Intervista/ Flet Qirjako “Mjeshtre e Madhe”/
– Maratona e Këngës Popullore, është unike në gjithë rajonin/
– Maratona e këtij viti tregon se kënga popullore, është kënga e shpirtit të popullit/
– Maratonë vulosi atë që, populli gjithmonë e ka dashur këngën popullore/
– “Bejke e bardhë”.dhe “Ç’po qëndis moj Marigo” janë këngët më të pëlqyera/
– Maskilizmi është shumë i fuqishëm në Shqipëri dhe dominon/
– Të punoj dhe vë në skenë këngë të reja, ky është pengu im/
Nga Albert Z. ZHOLI
Edhe në këtë Maratonë të këngës Popullore, Irini është nga këngëtaret më të duartrokitura. Zëri i saj perfekt dhe melodioz, tekstet e veçanta, mënyra e interpretimit e kanë bërë atë një këngëtare që koha për çdo ditë e lartëson. Ajo dhe pse s’ka lidhje me Labërinë pasi është nga minoriteti grek i Sarandës, shpesh është identifikuar si këngëtare tipike e këngës së polifonisë labe. Irini është një dashamirëse e madhe e librit. Ajo së fundi mori pjesë në promovimin e librit publicistik të poetes Vitore Stefa Leka me titull “Publicistika që ka vetëm një emërtim kombi”. Edhe ën atë aktivitete ajo ishte e qeshur dhe interpretoi disa këngë me karakter patriotik. Irini thuajse i ka shëtitur të gjitha shtete Evropiane ku zëri i saj i veçantë por sidomos kënga e bukur labe e ka bërë të marrë miliona duartrokitje që nga Izmiri dhe deri në Paris. Nga jeta e saj artistike jashtë atdheut ajo ndan dy momente kyçe, herën e parë kur doli jashtë atdheut në Turqi dhe Festivalin e Dizhonit në Francë ku Asamble i Këngëve dhe Valleve shkëlqeu në mënyrë të befasishme.
– Ju si gjithmonë edhe këtë vit jeni pjesë edhe e Maratonës së Këngës Popullore. Cilat janë të veçantat e këtij eventi?
Unë kam marrë pjesë rregullisht në të gjitha vitet e zhvillimit të Maratonës së Këngës Popullore. Nga viti në vit ky event është bërë më i pasur, më i bukur, më i shtrirë dhe më profesional. Sigurisht eksperiencat e viteve të kaluara, vënia në pah e mangësive të viteve të kaluara, eksperienca e stafit realizues, ka bërë që ky event të jetë ndër më të suksesshmit dhe më të ndjekurit. Pse e them këtë? Pasi në këtë event marrin pjesë këngëtarët dhe këngëtaret më të mira shqiptare të gjitha kohërave dhe nga të gjithë trevat shqiptare. Pra ky event nuk ka kufizime moshe dhe gjeografie dhe është bërë pjesë e gjithë kombit shqiptar, për të përcjellë më së miri tek publiku këngën e bukur popullore shqiptare. Shihet se nga viti në vit është rritur pjesëmarrja, është rritur kërkesa ndaj pjesëmarrësve, por është rritur dhe numri I publikut. Madje do të thosha se në shumicën e rasteve publiku këndon ose kërcen gjatë gjithë interpretimit të këngëve. Maratona kalon dhe rrugëton cilësisht dhe emocionalisht në të gjitha trevat ku ka popullsi shqiptare që nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe deri në Sarandë. Pra ajo kalon në të gjitha qytetet e kombit tonë duke dalë jashtë kufijve të Shqipërisë. Pritja që na është bërë është e madhërishme dhe nuk mund të mos veçoj se në shumë raste jo vetëm që publiku këndon me ne por ka të veshur, veshje me motove kombëtare ku flamujt janë pjesë përbërëse e çdo koncerti. Këtu zbulohen talentet dhe këngëtarët e vërtetë. Maratona është shumë e lodhshme sepse duhet të bredhësh në të gjithë trevat shqiptare, jashtë atdheut, por është një lumturi e jashtëzakonshme. Sepse në çdo qytet që shkojmë mblidhen një mori njerëzish me mijëra njerëz. Atje shikohet se sa shumë e do populli këngën e vet. Në ato këngë është “geni i popullit”. Është vetë populli në këngë. Është jeta e tij në vargje. Është muzika e tij, gjithçka që ka një popull në poezi, histori, muzikë.
Po pesha më specifike e këtij koncerti, cila është?
Për mendimin tim pesha specifike është se ky koncert është unik në vendin e vet dhe nuk e ka kush nga vendet e tjera të rajonit. Pra as Greqia, as Jugosllavia, as Bullgaria apo Mali i Zi nuk e kanë të organizuar një event të tillë. Kjo ka bërë që të ndizet më shumë ndjenja patriotike, ajo ndjenjë e pastër që forcon miqësinë me fqinjët. Ju bashkëpunëtor kryesor si kompozitor keni Edmond Zhulalin?
Po! Në shumicën këngëve të mia në koncertet e Maratonës, këngët e mia janë kompozuar nga kompozitori me emër Edmond Zhulali, por në Maratonë këndohen dhe këngë të vjetra, për vetë specifikën e këngës popullore ku dalin thesaret e folkut popullor. Në Maratonë nuk është domosdoshmëri paraqitja me një këngë të re, por me një këngë me motive popullore që të ketë lënë mbresa. P.sh. në Maratonën para këtij viti kam kënduar këngën “Bejke e Bardhë” me vargjet e çmuara të Lefter Çipës. Bejke e bardhë/,Borë e pashkelur.
– Po kënga që të ka zgjuar më shumë kujtime vitet e fundit?
Ka qenë kënga e kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe që kisha mbi 30 vjet pa e kënduar. Kjo është kënga “Ç’po qëndis moj Marigo”, të cilën e këndova para 5 vjetësh në TKOB në recitalin e kompozitorit Enver Shëngjergji. Gjithmonë
e kam pasur ëndërr që ta rivendosja përsëri në skenë. Unë këtë këngë e kam bërë për herë të parë në kohën e monizmit në vitin 1985. Kjo këngë pati një sukses të jashtëzakonshëm në publik sepse është këngë e bukur. Kjo këngë ka një ndjeshmëri të arrirë. Nuk e di pse nuk është kënduar asnjëherë kjo këngë në vitet e tranzicionit! Erdhi momenti që atë që doja unë u realizua. Enverin e vlerësoj dhe e respektoj si krijues. Ka një repertor shumë të madh, orkestral, koral, solistik, kjo është një domosdoshmëri që të gjithë këta kompozitorë që kanë një emër një karrierë duhet që e gjithë kjo veprimtaria e tyre të rijepet në skenë. Për të rikujtuar spektatorin sepse mosha e mesme i kanë të qarta dhe i dëgjojnë dhe lumturohen me këta kompozitorë. Aq më shumë për Enverin që është shumë muzikal me ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe po më bëhet shumë qejfi që ai po realizon dëshirën e tij dhe po e rifreskon dhe po e rishfaq për publikun që jam e bindur që do e dojë shumë këtë recital.
– Si je ndjerë me tekstin dhe muzikën e kësaj?
E mrekulluar. Kanë një harmoni perfektë. Teksti dhe muzika ecin si valë. Si puhizë. Kanë një ëmbëlsi që të befason. Bëhet fjalë për qëndistaren e flamurit. Kjo këngë i kushtohet pavarësisë së Shqipërisë kur u ngrit flamuri. Marigoja është qëndistarja e saj. Jam munduar ta këndoj me shumë dashuri këtë këngë. Jam lumturuar kur ma besuan ta këndoj. Ajo më jep forcë. E kam në imagjinatën time Marigonë. Atë femër vitale, të fortë, që me ditë e net të tëra qëndisi flamurin e pavarësisë. Ajo përjetësoi pavarësinë, por më shumë se aq, Pavarësia e bëri të pavdekshme atë. Lexo tekstin, dëgjo muzikën dhe shkon në qiellin e shtatë. E këndoj shpesh me vete këtë këngë, në shtëpi, në rrugë, kur jam në lëvizje… Ç’po qëndis moj Marigo, Nën qerpik të syrit, Në dorën e zemrës, Lule fushe e lule mali, Lule që një prill i fali, Shoqe moj, motra moj
– Kjo Maratonë e këtij viti a ka vulosur përfundimisht, se tashmë kënga popullore ka vendin e saj të padiskutueshëm tek populli dhe nuk mund të zëvendësohet nga tallavaja?
E padiskutueshme. Kjo Maratonë vulosi shumë gjëra. Populli gjithmonë e ka dashur këngën popullore. Ai e ka këtë këngë si ushqimi i përditshëm. Por ky tranzicion solli shumë gjëra të këqija, por me kalimin e kohës shumë gjëra po sqarohen. Kënga po zë vendin e saj të merituar. Pa këngë populli është si i heshtur. Këngën kur din t’ia servirësh popullit ai e rrëmben. Ai atë e ka të parën në jetën e përditshme. E ka relaks, e ka etje për qetësi.
– Ju jeni pjesë e shumë promovimeve të librave. Konkretisht ishit pjesë e promovimit të librit të Vitore Stefa Leka “Publicistika që ka vetëm një emërtim kombi”. Si jeni ndjerë në këtë promovim?
Në këtë promovim jam ndjerë se kurrë ndonjëherë për shumë arsye. Së pari se ajo është një grua e rrallë, një patriote e madhe. Ajo ka ndihmuar me qindra emigrant në Itali dhe me personalitetin e saj e ka ngritur lart emrin e Shqipërisë në sytë e popullit Italian. Në shumë aktivitete ku kam shkuar në Itali, Vitorja na ka pritur dhe na ka përcjellë duke na dhënë kurajë për të qenë sa më rezultativ. Pastaj ajo ka një jetë interesante. Një jetë të shumëvuajtur. Që fëmijë i pushkatuan babanë një patriot i madh. Vitorja ka qenë e internuar në disa vende dhe kurrë nuk është ankuar. Me ardhjen e demokracisë, ajo nuk vuri si qëllim në vetvete hakmarrjen por ecjen përpara, faljen, vëllazërimin. Këtë mund ta bëjë një grua me virtyte që del mbi kohën, del mbi veten dhe shikon larg. Janë të rralla gra të tilla që falin ata që e dënuan familjarisht. Kjo tregon qytetarinë, tregon emancipimin, tregon nivelin e lartë kulturor të kësaj grua heroike. Atë e shikon gjithmonë në lëvizje, në aktivitete me karakter kombëtar, e shikon në Kosovë, tek shqiptarët e Maqedonisë. Ajo ka qenë pjesë e luftës së Kosovës dhe njihet me të gjithë ish-drejtuesit ushtarakë të kësaj lufte heroike. Vitorja është një grua ikonë, zemërgjerë, patriote, e civilizuar. Gra si ajo janë të rrallë dhe unë e kisha për nder të këndoja në aktivitetin e promovimit të librit të saj aq të bukur dhe me titull domethënës.
-Mendon se femra shqiptare e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?
Akoma nuk e ka zënë vendin e duhur në jetë, sepse maskilizmi është shumë i fuqishëm dhe dominon. Duhet akoma shumë. Femra duhet të jetë vetë e fuqishme. Unë si person nuk e ndjej vetinë e maskilizmit sepse e përballoj çdo gjë vetë sepse edhe skena më lartëson aq shumë saqë unë ndjehem në vendin tim të duhur. Ka shumë femra që janë shumë të talentuara që janë shumë të zonja por që nuk kanë mundësi. Fajin kryesor ia vë vetë femrës. Ajo duhet të luftojë. Në qoftë se ne nuk luftojmë vetë në maksimum.
– Kush është problemi më i madh që ka femra shqiptare sot?
Problemi më i madh është edhe punësimi. Nuk ka hapësira të nevojshme. Prandaj duhet të bëhen ligje të fuqishme siç i ka bota. Politikat janë gjithmonë në shërbim të vetvetes dhe jot ë femrës. Femra në çdo kohë vihet në plan të dytë.
-A ke ndonjë peng në këtë rrugëtim kaq të bukur?
Artisti ka shumë pengje dhe është shumë i pangopur, por unë kam realizuar shumë gjëra në drejtim të profesionit tim, por unë nuk do të rresht së punuari sa të kem zërin. Edhe tani në verë unë nuk kam bërë asnjë ditë pushim. Kam punuar me ditë të tëra dhe muaj të tërë dhe kam realizuar dy albume polifonike. Të punoj dhe të vë në skenë këngë të reja, ky është pengu im. Maratona 2016
Spektakli veror i Televizionit Klan, Maratona e Këngës Popullore është rikthyer sërish pas 4 vitesh mungesë duke na ri sjellë përsëri emocionet e këngëve folklorike të interpretuara nga artistët më të dëgjuar të muzikës popullore. Me prezantuese Klea Hutën, Maratona e Këngës do të udhëtoj në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke gjallëruar jetën artistike të qytetit. Ndalesa e parë u bë në Elbasan, më 11 Korrik ku më pas qytetet e radhës që mirëpritën Maratonën ishin qyteti bregdetar i Vlorës më 14 Korrik dhe ai i Pogradecit më 18 Korrik. Spektakli është transmetohet gjithashtu edhe në TV Klan, dy herë në javë, të Mërkurën dhe të Shtunën ora 21.00.
30 këngëtarë pjesëmarrës
“Maratona e këngës popullore e qytetare” është një manifestim muzikor, që është në sezonin e 6 në RTV Klan. Ai është një spektakël udhëtues i interpretuesve më të suksesshëm të muzikës popullore e qytetare shqiptare. Ky spektakël ka linçuar përgjithësisht hitet e reja të muzikës popullore, gjatë sezonit veror. Janë rreth 30 artistë të këngës popullore të cilët po sjellin këngët dhe hitet më të famshme të Shqipërisë nga të gjitha trevat – Veri, Shqipëri e Mesme, Jug, madje dhe ato shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kjo Maratonë ka karakterin e një feste që do të lëvizë në dhjetë qytete shqiptare. Ky është edicioni i 6-të i “Maratonës së Këngës popullore e qytetare”. Por këtë herë synohen të sillen emrat më të suksesshëm të kësaj gjinie siç janë –Eranda Libohova, Ramadan Krasniqi, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, Irini Qirjako, Selami Kolonja , Endri&Stefi, Maya, Grupi i Beratit, Grupi “Pleqtë e Krujes”, Grupi i burrave të Kavajës, “Karafilat që ka Shkodra”, Fatmira Breçani, Liri Rasha, Grupi i Përmetit, Petrit Lulo, Rosela Gjylbegu,Ylli Baka, Grupi “Ali Pasha”, Grupi çam dhe Enkelejda Arifi etj. Këngët janë pjesë të historisë, emocione, melodi të kënduara me pasion dhe ndjenjë dhe ndoshta është e vështirë të cilësosh se cila është “Kënga e shekullit”.