
Nga FRANCO VENTURINI
Po t’I mbivendoset një hartë gjeografike statistikave mbi vaksinat kundër-Covid, mund të besohet se Bashkimi Sovjetik nuk ka vdekur më 1991. Në Rusi pandemia shkakton 1200 të vdekur në ditë, të vaksinuarit janë 34 %, dhe të vdekurit janë 800.000, një katastrofë në një Vënd që duhet të luftojë kundër rënies demografike.
Në republikat që bënin pjesë në BRSS statistikat janë pak të besueshme, por mendohet se gjëndja është edhe më e keqe. Për shëmbull n’Ukrainë, që mund të ketë vaksinat perëndimore, përqindja e vaksinimit është m’e ulët se ajo ruse. Nëse vështrohet në ish perandorinë sovjetike, në rajonet e Paktit të Varshavës e të COMECONIT, shihet se Vënde që sot janë në Bashkimin Evropian e në NATO duhet të bëjnë llogaritë me dukuri të ngjajshme, veçanërisht në Rumani (të vaksinuar 24,9 % dhe në Bullgari (22%) që, të gjëndur tashmë në Perëndim, nuk kanë asnjë nevojë të besojnë në vaksinën ruse Sputnik V.
Politologët dhe sociologët janë tashmë të bindur se nuk bëhet fjalë për cilësinë e vaksinës ose për dyshime mbi efektshmërinë e saj. Në këtë pjesë të botës ku mbretëroi BRSS ka mjaft “jovaks historikë”, bij e nipa të kulturës sovjetike, e më parë cariste, në të cilën ishte i detyrueshëm nënështrimi por në fshehtësi ushqehej mosbesimi më absolut kundrejt Shtetit në të gjitha përmasat e tij. Rënia e BRSS ka sjellë fundin e frikës (të sulmuar më parë nga Glasnosti i Gorbaçovit), por një kulturë shekullore ka mbetur në shoqërinë e “socializmit real” e shfaqet edhe në kontekstin e autoritarizmit putinian e në kaosin ukrainas, me një dyshim të hershëm që ndalon të ndiqen këshillat e pushtetit.
Të merremi vesh: jovaksët janë edhe te ne e në gjithë Perëndimin. Por përmasat janë shumë të ndryshme, edhe se këto nuk përjashtojnë përsiatjen mbi gjurmët e lëna nga totalitarizmat tona.
“Corriere della Sera”, 16 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika