(PËRTEJ KUJT FITON ZGJEDHJET)
Nga SIMONE CROLLA, këshilltar i ngarkuar nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë në Itali
Në këtë gusht veçanërisht të ndezur, që do të çojë në votimet e 25 shtatorit, dëgjojmë shpesh të flitet për besnikëri atllantike. Është e vështirë të thjeshtohet në pak rrjeshta një lidhje – jo vetëm diplomatike – kaq e posaçme, e lindur më 1861 dhe e themeluar mbi një bashkëndarje të thellë vlerash e parimesh, përtej pamjes së numërave, që për ne përkthehen në tregëti e investime dhe dëshmojnë konkretisht rëndësinë e një marrëdhënie besimi që shkon përtej gjithshkaje. Në fakt, Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë tregun e tretë (mbas Gjermanisë e Francës) dhe një fitim tregëtar prej rreth 40 miliardësh. I njëjti optimizëm përsa i përket investimeve të drejtpërdrejta, me amerikanët në Itali baraz me 31,1 miliard dollarë (34,6 % më shumë se në 2003) dhe italianët në SHBA që kanë shënuar një rritje befasuese duke filluar nga 2008 dhe në gjithë periudhën mbas krize, me një vlerë që sot është e barabartë me 31,6 miliard dollarë (355,5 % më shumë se më 2003)
Numëra të rëndësishëm, të fuqizuar më tepër nga rreth 2500 ndërmarrje me pjesëmarrje amerikane që punësojnë rreth 340.000 punonjës e që dëshmojnë rëndësinë e një lidhjeje ekonomike që, megjithatë nuk ka shprehur ende mundësinë e saj të plotë, nëse krahasojmë këto shifra me ato të konkuruesve tanë kryesorë evropianë. Nuk janë vetëm faktorë ekonomikë, sepse ka 31.000 studentë amerikanë që zgjedhin Vëndin tonë si synim i parapëlqyer për rrugëtimet e tyre akademike, të ndihmuar nga më shumë se 150 konvikte e universitete të shpërndarë në të gjithë gadishullin, dhe 15.400 qytetarë amerikanë që jetojnë n’Itali (2,9 % më shumë se më 2019), me Lacion, Lombardinë, Toskanën dhe Veneton si vënde më të kërkuar. Nga ana tjetër jemi në vëndin e tretë si vëndmbërritje e parapëlqyer nga turistët amerikanë, që në 2019 kanë qënë më shumë se 4,4 milionë (7 % më shumë se më 2018). Një trafik ndëratllantik i ndihmuar edhe nga gati 11.000 njerëz që çdo ditë kanë fluturuar drejtpërsëdrejti ndërmjet Italisë dhe Shteteve të Bashkuara (3,93 milionë në dymbëdhjetë muaj) në fazën para Kovid, në sajë të më shumë se 30 fluturimeve ditore.
Edhe sporti sheh një prani yjesh e vijash në rradhët e tij. Nga 2011, viti i hyrjes të investuesëve “yankee” në futboll (A.S. Roma), prania amerikane në këtë sport është shtuar, me 13 skuadra me pronësi transatllantike. Përveç Romës, në serinë A janë amerikane Atalanta, Milani, Fiorentina dhe Spezia. Në serinë B janë Ascoli, Gjenova, Parma, Piza, Spali dhe Venediku, ndërsa në Lidhjen Pro mund të numërohen Campobasso dhe Cezena. Kërshëri, edhe fusha e verës është veçanërisht e vlerësuar, me pesë punishte (Banfi, Fantini, Vietti, Enrico Serafino dhe Ruffino) me pronësi amerikane. Së fundi, siç dëshmohet nga Covid Corporate Aid Tracker, e përpunuar gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara kanë qënë përkrah Italisë që nga fillimi i pandemisë, në sajë të bujarisë së sipërmarrjeve amerikane që kanë dhuruar 50 milionë euro në ndihmë të piskamës, veç falë Administratës amerikane dhe përkujtesës që i lejoi Italisë të përfitonte 100 milion dollarë në ndihma ekonomike e shëndetësore. Mund të vazhdohet, por ka mjaft lëndë për të përsiatur mbi rëndësinë e kësaj miqësie të lashtë e në të njëjtën kohë t’aftë për t’u projektuar me besim drejt s’ardhmes, një miqësi e themeluar mbi bashkëndarjen e një pasurie ideali që zhyt rrënjët n’ato vlera që përbëjnë rendin liberal ndërkombëtar, si mbrojtja e shumanësisë, e demokracisë dhe e lirisë kundër çastit të regjimeve të rinj iliberalë.
Prandaj, për t’ardhmen tonë, përtej asaj se kush do t’i fitojë zgjedhjet, është e detyrueshme të kujtojmë se atë që jemi sot i a detyrojmë edhe miqve amerikanë që, duke filluar nga operacioni Husky i vitit 1943 ( i sendërtuar nga aleatët në Siqili, shënoi fillimin e fushatës së Italisë, me synimin për të çliruar Vëndin tonë dhe Evropën- dhe është detyrë e jona të kujtojmë me frymë të thellë mirënjohjeje më shumë se 30.000 ushtarët amerikanë të rënë në Itali) dhe duke kaluar nëpër udhëtimin në Washington, më 1947, të atëherë Kryeministrit Alcide De Gasperi, që mori një financim prej 100 milion dollarësh nga Administrata Truman dhe një mbështetje që në pranverën e të njëjtit vit, kulmoi në të famëshmin plan Marshall, na kanë ndihmuar të rindërtojmë shtyllat e shoqërisë sonë, duke ndihmuar mirëqënie e qëndrueshmëri e duke e kthyer Vëndin tonë, të karakterizuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një fuqi ekonomike botërore. Pra, cilido që të fitojë më 25 shtator nuk mund të mos mbetet i lidhur n’ato vlera që, nga mbarimi i luftës së Dytë botërore na shoqërojnë e që nuk mund të vihen në diskutim nga askush, por që së shumti, e ne punojmë për këtë, të jenë ripërtërirë e përmirësuar.
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika