
Arben Iliazi/
Me qenë se i çmendur linda, jetova edhe vdiqa
Nuk desha ta provoj unë vetë Boshësinë time..
Buda më mësoi të lahem, të krihem,
Nga ferrat dhe drizat e udhëtimit.
Sokrati më mësoi të pi helmin,
Për të thënë të vërtetën.
Krishti më mësoi t’i ngjitem Kavarit.
Muhameti më mësoi Fatcaktimin
Ashtu bëra. U lehtësova saqë qëndroj pezull
Mbi çdo dhembje.
Këto vargje i përkasin poezisë “Pezull” të Isuf Luzajt, një zë drithërues që mbështjell të gjitha vuajtjet dhe trazimet. Si rrallëkush ndër poetë shqiptarë të mërgimit ai njohu kafshimin që i dha dhembja , dënimi me harresë dhe në mungesë, si “armik i vetëdijshëm i ideologjisë komuniste”, i mbërthyer në kryqin e kundërshtive të veta.
Të shenjta janë fjalët që ai ka shkruar:
“Dje qeshë dikushi që erdha nga boshësia,
nesër do të jem askushi në vendin tim”.
Isuf Luzaj dashuroi gjithcka dhe bëri gjëra të mrekullueshme në jetë, edhe pse mbeti një poet i “mallkuar”, i qarkuar me rrathë ferri në thellësitë e ndjenjës. Sa mjegullnajë në këtë botë mizore dhe sa dhembje në këtë mjegullnajë! Por dhimbja e poetit ka ndriçimin e shenjë të Prajsës, ndaj e sfidon vdekjen, armikun e përjetshëm. Përmes mureve të mugëta të ferrit, Isuf Luzaj “qëndroi pezull mbi çdo dhembje” dhe “asimetri cinike” dhe nxorri nga terri himnin e hareshëm:
“Ekzistencë dhe Qënie, asimetri cinike,
Ekzistoj kur veproj; lë gjurmë udhëtimi.
Qënia jam, Esencë që lëviz si një hije
Pa e ndjerë Kohën as mike as armike,
Pa njohur udhën as ku të shpije drejtimi.
Këto janë trajtat e shpirtit abstrakt
Ndonëse kujdesi përgjegjës është i imi.
Nuk ekzistoj kur jam, veçse ankthi shëtitës,
Marrë frymë ndaj provoj, besoj që jam i gjallë,
Ndjek kopenë pas çobanit për qullin e ditës,
Shtohem në breza pa njohur ç’është malli.
Kjo është piktura e shpirtit frikacak,
Ja robot angarie: ja dash sa për gjak.
Qënia s’është mjaft, kur ekzistoj, jam i lirë.
Ekzistenca dhe Esenca janë qënia më e mirë.
Kjo është simetria e nderit, virtyt flori.
***
Kur jam, e gjej unin në çdo orë e çdo stine,
Ai që qesh dje, të heq zvarrë pleqërinë
Pa ditur as unë, nga vete e pse vi?
Ky është dënimi i jetës, ky është kërkimi.
Kjo ethja c tyre, kjo angushi!
Kur ekzistoj ngjitem në shkallë
Çdo çast një unë tjetër, larg nga uni i djeshëm.
Ekzistenca dhe esenca një formulë e rrallë,
E shoh kohën që do vijë si një pasqyrë e qartë,
I shoh ndodhitë si do vinë varg e varg.
Uni fluturon në sferë të përjetshme.
Ekzistoj në këtë orë të ftohtë e të trembur.
Drita e shpirtit ngadalë si shenjtore
Vjen pa e thirrur dhe më merr për dore,
Shërojmë çdo plagë shoqërisë së dhembur,
Esenca ekzistencës i është diell diamanti,
E nxjerr nga tuneli ku e burgosi kërkesa.
Në unin tim rron besa dhe shpresa,
Sjellin me karvanë dituritë e vjetra,
Guximin e heroit, fuqinë e gjigandit.
Dhe kur i mbarohet vaji kandilit
Digjet misionari qe është fitili,
Po drita vazhdon ne shekuj ndriçimin.
Ndaj ekzistoj me Esencë te misterit.
Ati i dheut, i detit, i qiellit
Kur më nisi, më dorëzoi fenerin
Për të udhëtuar udhën e kryqit.
Për t’i mësuar Kohës mësimin”.
Shkenca e shpirtit dhe arti, në krijimtarinë e Isuf Luzajt kanë një unitet pambarim, një ansambël pambarim shtysash dhe shpërthimesh, duke nxjerrë gjithnjë në pah anën mbizotëruese, që rrok melodia antagoniste e qënies së tij. Luzaj është ndër të parët poetë shqiptarë që ka vënë këmbën në botën psikologjike moderne, duke frymëzuar njeriun e diferencuar të letërsisë. Në poezitë e tij Luzaj, poeti që jetoi në një kontradiktë të përjetshme, kontrastin e pasionit ndërmjet botës së tij shpirtërore dhe realitetit mazokist. Duke përshpejtuar me shqetësim shpërbërjen kimike të ndjenjave të grumbulluara, ai zbuloi kontinentin e ri të shpirtit dhe hapi rrugën për lundërtatrët e ardhshëm, duke kapur përpjekjen e çuditshme që ndriçon çdo vendim të zemrës së njeriut.
Ky poet, shkrimtar dhe filozof paradigmatik, i bën nder letërsisë shqipe dhe vjen ndoshta pas Nolit e Konicës në tashëgiminë tonë letrare. Ndaj studiuesit e letërsisë do bënin një gjest të dëlirë ta përfshinin krijimtarinë tij nëpër antologji, apo kurrikulat shkollore.
BIOGRAFIA
Isuf Luzaj lindi në Kaninë e Vlorës më 21 shkurt 1913 në një familje fetare. Ai ishte arsimtar, shkrimtar, dhe filozof shqiptar.
Pasi mbaroi gjimnazin në Shkodër, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ishte delegat i Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukjes më 1943. Më Nëntor të 1944 u detyrua të marrë udhën e mërgimit; në fillim në Itali, pastaj në Argjentinë dhe nga 1965 në SHBA. Është një nga figurat më të spikatura të kulturës sonë kombëtare, me një krijimtari të pasur në fushën e letërsisë, historisë dhe filozofisë. Veprat e tij, shumica të pabotuara, përbëhet nga 93 vëllime. Krijimtaria e tij letrare fillon që në vitet ’30 me përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, botuar më 1938. Më 1954 botoi në spanjisht romanin “Lumenjtë derdhen të kuq”. Lexuesi shqiptar është takuar me të tepër vonë, në vitet ’90, kur në Tiranë filloi të botohej ndonjë vepër e shkëputur e tij. Më 1995 u botua “Gloria e çmendjes” (poema), më 1996 “Ekzistenca dhe boshësia” (libër filozofik) dhe më 1999, libri “Sëmundjet e shekullit” (Ese filozofike).
Prof. Dr. Isuf Luzaj ka punuar për një kohë të gjatë në disa universitete amerikane si titullar katedre, shef i departamentit dhe si profesor i filozofisë, i letërsisë frënge, i gjuhës dhe i letërsisë spanjolle. Ai ka patur miqësi dhe korrespondencë me disa presidentë të SHBA. Titullin e lartë “Profesor Emeritus” ia ka vendosur në gjoks vetë Presidenti Regan.
Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.