KOSTA NAKE/
(Gjergj Fishta, “Anzat e Parnasit”, Vepra 7, botimet Fishta)
Kuleta – kryefjala e Anzave të Parnasit, shfaqet që te vjersha e parë “Nakdomonicipedia”, në krye të këngës së dytë, me fjalën e urtë: “Me t’pvetë kush se ç’ishte jeta/Mik e fis ktu asht kuleta.” (f.18) Një tregues tjetër për përdorimin e kuletës si metonimi dhe theksimin e peshës së saj është fakti se me të ka më shumë shprehje frazeologjike se me çdo fjalë tjetër: Me ’i grusht miza në kuletë (f.9), me t’fry era në kuletë (f.16), me e pas kuletën nxehtë (f.42), m’asht shpue kuleta (f.65), t’rri kuleta gjithmon’ kodër (f.167), nuk të jetë kuleta thatë (f.170), duqe mbetë i kisht’ kuleta n’gji (f.218), kuleta e punës n’gërshanë s’do i kish ra (f.219), Knjaz Nikolla u shkund kuletet (f.304), për të mbush kuletën (f.382).
Satira është zgjedhja e poetit për të sjellë realitetin shqiptar, për të goditur anormalitetin frenues, të dhimbshëm ose qesharak.
Pas deklarimit: “Dokrra thirren kah Shqipnia/Dija, Kanga e Historia.” (f.10), poeti i mëshon rolit të shkollës për edukimin e fëmijëve dhe nevoja për t’i dhënë përparësi gjuhës shqipe, “gjuhës së ambël t’shqiptarëve” (f.381), do të trajtohet së pari te poema “Nevoja e mësimit” dhe qasjet e kundërta fillojnë që në familje, në zgjedhjet e ndryshme që bëjnë prindërit. Për të treguar bukurinë e gjuhës shqipe, këtu janë ndërkallur vargjet e njohura:
“Porsi i ambli fllad i verës,
Që lëmon gjitë e drandofillit,
Porsi kanga e zogut t’verës,
Që vallëzon n’blerim të prillit;
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjama e rr’fesë zhgjetare,
Porsi ushtima e një tërmeti,
Ashtu asht gjuha jonë shqiptare…” (f.81)
Dhe sakaq mund t’i bashkëngjitim edhe vargjet binjake të Ndre Mjedës: “Përmbi za që lëshon bylbyli,/Gjuha shqipe m’shungullon;/Përmbi er’që jep zymbyli/Pa da zemrën ma ngushllon.” Roli i shkollës vazhdon e shtjellohet gjatë në këtë poemë në trajtën e një tregimi në vargje. “Kush shqiptarit do t’i japë përparim?/Vetëm shkolla, që lidhë me fe/Bijve t’njeriut u jep mësime të mbara,/Vetëm shkolla shqiptarët, po, përpara,/Kah lumnia me u ngjitë i ban.” (f.87)
Më se një herë, Fishta e shikon me shqetësim dërgimin e fëmijëve në shkolla të huaja, ose në shkollat e këtushme ku shqipja është e ndaluar, duke e parë gjuhën si pjesë ushqyese të vetëdijës kombëtare. Kjo dukuri vlen edhe për futjen e padrejtë të gjuhëve të huaja në komunikimin zyrtar: “Shkruejn “qarkoret” n’gjuhë të huej,/Si asht dëshiri i s’di se kujt,/Në fyt këtij i dredhsha lakun!” (f.381)
Edhe mes dallgëve të trazuara të satirës, ka një përndritje për atdhetarët që dhanë ndihmesën e vet të çmuar, siç është rasti i Jak Specit që çeli të parën shkollë shqipe në Serreq: “Kështu shqip ai niska fëmijët aty me i mësue,/Në këndim e n’shkrim edhe n’urti tu i ushtrue.” (f.241) Ky hap i madh vjen sepse “janë shpirti i kombit djemt’ e vajzat tona” (f.247), sepse “liri” do të thotë “shkollë, punë edhe grosh” (f.269), sepse “për besë e fe të parëve,/ Rrëkajë kanë derdhë gjakun.” (f.382).
Te poezia “Koha e arit në Shqipni” nga njëra anë lind nevoja e bashkimit të shqiptarëve: “Pa një bashkim t’vërtetë s’ka për të ague për ne agimi. (f.117) Nga ana tjetër pason sketicizmi: “Ma shpejt një thes me pleshta/Ti ban bashkë se dy shqiptarë.” (f.117) Cila është zgjidhja? Këtë e gjejmë te poema “Tatari i diplomacisë”: “A je turk? Ti shko n’xhami/…A je i kshtenë? Ti atëherë shko në kishë/…Por si t’dilni një herë jashtë/…Vien me u dashtë si vëllau me vëlla.” (f.271) Dhe më tej: “Besa, feja e historia/…e bajn’ popullin me qenë vëlla/E me u mbajtë mollë e pa nda.” (f.272)
Çështja e bashkimit të shqiptarëve diktohet edhe nga ndikimi negativ i fuqive europiane që sillet bukur te një dialog i improvizuar midis Skënderbeut dhe Djallit te biseda “Nën hajat të Parrizit”:
Skënderbeu:
Kush i ngatërroi?
Djalli:
Diplomacia.
S: Çka asht diplomacia?
D: Asht vajza eme.
S: Ke vajzë ti?! Po s’amës si i thonë?
D: Europë…
S: Ke qenë në Shqipni?
D: Po, por se ka shqiptarë mbi tokë, s’e kam ndie kurrë…
S: Si janë, pra, shqiptarët dhe Shqipnia?
D: Si i don anmiku…. Shqiptarëve u hini zekthi i atdhedashurisë e filluen me punue kush për vedi e kush për bark të vet; edhe nisën me ngrehë për gjithë katund kah një qeveri të përtashme… Në Shqipni hiqet zi me gjetë se kush me ndigjue, pse për me urdhnue, gjen sa të duesh… Ai i moçmi ka thanë: unë zot, ti zot, po magjarin kush e kullot? (f.137-143)
Kjo bisedë është shkruar 110 vjet më parë, por duket sikur Fishta është ngritur nga varri, ose ka zbritur nga parajsa dhe e ka shkruar sot. Fuqitë e mëdha europiane kanë luajtur rolin e gjykatës së lartë për ballkanasit nacionalistë dhe peshorja e tyre e drejtësisë anohet qëllimisht shtrembër me goditje dashakeqe. Gjithsesi, siç rimerret problemi edhe te poezia “Dredha e djallit”, e keqja qëndron në faktin “pse dreqnit kem’ komshi.” (f.163) Ja si portretizohet një komshi i keq si Knjaz Nikolla:
“M’paske qen si dushk pa gogla…
Vetullgreth e mjekërgjanë,
Dy sytë tuej si dy biruca,
Goja jote hapët sa këpuca
Hunda jote sa ‘i sama
Kjo s’t’ka lanë me hangër bar…” (f.310)
Kjo qasje e komshinjve e bën Fishtën të shpërthejë në ekstrem: “Shqiptar kush s’asht me gjak/ Sot të dalin prej Shqipnije!” (f.388) “Se shqiptari n’dhe të vet,/Do t’jetë ai vetë zot e mbret!” (f.410) Por e keqja qëndron edhe brenda nesh “e kjo namë, ose kjo rrufe,/Ka me ngjatë, them, ndër ne,/Der’sa mendjen na ta rrisim/E me dije mos ta shndrisim.” (f.165)
Larpamësisht, te poema herojkomik “Palokë Luca” poeti mban qëndrim ndaj sistemit të drejtësisë, “se me iu shmangë drejtësis’ e ligjës, një shtet/nuk përparon…” (f.213)
Me një ironi të hollë që ta rrëmben buzëqeshjen përmbyllet poezia “Jaho Begu e Palokë Cuca”, ku paralajmërohet se Shkodra nuk mund ta pranojë brenda Aladro Kastriotin dhe mund të presë në Vrakë deri sa të arrihet liria.
Nuk është për t’u çuditur që në skenën e problematikave të shumta, Fishta ka krijuar edhe një hapësirë për librin me tingëllim aktual, edhe pse është shkruar që në vitin 1911. Është biseda e autorit të një libri me pronarin e shtypshkronjës te poezia “Kontrata”:
Autori:
Sa javë, thue, munden me shkue
Pa u shitë libri, që unë kam shkrue?
Shtypshkronjësi:
Eh! Sa javë? Ti thuej: sa vjet?
E, madje, nuk di a shet!”