Ish kryeministi shqiptar, Sali Berisha ka përdorur profilin e tij në facebook për të shkruar edhe ai diçka në lidhje me fushatën kundër mesfushorit shqiptar të PAOK-ut, Ergys Kaçe.
” Të dashur miq, prej disa javësh viktima e fundit e albanofobisë është bërë futbollisti i talentuar shqiptar që luan ne ekipin e klubit PAOK të Selanikut dhe Kombëtaren tonë, 20 vjeçari Ergys Kaçe” shkruan Berisha.
Ai më tej ka thënë se “ Shkak i stuhisë raciste mesjetare kundër yllit të futbollit është bërë postimi prej tij në Facebook i një fotoje personale, në të cilën ai ka dalë me një bluzë ku shkruhet UÇK. Këtë betejë e nisën nazistët grek, dhe dihet se rracizmi është ideologjia e tyre. Por mjerisht, drejtues të klubit sportiv PAOK nga trysnia e nazistëve apo albanofobia e tyre, duan të ndëshkojnë me një standart mesjetar futbollistin”.
Berisha ka thënë se ky presion është një fatkeqësi jo vetëm për klubin por edhe për vet qytetin e Selanikut “Në rast se qëndrimi i tyre ka në bazë urrejtjen për UÇK-në, atëherë eksponentet e Agimit të Artë duhen konsideruar më të civilizuar pasi së paku janë të hapur. Një bluze e UÇK-se nuk është dhe nuk mund të jetë kërcënim për asnjëri. Shqipëria dhe Kosova janë të percaktuar qartë për respektim të plotë të kufinjëve ekzistues, por për çdo shqiptar ajë përfaqëson djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, që me sakrificën e tyre sublime i’u rikthyen shqiptarëve të pushtuar, lirinë dhe dinjitetin e munguar dhe bënë edhe Ballkanin më të lirë, më të drejtë! ” përfundon Berisha.