prej tyre fliste pak anglisht. Emri i tij ishte Hasan Gina, që kishte dalë partizan dhe luftonte kundër pushtuesve gjermanë. Ai ishte edhe komandanti i cetës partizane. Ai u tha amerikanëve se ndodheshin në Shqipëri, 150 milje në lindje të Barit, në anën e gabuar të Adriatikut, të rrethuar nga forcat gjermane që kishin pushtuar Shqipërinë prej muajsh dhe gjendeshin gjithashtu në një luftë civile midis grupeve rivale; ballistë e partizanë. Amerikanët nuk dinin pothuajse asgjë për Shqipërinë, një vend i vogël, kryesisht mysliman, që kishte ndryshuar pak në shekuj. Terreni malor ishte tejet i thyer, i rrethuar nga fshatra të varfër. Nuk kishte hekurudha dhe pak rrugë. Mushkat dhe kuajt ishin transporti kryesor. Kishte pak ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike. Dimri ishte i egër, ushqimi ishte i pakët por ata dhe disa fshatarë shqiptarë të zonës së Belshit na ndihmuan së tepërmi. Gjatë javëve që pasuan, të udhëhequr nga partizanët, në u ngjitëm nëpër male dhe ecnim fshehur përgjatë luginave, ndonjëherë edhe uleshim për t’u clodhur. Disa herë ecnim të gjithë bashkë, por kishte raste që ndaheshim në grupe të vogla, për të shmangur patrullat gjermane, qëndronim jashtë në natyrë ose strehoheshim në shtëpitë e fshatrave që kalonim, duke ndarë bukën e misrit me fshatarët.
-Cili ka qenë shqetësimi tuaj më i madh kur ishit të bllokuar pas prapavijave të armikut?
Një nga shqetësimet tona më të mëdha ishte se ushtria amerikane, si dhe familjet tona, nuk e dinin se ku ishim. Ata as që e dinin që ishim në Shqipëri; ata nuk dinin asgjë për fatin dhe jetën tonë. Shqetësimi tjetër kryesor ishte se këpucët tona po grisëshin shpejt për shkak të terrenit malor, veçanërisht ato të infermiereve. Shpresonim të arrinim sa më shpejt në breg të detit, dhe e vetmja mënyrë ishte të ecnim sa më shumë. Të 30 –ët u klasifikuam të “zhdukur në mision” dhe autoritet dërguan teleegramet e ngushëllimit familjeve tona. Ndërkohë të mbijetuarit, mbartnin në një barelë të sajuar me ndenjëset e aeroplanit, rreshterin e plagosur që nuk mund të ecte, derisa më vonë fshatarët shqiptarë sollën një mushkë dhe e vendosëm aty. Pas pesë ditësh nëpër male dhe shtëpitë e fshatarëve arritëm në një qytet që kontrollohej nga partizanët të quajtur Berat, ku u brohoritëm nga vendasit se kujtuan se ishim anëtarë të ndonjë misioni aleat për të çliruar Shqipërinë. Aty u takuam edhe me drejtues të tjerë partizanë, dhe mësuam për një agjent britanik, i cili kohët e fundit kishte rënë me parashutë në vend. Aty ne qëndruan tre ditë, ditën e katërt u zgjuam nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i predhave të artilerisë, teksa forcat gjermane po hynin në qytet. Në konfuzionin që pasoi, avionët gjermanë goditën një kamion që transportonte disa nga në amerikanët në arrati. Tre infermiere u ndanë nga grupi kryesor dhe qëndruan në Berat; ato u strehuan në një shtëpi në një fermë dhe qëndruan të fshehur në atë zonë për katër muaj.
-Si kaloi grupi gjatë atyre muajve të vështirë?
Në pjesën më të madhe, ne shkuam shumë mirë, por kishte disa prej tyre që griceshin me njëri-tjetrin gabimisht. Kur jeni të uritur, të ftohtë dhe të lodhur, harroni pothuajse gjithçka tjetër dhe mendoni vetëm për të mbijetuar. ëatson, një nga infermieret, tha: “Çdo gjë që një mjek mund të bëjë, unë mund ta bëj”, dhe kjo është ajo që bëri pikërisht ajo. Më 27 nëntor 1943 inteligjenca britanike në Shqipëri mësoi nga partizanët se aeroplani amerikan 807 ishte rrëzuar dhe se infermieret, mjekët dhe ekuipazhi ishin gjallë, duke u përpjekur që të arrinin në breg të detit. Gjeneral Dëight D. Eisenhoëer, komandanti i Forcave Aleate në Europë, dhe vetë Presidenti Franklin D. Roosevelt u dhanë lajmin e mirë familjeve të të zhdukurve. Në dhjetor të po atij viti ‘43, u ndërrmor një plan tjetër amerikan shpëtimi, i udhëhequr nga një kapiten i ushtrisë, Lloyd G. Smith, 24 vjeç, i cili u caktua në Zyrën e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. Nën mbulesën e errësirës, ai rrëshqiti me varkë në bregdetin shqiptar që ruhej me forca të shumta ushtarake, dhe ngriti një kamp bazë në një shpellë në shkëmbinjtë me pamje nga Adriatiku. Të tjerë u bashkuan me të dhe ata u zhvendosën në brendësi të vendit për të na gjetur, ne amerikanët. Ndërkohë britanikët organizuan një përpjekje të dytë shpëtimi nën drejtimin e toger Gavan Duffy, një agjent sekret, i cili me një ekip të vogël kishte arritur në Shqipëri muaj më parë me parashutë dhe në këmbë. Nëpërmjet kontakteve partizane, ai i gjeti amerikanët në Shqipërinë lindore dhe nisi të na çonte drejt perëndimit, duke synuar të arrinte në bregdet. Por në gjysmë të rrugës, në Gjirokastër, trupat gjermane bllokuan rrugën dhe ne ishim të lodhur, të sëmurë dhe të rraskapitur për të vazhduar më tej. Ai kërkoi nëpërmjet radios për një shpëtim ajror amerikan. Dy aeroplanë mallrash C-47 fluturuan me shoqëruesë luftarakë, por gjermanët e pikasën dhe toger Duffy e anuloi uljen e avionit. Por ne e rifilluam udhëtimin dhe me ndihmën amerikane dhe britanike derisa arritëm në bregdet. Më 9 janar, pas një sprove 63-ditore, 27 amerikanët – 10 infermierë dhe 17 mjekë dhe ekuipazhi fluturues – hipën në një anije britanike dhe kaluan në Itali.Tre infermiere mbetën pas në Beratin e pushtuar nga gjermanët. Kapiteni Lloyd Smith i solli ata të sigurtë në mars të vitit 1944. Të hipur në mushka që ecnim në tufë në pjesën më të madhe të rrugës, arritëm në bregdet dhe u pritën nga një barkë me silur, e cila na çoi përtej Adriatikut.
-Pse ju ndaluan të tregonit për përvojën tuaj në Shqipëri, edhe pas përfundimit të luftës?
Kur u kthyem në bazat e Forcave Aleate, eprorët tanë ushtarakë nuk na lejuan t’i tregonim askujt se ku kishim qenë, kush na ndihmoi ose si shpëtuam. Madje as të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes. Konspiracioni ishte për të mbrojtur njerëzit që na kishin ndihmuar dhe shpëtuar jetën. Nëse ata do të kapeshin nga gjermanë, kishte të ngjarë që do t’i kishin vrarë. Edhe pas luftës me vendosjen e rregjimit komunist, ne ishim të shqetësuar se po të përmendnim emrat e atyre heronjve shqiptarëve që na shpëtuan jetën, ata do të vriteshin. Më vonë mësuam se njëri prej partizanëve që na ndihmoi e strehoi, Kostaq Stefa, u burgos menjëherë pas luftës dhe në fund u ekzekutua nga rregjimi komunist. Jam mëse i sigurtë se pa ndihmën e popullit shqiptar, ne nuk do të kishim mbijetuar atë dimër.
Pergatiti, dhe solli në shqip,
Raimonda Moisiu
Author/ Freelancer
Jacksonville, Florida USA