Maqedonia ka gjasa reale jo vetëm të merr raport negativ nga Komisioni Evropian, por edhe të humb rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.
Intervistoi:Isuf Kadriu/
RADIO EVROPA E LIRË-Zoti Ramadani, si e vlerësoni punën e Komisionit hetimor, i cili, nuk arriti të dalë me një raport, sa i përket incidentit të 24 dhjetorit në Kuvend? Çfarë do të thotë kjo për Maqedoninë?
ISMET RAMADANI-Krejt kjo kuptohet se do të reflektohet në të ardhmen euroatlantike të shtetit, sepse dy partitë më të mëdha politike maqedonase tregojnë se nuk janë në gjendje që të japin një vlerësim ku duhet ndoshta edhe dikush patjetër të marrë përgjegjësi për një ngjarje të tillë, jo të pëlqyeshme që ndodhi më 24 dhjetor.
Kështu që besoj se loja e tyre do të jetë më shumë në dëm të qytetarëve, pasi ato do të garojnë se cila prej tyre më shumë do të përfitojë nga ajo që ndodhi në Komision.
RADIO EVROPA E LIRË-Sa ka gjasa që nga dështimi i punës së Komisionit, Maqedonia të humbë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, në raportin e progresit të vjeshtës?
ISMET RAMADANI-Mendoj se gjasat janë reale që të fillojë faza e dënimeve që do të vijnë në strukturat udhëheqëse të BE-së, për shkak se, sipas meje, Maqedonia ishte e përkëdhelur në disa situata me vetë ngritjen e bisedimeve në nivelin më të lartë, duke i dhënë shans, mirëpo mund të ndodhë që kësaj radhe ajo edhe të marrë raport negativ.
Me këtë, përfundimisht, do t’i tregohej kësaj qeverie të udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, se nuk është kjo rruga, e cila e shpie vendin drejt integrimeve euroatlantike. Me këtë do të konstatohej se përfundimisht kësaj udhëheqësie shtetërore duhet t’i jepet një vërejtje më serioze që mund të shkojë deri te përcaktimi për një komponim apo riformatim të një qeverise, e cila do të ishte më integruese sa i përket strukturave euroatlantike.
RADIO EVROPA E LIRË-Që të ndodhë kjo, duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mendoni se janë krijuar kushtet apo se pushteti aktual është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
ISMET RAMADANI-Po, mund të jetë si opsion, por atëherë partitë politike shqiptare duhet të dalin me një apel paraprak dhe të thonë se nëse zgjedhjet i fiton një parti politike maqedonase, e cila është dëshmuar se nuk është e interesuar për integrimet euroatlantike, ne me parti të tillë nuk jemi të interesuar të bashkëqeverisim.
Me këtë i bëhet me dije edhe opinionit të brendshëm, por edhe atij ndërkombëtar, se mund të vijë një krizë edhe më e thellë që do të marrë përmasa ndëretnike edhe politike, të cilat me të drejtë mund t’i shkaktojë faktori politik shqiptar. Kjo sepse alibinë e ka shumë të fortë, ngase me parti politike maqedonase, e cila pengon apo nuk është e interesuar që ta zgjidhë çështjen e emrit, apo të bëjë pak më shumë drejt integrimeve euroatlantike, ne nuk mund të bashkëqeverisim.
RADIO EVROPA E LIRË-Sa mund të ndodhë ky unifikim i faktorit politik shqiptar, duke marrë parasysh se përvoja e deritanishme tregon se ato sikur më tepër kanë qenë të interesuara për pushtet, sesa të bëjnë kushtëzime të tilla?
ISMET RAMADANI-Unë mendoj se para elektoratit shqiptar është shtjerrë edhe ai mashtrim që është bërë për të grabitur sa më shpejt pushtetin apo pjesë të pushtetit. Dhe, nuk besoj se do të munden partitë shqiptare edhe një herë të provojnë që elektoratin shqiptar ta vënë në lajthitje pa u dhënë garanci më të mëdha se ata do të kenë vendin e vet në integrimet euroatlantike në qoftëse edhe më tutje lihet hapësirë dhe tentohet të blihet kohë sa i përket integrimeve.
Unë mendoj se atëherë shqiptarët do të jenë humbës të mëdhenj, sepse partia e Gruevskit, si parti konservative nacionaliste, në planin e brendshëm partitë shqiptare do t’i vërë në pozicion të palakmueshëm, inferior dhe do t’ia marrë edhe mundësinë që ato të legjitimohen si parti pozitive dhe në interes të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.
RADIO EVROPA E LIRË-Partitë shqiptare ishin skajshmërisht indiferente edhe ndaj punës së Komisionit, incidentit në Kuvend e kështu me radhë, Si e shpjegoni ju këtë heshte, këtë indiferencë të tillë?
ISMET RAMADANI-Unë mendoj se është gabim që të merret pozicioni indiferent për çështje, të cilat edhe pse në dukje të parë shihen sikur u takojnë maqedonasve, sepse sado që ne themi se çështja e Komisionit, incidenti në Kuvend është problem midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ajo në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kisha thënë, reflektohet në pozicionin që ka shteti ndaj integrimeve euroatlantike dhe këtu janë shqiptarët.
Madje, mund të them se në njëfarë mënyre ne po e paguajmë edhe më shumë, sepse vetë inatosja, kryeneçësia e kryeministrit për t’i prishur marrëdhëniet me fqinjët, për t’i prishur marrëdhëniet me BE-në, të gjitha ato po reflektohen në ngecjet e ekonomisë, në rritjen e varfërisë, të papunësisë, të harxhimit të parave të buxhetit, të cilat fare nuk shkojnë në interes të të përmirësimit të jetës së tyre.
RADIO EVROPA E LIRË-Problemi kryesor, me të cilin përballet Maqedonia, është çështja e emrit. Në shtator janë paralajmëruar lëvizje të reja nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic. Shpresoni se mund të ketë ndonjë zhvillim pozitiv, duke marrë parasysh pozicionet e palëve, e në veçanti të kryeministrit Gruevski?
ISMET RAMADANI-Fatkeqësisht, bashkëbiseduesit, të cilët duhet të vendosin për këtë çështje, të marrin vendim, janë shumë larg në qëndrime. Nuk e kap aspak logjika që Samaras dhe Gruevski ta zgjidhin çështjen e emrit, edhe pse presionet mund ta bëjnë të veten.
Këtu kemi të bëjmë me problemin se Gruevski ka shkuar shumë larg sa i përket ndeshjes me historinë më të largët greke dhe asaj që pretendohet nga Gruevski dhe udhëheqësia rreth tij, për Maqedoninë antike, identitetin antik maqedonas dhe këtu besoj se grekët në asnjë mënyrë nuk do të lëshojnë pe, sado që t’i bëhet presion Samasarit, pasi nesër ajo duhet të ratifikohet në Kuvendin e Greqisë dhe kjo përbërje e tij nuk do të lejojë asnjëherë që asnjë centimetër apo miligram e historisë antike të Greqisë, t’i jepet Maqedonisë.
Ndoshta për ndonjë emërtim gjeografik Greqia do të bëjë lëshime, mirëpo besoj se kjo do të kushtëzohet nga ana e tyre që në formë të shkruar udhëheqësia maqedonase të heqë dorë nga historia antike dhe apo nga ajo që quhet identitet antik.